Biznesmeni: Policia më trafikoi gruan e më rrëmbeu fëmijët
Speciale e Hënë, 16 Korrik, 2012 | 14:46 pm
Biznesmeni durrsak, Pëllumb Luzi, akuzon efektivët.
“Prokuroria hesht, disa qendra për gra të dhunuara po përdoren si shtëpi publike”
Më 25 qershor 2009, pak para mesnate, efektivët e Durrësit kanë zbarkuar në shtëpinë e biznesmenit durrsak, Pëllumb Luzi. Disa makina dhe furgonë me sinjale policie janë rreshtuar para vilës luksoze për të marrë vetëm një grua dhe tre minorenë, me argumentimin e mbrojtjes nga dhuna e kryefamiljarit. Konkretisht, Majlindën, bashkëshorten e Pëllumbit dhe fëmijët e tyre; Inën 15 vjeç, Kontin 13 vjeç dhe Megin 5 vjeç. Pas 4 orësh, në 03:00 të mëngjesit të 26 qershorit, policia ka rikthyer në shtëpi djalin, ndërsa Majlindën me dy vajzat i ka çuar në një qendër sociale në Elbasan, por pa vënë në dijeni bashkëshortin. Pas 11 ditësh, Pëllumb Luzi ka arritur të gjejë dhe të marrë fëmijët, por jo gruan. Atë e kishin transferuar në një tjetër qendër sociale në Linzë dhe, prej andej, i ka ndryshuar disa herë strehimet. E kanë çuar nëpër vende të destinuara për gratë e dhunuara, por që për Pëllumb Luzin janë shtëpi publike. Një akuzë e rëndë kjo nga ana e tij, por edhe nga dy vajzat e djali.
Sot, 3 vjet pas kësaj historie, fëmijët vënë gishtin mbi funksionarë të lartë të Policisë së Durrësit dhe më gjerë, se janë rrëmbyer, dhunuar dhe izoluar, ndërsa nëna e tyre është vënë nën efektin e drogës, ose edhe është përdorur si punonjëse seksi. Sipas tyre, nëna nuk është dhunuar asnjëherë nga babai, por mbi të gjitha nuk kuptojnë arsyen pse ajo i refuzon ata, fëmijët e saj. Gjatë gjithë kësaj kohe, dy vajzat dhe djali janë përpjekur që të takojnë nënën e tyre, por nuk janë lejuar asnjëherë nga policia. Sidomos dy të mëdhenjtë, Ina dhe Konti, të cilët vijojnë Kembrixhin në Londër. Të zhgënjyer, tashmë ata kanë kërkuar në Gjykatë heqjen e së drejtës prindërore nga nëna dhe janë të gatshëm të dëshmojnë tmerret që kanë parë nëpër qendrat e strehimit, pengesat dhe sherret me policinë, deri edhe gjuajtjet me armë drejt tyre. Por duke qenë se ata janë ende nën moshën 18 vjeç, historia vjen e treguar nga vetë Pëllumb Luzi, në prani të fëmijëve. Ai ia nis me akuza ndaj Policisë së Durrësit, shumë akuza…
Ju e akuzoni Policinë e Durrësit për…
Disa vepra penale. Rrëmbim të fëmijëve të mi, keqtrajtim dhe izolim të miturish, përdorim të gruas sime (tashmë i divorcuar) për qëllime trafikimi. I kam çuar në gjyq këta persona të Policisë dhe kam fituar ndaj: Gjelosh Prendit, Avenir Stermasit, Jonida Burbës, Kastriot Karafilit, Ermal Hazizit. Ndërkaq, ditën e rrëmbimit të fëmijëve më janë vjedhur nga ana e punonjësve të policisë 10 milionë lekë të vjetër, si dhe më janë zhdukur shumë sende të tjera me vlerë. Pasi morën familjen time në pragmesnatën e 25 qershorit, djalin ma kthyen rreth orës 03:00, ndërsa për gruan dhe dy vajzat nuk më tregonin asgjë se ku ishin. Atë mëngjes jam thirrur me urdhër të Gjykatës në polici dhe efektivët janë futur në shtëpinë time, gjatë kohës që unë kam qenë atje, duke vjedhur çfarë gjetën. Kanë përdorur furgonin e policisë si taksi për grabitje.
Me çfarë motivacioni ju thirrën në polici?
Më pyetën nëse kisha ushtruar dhunë mbi bashkëshorten.
