Panorama Sport
Home » Une Gruaja » Flasin guvernantet e vilave të Bllokut: Si u plotësonim çdo ditë tekat e ish-byroistëve

Flasin guvernantet e vilave të Bllokut: Si u plotësonim çdo ditë tekat e ish-byroistëve

Hatixhe Duro dhe Ikbale Gjaçi Foto: Vlasov Sulaj

Dy ish-punonjëse në vilat e ish-Bllokut tregojnë për periudhën kur u shërbenin udhëheqësve komunistë, që tek Ramiz Alia, Adil Çarçani, Hysni Kapo, Lenka Çuko, Beqir Balluku etj. Si jetonin ish-bllokmenët, ushqimet e zgjedhura, ndërsa kriza kishte pllakosur Shqipërinë. Plotësimi i tekave të përditshme, që nga petullat tek ushqimet kineze….

Jo çdokush mund të shkelte në familjet e tyre! Në zonën më të blinduar të kryeqytetit shqiptar, ku shpesh ishte e ndaluar të hidhje vështrimin, e jo më të kapërceje postblloqet apo kontrollet e personave që kujdeseshin për ruajtjen fizike dhe rendit të ish-udhëheqësve komunistë. Aty, ato të dyja kishin përditshmërinë e punës. Prania në mesin e bashkëshorteve, fëmijëve të funksionarëve më të lartë të pushtetit popullor nuk mund të mos të impononte besim, njëherësh edhe trysni nga të katërta anët. Hatixhe Duro dhe Ikbale Gjaçi e kanë nisur punën si guvernante në vilat e ish-Bllokut komunist, duke “shëtitur” thuajse në pjesën dërrmuese të shtëpive të ish-zyrtarëve të atij regjimi, derisa ato dolën në pension. Thonë se nuk ishte një punë e lehtë, edhe pse përpjekjet për të bërë vetëm detyrën e përditshme ishin më shumë se nevojë për të ruajtur “kokën” dhe vendin e punës. Përvoja e gjatë nëpër shtëpitë e të mëdhenjve të shtetit komunist ka kaluar jo pa tension. T’i shërbeje kafenë e mëngjesit dhe petullat e ngrohta Ramiz Alisë, Beqir Ballukut, Hysni Kapos apo Lenka Çukos ishte më tepër se përgjegjësi. Shpesh ishte ankth se mos një dridhje duarsh apo një lëvizje e nxituar mund të bëhej shkak për ndonjë situatë ose incident të padëshiruar. Ashtu siç herë të tjera, dy guvernantet e vilave të ish-Bllokut bëheshin pjesë e gëzimeve familjare, festave të fundvitit apo vëmendjes së kujdesshme të bashkëshorteve të politikanëve, të cilat i sajdisnin me dhurata të ndryshme për veten dhe familjet e tyre.

Hatixhe Duro: Si u kujdesa për mjekët kinezë të Enver Hoxhës

Hatixhe Duro (e dyta majtas) në shtëpinë e ish-ministrit të Mbrojtjes, Prokop Murra

Të punoje në vilat e ish-pushtetarëve të regjimit komunist, nuk ishte një detyrë e lehtë. Përpos përgjegjësisë profesionale, çfarë trysnish të tjera kishte puna juaj?
Përpara se të më emëronin si punëtore në shtëpinë e Beqir Ballukut, funksionarit të parë komunist në vilën e të cilit kam punuar për gjashtë muaj, biografia ime u kalua në sitë. Asokohe, të gjithë punonjësit e besuar nëpër vilat e udhëheqësve nevojiteshin me biografi të kulluar dhe ajo e imja ka qëndruar gjashtë muaj rresht në zyrat e shtetit, duke kaluar nëpër filtra të kujdesshëm, aq sa kishin arritur të pyesnin për mua dhe familjen, edhe në vendlindjen time në fshat. Ishte vërtet punë me përgjegjësi të jashtëzakonshme, sepse punoja brenda shtëpive të zyrtarëve komunistë, u shërbeja atyre, bashkëshorteve, fëmijëve, sigurisht me gatishmëri të plotë. Në fillimet e mia kam qenë punëtore vile dhe detyrat që më caktonin kishin të bënin kryesisht me larjen e dyshemesë, oborrit, larjen e rrobave, hekurosjen e shumë punë të tjera shtëpie. Më vonë, pasi u specializova në një kurs për kuzhiniere, u pozicionova në këtë profil, duke gatuar për shumë pushtetarë komunistë ndër vite, njëherësh duke shërbyer në pritjet e delegacioneve të huaja që vizitonin vendin tonë, pritje që organizoheshin kryesisht në Pallatin e Brigadave. Por, edhe pse njëfarësoj unë dhe koleget e mia ishim të besuarat e shtëpive të këtyre zyrtarëve, siguria dhe kontrolli ishin primare edhe për ne. Çdo mëngjes, përpara se të hynim në vilat e Bllokut, tregonim fletëhyrjen, të cilën e paraqisnim tek postblloku, e pastaj futeshim nëpër shtëpitë respektive nga ora 7:00 e mëngjesit deri në orën 16:00 të pasdites.
Çfarë kujtoni nga përvoja juaj e parë e punës?

