Greqia, “të dalë apo të mos dalë” nga euro
Opinion e Shtunë, 18 Gusht, 2012 | 13:11 pmVALBONA ZENELI
Ai që u duk se ishte një problem i brendshëm politikash në Greqi në 2009- n, kur ish-kryeministri Papandreu deklaroi se buxhetet shtetërore kishin rezultuar të falsifikuara dhe deficitet buxhetore ishin dy herë më të mëdha sesa publikisht të deklaruara, po kthehet në një krizë reale, e cila rrezikon eurozonën, me konsekuenca potenciale negative për gjithë ekonominë botërore. Kriza financiare dhe ekonomike në Europë ka shkaqe të ndryshme. Filloi në fund të 2008-s me falimentimin e “Lehman Brothers”, një nga simptomat e krizës bankare ndërkombëtare, duke sjellë konsekuenca serioze ekonomike në disa vende të eurozonës, për shkak të uljes së rritjes ekonomike dhe konkurrueshmërisë. Kjo solli rritje të borxheve publike të këtyre vendeve dhe vështirësi pagesash. Situata bëhet edhe më e vështirë për shkak të diferencës së opinioneve të aktorëve kryesorë politikbërës të Bashkimit Europian në lidhje me zgjidhjen e situatës. Problemet nuk qëndrojnë në situatën e përgjithshme në eurozonë, por në disa anëtarë të saj të Europës Jugore. Pavarësisht të gjithave, monedha e përbashkët ka qëndruar stabël si brenda eurozonës, me norma tw ulëta inflacioni, ashtu edhe jashtë saj, me norma këmbimi stabël. Greqia është aktualisht epiqendra e krizës së borxhit sovran, me një borxh që arriti 160 % të GDP-së në fund të vitit 2011. Nuk kam si qëllim të merrem me shkaqet që sollën këtë situatë krize në Greqi, janë shkruar qindra artikuj për t’i shpjeguar ato. Por, do të theksoja se kjo është një krizë e prodhuar edhe nga korrupsioni, pandëshkueshmëria, keqadministrimi politik, klientelizmi, fryrja e jashtëzakonshme e administratës publike (1/9 e të punësuarve në Greqi). Sot, qytetarët në BE nuk janë më shumë të interesuar për shkaqet dhe mënyrën sesi kjo situatë u krijua, por për të gjetur një rrugëdalje. Situata në Greqi është veçanërisht e vështirë. Ekziston një frikë e fortë mes politikanëve dhe qytetarëve të thjeshtë në lidhje me daljen e mundshme të vendit nga euro zona këtë shtator. Në fakt, qysh prej majit të kaluar, zyrtarë të eurozonës paralajmëruan anëtarët e saj të fillonin të përgatisnin plane emergjence, në rast të “Grexit” (siç quhet sot dalja e Greqisë nga zona e monedhës së përbashkët). Duket se edhe vendet më të fuqishme të eurozonës po mësohen dalëngadalë me këtë ide, duke e konsideruar daljen e Greqisë një sfidë “të menaxhueshme” për të gjithë partnerët europianë. Sipas “World First”, shanset për daljen e Greqisë nga euro në 12 deri në 18 muajt e ardhshëm arrijnë deri në 70%. Mbështetësit e daljes së Greqisë nga euroja shpjegojnë se falimentimi do ta lejonte vendin ta merrte veten më shpejt dhe t’i jepte fund nevojës për rinegocime të pafundme për borxhin publik. Gjithashtu, kjo do të limitonte risqet e përhapjes rajonale të krizës dhe do të lejonte Greqinë të fokusohej në përmirësimin e konkurrueshmërisë së saj. Benefite të tjera do të realizoheshin edhe nga shtytja e qeverisë greke për të promovuar transparencën dhe përgjegjshmërinë. Pikë qendrore në këtë temë do të ishte nevoja jo aq shumë për të rritur taksat, por për të forcuar efektshmërinë në mbledhjen e tyre. Disa qeveri europiane kanë filluar të kalkulojnë koston financiare të vendeve të tyre në rastin e daljes së mundshme të Greqisë nga eurozona në muajt e ardhshëm, me premisën që çdo kosto e daljes të jetë më e ulët se kostoja e negocimeve dhe ndihmave të pafundme. Një supozim fillestar i kostos financiare të “Grexit” flet për një faturë prej 320 bilion eurosh, dhe disa banka gjermane kanë kalkuluar se