Panorama Sport
Home » Opinion » CD

CD

EDMOND TUPJA

Nuk e kam fjalën për dy shkronjat e targave të atyre makinave të cilat i përkasin trupit diplomatik të akredituar në Shqipëri, jo, por për ato pllakëzat e holla metalike në të cilat regjistrojmë këngë,  fotografi, filma etj., që i shkarkojmë, me pagesë ose piratisht, nga interneti. Me siguri që lexuesi im i vëmendshëm e i paanshëm është duke menduar se do të merrem këtu me shqiptimin e këtyre dy shkronjave – sidi, duke u nisur nga anglishtja, çidi, duke u nisur nga italishtja, sede duke u nisur nga frëngjishtja apo cëdë për t’i qëndruar besnik alfabetit shqip. Mjerisht, ai do të zhgënjehet, sepse sot do të merrem me diçka më dramatike se kjo. Po shpjegohem:
Para pak kohësh, tek po pija një kafe me disa kolegë e kolege, njëra prej tyre më mësoi se e ëma i kishte pësuar muajin e kaluar një iskemi të rëndë cerebrale dhe se e kishin çuar me urgjencë në spitalin e Tiranës, ku i kishin bërë edhe një skaner, sigurisht. Më pas, gjendja e saj shëndetësore ishte përmirësuar, kjo më gëzoi, por ajo që më la pa gojë ishte fakti tragjikisht komik ose komikisht tragjik që specialisti i skanerit i kishte kërkuar koleges sime (mbaje veten i dashur lexues, tregohu burrë, mos u plandos përtokë duke qeshur e qarë njëkohësisht, të lutem, të përgjërohem në gjunjë, madje edhe barkas!) të shkonte – në mes të natës – të blinte diku një, një, një… CD! Po, po, një CD që t’i hedhë atje të dhënat e skanerit për të sëmurën! O mjerim mjerisht mjeran i shërbimit shëndetësor lavdiplotë në Shqipëri! O tragjikomedi e shërbimit tonë mjekësor shembullor në kryeqytet! (A e përfytyron dot, o lexuesi im i përlotur nga të qarët e të qeshurit njëherësh, se ç’mund të ndodhë nëpër rrethe e më keq akoma nëpër fshatra kur sëmuret njeriu?) E pabesueshme, ndonëse krejt e vërtetë!
Gjithsesi, kolegia ime kishte shkuar në shtëpi dhe, për fat, e kishte gjetur një CD të virgjër, e kishte sjellë në spital dhe kjo CD e kishte humbur ndershmërisht virgjërinë e saj duke ia zbardhur faqen personelit mjekësor! Ia kishte zbardhur faqen personelit mjekësor dhe e kishte nxjerrë nga balta e varfërisë së skajshme drejtorinë e Qendrës spitalore universitare “Nënë Tereza”, ia kishte zbardhur madje edhe Ministrisë së Shëndetësisë!
Sidoqoftë, prej vitesh është botërisht e njohur që shqiptarët, kur shtrohen në spitalet publike, janë të detyruar t’i blejnë vetë ilaçet, pecetat e lagura, fashat etj., etj., por që të arrinte puna deri atje sa shteti ynë, qeveria jonë, Ministria jonë e Shëndetësisë ta detyrojnë qytetarin e shkretë, edhe pse të siguruar, të blejë me paratë e tij një CD që kushton me pakicë 30 deri në 50 lekë dhe, me shumicë, nja 10 lekë, kjo është e patolerueshme dhe, po e përsëris, tragjikisht qesharake ose qesharakisht tragjike!
Gjithsesi, tani që e ngrita faqe botës këtë problem, shpresoj se, me gjithë varfërinë e madhe të strukturave tona spitalore, dikush me pozitë e kompetenca të padiskutueshme humanitare do të ftillohet dhe do të hapë rreth e qark spitaleve tona publike të pajisura me skaner disa pika shitjeje CD-sh, të cilat do të rrinë hapur 24 orë rresht për t’u shërbyer në çast pacientëve të skanuar, madje, i sugjeroj Ministrisë sonë të Shëndetësisë që të merret vesh me Sigurimet Shëndetësore për rimbursimin e CD-ve pacientëve të skanuar, veçse me kusht që këto CD të jenë blerë në pikat e shitjes që sapo përmenda. Nga ana tjetër, i sugjeroj gjithashtu Ministrisë në fjalë të propozojë, në mbledhjen e ardhshme të kabinetit qeveritar, ngritjen e një linje prodhimi CD-sh made in Albania, me synim eksportin e këtyre në drejtim të vendeve tejet të varfra të Afrikës (si, p.sh., Somalia, Sudani i Jugut etj., etj.) dhe të Azisë (si, p.sh., Afganistani, Bangladeshi etj., etj.), ku, në çdo spital të pajisur me skaner, ka radhë të gjata njerëzish që presin me muaj, në mos me vite, të blejnë CD-të e pagjetshme për të hedhur në to të dhënat e skanerit për të afërmit e tyre, pavarësisht se shumë prej këtyre të fundit mund të kenë muaj, në mos vite, që kanë vdekur!

Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Panorama Online. Moderatori


Lexoni Gazeta Panorama ne formatin PDF »»KLIKO KETU

8 Komente per “CD”

  1. Z.Tupja !
    Ndonese i kam lexuar me kenaqesi shkrimet tuaja kritike me humor te holle, kesaj radhe humori me duket paksa i trashe.
    Vecanerisht ai detaji ku i qani hallin fshatarit qe do te detyrohej te blinte “ne fshat” CD, sikur ja zbeh realizmin kritikes suaj. Nuk dij te kete ne fshatra te vendeve te zhvilluara evropiane spitale te tilla, ku te behet percaktimi i diagnozave me teknollogjine bashkekohore kompjuterike e keto diagnoza te jepen te skanuara neper CD.
    Keni shkuar teper larg, (nuk e dij se per cfare qellimi) deri tek CD e nuk jeni mjaftuar per te goditur atje ku duhet, mungesen e ilaceve,mjeteve antiseptike e mjeteve te tjera te higjenes neper spitalet shqiptare.

  2. Per hir te se vertetes, une isha i pranishem ne tavoline ku po pinim kafen me Prof. Edmondin kur nje kolege na shushati me kete punen e CD-se. Shkrim shume i jashtezakonshem si gjithmone, me nje sarkazen Swift-iane te nje klasi te larte.
    Me respekt
    Albert SHEQI

  3. Perse nuk beni nje peticion per keto menxyra e te tjera si keto, Ju Z. Tupja e Intelektuale te tjere si Ju? Ne raste te tjera Ju keni qene me aktiv dhe me te gatshem qe ta beni kete!?

  4. Po pikerisht se kushtojne aq pak si blen njeri, se eshte tender modest s’kane ca vjedhin.

  5. Thene ndryshe: “nuk jam ekspert i fushes por po jap edhe une mendimin tim”.
    Filozofia e opinionisteve shqiptare…

    Transmetimi i imazheve radiologjike rregullohet me ligj te propozuar nga ekspertet e fushes.
    Ai eshte i detyrueshem ne filma sidomos ne rastet kur pacienti i nenshtrohet interventit kirurgjikal pasi i sherbejne kirurgut ne salle si udherrefyes per proceduren qe do te kryeje dhe duhet qe ai t’i kete para syve;
    Per arsye te kostos shume qendra diagnostike i printojne imazhet ne leter, por nese pacienti futet ne salle detyrimisht printohen ne film.
    CD (çidija, sedeja cë-dëja) eshte “optional” dhe po te hapni ndonje CD mos u cudisni nga shprehja “Not for diagnostic use”. (edhe kjo eshte detyrim ligjor).
    Transmetimi i imazheve ne menyre te detyrueshme me CD eshte ende ne diskutim (CD mund te mos hapet ne PC, te gervishtet dhe behet e paperdorshme etj.)…

    Skaner = Tomografi e Kompjuterizuar: C’ka do te thote “prerje (tomos) grafie te perpunuara ne Kompjuter”.
    Kur ka nje kompjuter ka edhe nje memorie … ooooops!!!!! Besoj se e kuptoni qe priste deri te nesermen, te pasnesermen etj por jo detyrimisht ne mes te nates.

  6. Divorc hajdari

    o Tupe pse nuk thu se e ka fajin Ed Rama.

  7. Me pelqen pa mase SARKAZMA e zotit Tupe…besoj se ka me shume efekt se cdo kritike tjeter e cdo lloji…..

  8. Aleksander Prenga

    Profesor ka edhe me keq. Në 12 të natës mjeku i skanerit të urgjencës kërkon, pa pikë turpi, jo më pak se 2000 lekë (kuptohet te reja).

Beni nje Koment


+ 3 = 11

Social Network


Abissnet


VIDEO





Showbiz

Lifestyle

Teknologji

Kuriozitete

© 2013 Gazeta Panorama ONLINE. All Rights Reserved.   Powered by: ikoncept