Panorama Pluse Dielë, 15 Korrik, 2012 | 13:24 pmPasditja e së enjtes ka qenë tragjike për këngëtaren e njohur “Big Mama”, e cila kishte udhëtuar drejt qytetit të Strugës për t’u argëtuar me miqtë, ndërsa flitej se atje do të realizonte edhe një videoklip të ri. Një djalë ka humbur jetën në aksidentin që ka ndodhur në ujërat e liqenit të Ohrit. Viktima mësohet të jetë nga fshati Dobrosht i Tetovës, që njëkohësisht ka qenë shoqërues dhe mik i këngëtares Besjana Kasami (Big Mama). Ai, së bashku me këngëtaren, po drejtonin motorin në ujërat e liqenit të Ohrit në orët e mbrëmjes dhe në një moment kanë humbur drejtimin dhe janë përplasur, kur këngëtarja ka dashur të ndërrojë vendin me mikun e saj. Pikërisht në këtë moment, motori me shpejtësi të lartë ka goditur në kokë shoqëruesin e “Big Mamës”, i cili nga goditja e rëndë është fundosur disa metra në thellësi të liqenit. Gjithashtu thuhet se asnjëri nuk e ka pasur rripin e sigurimit të vendosur, kurse miku i këngëtares nuk ka ditur as të notojë. Kjo ka çuar deri te mbytja e tij edhe pse Bigu ka tentuar ta ndihmojë deri në momentin kur kanë arritur t’u japin ndihmë kalimtarët e rastit.
Këto detaje i bëjnë të ditura disa portale dhe media maqedonase. Aksidenti i rëndë, që mori jetën e një mashkulli, ka ndodhur rreth orës 17:30 të ditës së enjte, në afërsi të fshatit Kalishtë, një kilometër brenda liqenit, ndërsa të pranishëm të rastit u kanë ardhur në ndihmë dy të aksidentuarve, ku menjëherë më pas kanë arritur edhe forcat e rendit, si dhe ndihma e parë, por për djalin kjo xhiro ka qenë fatale, pasi ka gjetur vdekjen në spital. Ndërsa këngëtarja “Big Mama” akoma gjendet në kurim në spitalin e Strugës, ku në këto momente pranë saj gjenden edhe familjarët e këngëtares. Ajo nuk është lënduar shumë, por ka përjetuar një gjendje shoku nga kjo tragjedi. Zëdhënësi i Policisë së Ohrit, Stefan Dimovski, ka deklaruar se personi i vdekur quhet Lirim Jusufi dhe ka qenë mik i ngushtë i këngëtares.
Në vendngjarje kanë arritur edhe organet kompetente për të bërë verifikimin e tragjedisë që ka filluar me rrokullisjen e skuterit, ndërsa ndalesa për qarkullim me skuter nëpër liqene ka hyrë në fuqi një ditë pas aksidentit me vendim të qeverisë.
Sipas ndalesës së vjetër, ishte e paraparë që nga 20 qershori e deri më 20 gusht, të ndalohen skuterët me peshë deri 45 kilovat, nga ora 11:00 deri në 18:00 të mbrëmjes.
tweet
Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Panorama Online.
Moderatori
Lexoni Gazeta Panorama ne formatin PDF »»KLIKO KETU