Panorama Sport
Home » Kulture » Lamtumirë Ali Podrimjes, poetit që i këndoi Kosovës

Lamtumirë Ali Podrimjes, poetit që i këndoi Kosovës

Dje gjatë ceremonisë mortore të poetit Ali Podrimja

Mbërriti në Prishtinë e u përcoll për në banesën e fundit.

Rruf Dhomi: Së fundmi fliste shpesh për vdekjen, la amanet të përcillej me muzikë.

Mes lotëve dhe vargjeve poetike për jetën dhe vdekjen, u përcoll dje për në banesën e fundit poeti Ali Podrimja, i ndarë nga jeta në mënyrë të papritur. Ceremonia e lamtumirës u zhvillua më ambientet e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës që nga ora 12:00-14:00, për të vijuar më pas rrugën drejt varrezave, ku trupi i poetit do të prehet përjetësisht. Morën pjesë në këtë ceremoni miq, të afërm, kolegë, përfaqësues institucionesh shtetërore e fetare, por edhe shumë bashkëqytetarë të tij nga qyteti i lindjes, Gjakova, si dhe mbarë Kosova. Nuk munguan edhe kolegë nga Tirana, të cilët u gjendën në Prishtinë për të përshëndetur për herë të fundit poetin, që i këndoi me aq zjarr Kosovës. Ndër ta u shquan figura të letrave shqipe si Xhevahir Spahiu, Sadik Bejko, Visar Zhiti, Bardhyl Londo. I pranishëm edhe ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Aldo Bumçi.
Amaneti
Ceremonia mortore ishte përgatitur nga Akademia e Shkencave, ku Podrimja ishte anëtar. Përgjatë dy orëve vargu i gjatë i pjesëmarrësve u shoqërua nga një kuartet harqesh dhe vargje të poezive të Podrimjes, shkëputur nga vëllimi “Lum Lumi”, të cilin ai ia kushtoi të birit, Lumit, vdekja e të cilit la një shenjë të thellë në shpirtin e poetit. Poezitë u interpretuan nga aktorët Çun Lajçi e Ilire Vinca. “Kjo gjë sa është nder, është edhe dhimbje e rëndë për mua”, u shpreh Lajçi. Sipas “Kosova.net”, kishte qenë vetë poeti, i cili i kishte kërkuar kompozitorit dhe dirigjentit Rauf Dhomi që varrimi i tij të shoqërohej me muzikë. Akademik Dhomi kujton se poeti kohëve të fundit kishte folur shpesh për vdekjen. “Kishte kohë që thoshte se po vdiste, por ishte një lajtmotiv që ne s’e kemi besuar. Më pati thënë ‘kur të vdes unë, më përcillni me tinguj të orkestrës’”, kujton Dhomi, i cili u kujdes që amaneti i poetit të ndjerë të çohej në vend. Pas dy orësh homazhe, Kori i Burrave të Gjakovës interpretuan këngën “Lamtumirë”. “Kjo këngë që këndohet nëpër varrime, që nga vitet ’80 u këndohet kryesisht martirëve dhe emrave të njohur të shkencës e politikës me rastin e vdekjes”, ka thënë akademik Rauf Dhomi.
Ndarja
Të fundit që u ndanë me poetin, ishin akademiku e kritiku letrar Ali Aliu, miku e kryetari i PEN Qendrës së Kosovës, Basri Çapriqi, të cilët kujtuan vlerën universale të vargut podrimian, me të cilin ai e bëri kombin të njohur në të gjithë botën. “Një popull që lind poet si Ali Podrimja, poet përmasash universale, është popull me fat. Për gjysmë shekulli, ne shqiptarët u mësuam ta ndiejmë poezinë e Aliut, si një bashkëndërrim, si një zë tmerrësisht tronditës, të mprehtë, të qëndrueshëm, bartës të dhimbjes së të gjithëve, si një melodi e përsosur që gjithnjë është aty kur na duhet dhe na shoqëron pa e kërkuar. Të mëdhenjtë si Ali Podrimja, që arrijnë në këtë prani të natyrshme të vetvetishme, në jetën e një kombi, kur ndahen nga ne nga kjo botë, humbja përjetohet si gjëmë, si një terr, si zbrazësi e pangushëllueshme. I tillë goditës na erdhi lajmi i kobshëm për Aliun”. Ndërsa Bastri Çapriqi, drejtor i Pen Qendrës, tha se lajmi për vdekje i poetit të madh Ali Podrimja ka dridhur shqiptarët kudo që janë, pasi për një gjysmë shekulli lexuesit e poetit Podrimja u mësuan të shohin fatin në vargjet e tij, të shërojnë dhimbjen me fjalët e tij dhe ta fisnikërojnë shpirtin me humanizmin e poezive të poetit Podrimja. “Ali i dashur, ke dridhur sot gjithë shqiptarët, gjithë koleget e tu shkrimtarë nga rajoni i Ballkanit dhe Europa, janë shtangur gjithë lexuesit e tu, anekënd botës, me lajmin e hidhur e të rëndë, se po largohet përgjithmonë bardi i vërtetë i poezisë shqipe”, tha ndër të tjera Çapriqi. Në emër të familjes, për Aliun prind, gjysh e poet, foli i nipi Genti Salihu, i cili e cilësoi atë njeri që jetoi për poezinë e vet, por gjithnjë të kujdesshëm edhe për fëmijët, nipat, mbesat e bashkëshorten, që do t’u mungojë dhe të cilët do të ngushëllohen me veprën që u la.

