Kujdes nga shtimet e flokëve, e pëson edhe Naomi
Kuriozitete, Une Gruaja e Martë, 14 Gusht, 2012 | 14:16 pmAsaj nuk i mungon asgjë. Famë, para, një trup për t’u pasur zili nga 20- vjeçaret… Por ja që vende-vende i kanë rënë flokët. Supermodelja Naomi Campbell, teksa mahnit me formën trupore në plazhet e Ibizas, tregon edhe një anë tjetër të medaljes. Përdorimi i vazhdueshëm i shtimit të flokëve (extensions) i ka shkaktuar asaj rënien e flokëve. Dhe kjo i ndodh një superylli, që nuk i mungon asgjë. Imagjinoni ç’mund t’u ndodhë njerëzve të zakonshëm nëse e teprojnë me shtime, ngjitje, thurje e më the të thashë… Po të paktën Naomi ia bën dermanin. Me atë trup le të mos kesh flokë… Po kur nuk e ke trupin… të jesh edhe tullace?! Sa herë që aparati fotografik është drejtuar nga Naomi Cambell, qoftë edhe vjedhurazi, nuk ka mundur të vjedhë asgjë tjetër veç perfektes.
Vetëm pak ditë më parë, “Daily Mail” çuditi dynjanë me format perfekte të supermodeles, duke publikuar disa foto të saj në plazh. Por këto të fundit, të publikuara po nga “Daily Mail” dëshmojnë për një tjetër histori të 42-vjeçares, e cila është me pushime në Ibiza. Teksa del nga uji, me flokët e lidhura pas bisht ajo tregon edhe një pjesë të frikshme të kokës, një zonë pa flokë, e cila ka ardhur si rezultat i shtimit të vazhdueshëm të flokëve falsë (extensions) gjatë karrierës së saj si modele. E ndërsa ajo paraqitet në një formë të përkryer trupore, me rroba banje, e gjithë vëmendja është fokusuar te vija ndarëse e flokëve, ku duket skalpi i kokës. Kjo nuk është hera e parë që ajo paraqitet në një gjendje të tillë dhe ekspertët thonë se ajo vuan nga humbja e flokëve (traction alopecia) për shkak të shtesave. Për vite me radhë, modelja nga Streatham ka përdorur flokë të drejtë të ngjitur mbi kaçurrelat e saj natyrale. Humbja e flokëve ndodh kur shtesat tërheqin flokun natyral deri në këputjen e tyre, duke shtyrë poshtë kufirin ndarës të flokëve. Në rastet më të mira duhen 3 muaj deri në një vit që flokët të rriten sërish. Por nëse rënia vazhdon, ato nuk do të rriten më kurrë dhe opsioni i vetëm është transplanti i flokëve. Yje të botës së spektaklit si Paris Hilton, Victoria Beckham, Britney Spears dhe Alexandra Burke raportohet të kenë vuajtur nga tërheqja e flokëve për shkak të flokëve të shtuar. Sipas ekspertes së flokëve Tatiana Karelina, e cila ka në mes të klineteve të saj edhe emra si Danielle O’Hara, Stacey Solomon dhe Lauren Goodger, “është interesant fakti se tërheqja e flokëve nuk progreson si sëmundjet e tjera të flokëve. Në fazat fillestare është i kthyeshëm, por tërheqja e zgjatur mund të shkatërrojë rrënjët e flokëve dhe nuk do të rriten në asnjë rrethanë tjetër. Është e paqartë prej fotografive nëse gjendja e Naomit është e përhershme, por duke parë kohën që ka kaluar qëkurse ka shfaqur shenjat e para të kësaj gjendjeje, është më se e sigurt që dëmtimi që ka pësuar është i përhershëm. Specialistja e shtimit të flokëve është shprehur për “Daily Mail” se “shtimi i flokëve, kur bëhet siç duhet, mund të japë rezultate të mahnitshme, por kur bëhet pa asnjë kujdes për flokët natyralë, në disa raste ai mund të largohet nga rrënjët dhe flokët tuaj mund të dëmtohen në mënyrë të pakthyeshme. Shtesat e rënda mund të tërheqin rrënjët, disa shtime me ngjitje, thurje të shtrënguara mund të krijojnë zona tullacllëku në lëkurën e kokës. Të hedhësh ngjitës në flokë është si të vësh çamçakëz në të. Është shumë e vështirë ta heqësh. Edhe me heqësin më të mirë ca flokë do të shkulen duke ju lënë me flokë të shkatërruar, të dëmtuar dhe në të tjera raste edhe tullace”, thotë ekspertja.





























