Tirana, një shuplakë turpi në Norvegji
Sport e Premte, 27 Korrik, 2012 | 13:13 pm
Alesundi i shkakton humbjen më të thellë në Europë me 5 gola.
Shthuren në pjesën e dytë, mbrojtja u çakordua totalisht.
Të turpëruar! Tirana u mposht dje me rezultatin 5-0 nga Alesundi, duke dalë nga Liga e Europës me kokën ulur. Një ëndërr e shuar në mënyrën më të shëmtuar të mundshme. Pesë gola të pësuar, katër prej të cilëve në 45 minutat e dyta. Kjo është humbja më e thellë e bardhebluve në historinë e tyre në Kupat e Europës, një njollë që zor se do të fshihet edhe në të ardhmen. Nëse u referohemi edhe statistikave të bardhebluve në kampionatet kombëtare, Tirana ka plot 13 vite pa njohur të tillë rezultat. Për herë të fundit me 5 gola diferencë, skuadra 24 herë kampione është mundur nga Lushnja, pikërisht 6-1, në sezonin 1998-1999.
Pjesa e parë – Bardheblutë duket qartë se kishin hyrë me objektivin e vetëm që të mos pësonin gol në pjesën e parë. Mjafton të shohësh skemën e Rubios: Çota i vetëm në sulm, ndërsa Muçollari në stol, i zëvendësuar nga Pashaj, një mbrojtës i spostuar në mesfushë vetëm për të shkatërruar. Tirana mendon vetëm të mbrohet dhe këtë e bën për 45 minuta, asnjë sekondë më shumë, sepse në të 46-ën pëson gol. Bardheblutë nuk llogarisin kohën shtesë në pjesën e parë, kur pas një goditjeje këndi Ilion Lika, që deri në atë moment kishte shpëtuar disa herë Tiranën, dorëzohet. Në fakt, ndeshja nisi siç pritej: presion konstant i vendësve dhe Tirana që mbrohej me të gjitha forcat. Në fillim bardheblutë ishin disi të çorientuar, por më pas arritën të merrnin veten. Tirana luan “alla Çelsi” dhe ia del të mbajë skuadrën kundërshtare rreth zonës, por pa i dhënë mundësi që të ndërtojë si duhet. Kjo i detyroi norvegjezët të tentojnë goditjet nga jashtë dhe në fakt në disa raste i afrohen golit. Rasti më flagrant ishte ai i Post, i cili trondit shtyllën e majtë të Likës. Tirana nuk heq dorë, vazhdon të mbajë të “parkuar autobusin” para portës së vet, duke mos menduar thuajse fare për sulmin. Thuajse të gjitha aksionet bardheblu në pjesën e parë (nëse mund të quhen të tilla) veniteshin pa mbërritur ende te zona kundërshtare. Çota, fillikat në sulm, duhet të bëjë mrekulli që të gjejë golin, por në një fushë me bar sintetik dhe me dy mbrojtës pas krahëve, kjo është krejtësisht e pamundur dhe ai e di mirë këtë. Megjithatë, Tirana reziston dhe Ilion Lika bën një mrekulli në minutën e 45-të, kur një gol thuajse të sigurt e devijon në goditje këndi. Bardheblutë ishin bërë gati të shkonin në tunel të pamposhtur, por në minutën e parë shtesë ndëshkohen.
Pjesa e dytë – Një makth për t’u harruar. Tri minuta pasi kanë zbritur në fushë, pësojnë golin e nokautit. Rubio përpiqet që të rregullojë diçka në sulm, duke hedhur në fushë Peposhin në vend të Ferrajt, por situata bëhet më e rëndë. Ekipi është totalisht i çorganizuar, as mbron dhe as nuk sulmon. Në minutën e 48-të Matland godet në zonë, mbrojtja e Tiranës hutohet dhe Tollas përfiton duke e shtyrë topin në rrjetë dhe 2-0. Tirana praktikisht nuk është më në fushë. Pisha, Ahmataj dhe Dushku duken fare të pafuqishëm, ndërkohë që ndihma nga mesfusha lë shumë për të dëshiruar. Tirana përpiqet të shmangë goleadën, por as këtë nuk e bën. Goli i tretë nuk vonon, teksa në të 63-tën Alesundi realizon një perlë që shokon miqtë. Një roveshatë e Xhejmsit përfundon drejt e në rrjetë dhe 3-0. Por nigeriani nuk ngopet dhe, 14 minuta më vonë, realizon dopietën personale. Gafë e Ahmatajt, i cili edhe pse e ishte nën kontroll topin, nuk e ruan dot. Përfiton sërish Lake Xhejms dhe shënon nga 20 metra largësi dhe 4-0. Rubio i irrituar në stol, bërtet, përpiqet që t’u japë zemër të tijve, por pas golit të katërt edhe ai struket në pankinë. Norvegjezët e bëjnë tabelë qitjeje Likën, që megjithëse grushton disa goditje shumë të rrezikshme, apo bën akrobaci të stilit Bufon, nuk e shmang dot humbjen 5-0 të bardhebluve. Barrantes kroson për Stjuart dhe ky i fundit u jep goditjen finale kryeqytetasve. Tirana kishte shumë vite që nuk pësonte një humbje të tillë.
