Basha: Investime për të nxitur profesionistët
Sociale e Shtunë, 28 Korrik, 2012 | 13:11 pmTregut të punës i duhen, përveçse të diplomuarit në universitete, edhe profesionistë në disa fusha specifike, dhe këta të fundit duan nxitje dhe mbështetje. Për kryetarin e Bashkisë së Tiranës kjo do të jetë e mundur si rrjedhojë e investimeve që do të bëhen në vazhdim, të cilat do të krijojnë edhe mundësi punësimi. Duke iu referuar rastit të 40 nxënësve të Shkollës Teknike-Elektrike që po zhvillojnë prej 3 muajsh stazhin pranë Ndërmarrjes Nr. 2 të Bashkisë së Tiranës, kryebashkiaku e vuri theksin në rëndësinë që kanë profesionet e kësaj kategorie. “Tirana nuk mund të harrojë dhe nuk do të harrojë që përveç kategorisë së universitarëve dhe të diplomuarve, ka nevojë akute për profesionistë të fushave konkrete, siç janë elektricistët, hidraulikët dhe fushat e tjera, e në këtë aspekt ne do të vazhdojmë investimet tona, si për t’i dhënë tregut atë që kërkohet, ashtu edhe për t’u dhënë të rinjve kryeqytetas shanse më të mëdha për punësim”, tha Basha. Deklaratat ai i bëri dje gjatë vizitës në terren, në rrugën “5 Maji”, ku të rinjtë po punojnë së bashku me punonjësit e Ndërmarrjes Nr. 2 për të rehabilituar infrastrukturën e ndriçimit publik. Sipas Bashës, iniciativave të tilla duhet t’u bashkohen edhe kompanitë private, në mënyrë që të jepet një kontribut për tregun e nesërm të punës, që ka nevojë për profesionistë. “Dua t’u bëj thirrje edhe kompanive të tjera, që në bashkëpunim me ne, të shumëfishojnë këtë përvojë, pasi Tirana ka shumë të rinj të talentuar, si këta nxënës të Shkollës Teknike – Elektrike të Tiranës, por edhe të shkollave të tjera profesionale, në mënyrë që nevojat e mëdha që ka sot tregu i punës në qytet për profesionistë të specializuar, elektricistë, hidraulikë dhe profesione të tjera, të përmbushen në mënyrën më të denjë”, tha Basha. Ai shtoi se përkundër ndihmës nga privatët, Bashkia nuk do të rrijë indiferente dhe do të vijojë me shimëfishimin e programeve të stazhit edhe në fusha të tjera.
80 dollarë në muaj
Nxënësit e Shkollës Teknike-Elektrike që po zhvillojnë prej 3 muajsh stazhin pranë Ndërmarrjes Nr. 2 të kryeqytetit, janë duke përfituar edhe një pagesë për punën. Kjo është mundësuar falë një projekti të përbashkët me Bankën Botërore, çka lejon që për çdo muaj, një stazhier të paguhet 80 dollarë për kontributin e tij.
Tabaku: 700 mijë euro për të nxitur zhvillimin
Një fond prej 700 mijë eurosh, i përfituar nga programi “IPA – Adriatic” i Bashkimit Europian, do të orientohet për mbështetjen e sipërmarrjeve të vogla të personave me persona me aftësi të kufizuara, gratë kryefamiljare, minoritetet. Detajet i sqaroi dje gjatë një konference për shtyp nënkryetarja e Bashkisë së Tiranës, Jorida Tabaku. “Nëpërmjet këtij granti ne do të nxitim krijimin e bizneseve të vogla dhe të reja, do të ofrojmë trajnim dhe kualifikim profesional. Nëpërmjet politikave sociale që ne do të zhvillojmë, do të mundësojmë krijimin e shanseve të barabarta dhe mundësi të barabarta për të gjitha këto grupe, për të marrë pjesë në tregun e punës”, tha Tabaku.



