Hatixhe Duro dhe Lenka Çuko

Për herë të parë kam nisur punë në vitin 1965. Do të zëvendësoja një kuzhiniere që kish marrë lejen e pushimeve. Atë ditë organizohej një pritje në Pallatin e Brigadave. Unë shërbeva pijet te të ftuarit e pranishëm, ministra të pushtetit popullor dhe disa përfaqësues të një delegacioni të huaj. Menjëherë pas kësaj përvoje, më dërguan të punoja si guvernante në shtëpinë e ish-ministrit të Mbrojtjes, Beqir Ballukut. Kam qëndruar për gjashtë muaj atje. Si punëtore kisha një marrëdhënie tepër korrekte me të gjithë familjen, por kryesisht me të shoqen e tij, Saide Ballukun. Ishim gjithsej tre punëtorë dhe një kuzhiniere që shërbenim në shtëpinë e Ballukut. Puna ime kishte të bënte me pastrimin e shtëpisë, orendive, oborrit etj. Isha vetëm 23 vjeçe dhe fillimi ishte tepër i vështirë, plot emocione.
A ndihej barazia në mënyrën si ata ju trajtonin ju punëtorët e thjeshtë që u shërbenit zyrtarëve komunistë dhe familjeve të tyre?
Personalisht jam ndier e vlerësuar për punën time. I njihja rreziqet, ndaj gjithnjë mundohesha të bëja detyrat e ditës, kokulur, e bindur dhe pa kurrfarë kurioziteti të tepruar për të mësuar se çfarë ndodhte në vilat ku shërbeja, hyrjet apo daljet e njerëzve të caktuar, situata familjare apo politike të padëshiruara që mund të ndodhnin e që reflektoheshin edhe në shtëpi, të tipit nervozizëm apo ngritje zëri. Nëse përhapja fjalë apo interesohesha më shumë seç duhej, pasojat do ishin të pashmangshme. Ndaj, duke ruajtur këto parime, respekti nga ana e tyre nuk më ka munguar. Beqiri shpesh ulej me ne punëtorët dhe bashkërisht pinim kafe. Ndërsa, të tjerë pushtetarë shpesh nuk na ndanin nga gëzimet e tyre familjare. Tregoheshin të kujdesshëm duke na bërë dhurata për vete dhe familjarët në rastet e festave të fundvitit.
Pas vilës së Beqir Ballukut, keni lëvizur thuajse në pjesën dërrmuese të vilave të ish-Bllokut apo jo?
Po. Kam punuar në shumë prej tyre, por këto lëvizje bëheshin jo pa rekomandime apo reputacion të mirë. Pas Beqir Ballukut kam punuar në shtëpinë e Hysni Kapos. Ishin një familje e respektuar, prej nga unë ruaj edhe kujtime shumë të bukura. Vito Kapoja e pëlqente shumë punën time të dorës dhe më kërkoi që t’i qëndisja dy palë çarçafë për të bijën, Verën, kur ajo u martua. Doli një komplet shumë i këndshëm e për të cilin kam punuar ditë e natë derisa të bëja diçka të vyer. Aq shumë i pëlqeu Vitos puna ime, sa i sugjeroi gruas së Manush Myftiut emrin tim si një punëtore e zonja. Tek vila e këtij të fundit punova edhe më gjatë, sërish si punëtore, deri në çastin që vendosa të ndiqja shkollën e kuzhinës, mora të shtatë kategoritë bashkë me titullin e kuzhinieres profesioniste.
Zonja Hatixhe, cilin kujton si një moment të vështirë ndër vitet e punës suaj nëpër vilat e ish-zyrtarëve komunistë?

