“Birra Korça” vazhdon traditën, festa nis më 15 gusht
Kuriozitete e Martë, 14 Gusht, 2012 | 15:57 pmVetëm një ditë na ndan nga arena festive e “Birra Korça”, që tashmë është kthyer si një magnet për mijëra turistë të huaj e vendës. Nesër nis sipari i kësaj feste, në të cilën ashtu sikurse edhe vitet e mëparshme, pritet të marrin pjesë qytetarë nga i gjithë vendi, por edhe shtete të ndryshme të botës, si Gjermania, Italia, Greqia, e madje edhe vendet më të largëta si SHBAja etj. E cilësuar si “Mbretëresha e Birrës”, mijëra shishe të birrës bionde e brune pritet të “derdhen lumë” në qytetin e Korçës. Tashmë çdo gjë është gati, stendat dhe të gjitha organizimet e tjera nga ana e Bashkisë kanë përfunduar dhe nesër qyteti i Korçës do të mbushet me vizitorë. Birra ka ruajtur të njëjtën cilësi, të njëjtat vlera dhe standarde europiane, duke qenë garant i një suksesi në tregun vendës e të huaj. Në qytet, dje mbërritën turistët e parë nga vendet e largëta, të cilët theksuan se janë bërë pjesëmarrës të përvitshëm të kësaj feste, në kulmin e sezonit turistik. Ndryshe nga vitet e mëparshme, bazuar në suksesin e festës dhe interesin mjaft të madh të qytetarëve e turistëve, është vendosur që këtë vit festa të zgjasë pesë net. Përveçse sjell një kënaqësi te të gjithë shijuesit e saj, birra “Korça” promovon qytetin ku ajo prodhohet. Drejtori i fabrikës së “Birra Korça”, Dimitris Karavias, tregoi disa detaje të organizimit, duke lënë pa përmendur mjaft surpriza për këtë festë, e cila vitin e kaluar pati pjesëmarrëse edhe aktoren me famë botërore me origjinë shqiptare, Eliza Dushku.
Z.Karavias, çfarë mund të na thoni në lidhje me organizimet e festës së “Birra Korça”, dhe cilat janë risitë për këtë vit?
Këtë vit Festa e Birrës do të ketë një natë më tepër se vitet e tjera. Kjo është një mundësi më shumë për të festuar me birra dhe muzikë, pra nga 4 net që festohej në vitet e mëparshme, këtë vit festimet do të zgjasin 5 net. Ndryshe nga një vit më parë ku ne kishim 9 stenda, këtë Drejtori i fabrikës, Karavias: Cilësia dhe shija e birrës, sipas standardeve europiane vit do të kemi 12 të tilla, për të qenë edhe më tepër në shërbim të qytetarëve. Përveçse është shtuar një ditë më tepër, ajo që mund të them është se birra “Korça” ka mbetur e njëjta në cilësinë e saj. Qëllimi mbetet promocioni i Korçës në përgjithësi dhe jo vetëm i birrës. Iniciativa e kësaj feste ishte nga “Birra Korça”, e cila synon jo vetëm të promovojë veten, por për më tepër edhe imazhin e qytetit. Ajo synon të përforcojë avantazhet që Korça ka dhe është një benefit për qytetin në shumë aspekte, pasi është investim i rëndësishëm.
Si është arritur që birra “Korça” të jetë unike në treg?
Birra “Korça” është një nga birrat e para të prezantuara në vend. Ky vlerësim që i është bërë asaj vit pas viti, do shtrihet edhe më tej dhe do të shpërblejë mundin e njerëzve që kanë derdhur pasionin në këtë birrari, atyre që kanë investuar paratë e tyre këtu. Një nga faktorët që të huajt e pëlqejnë, mes tyre dhe unë, është cilësia e lartë, shija, prezantimi në çdo aspekt. Pra, është produkt europian. Birra “Korça” prodhohet me standardet europiane në një fabrikë të shkëlqyer. Ajo që e bën këtë birrë të veçantë, përveç investimit infrastrukturor, është edhe investimi i pasionit të njerëzve që punojnë atje. Birra “Korça” nuk ka vetëm produktet dhe pajisjet e duhura, por edhe kulturën e qytetit, ndaj është unike. Shumë të huaj e kanë vizituar fabrikën. Ata kanë dëgjuar për produktin dhe, pasi e kanë shijuar atë, kanë ardhur në Korçë dhe e kanë vizituar fabrikën.
Vitin e kaluar kanë ardhur në Korçë mijëra turistë për të shijuar festën. Si parashikohet pjesëmarrja këtë vit, do jetë i njëjti sukses?
Unë nuk e parashikoj dot rezultatin 100 për qind, por nuk ka arsye që të mos ketë sukses si vitet e tjera. Mendoj se ne do të jemi të preferuarit e atyre që e kanë shijuar birrën tonë. Birra “Korça” është mbretëresha në vend, është kurorëzuar si e tillë përgjatë viteve dhe s’ka pse të mos mbetet kështu. Në festë do të jenë të dyja llojet e birrës, bionde dhe brune, për të kënaqur shijet e të gjithëve që do të jenë të pranishëm përgjatë 5 netëve. Birra “Korça” krijon humor dhe i bën njerëzit të festojnë, por pa i nxjerrë nga kornizat e etikës. Siç e dini, edhe pse janë pirë mijëra shishe me birra “Korça”, asnjë incident nuk është shënuar gjatë të gjithë këtyre viteve, sepse birra “Korça” prodhohet në vendin e qytetarisë dhe të kulturës.
Festa e Birrës tashmë është kthyer edhe në një atraksion për turistët…
Birra “Korça” është një mundësi shumë e mirë për qytetarët e Korçës, por edhe ata që jetojnë jashtë këtij qyteti. Ata kanë një mundësi të vizitojnë Korçën për klimën që ka, për kulturën dhe sepse është një qytet i bukur. Festa organizohet në një nga sezonet më të mira në vend, kur bën shumë vapë dhe festa është një mundësi shumë e mirë për t’u argëtuar.
KORÇE/ DHORJELA DEMKOLLI




