Kishit ushtruar dhunë?
Jo, absolutisht jo. Ja ku i keni fëmijët dhe mund t’i pyesni për çdo gjë.
Por ndaj saj ka pasur një urdhër mbrojtjeje, madje ka ende…
Ishte një urdhër i montuar nga Jonida Burba, efektive policie në Durrës, ku në procesverbalin fals të saj ka shkruar se gruaja ime ka tentuar që të hidhej nga makina gjatë kohës që po udhëtonim bashkë.
Pse duhej të sajonte dhunën ish-gruaja juaj, ç’interes do të kishte?
Ajo është manipuluar nga profesionistë të Policisë së Durrësit, të cilët e kanë përdorur për të më marrë pasurinë. Ajo është me shkollë 8-vjeçare, shtëpiake, por me shërbëtorë në shtëpi dhe kushte të shkëlqyera ekonomike. Unë i besova asaj 60 për qind të kapitaleve të mia pasurore, me vlerë miliona euro. Duke ditur këtë fakt, bandat policeske të Durrësit, mafiozë të vërtetë me rroba efektivësh, e futën gruan time në kurth femëror, me qëllim vjedhjen e aksioneve dhe pasurisë.
Kush i ka këto aksione sot?
Vazhdon t’i ketë ajo.
Atëherë, derisa vijon t’i ketë ish-gruaja juaj, do të thotë që askush nuk e ka manipuluar apo e ka përdorur?
Nuk ia morën dot aq thjesht, se çështja u bë publike. Po ashtu, unë ndoqa menjëherë rrugën ligjore për të parandaluar vjedhjen më të madhe që mund t’i ishte bërë ndonjëherë një biznesmeni. Në statusin e Shoqërisë sime të biznesit, në aktin e themelimit është një pikë: Asnjë aksionier nuk mund të shesë aksionet, pa u mbledhur Asambleja e Ortakëve dhe pa u propozuar aksionerëve për blerjen apo shitjen e aksioneve. Nuk mund të bëhet asgjë pa qenë unë prezent, gjithashtu pa firmën time.
Ju jeni vetëm dy aksionerë, pra ju dhe ish-gruaja?
Jo, jemi 3 aksionerë. Unë, ish-gruaja dhe babai i saj. Unë jam administratori me 40 për qind të aksioneve, ish-gruaja ka 40 për qind të aksioneve gjithashtu, ndërsa ish-vjehrri disponon 20 për qind. Megjithatë, dihet publikisht se ai biznes është ndërtuar dhe zhvilluar krejtësisht nga unë.
Atëherë, pse i përfshitë ata si aksionerë?
Unë ua kalova aksionet atyre në mirëbesim, si të familjes, sepse shoqëria aksionere kërkon minimalisht 3 aksionerë.
Po ish-vjehrri juaj pse nuk jua kthen aksionet?
Ai është zhdukur në Itali dhe nuk kam asnjë lloj komunikimi prej 3 vitesh. Nuk ia di vendndodhjen.
As me fëmijët e tu nuk komunikon ish-vjehrri, si gjysh që është?
As u vete mendja. Hera e fundit që kam dëgjuar për ish-vjehrrin, ka qenë shtator 2011. Atëherë kur mbërriti në shtëpinë time një urdhër mbrojtjeje, ku urdhërohej djali im që të rrinte larg gjyshërve. Ishte një urdhër që ishte montuar në bashkëpunim me të njëjtin person që m’i rrëmbeu fëmijët në vitin 2009, Ermal Hazizin.
Pse djali juaj duhej t’i rrinte larg gjyshit?
Sepse djali im, Konti, vetëm 15 vjeç (2011), kishte marrë vesh që gjyshërit e tij ishin kthyer nga Italia dhe ishin me pushime në Durrës. I kishte gjetur se ku janë dhe kishte shkuar që t’i takonte. Gjatë bisedës i kishte thënë gjyshit se nuk ishte e drejtë që t’i mbante aksionet dhe duhej të m’i kthente mua. Fill pas kësaj bisede, për të cilën Konti më ka treguar se ka qenë shumë e qetë, ka ardhur urdhri i mbrojtjes i gjyshit ndaj nipit të vogël. Nuk e di nëse ka ndonjë rast analog të tillë…
Pas gjithë kësaj historie, çfarë marrëdhëniesh kanë fëmijët me ju dhe nënën e tyre?
