Panorama Sport
Home » Sport » Kapiteni Mavraj: Do jem “bunkeri” i Bundesligës 1

Kapiteni Mavraj: Do jem “bunkeri” i Bundesligës 1

Mërgim Mavraj është kapiteni i ri i Grojther Fyrth në Bundesligën e parë gjermane. Lajmi është publikuar në faqen e internetit të klubit, por gjen konfirmim edhe nga vetë lojtari, në një prononcim për “Panorama Sport”.

Ai u zgjodh me unanimitet nga kolegët e skuadrës, duke i marrë kështu shiritin Tomas Klein, i cili e mbante që prej tri sezonesh. Ky i fundit tashmë do të kalojë në rolin e zëvendëskapitenit, ndërsa në mungesë, si të Mavrajt dhe të Klein, shiriti i kalon me radhë Milorad Pekoviçit, Gerald Asamoahit dhe Stefan Fyrshtnerit. “Dje u zgjodha kapiten i skuadrës sime dhe, t’ju them të drejtën, ishte një gëzim i madh për mua. Nga ana tjetër, duhet ta pranoj se është edhe një obligim, pasi tani nuk jam thjesht një lojtar i Grojther Fyrthit, por edhe zëri i kësaj skuadre në fushën e lojës dhe jashtë saj. Shpresoj që të bëj më të mirën time tani edhe si kapiten”, – ka pohuar për gazetën Mavraj. Ndërkohë, mbrojtësi ka folur edhe për Kombëtaren shqiptare. Ai shihet si një titullar i padiskutueshëm në skuadrën e drejtuar nga Xhani de Biazi, por Mavrajt nuk i mjafton kjo gjë. Mbrojtësi ëndërron një kualifikim në Europian apo Botëror me kuqezinjtë, ndaj nuk nguron të japë edhe “recetën” e tij, sesi mund të arrihet deri aty. “E kam thënë edhe më përpara se e ndiej veten shumë krenar që jam pjesë e Kombëtares shqiptare. Kjo pasi kalova një periudhë të vështirë, të cilën nuk dua ta kujtoj më. Unë personalisht mendoj se kemi një skuadër me potenciale, me lojtarë mjaft të mirë, megjithëse çka duhet ndryshuar menjëherë te Kombëtarja është mentaliteti. Duhet që të jemi shumë herë më të uritur për sukses dhe nuk duhet assesi që të mjaftohemi vetëm me 2-3 ndeshje të mira në një sezon kualifikimesh. Duhet të japim më të mirën tonë, pa frikë dhe ndrojtje, pavarësisht se cili është kundërshtari që kemi përballë. Vetëm nëse japim maksimumin në çdo takim dhe vëmë zemrën në fushë, mund të kualifikohemi për në një kompeticion të rëndësishëm si Botërori, apo Europiani”, – ka sqaruar qendërmbrojtësi kuqezi. Në fund të sezonit të shkuar, Mavraj u përzgjodh si mbrojtësi më i mirë i Bundesligës së dytë. Tani në Bundesligën 1, 26- vjeçari nuk kërkon gjë tjetër veçse të përsërisë vetveten, pra të zgjidhet mbrojtësi më i mirë në elitën e futbollit gjerman, paçka se një gjë e tillë do të jetë shumë e vështirë, pasi konkurrenca është tejet e madhe. “Në Bundesligën 2 u shpalla mbrojtësi më i mirë dhe qëllimi im është të tregoj veten sa më mirë dhe të përsëris paraqitjet e mira që pata edicionin e kaluar. E di se ka edhe mbrojtës të tjerë të mirë në Bundesligë, por unë do të mundohem të jem më i miri. Viti i shkuar ka qenë mjaft i suksesshëm për mua si Mërgim. Për këtë vit do kërkoj që të përsëris vetveten, ndaj synimi im është që të konfirmoj paraqitjet e sezonit të shkuar dhe të zgjidhem sërish mbrojtësi më i mirë”, – ka përfunduar Mavraj.

LEONARD KARAJ

Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Panorama Online. Moderatori


Lexoni Gazeta Panorama ne formatin PDF »»KLIKO KETU

1 Koment per “Kapiteni Mavraj: Do jem “bunkeri” i Bundesligës 1”

  1. kenaqesi te kemi ne ekipin kombetare futbolliste te tille me zemer dhe shpirt.Bravo mavraj.

Beni nje Koment


2 + 3 =

Social Network


Abissnet


VIDEO





Showbiz

Lifestyle

Teknologji

Kuriozitete

© 2013 Gazeta Panorama ONLINE. All Rights Reserved.   Powered by: ikoncept