Hatixheja me gruan e Hekuran Isait

Ka qenë një moment që nuk kam për ta harruar kurrë. Ishte festa e Vitit të Ri dhe në Pallatin e Brigadave organizohej një pritje e një delegacioni portugez. Në krye ishte kryeministri Ramiz Alia, ndërsa ne të stafit në mëngjes na kishin thënë se ishte thjesht një koktej. Unë kisha përgatitur disa antipasta të lehta me sallam dhe qofte, djathëra të freskëta, pasi sigurisht për gatimet e kësaj natyre apo edhe të pushtetarëve të asaj kohe furnizimi me produktet dhe lëndën e parë bëhej enkas në magazinën e Bllokut, ku nuk mund të gjeje edhe qumësht dallëndysheje. Gjithçka speciale. Mua më lajmërojnë në minutat e fundit se nuk bëhej fjalë për një banket, por për një darkë të mirëfilltë për gjashtë persona. Një tension i jashtëzakonshëm. Frika më pushtoi trupin. Çfarë mund të bëja në aq pak kohë? Ndërsa shoqëruesve të Ramiz Alisë gati sa nuk u kish rënë të fikët, përpara faktit se si duhej t’i shpjegonin atij se darka nuk mund të arrihej. Në ato çaste m’u vërtit çdo pasojë e keqe në kokë, ndaj mblodha veten dhe iu futa punës. Gjatë kohës që shtrohej banketi dhe shërbeheshin pijet, nisa të përgatis darkën që nga supa, mishi, filetot, ëmbëlsirat dhe brenda 45 minutave ia dola mbanë. Gjithçka ishte gati. Atë tension e frikë që kam përjetuar atëherë, nuk mund ta harroj kurrë.
Ju keni shërbyer si kuzhiniere edhe në kohën kur në Shqipëri erdhën disa doktorë kinezë për të parë gjendjen shëndetësore të Enver Hoxhës….
Episod më vete është edhe kjo pjesë në eksperiencën time të gjatë të punës. Mbaj mend që ishin pesë doktorë kinezë që erdhën për të vizituar udhëheqësin Enver Hoxha, në kohën kur gjendja e tij shëndetësore ishte përkeqësuar. Ata qëndruan 14 ditë në Tiranë dhe thuajse çdo ditë kam gatuar për ta, deri edhe petulla kineze. Asnjëherë nuk më kishte shkuar në mendje që mund të bëja edhe ushqim kinez, por ja që ia dola mbanë. Realizoja disa mbushje brumi me mish në forma të çuditshme, të cilat i fusja më pas në ujë të vluar për disa minuta. Ato i shërbeja sipas dëshirës, me djathë ose thjesht të marinuara. Kam gatuar shumë receta kineze, ndërsa doktorët mbeteshin gjithnjë të kënaqur nga gjithçka u përgatisja.
Kur keni punuar në shtëpinë e  Ramiz Alise dhe tek Lenka Çuko?
Mbaj mend që në kohën kur punoja te Ramiz Alia, çdo mëngjes i shërbeja kafenë, ndërsa petullat e ngrohta ishin të preferuarat e tij. Gjithnjë më falënderonte për gatimet e mia, teksa e shoqja, Semiramisi, ishte një grua e jashtëzakonshme. Në çdo festë ajo nuk harronte të më bënte dhurata për familjen time dhe kjo më bënte të ndihesha mirë dhe e vlerësuar. Nuk ishin aspak njerëz tekanjozë. Edhe në vilën ku jetonte Lenka Çuko kam kaluar shumë mirë. Sa herë që kthehej nga puna, ajo do vinte gjithnjë të na përshëndeste ne stafin e punëtorëve e kuzhinierëve që punonim për të. Në momente të caktuara gëzimi, familjare, ajo na merrte në valle bashkë me Naunka Bozon. Edhe pse shpesh mund të më provokonin në forma të ndryshme, duke vendosur nëpër sirtarë apo sipër komodinave lekë, bizhuteri apo sende me vlerë, unë i nuhasja kurthet dhe përherë shmangesha. Përditshmëria e punës sime ndër vite, derisa dola në pension, ka pasur sa përgjegjësi aq edhe frikë bashkë. Por ishte kujdesi, vigjilenca ime dhe nevoja për të mbajtur familjen me atë rrogë, që çdo herë më shtynin të mos përzihesha në situata delikate, duke parë gjithnjë vetëm detyrat që më caktoheshin.

