Gjendet anija më e lashtë e Faraonit
Kuriozitete e Shtunë, 28 Korrik, 2012 | 13:04 pm
Sekretari i Shtetit për antikitetin në Egjipt, Mohamed Ibrahim Ali, ka njoftuar gjetjen e një anijeje të lashtë rreth 3 mijë vjet para erës sonë. Duke u bazuar në analizat që përcaktuan epokën e krijimit të këtij mjeti lundrues, besohet se ajo i përkiste faraonit Den nga Dinastia e Parë. Ky zbulim përfaqëson mjetin më të lashtë lundrues të një Faraoni, të gjetur deri më tani. Sipas traditës së asaj kohe, barka groposej bashkë me pronarin e saj për ta çuar atë drejt botës tjetër. Zbulimi u bë rreth tetë kilometra në veri të Piramidës së Gizës, në Abu Ravash. Autoritetet egjiptiane besojnë se aty shtrihen rrënojat e piramidës së “zhdukur” të Djedefre, djali dhe pasuesi i Keopsit. Mjeti lundrues është zbuluar në gjendje të mirë nga ekipi i Institutit Francez të Arkeologjisë Orientale dhe është transferuar në Muzeun egjiptian për t’u restauruar, për t’u ekspozuar më pas në Muzeun Kombëtar të civilizimit egjiptian, që pritet të hapet këtë vit.



