kjo do t’i kushtonte qeverisë gjermane rreth 100 bilion euro, diçka si 3% e prodhimit vjetor ekonomik. Një kosto e ngjashme është llogaritur edhe nga zyrtarët financiarë francezë. Por a është “Grexit” kaq e thjeshtë dhe e menaxhueshme siç shpjegohet në një farë mënyrë nga mbështetësit e kësaj ideje? A është kjo një “ujdi” e mirë, në krahasim me angazhimet pa fund drejt Greqisë? Apo është thjesht një mënyrë për të rritur presionin ndaj qeverisë së Athinës për të implementuar reformat ekonomike dhe planin e masave shtrënguese? Banka Qendrore Europiane (BQE) dhe qeveritë europiane kanë dhënë hua më tepër sesa 2 trilion euro deri tani, për të mbështetur vendet e Europës Jugore (apo periferike, në gjuhën që përdorin sot ekonomistët). Këto hua kanë qenë të kondicionuara me masa shtrënguese, të cilat jo gjithmonë kanë demonstruar rezultatet që priteshin, të paktën në periudhën afatshkurtër. Në Greqi, nën presionin e autoriteteve europiane, shpenzimet publike janë shkurtuar duke ulur në këtë mënyrë nevojën për hua të reja. Gjithsesi, ndërmjet 2009-s dhe 2011-s, GDP-ja ka rënë me 10 %, stoku i kapitalit me 30% dhe kërkesa e tregut me 17.5%. Ekonomia pritet të tkurret me tepër sesa 7% në vitin 2012. Këto të dhëna bëjnë që deficiti të vazhdojë dhe raportet e borxhit të rriten, duke bërë në këtë mënyrë jorealiste pritshmëritë që vendi do të jetë në gjendje të stabilizojë financat publike. Pyetja është: Largimi nga euroja, është vërtet gjeja më e mirë e mundshme për Greqinë dhe qytetarët e saj? A do ta ndihmonte rikthimi te dhramia Greqinë që të ringrihej së shpejti? Unë jam dakord me disa ekspertë ekonomikë që kostot potenciale të daljes së Greqisë nga euro janë shumë të paqarta dhe potencialisht të rrezikshme. Duke e parë këtë çështje nga një perspektivë më e gjerë, shumë pyetje më vijnë në mendje. Si do të ndodhë tranzicioni nga euroja te dhrahmia? Çfarë mekanizmi duhet ngritur për të parandaluar falimentimin e mundshëm bankar? Cilat masa do të merren për t’u marrë me çështjen e fluturimit të kapitalit? A do të shkaktojnë rrethanat ekonomike një valë të re emigrimi në një kohë që kapitali njerëzor do të duhet më shumë se kurrë sot për rigjenerimin e Greqisë? Çfarë do të ndodhë me borxhin sovran të Greqisë? Cilat do të jenë konsekuencat për sigurinë ndërkombëtare? Faktet tregojnë se në vazhdim të deklaratave dhe opinioneve kontradiktore mbi unitetin e eurozonës, gjatë muajve të fundit depozituesit grekë dhe jo vetëm (spanjollët dhe italianët gjithashtu) kanë transferuar depozitat e tyre drejt bankave në Gjermani dhe Holandë më së shumti. Sipas “Bloomberg View”, për shkak të frikës së kthimit te dhrahmia apo lireta, janë transferuar tashmë më shumë se 800 bilion euro dhe ky trend po intensifikohet. Në një kohë kur qeveria greke dhe të tjera po luftojnë për të marrë hua dhe rinegociuar borxhet, qytetarët e tyre po dërgojnë monedha jashtë vendit, duke vënë në këtë mënyrë në rrezik të madh sistemin bankar. Për aq kohë sa do të vazhdojë rreziku i daljes nga euroja, kreditë në tregjet lokale do të jenë të mangëta, kapitalet dhe investimet e huaja do të qëndrojnë larg, duke tkurrur edhe më tepër ekonominë. Në opinionin tim, kostot e daljes nga euroja, për vetë Greqinë do të jenë shumë më të larta sesa pagesat e borxhit. Ky nuk është thjesht një problem ekonomik, është edhe një problem sigurie kombëtare dhe ndërkombëtare. Nëse vendi do të përballet me një falimentim të pastrukturuar, shteti nuk do të jetë në gjendje të paguajë rrogat dhe të ofrojë shërbimet publike (të paktën ato më esenciale). Kjo do të sjellë një risk të lartë radikalizmi (i manifestuar edhe gjatë muajve