Ikbale Gjaçi: Adil Çarçani thyente këshillat e infermieres

Fillimisht ju keni punuar në magazinën ushqimore të ish-Bllokut që posedonte gjithçka kërkohej nga furnitorët për shtëpitë e pushtetarëve të lartë komunistë. Çfarë keni vërejtur gjatë viteve që punuat atje?

Ikbale Gjaçi me kolektivin e punës në Vilën 31, në zonën e ish-Bllokut

Në magazinën ushqimore të ish-Bllokut kam punuar për gati tre vjet. Çfarë nuk kam kaluar nëpër duar, mallra dhe produkte që nuk i kisha parë kurrë më parë. Çdo asortiment gjendej në atë magazinë, por sigurisht që ishte i destinuar vetëm për familjet e ngritura të funksionarëve komunistë, apo për Pallatin e Brigadave ku organizoheshin pritje shtetërore nga më të ndryshmet. Vetëm qumësht dallëndysheje nuk gjeje në magazinën tonë, se çdo produkt tjetër deri tek frutat e thata, filetot e peshkut ishin aty. Ne plotësonim kërkesat që na sillnin të shkruara enkas furnitorët e vilave të udhëheqjes, por çdo kalim bëhej me shumë kujdes. Tregohej shumë vigjilencë në peshën e ushqimeve, kontrollohej sërish cilësia, pasi çdo gabim ishte i pafalshëm.
Si kaluat më pas në pozicionin e guvernantes në vilën e Adil Çarçanit?
Tek vila e Adil Çarçanit kam punuar nga viti 1986 deri në fillim të demokracisë. Fillimisht më dërguan si punëtore në shtëpinë e tij, duke më thënë se do të qëndroja vetëm dy javë, por qëndrimi zgjati më shumë nga sa e kisha parashikuar. Me sa duket, atyre u pëlqeu metoda ime e punës, marrëdhënia korrekte që kisha me stafin e punëtorëve atje, por edhe vetë familjen Çarçani. Punët që bëja ishin nga të ndryshmet, nga pastrimi, larja e rrobave në lavatriçe, shpesh edhe gatuaja në kuzhinën e familjes, e cila ishte e pozicionuar në bodrum.
Kujtoni ndonjë moment veç të tjerëve në atë shtëpi?

