Helidon Haliti: Ekspozita i kushtohet tim eti
Kulture e Premte, 17 Gusht, 2012 | 16:09 pm“Në qiellin e kaltër të socializmit, shtëpia ime pikon”. Këto vargje të poezisë së të atit ishin ngulitur mirë në kokë të tij, aq sa do të vinte dita t’u jepte formë, t’i ngjyroste.
Dje, piktori Helidon Haliti ka hapur ekspozitën e parë personale në Galerinë Kombëtare të Arteve, frymëzuar pikërisht nga poezia “Dielli dhe rrëketë”. Nuk ka qenë një poezi si të tjerat. Patjetër që në kohën kur është shkruar, për shkak të toneve të përdorura kundër regjimit, mbahet mend nga shumëkush, po ai më shumë se të tjerët kishte arsye sepse autori, babai i tij, poeti Faslli Haliti, e hoqi në kurriz guximin që mori kur e shkroi. Në një mënyrë a tjetër, sot i biri, duke i kushtuar gjithë ekspozitën personale që u çel dje e që do të qëndrojë e hapur deri më 10 shtator, ia ka zbehur sadopak dhimbjen. Por, fokusi i ekspozitës nuk ka mbetur vetëm te vargjet e të atit. Sado që ai është rritur nën frymën e tyre, për pasojë nën frymën e ndryshimeve që prekën familjen e tij. Shtëpia, në dimensione të ndryshme varësisht fantazisë së piktorit, merr përmasa dhe ngjyra të ndryshme.
“Kjo ekspozitë mori shkas nga një vizatim i imi që mbante datën e vitit 1976. Ky ka qenë vizatimi im i parë në akuarel. Im atë e ka veçuar duke i thënë nënës se “ka dorë”, unë isha tetë vjeç në atë kohë. Nga ai vizatim filloi e gjithë ekspozita, ku unë shprehesha për atë lloj filozofie, duke kujtuar se fëmijët e pikturojnë njëlloj shtëpinë për të gjithë botën, pavarësisht se dikush ka, dikush nuk ka shtëpi, dikush nuk do të ketë fare etj. Pothuajse të gjithë fëmijët me këmbëngulje shtëpinë edhe sot e kësaj dite vazhdojnë ta vizatojnë shumë të ngjashme dhe sigurisht shtëpia brenda ka heronjtë e përhershëm që janë prindërit. Ndonjë vëlla, ndonjë motër. Jashtë saj ka oxhakun dhe çuditërisht oxhaku gjithmonë nxjerr tym, gjithmonë ka re dhe ka ndonjë copë diell aty që kurrë nuk mungon. Ky motiv do të zërë vend edhe për pak kohë në ekspozitën time, por piktura kryesore, e cila zë vend në ekspozitë, është ajo që quhet “Diell e rrëke” bazuar në poemën e babait tim”,- tregon Haliti. Përveçse ka ruajtur vizatimin e tij të parë, babai ka qenë edhe shtysa më e fortë për piktorin që po rritej në të. Ka këmbëngulur gjatë që i biri të vazhdonte rrugën ku sapo kishte hedhur hapa, duke e ditur “përtacinë” për të cilën e ngacmonte hera-herës. Dhe në fakt nuk gabonte. “Pas pikturës sime të parë, pikërisht për arsyet që u druhej babai, përtacisë sime, pata një kohë tërheqjeje. Ka qenë këmbëngulja e tij që më riktheu sërish në vitin 1982. Nuk isha natyrë e dhënë fort pas punës. Për këto dhe të gjitha arsyet që e lidhin njeriun me familjen, ekspozita i kushtohet familjes”. Piktori Helidon Haliti rikthehet në GKA me një ekspozitë personale, ndërsa është shfaqur për herë të parë qysh kur ishte në lice, në vitin 1984, kohë kur ka marrë pjesë edhe në një ekspozite kombëtare. Më tej, Haliti ka qenë pjesë në disa ekspozita kolektive që organizoheshin, si në ekspozitën “Pranvera” të vitit 1989, ku është nderuar me çmim, si piktor i ri. Pas vitit 1990, Haliti punoi për shumë vite në Greqi si piktor, ndërsa u rikthye si pjesëmarrës në ekspozitën “Onufri” të vitit 2008. Për të çelur më pas ekspozitën e parë personale në muzeun “Mezuraj”. Me mbylljen e kësaj ekspozitë, më 10 shtator, Halitin e presin disa rrugëtime të tjera. E radhës do të jetë ekspozita në Madrid me rastin e 100-vjetorit të pavarësisë, e mandej një tjetër në Monte Carlo.
KRITIKU SHKËLZEN MALIQI
“Stili i pikturës së Helidonit është ai i një surrealizmi paksa të frenuar, që mund të quhet edhe realizëm magjik. Ai frymëzohet edhe me tema të tabanit kombëtar dhe me ato të një mitologjie të personalizuar dhe intime. Mirëpo, piktori ka kujdes që të mos bjerë në patetizëm dhe folklorizëm, duke preferuar ilustrimin nga një pikëshikim i padjallëzuar prej fëmije”.
EKSPOZITA
Haliti në këtë ekspozitë vetjake sjell një numër punimesh në vaj, të prodhuara gjatë viteve të fundit (2010-2012). Krijimtaria e tij e kësaj periudhe karakterizohet nga një kërkim artistik, i cili tregon udhëtimin e piktorit nëpër labirintet e një bote që ai ka krijuar me anë të fantazisë së tij. Ndër më shumë se 20 punë që u ekspozuan dje në GKA, tërhiqte vëmendjen telajoja e përmasave 8m me 2, e eksperimentuar për herë të parë në Galerinë Kombëtare.
ANI JAUPAJ





























Helidon djali, pikturat jane shume te bukura.
Edhe poezite e babait paskan qene te bukura qe ta kane frymezuar. Por lere me aq. Nje artist eshte gjithmone opozitar ( aq me teper me regjimin postdiktatorial ne Shqiperi) dhe nuk e kemi pare te tille Faslli Halitin.
Megjithate shkruaj per pikturat lere babane.
Era ben shaka, Helidon,
sigurisht “mos e le” babane tend,
sepse ai eshte babai yt, jo i Eres(!!!, Era nuk besoj se ma merr per keq)
por edhe se Faslli Haliti gjithnje, edhe pse e ka dashur driten e diellit, i ka vene re rrekerat, dhe ka drejtuar gishtin tek to…
Artin po, ti sigurisht do ta kesh tjeter, pra tendin,
se qielli tashme eshte kalteruar dhe ti e di se fare i kalter s’ka per te qene kurre,
se njeriu lind per tu gezuar mes vuajtjes, sic eshte edhe arti i vertete!
fm
Sot profesioni ësht një dritare drejt BE-së.