Mbërritja në Kosovë
Sipas mediave kosovare, trupi i pajetë i Ali Podrimjes mbërriti dje në Kosovë në 8:35, në aeroportin e Prishtinës “Adem Jashari”, nëpërmjet linjës ajrore “Swiss Air”, fluturim ky i nisur nga Zyrihu i Zvicrës. Në aeroport e pritën për herë të fundit djemtë Petriti e Dreni, bashkëshortja Fitore, e motra Donika, si dhe nipër e mbesa. I mbuluar me flamurin kombëtar shqiptar, flamur që iu besua më pas djalit të Aliut, Drenit, arkivoli u përcoll edhe nga anëtarët e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës Hivzi Islami, Mehmet Kraja, Rexhep Ismajli e Pajazit Nushi.

Vdekja e papritur e poetit në Francë
I shpallur fillimisht i humbur, trupi i pajetë i Ali Podrimjes u gjet të shtunën, më 21 korrik, në një pyll afër qytetit Lodeve të Francës, prej ku kishte humbur kontaktet prej tri ditësh. Podrimja kishte udhëtuar për në Francë të hënën e 16 korrikut, për të marrë pjesë në edicionin e 15-të të festivalit të poezisë “Zërat e Mesdheut”. Të martën ai kishte folur për gazetën, ku kishte shprehur përshtypjet e tij për përfaqësimin që po i bënte kulturës shqiptare në këtë festival. Me organizatorët e këtij festivali ka folur të mërkurën rreth orës 10:00, që konsiderohet të jetë telefonata e fundit që poeti ka pasur. Pas gjetjes së trupit të pajetë, autoritetet franceze kanë konfirmuar të martën se poeti Ali Podrimja vdiq natyrshëm. Rezultatet e raportit mjekoligjor që janë kryer në Francë, i janë dorëzuar Ambasadës së Kosovës atje. Ambasadori Muhamedin Kullashi ka thënë për gazetën se konstatimi kryesor i këtij raporti është se bëhet fjalë për vdekje natyrale. Thuhet se Podrimja ka humbur jetën për shkak të dehidratimit, pasi kishte humbur orientimin nëpër pyll. Një tjetër raport në detaje për vdekjen e poetit do të jetë gati pas 15 ditësh. Atë po e kryen klinika e Mjekësisë Ligjore në “Montpellier”, ku ishte dërguar trupi i pajetë i poetit.

Jetëshkrimi i poetit kosovar
Ali Podrimja lindi më 1942-shin në Gjakovë. Studioi Gjuhë dhe Letërsi shqiptare në Universitetin e Prishtinës. Periudha vendimtare për formimin e poetit qenë vitet pesëdhjetë. Më 1957-n botoi poezinë e parë në revistën “Jeta e Re”. Rrethanat e vështira politike gjatë viteve ´60 dhe ato familjare më pas, kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në poezitë e tij. Vdekja e të birit, Lumit, rezultoi me veprën më të bukur të tij gjer më sot, vëllimin “Lum Lumi”. Pas poemthit lirik “Hija e tokës”, të cilin Ali Podrimja e shkroi në vitin 1960, kur ishte gjimnazist, një vit më pas, botoi përmbledhjen e parë me vargje elegjiake “Thirrje”, për të vijuar me përmbledhjet “Shamijat e përshëndetjeve”, “Dhimbë e bukur”, “Sampo”, “Torzo”, në 1982 boton librin “Lum, Lumi”, kushtuar të birit të vdekur nga leucemia. Në vitet ’80 e ’90 boton përmbledhjet poetike “Zari”, “Buzëqeshje në kafaz” etj., si dhe dy vepra në prozë “Burgu i hapur” dhe “Harakiri”.

Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Panorama Online. Moderatori


Lexoni Gazeta Panorama ne formatin PDF »»KLIKO KETU

Beni nje Koment


+ 5 = 9

Social Network

AMC universal
Abissnet


VIDEO





Showbiz

Lifestyle

Teknologji

Kuriozitete

© 2013 Gazeta Panorama ONLINE. All Rights Reserved.   Powered by: ikoncept