Ikbalja me një kolege në Vilën 1

Punova në shtëpinë e Adil Çarçanit gjatë kohës kur ai u diagnostikua me diabet. Çdo ditë vinte infermierja në shtëpi që i peshonte gjithfarë ai do të konsumonte gjatë vakteve të ditës. Shpesh përcaktonte edhe menynë, sepse e tillë ishte sëmundja. Duke respektuar atë regjim ushqimor bëhej e mundur që të ruhej niveli i sheqerit në gjak. Por, shpesh e kujtoj faktin që sapo infermierja mbaronte orarin e punës dhe largohej, Adili vinte në kuzhinë, na përshëndeste dhe kërkonte të hante sërish, ndonjë gatim të shijshëm që atij i pëlqente shumë. Të nesërmen që i bëhej matja e glicemisë esëll nga infermierja, niveli i sheqerit i dilte mjaft i lartë, çka shpesh rrezikonte edhe shëndetin e Adilit. Bëhej zhurmë e madhe. Infermierja bënte kritika ndaj stafit, por gjërat përsëriteshin. Adili përsëriste të njëjtën gjë sa herë largohej ndihmësmjekja. Ndofta ngaqë ishte shijues i mirë i ushqimit.
Të shoqen e tij, Havanë, e kanë treguar grua të sertë. Ç’marrëdhënie kishe me të?
Për vetë pozicionin që ajo kishte, si prokurore, mund të dukej edhe e sertë, por me ne stafin e punëtorëve të shtëpisë ajo ishte korrekte, dhe kaq na mjaftonte. Tregohesha shumë e kujdesshme në punën time që të mos i lija shkas për kontradikta. Madje, edhe kur merrja pluhurat, çdo orendi e lëvizja me kujdes dhe e rivendosja sërish në po të njëjtin vend. Shumë kolegeve të mia u ka ndodhur që të kenë probleme pikërisht për faktin se pse lëvizen gjërat nga vendi nëpër shtëpi. Mua njëherë më ka ndodhur që teksa kisha vendosur rrobat për t’u larë në lavatriçe, një çorape me ngjyrë ishte përzier me to dhe të gjithë rrobat u bënë të zeza. Kam qarë gjithë ditën. U mbylla në bodrum poshtë, sepse kisha frikën e pasojave. Përveç rrobave, kisha hallin se mos e merrte vesh e shoqja e Adilit, se do ishte bërë nami. Falë Zotit, një kolege ime aty u tregua e gatshme të më ndihmonte. I futi në klor, më pas në një ilaç zbardhues dhe ato u bënë si të reja. Asnjëherë nuk kam për ta harruar tensionin që përjetova atë ditë.
Nëse mund të bëjmë një krahasim përvojash pune: ju keni punuar edhe në vitet e diktaturës, edhe në periudhën post komuniste. Ku ndahen këto eksperienca?
Secila prej tyre ka pasur specifikën e vet. Në përvojën e parë të viteve të punës qoftë në Pallatin e Brigadave, në magazinën ushqimore të ish-Bllokut apo në shtëpinë e Adil Çarçanit për shumë vite me radhë, gjërat ishin shumë të ndrydhura. Mundohesha të bëja punën time dhe të mos përzihesha as me fjalë, as me biseda që mund të shpreheshin mes familjarëve gjatë ditës. Nëse do të bëja të kundërtën, kush e di në cilën zonë të Shqipërisë do më degdisnin bashkë me familjen. Duke ruajtur kokën time, vendin e punës, gjithnjë bëja sikur nuk kuptoja apo nuk dëgjoja. I tillë ishte sistemi, nuk veproja dot ndryshe. Ndërsa, pas vitit 1991, fillimet e brishta të demokracisë e tutje, kam punuar kryesisht në vilat qeveritare të pushimit në zonën e Dajtit. Kam punuar për disa kohë për ish-kryeministrin Ilir Meta dhe familjen e tij. I kam shërbyer mëngjesin, kafenë, lëngun e frutave apo edhe vakte të tjera ushqimore të ditës të gjithë familjes Meta. Situatat ishin më pak tensionuese. Nuk kishim atë presionin e dikurshëm dhe frikën që të mos hapnim gojën për të folur se kishim drojë se thoshim gjëra të gabuara apo jo të duhura. Me Monika Kryemadhin ne punëtorët shpesh pinim kafenë së bashku, diskutonim probleme tonat familjare e kemi gjetur edhe mbështetjen e tyre për çështje të caktuara.

ERMIRA ISUFAJ

Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Panorama Online. Moderatori


Lexoni Gazeta Panorama ne formatin PDF »»KLIKO KETU

16 Komente per “Flasin guvernantet e vilave të Bllokut: Si u plotësonim çdo ditë tekat e ish-byroistëve”

  1. Krahasoni keto qe thone keto dy gra me ato qe bejne qeveritare dhe politaken (lexo hajdutet) e sotem. Keta te sotmit nuk duan kafe dhe petulla te ngrohta.

  2. te shkretet Byroista cfare jete kane bere krahasuar me keto te sotmit.

  3. Gazetari Daresise

    O Derman i uruar. Keto rrefime tregojne nje te kaluar, ndersa sot jemi ne nje tjeter kohe. Atehere nuk gjenim miell gruri as misri, as mish as vaj ulliri, por dhe kikiriku ishte me magarine dhe me racion… etj… etj… ketu e kane rrefimin keto dy gra.. Nje gje eshte e sigurte o derman qe ajo kohe ska per tu kthyer me.

    • Epo sipas teorise se evolucionit Bllokmenet e sotem duhet te jene specie me te perfeksionuara se ato te 30 vjeteve te shkuara. Atehere guvernantet ju servirnin ne mengjez kafe turke e petualla sot me siguri 100 lloje kafesh, 100 lloje mjalti, 100 lloje misrash, 100 lloje mishrash apo vajrash. Vetem se si gjithnje, udheheqja ha e populli paguan.

      Sa per mungesen e ushqimeve “dje” dhe “sot”, “dje” vertet ishin dyqanet e popullit bosh e ato te bllokut plot. Sot dyqanet e popullit jane plot por me “molle te ndalueme” kurse ato te bllokut qendrojne gjithje plot e me plot me mallra e ushqime qe Blloku i atehereshem as i kish pare ne enderr.

    • Sa klase shkolle ke “gazetari d..”. Paske veshtire te kuptoke nje sarkazem.

