Aliaj: Ju tregoj të vërtetën e Odise Roshit te Këlni
Sport e Shtunë, 28 Korrik, 2012 | 13:31 pmAdrian Aliaj është menaxheri i Odise Roshit, talentit të Kombëtares që kohët e fundit ka hasur në probleme të mprehta te Këlni. Mediat gjermane njoftonin dje se Roshi kishte bërë kërkesë për të prishur kontratën në mënyrë definitive me Këlnin, por Aliaj e ka përgënjeshtruar këtë. “Nuk është e vërtetë se duam të presim kontratën me Këlnin. Është një spekulim mediatik”, ka thënë Aliaj për “Panorama Sport”.
Adrian, a do të qëndrojë Roshi te Këlni?
Nuk e di, jemi në një situatë të ndërlikuar. E sigurt është se unë po përpiqem maksimalisht që të gjendet një zgjidhje optimale.
Në Gjermani thuhet se Roshi ka kërkuar të prishë kontratën.
Jo, absolutisht jo. Roshi dhe unë nuk do të kërkojmë të prishet kontrata për aq kohë sa nuk kemi gjetur një skuadër tjetër që të plotësojë kushtet tona.
Ku mund të shkojë Roshi?
Ka disa klube në Gjermani që interesohen për të. Unë mendoj se ai është një lojtar i shkëlqyer, ose i thënë në gjuhën e merkatos, një “top-lojtar”, i cili, nëse merr besimin dhe kohën e mjaftueshme, mund të shkëlqejë në Bundesligën 1 gjermane.
Pse u krijua gjithë kjo situatë?
Për dy arsye: Këlni ndryshoi trajner dhe se në pozicionin e Roshit ka pesë futbollistë. Dikush duhej të largohet, dhe trajneri, i cili ka sjellë edhe vetë dy futbollistë, ka vendosur që të largojë Roshin dhe dikë tjetër.
Tani Roshi stërvitet me të rinjtë…
Po, stërvitet me të rinjtë, por do ta gjejmë një zgjidhje, ju sigurojmë. Ideja është që të mund të mbetet në Gjermani, sepse është i denjë për këtë kampionat. Sigurisht, pretendimet e trajnerit të Këlnit erdhën në një moment të papërshtatshëm, por gjithsesi, do ta gjejmë një zgjidhje.
Po menaxhoni ndonjë futbollist tjetër shqiptar këto kohë?
Pa dashur të ofendoj askënd, mund të them se asnjë prej atyre që luajnë në Shqipëri sot nuk është gati që të transferohet në një klub prestigjioz në Perëndim. Po të kishte pasur, ju siguroj se nuk do më kishte shpëtuar.
Rusia
Menjëherë sapo Këlni e ka vënë Roshin në listën e lojtarëve që nuk bëjnë pjesë për sezonin e ardhshëm, klube ruse, polake dhe austriake kanë shfaqur interesim për mesfushorin kuqezi. Mediat gjermane bëjnë të ditur se orët e fundit Këlni ka pasur kontakte intensive me një klub rus, por ka hasur në mospëlqimin e lojtarit. Mësohet gjithashtu se Këlni do të përdorë kartën “euro” për të bindur lojtarin.




























Roshi esht nje lojtar shum i mire ,si pas mendimit tim eshte nje nder lojtaret me te mire nga Shqiperia qe ka luajtur ne bundesligen Gjermane ,i uroj shume sukses,dhe shpresoj se do te jete te luaj edhe ne te ardhmen ne Bundeslige.