Alesund 5
Tirana 0
Golat: Barrantes 45+1′, Tollas 48′, Xhejms 64′, 77′, Stjuart 84′
Alesund: Grytebust, Tollas, Çarlsen, Post (Xhejms 46′), Stjuart, Arnefjord, Vembangomo, Matland (Skagestad 67′), Ulvestad, Fuhre (Myklebust 68′), Barrantes; Trajner: K.Rekdal
Tirana: I.Lika, Sina (Morina 53′), Dushku, Pisha, Ahmataj, Taku, Pashaj, Karabeci (Muçollari 68′), G.Lika, Ferraj (Peposhi 58′), Çota; Trajner: H.Rubio
Gjyqtarë: Arnold Hunter, Riçard Storej, Xhejms Eakin (Irlandë e Veriut)
Kartonë të verdhë: Ferraj 13′, pashaj 54, G.Lika 55′
Rubio rrezikon rinovimin
Merkato e dobët, iku sulmuesi kryesor Bekim Balaj dhe një kontratë shumë e shkurtër. Të gjitha këto të bëjnë të dyshosh nëse Rubio do të rinovojë ose jo për bardheblutë. Ai pëlqehet nga ambienti, jo vetëm sepse është karizmatik, por sepse ka arritur që t’i marrë 120 për qind të mundësive grupit të futbollistëve që ka pasur në dispozicion. Ka zëra që thonë se Tirana mund t’i bëjë dalje atij, pasi kërkesa e tij financiare për dy vitet e ardhshme është shumë e lartë, por përveç kësaj, ai nuk pranon asnjëherë urdhra nga “lart” dhe kjo nuk para u pëlqen shefave. Kur administratori Tagani u pyet se përse trajneri kishte nënshkruar një kontratë 40-ditore, ai u përgjigj se kjo kishte qenë një zgjedhje e teknikut, pasi ai kishte pasur mundësinë edhe për të nënshkruar 2 vjet.
Rekdal: E prisja këtë triumf
Trajneri i Alesundit, Kjetil Rekdal, ka qenë i entuziazmuar pas ndeshjes së djeshme me Tiranën. “Na kanë munguar rezultate të tilla dhe mbi të gjitha golat e Xhejms. E rëndësishme është që skuadra arriti të shpalosë gjithë potencialin, duke dominuar ndaj kundërshtarit në çdo aspekt. Vuajtëm disi derisa gjetëm golin e parë. Më pas gjithçka u bë më e lehtë. Tani duhet të mendojmë për të ardhmen”,- tha fillimisht në konferencën për shtyp kreu i pankinës së Alesundit. Ndërkohë, i pyetur për përballjen në turin e tretë me Apoelin, Rekdal deklaroi: “Skuadra qipriote nuk është si Tirana, por e një tjetër kalibri. Apoeli ka marrë pjesë në çerekfinalet e Ligës së Kampioneve dhe sigurisht për ne do të jetë shumë e vështirë. Gjithsesi, besojmë se mund të bëjmë një surprizë të bukur me Apoelin. Do luajmë lojën tonë”.
Evropa
Sytë e një Shqipërie të tërë ishin fokusuar te Tirana. E me të drejtë, pasi ishte ekipi i vetëm që kishte shansin të kalonte turin e dytë dhe të futej në histori. Mirëpo një gjë e tillë jo vetëm që nuk ndodhi, por eliminimi ishte nga më të turpshmit. Pas Teutës dhe Flamurtarit që nuk kaluan dot as raundin e parë në Ligën e Europës, ishte Skënderbeu që u thye nga Debreceni në Ligën e Kampionëve. U konsiderua shokuese disfata, mirëpo bardheblutë i kaluan parashikimet duke pësuar pesë gola. Ekipet shqiptare e kanë të pamundur të kalojnë dy ture në Europën. Kanë kaluar 25 vjet kur një ekip shqiptar kaloi edhe turin e dytë në Europë, siç ishte Flamurtari që eliminoi Barcelonën. Edhe pse klubet kanë hedhur miliona pas viteve ’90-të, kurrë nuk kanë arritur nivelet e larta.




























tirana gjithmone na ka turperuar ne arenen nderkombetare.
vetm te korça kishim nje fije shprese ( mund te blin arbitrin )