  4. Se mos dalin te persekutuara keto guvernantet dhe kerkojne demshperblim per vuajtjet qe kane hequr tek “blloku”! Te gjithe e paskemi urryer diktaturen ne Shqiperi!Ata qe i sherbenin dhe ishin gati te jepnin jeten ,ata qe qanin me denese per vdekjen e diktatorit dhe ata qe votonin 99,99% nuk paskan jetuar ne vendin tone,mbase kane qene kineze….!

  5. Fajin e ka Bill Clinton.

  6. Po Sala me Jozin si i hane Petullat sot? Jozi bllokon komplet rruget kur don te kaloje, Saluku vishet me anti plumb . Sa per vuatjet qe po kalojne keto pushtetaret e sotem, mos pyetni, se nuk po din ku ti cojne parate e pasurit qe po vjedhin. Ato qe u rrezuan ne 90 bare nuk moren gja ne varre apo per vete si keto shpellaret e babzitun. Do vije koha shpejt qe budigardet e guvernantet e ketyre hajduteve te na dalin te persekutum. Ky eshte servilizmi i keti pis milet, sic e pat quajt turku kur iku.

  7. Nuk jam i sigurt por deshira per keto dy grate per ti takuar ne se jane keto me shtyne e kerkoj pergjigje-Eshte viti 1991 kur u be demostrat tek ura e Lanes para hotel Dajtit-i kam takuar keto dhe kam biseduar e ato me tregonin jeten e bllokut enuk me hiqen nga kujtesa-ne se ju kujtohem deshiroj te marre kontakt me zonjat-pres pergjigje-me respekt p.d

  8. PO SOT KETA QE KEMI MINISTRA APO KRYEMINISTER ,MOS VALL NUK KERKOJN PETULLA TE NGROHTA NE MENGJES APO DICKA ME TE REND.ME KETO DO MERRENI A THUA SE SOT NUK KA DREJTORI SHERBIMI QEVERITAR DHE GRATE SHERBYESE NUK BEJNE PETULLA DHE SOT.

  9. o dermen atehere o i nderuari”derman” mir qe haje dajakun po s qaje dot se te priste spaci,kurse sot o derman ti e dermanet e tjere shajeni nga sabahu deri ne darke salen e qeverine e ke te doni e sju hyn nje gjemb ne kembe…..ky eshte ndryshimi,pastaj ka dhe ca ndryshime te tjera qe ne mos i ke ndiere ti o derman i kane ndjere te tjeret….

  10. Te “mjerat”guvernante c’paskan hequr,u dridheshin duart .Pse nuk thone ata sot se bashke me kryeministrin Sali,e quanin veten me te privilegjuarit e shoqerise dhe kur takoheshin me te tjeret dhe i shikonin njerezit e thjeshte me percmim si zonjusha Gajtani te filmi”Vajzat me kordele te kuqe’shoqet e saj duke menduar se “une jam” jo ju. Si sherbetore te bllokmeneve ata gezonin privillegje te shumta, Kur donin te drejta studimi per femijet e tyre, ata i merrnin jashte radhe jo si femijet e te tjereve ,qe megjithese nuk i meritonin. Kur vinte puna , perseri ato e merrnin te parat dhe atje ku e donin. Ato sot me siguri do te kerkojne demshperblim si” te perndjekurit”

  11. Po C’GOVERNANTE ishin ato? Fjala “governante” eshte pak si shume se ato s’merreshin me administrimin e shtepive po vetem me gatimin dhe pastrimin e shtepise.

    • Respekt per zonjat ,njerezit qe punonin ne bllok ishin njerez te lart dhe me kultur dhe me shkoll,Ju pergjigjen pyetjeve te gazetarit ashtu sic e jetuan kohen neper vilat e tyre,

  12. Bar do hame e doren s”ja shtrime armikut !!!!!!!Sa bukur e zbatuan diktatoret e tregojne guvernantet !!!!Populli ushqehej me tollona vite me rradhe e ata ushqeheshin si mbreterit !!Ja drejtesia komuniste , ja shteti “demokratik qe trumbetonin dite e nate Enveri me shoke !!!

Beni nje Koment


9 + = 18

Social Network


Abissnet


VIDEO





Showbiz

Lifestyle

Teknologji

Kuriozitete

© 2013 Gazeta Panorama ONLINE. All Rights Reserved.   Powered by: ikoncept