Fëmijët janë më të vuajturit nga gjithë kjo histori, pasi janë izoluar dhe keqtrajtuar nga policia. Ata jetojnë me mua, pavarësisht se dy të mëdhenjtë, pra vajza dhe djali, studiojnë në Angli dhe kemi raport të shkëlqyer. Dhimbja na bëri që të jemi edhe më të bashkuar. Por, ata kanë kërkuar që t’u hiqet e drejta prindërore e nënës së tyre për veprimet që ka bërë ajo dhe familja e saj gjatë këtyre viteve. Gjykata m’i ka dhënë mua tre fëmijët për rritje dhe edukim, ndërsa nëna e tyre ka të drejtë t’i takojë një herë në muaj. Megjithatë, ajo nuk ka pranuar t’i takojë asnjëherë. Ndaj fëmijët duan që ta mohojnë zyrtarisht si nënë, pasi janë lodhur me vite për ta sjellë në vete dhe për ta takuar.
Pse nuk pranon ajo të takojë fëmijët e saj?
Nuk ka pranuar që t’i takojë që nga viti 2009. Për 3 vite, fëmijët janë përpjekur ta gjejnë se ku është dhe të lënë takim me të, por i ka refuzuar. Tentativa e fundit e djalit ka qenë vjet në shtator, ku ai ka shkuar pranë një qendre ku qëndron ajo, në Bathore.
Si e shpjegoni gjithë këtë ftohtësi të një nëne ndaj fëmijës?
Mendoj se e kanë droguar, sepse qëndrimi i jashtëligjshëm i saj nëpër qendra ku rehabilitohen prostitutat më bën të dyshoj që me gruan time janë bërë eksperimente. Prej 3 vitesh ajo është shndërruar krejtësisht. Është bërë agresive, e papërgjegjshme dhe e ka humbur mendjen. E thënë troç, e kanë përdorur.
E kanë përdorur, për çfarë?
E kanë droguar dhe e kanë përdorur si prostitutë, në të ashtuquajturat qendrat e rehabilitimit dhe kujdesit për gratë. Nën efektin e lëndëve narkotike në mënyrë të vazhdueshme, ajo nuk është më vetja e saj. Mendoni, ka humbur krejtësisht instinktet e nënës dhe, pavarësisht lutjeve e lotëve të fëmijëve, nuk i takon. Për më tepër, ajo është prostituuar nga funksionarë shtetërorë, kryesisht të Policisë. Janë të njëjtët emra policësh dhe kryepolicësh që e kanë futur në kurth në vitin 2009, të cilët po vijojnë ta përdorin dhe ta bëjnë krejtësisht të papërgjegjshme, në mënyrë që ajo të mos tregojë të vërtetën.
Sikur nuk është shumë e besueshme…
Është shumë e besueshme dhe kam fakte. Disponoj tabulatet e një muaji të vitit të kaluar, ku brenda 30 ditësh i janë bërë 800 telefonata dhe, ndër to, asnjë numër nuk është i fëmijëve të saj. Në këto 800 thirrje dominojnë numra me “41”, që njihen si numra policie dhe me “6720”, që u përkasin administratave, njerëzve të pushtetit. Meqë unë u dukkam i pabesueshëm, le të hetojë Prokuroria. Pse hesht ajo? Le të zbardhë skandalin më të madh që po ndodh në Shqipëri jo vetëm me ish-gruan time, por me të gjitha gratë që ndodhen në disa qendra që gjoja shkojnë për rehabilitim, por përfundojnë në përdhunim dhe prostituim. Të droguara dhe të përdorura nga mafiozët me pushtet.
Duke qenë se ju deklaruat se ish-gruaja juaj nuk ishte shumë e formuar nga ana intelektuale dhe është përdorur, a keni tentuar ju të ribashkoheni me të dhe t’i shpjegoni se çfarë po ndodh?