të fundit), që do të kishte konsekuenca sigurie, vështirë të parashikueshme. Destabilizimi nuk do të prekte vetëm Greqinë, por të gjithë Ballkanin, për shkak të lidhjeve të ngushta ekonomike dhe sociale. Ndikim të drejtpërdrejtë do të kishte dhe për vendet, të cilat në mënyrë direkte, ose përmes BQE-së, janë të lidhura me Greqinë dhe borxhin e saj, por jo vetëm. I gjithë Bashkimi Europian do të prekej, por efekte negative do të ndiheshin edhe në SHBA, si partneri tregtar më i rëndësishëm i BE-së. Dalja nga euroja nuk do të ishte vetëm një zhvlerësim i Greqisë, kjo mund të përbënte një precedent për vendet e tjera me probleme, por edhe sikur të mos ndodhte kjo, përsëri do të çonte në një trazim të të gjithë zonës së monedhës së përbashkët përmes efektit domino të fluturimit të kapitalit bankar dhe ndërprerjes së mekanizmave të pagesave në eurozonë. Nëse Greqia lë eurozonën, do të kishim një fluturim kapitali shumë më të shpejtë se sa ai që po vihet re këto kohë. Kjo do të bënte që bankat në disa nga vendet problematike të mbylleshin për ditë të tëra, në disa raste edhe të falimentonin. Eksperiencat nga krizat e mëparshme kanë treguar se fluturimet e kapitalit nga një zonë( me një monedhë të veçantë, apo dhe monedhë të përbashkët) dobësojnë normën e këmbimit, e cila do të çonte në një krizë të re monetare. Sipas këtij skenari, dhrahmia do të zhvlerësohej, duke çuar në inflacion të lartë jo vetëm në Greqi, por edhe në vende të tjera të BE-së, për shkak të lidhjeve të ndërsjella të tregut të përbashkët europian. Kompanitë greke me borxhe bankare do të ishin të detyruara të falimentonin, duke përcjellë efekte negative në tregun lokal dhe ndërkombëtar. Kjo do të tkurrte edhe më tepër ekonomitë europiane (të cilat ende nuk e kanë marrë vetën plotësisht nga kriza bankare e 2008-2009), duke hyrë kështu në një rreth vicioz recensioni, papunësie, borxhesh dhe akoma më tepër krizë. A ekziston ndonjë mënyrë për të dalë nga kjo situatë? A mund të shpëtohet Greqia dhe euroja? Unë besoj vërtet se po. Borxhi publik grek, sipas të dhënave financiare, është 4.5% e borxhit total të eurozonës, me një borxh prej 340 bilion eurosh apo 30 mijë euro për frymë. (Borxhi i Gjermanisë dhe Francës janë respektivisht 24% e totalit, me 23.9 mijë euro për frymë dhe Franca 21.5% e totalit, me 26.8 mijë euro për frymë). Për momentin, kriza në eurozonë (si e tërë) është ende një krizë likuiditeti, e cila nuk duhet të lejohet të kthehet në një krizë të aftësive paguese. Në opinion tim, është më tepër një krizë “psikologjike dhe besimi”. Vendet e Jugut kanë vështirësi të ngrenë fonde, për shkak të frikës së investitorëve publikë dhe privatë për të investuar në tregjet me risk. Dhe kjo është më se e kuptueshme, me këtë mundësi të lartë falimentimi, secila nga vendet e eurozonës përpiqet të minimizojë kontributin e saj për të mos humbur asetet dhe duke parë pasuritë e veta kombëtare të zvogëluara. Por, lënia e Greqisë jashtë euros do të ishte shumë më e shtrenjtë se sa përpjekja për ta mbajtur atë. Në këtë moment, ccdo zgjidhje e besueshme kërkon angazhim të plotë nga qeveritë e eurozonës për të ndihmuar njëratjetrën në kohë të vështira dhe për të mbështetur borxhin e njëra-tjetrës në situata krize. Gjithsesi, kjo nuk është e lehtë. Në këtë situatë, roli kryesor duhet të jetë i BQE-së, për të ofruar likuiditetin e nevojshëm për vendet jugore. Kjo, në një farë mënyrë, pengohet nga interpretimi që i bëhet BQE-së si huadhënës i instancës së fundit, si edhe nga presioni i opinionit publik se krijimi i likuiditetit do të rriste inflacionin. Zgjidhja e vetme do të ishte një “veprim i guximshëm