Arvizu-Haxhinasto: Koha për më shumë investime amerikane
Ekonomi e Shtunë, 28 Korrik, 2012 | 13:10 pmFalë klimës së përmirësuar të biznesit, ka ardhur koha që prezenca e investimeve amerikane të jetë më e gjerë në vijim. Në këtë konkluzion kanë dalë pas takimit të djeshëm, zëvendëskryeministri dhe ministri i Ekonomisë, Edmond Haxhinasto dhe ambasadori amerikan, Aleksandër Arvizu. Në takim, kreu i METE-s e vuri theksin në një sërë sektorësh prioritarë, siç janë energjetika, hidrokarburet dhe industria minerale, të cilët mirëpresin investimet e huaja, e sidomos ato amerikane. Haxhinasto vlerësoi se SHBA është aleat strategjik dhe ekonomik për Shqipërinë dhe se në vijim prioritet i punës do të jetë thithja e investimeve të huaja dhe kryerja me sukses e privatizimeve të rëndësishme strategjike, të cilat pritet të zënë vend pas verës. Ambasadori Aleksandër Arvizu e vuri theksin në përmirësimin e klimës së biznesit si një kusht për thithjen e investimeve të huaja, duke shtuar se deri tani janë ndërmarrë nisma që e kanë ndihmuar në rritjen e investitorëve të interesuar. Për ambasadorin Arvizu tashmë është momenti i duhur që investitorët amerikanë të kenë një prezencë më të gjerë në Shqipëri. Në këtë takim nuk u anashkalua edhe diskutimi mbi projektin e gazsjellësit “TAP” dhe rëndësinë që ka ai për vendin tonë dhe për rajonin në një kontekst më të gjerë.



