Fillimisht po, atëherë kur pas sekuestrimit të saj dhe të dy vajzave e dërguan në qendrën e Elbasanit. Aty e mbajtën 11 ditë dhe, kur pas shumë pengesash, arrita t’i gjej. Arrita të marr vetëm vajzën, ndërsa gruan e transferuan në Linzë. Por, unë nuk e dija se ku ishte ajo për 5 muaj. Edhe pse përfundoi urdhri i mbrojtjes që ishte 20 ditë, atë nuk e kthyen në shtëpi. Madje, vetë gruaja, kur ende nuk e kishte humbur toruan, ka shkruar me dorën e saj: “Nuk e di se pse po më mbajnë në Linzë”. Ajo qëndroi për gati 5 muaj atje, pa u lejuar të takohet me askënd. Gjykata e Durrësit nuk dha më urdhër mbrojtjeje, por Policia nuk e lejonte që të kthehej në shtëpi. Madje, që aty, pa asnjë lloj vendimi të gjykatës, u dërgua në qendrën sociale në Vlorë, te “Vatra”, ku qëndroi për gati 2 vjet. Unë bashkë me fëmijët tentuam ta shpëtojmë dhe ta nxjerrim që andej, duke argumentuar faktin që mbajtja e saj atje është e jashtëligjshme. Gjykata e Shkallës së parë në Vlorë e shqyrtoi çështjen dhe na dha të drejtë. Por me rekomandim dhe kërkesën mashtruese të kryetutores Brikena Puka, drejtoreshës së “Vatra”, Gjykata e Apelit e lëshoi urdhrin e mbrojtjes, edhe pse sërish për pak kohë. Pas skandalit, gruaja u çua sërish në Linzë për pak kohë dhe që andej, në Bathore, ku vijon të jetë.
Është akuzë e rëndë ajo që sapo thatë për drejtoreshën e “Vatrës”…
Aspak, sepse është e vërtetë. Ajo ka dhunuar, keqtrajtuar dhe ka urdhëruar që të gjuhet me armë ndaj fëmijëve të mi. Arsyeja e vetme, e dini cila ishte? Vetëm pse ata dëshironin të takonin nënën e tyre. Madje, pa dijeninë time, ata kishin shkuar vetëm drejt Vlorës, në mënyrë që të mos gjendej sebep se gjoja unë isha i dhunshëm dhe ajo nuk dilte të takonte fëmijët prej meje. Mbi 8 orë, fëmijët më të mëdhenj, vajza dhe djali, janë lënë në të ftohtë, te dera e qendrës, duke u fyer dhe poshtëruar. Ata janë kërcënuar vazhdimisht që të ikin që aty, por fëmijët janë përgjigjur se nuk lëvizin që andej pa u takuar dhe biseduar me nënën e tyre. Atëherë Brikena Puka ka dhënë urdhër të qëllohet drejt tyre. Të gjitha këto që po them unë, janë të filmuara nga djali nëpërmjet celularit. Një pjesë e këtyre filmimeve janë bërë publike dhe Brikena Puka ndodhet nën ndjekje penale dhe hetim. Brikena Puka u përpoq në Gjykatën e Shkallës së Parë në Vlorë që të prishë provat me anë të gjykatëses Eviana Cicolli, duke deformuar realitetin. Për këtë gjyqtare u ankova në KLD dhe institucioni në fjalë doli në konkluzionin: Gjyqtarja e ka mbajtur vendimin 4 muaj pa e arsyetuar, duke kërkuar që çështja të kthehet për rihetim në Prokurorinë e Rrethit Vlorë. Për më tepër, vetë Brikena Puka, e provokuar në një emision investigativ, ka deklaruar se “Majlinda Luzin e mbaj në mënyrë të jashtëligjshme në qendër, pasi kam urdhër”. Kjo që po them është bërë publike dhe ka video-dëshmi.
Megjithatë, qendra “Vatra” është strehë për të mbrojtur gratë e dhunuara dhe përgjithësisht gratë në nevojë. Ato mund të shkojnë edhe me dëshirë atje…
Nëse është me dëshirë, atëherë pse kur shkuan fëmijët e mi për të takuar nënën e tyre u përzunë dhe u shanë nga policë? Mirë fëmijët që nuk u lejuan brenda, po nëna e tyre pse nuk u lejua që të dalë jashtë? Kjo qendër, ashtu si edhe disa qendra të tjera nëpër Shqipëri, janë kthyer si shtëpi publike. Nuk po mbrojnë gratë e dhunuara, por po i kthejnë ato në prostituta. Ish-gruan time e çuan në disa qendra të tilla, si në Elbasan, Linzë, Vlorë dhe së fundmi në Bathore. Që të gjitha këto vende janë të përfolura për skandale seksuale ku abuzohet me gratë e dhunuara, mjafton një investigim apo hetim që të zyrtarizohet kjo çfarë po ju them.






