dhe vendimtar” i liderëve europianë, – siç u shpreh Presidenti Obama në përfundim të Samitit të G20: “Për të injektuar kapital dhe për të ndarë një vizion të përbashkët për eurozonën, duke kuptuar që është në interesin e të gjithëve që Greqia të mbetet në monedhën e përbashkët. Duket se tani është momenti jo vetëm për të shpëtuar Greqinë dhe vendet e tjera jugore, por për të shpëtuar euron, për një angazhim të ri dhe një plan veprimi për union real bankar dhe fiskal, për një Bankë Europiane Qendrore me përgjegjësi me të zgjeruara, për një politikë ekonomike më mirë të strukturuar dhe të balancuar. Duket se dalja nga kriza do të jetë një kompromis midis konsolidimit afatgjatë fiskal dhe menaxhimit afatshkurtër të likuiditeteve. Zhurma politike dhe mediatike mbi procesin e negocimeve e ka bërë atë më të kushtueshëm dhe më të rrezikuar gjithashtu. Është llogaritur që kostoja financiare dhe ajo e reputacionit ka qenë shumë e lartë, për shkak të mungesës së solidaritetit. Procesi jo i mirë i komunikimit, në rastin e Greqisë, ka përkeqësuar situatën duke ulur fluksin e kapitalit dhe të ardhurat nga turizmi, që është edhe një nga zërat kryesorë të të ardhurave të vendit. Deklarata e Presidentit të BQE-së, Mario Draghi, se do të bënin “çfarëdo që do të duhej” për të siguruar stabilitetin e euros, ka pasur efekte pozitive të menjëhershme në tregjet e bursave europiane. Kjo sjell edhe një herë në vëmendje se problemet fondamentale të eurozonës nuk janë vetëm ekonomike dhe financiare, por edhe politike, institucionale dhe psikologjike. Disa lajme të mira në këtë drejtim vijnë nga Athina. Javën e kaluar, Trojka (me përfaqësim të FMN-së, BQE-së dhe Komisionit Europian) deklaroi “progres të mirë” në disa reforma, si ulja e pagave bazë me 22%, reformat në sektorin privat dhe një lloj konsolidimi fiskal. Pritshmëritë janë për një gjykim pozitiv në shtator, për një fond të ri shpëtimi prej 31.5 bilion eurosh, i cili do të përdorej për rikapitalizimin e bankave dhe pagesat e interesave të kredive. Në të kundërt, dështimi do të thotë prerja e fondeve europiane, kthim te dhrahmia dhe dalje nga euroja. Qeveria e Athinës duket shumë e angazhuar, duke qenë e bindur se e ardhmja është e bazuar në qëndrimin në euro. Përfaqësuesit e saj duken të etur për t’i treguar botës së duan të ndryshojnë. “Ne do të vërtetojmë se do t’i qëndrojmë marrëveshjeve, se jemi të dedikuar dhe duam të implementojmë planin tonë”, deklaroi javën e kaluar Kryeministri Samaras. Greqia i ka dhënë shumë historisë botërore dhe ne nuk duhet ta harrojmë; duhet të kemi më shumë ndjeshmëri për popullin e saj punëtor. Kjo është edhe fryma e Bashkimit Europian (duke filluar me firmën në 1957 në Traktatin e Romës), për të punuar së bashku, për të garantuar sigurinë, ruajtur demokracinë, rritur mirëqenien. Gjithçka bazuar në solidaritet, institucione dhe interesa të përbashkëta. Edhe vetë euroja është krijuar në frymën e këtij solidariteti. Kjo është arsyeja e krijimit të Bashkimit Europian, kjo është arsyeja pse vendet e tjera në Europë po luftojnë përmes reformash të vështira të bëhen pjesë e kësaj familjeje të madhe. Skepticizmi për të ardhmen e BE-së dhe zgjerimin e saj nuk do të ishte i pranueshëm.
* Autorja është profesoreshë në qendrën “Marshall”. Opinionet e shprehura në këtë artikull janë të autores dhe nuk reflektojnë politikën zyrtare apo pozicionin e Qendrës Europiane për Studimet e Sigurisë “George C. Marshall”, Departamentit të Mbrojtjes apo qeverisë së SHBA-ve.



























po le te dali se mos na vjen keq ne per to.akoma skan shkuar te gjithe greket per lesh.se mos jane njerez te mire.