.. Nese kjo gje eshte e vertete , Eshte JASHTEZAKONISHT JASHTEZAKONISHT e RENDE …. !!!!!!!!!!!!!
Shqiperia tashme nuk eshte me e shqiptarve por totalisht e MAFIES … !!!
… Por kam pershtypjen qe dhe zoteria ne fjale , super biznesmeni , do kete lidhje me ndonje grup mafiozesh sepse kjo qe shpjegon ai , ngjan me shume me nje hakmarrje , sesa thjesht me mashtrimin e rastit ….. !!!!! …
me shume mundesi gruaja vuan nga ndonje psikoze e rende ndersa rrefimi i te shoqit nuk duket i besueshem por si trillim, ai thjesht po perpiqet te rimarre kontroll te plote mbi aksionet e firmes
nuk e kuptoj kujt i thot ”polici”.sepse sot ne shqiperi nuk duhet ndnje gje pervecse te qendrosh ne kembe dhe behesh polic por ama ka dhe polic te mire dhe me zemer por jo si shumica qe i ka vajtur barku te goja.
Raste te vecanta abuzimesh ne qendra te tilla jane bere edhe filma, por historia e ketij durrsakut tingellon paksa e ekzagjeruar.
Historia qe tregon ky durresakut mua me ka ndodhur keshtu si ky nuk ka shtet ne shqiperi
nuk i dihet cdo gje mund te ndodhe , e para ketu ka interesa ne kete mes ,e dyta ajo grua qe pretendojne qe e mbajne me zor nuk paska mundesi te dale jashte dhe te kthehet prape ne shtepi ? pse te lidhur e mbajne ? sidoqofte munnd te akuzosh te tjeret per shume gjera oor jo nenen e femijeve te tu !
Gruaja e tij Majlinda eshte shume ne rregull menderisht ..thjehst historia e *biznesmenit* eshte e paver8 …tpse ky nuk tregon sa her e ka goditur ne sy te gjykateses se durresit pse ajo nuk hiqte dor nga aksionet e saj. nuk i kuptoj disa rob si i thon nenes se femijeve te tij prostitut ..
Opininet e dhena tregojne se kemi te bejme me nje bisnesmen monster, qe per pasuri , shet nderine gruas se tij dhe akuzon ne menyren me te poshter strukturat e shtetit , thuajse jetojme ne xhungel, ku ligjin e ben mafia ! Ky person duhet hetuar dhe per menyren si e ka vene pasurine , dhe te veproje ligji !
sido qe ta ket vene pasurine zoti pullumb luzi eshte njeri puntor dhe i ndershem por nga kjo interviste un i jap te drejte sepse e kan pa syte e mi qe ne 5 te mengjesi u ngrinte per pun dhe turp qeverise shqiptare qe te ndodhin te tilla gjojna.
Cfare po lexoj o ZOOOOOTTTTTTT Cfare po ndodh keshtu ? Valle te jete e vertete kjo qe po thote zoteria ne fjale? Apo eshte si nje sajim i tij per te mare aksionet!! Burrat kur ndahen nga grate behen si qen te terbuar kur behet fjale per pasurine qe mentaliteti jone shqiptar eshte “Gruas nuk i takon asnjegje”… por gabohen sepse eshte 50% me 50% kostua.Po femijet??? Shume enigmatike kjo ngjarje.Larg o zot ng te tilla fenomene
ky artikull eshte me te vertete per te qeshur … habitem me disa komente qe u besojne ketyre shkrimeve qe skane asnje baze… c’do gje eshte e strumentalizuar, sidomos femijet qe aktrojne sipase regjise se pellumb luzit, i cili ska nevoj per koment… ajo çka i intereson eshte vetem pasuria…pse aksionet si ndau me vellezerit o prinderit e tij?!?! … ne shqiperi shyqyr qe ekziztojne ato pak qendra per mbrojtjen e gruas qe jane te kontrolluara e financuara nga qendra internacionale per mbrojtjen e te drejtave te njeriut e qe cdo dite luftojne presionet e personazheve si zotnia qe ka leshuar kete interviste … nuk kam besim te istitucionet qe ti japin ate cka meriton pellum luzit… po Zoti ka per ta bere ti laje te gjitha mekatet ne kte jete o ne tjetren…