Zbulohen dokumentet, Imami refuzoi Demin për kontrollin në Ministrinë e Mbrojtjes
Argument e Mërkurë, 4 Korrik, 2012 | 12:22 pmZbulohet vendimi i Komisionit të Sigurisë për kontroll.
Kreu i Komisionit të Sigurisë iu drejtua dy herë ministrit të Mbrojtjes: Lejo deputetët.
Ministri i Mbrojtjes, Arben Imami, ka refuzuar kërkesën e miratuar nga Komisioni i Sigurisë së Parlamentit për të kontrolluar procedurat e vendimmarrjes në këtë Ministri.
Gazeta zbulon të gjithë dokumentacionin zyrtar përmes të cilit Kuvendi ka komunikuar me Ministrinë e Mbrojtjes për kryerjen e kontrollit parlamentar. Kërkesa e miratuar nga të gjithë anëtarët e Komisionit të Sigurisë dhe e firmosur nga kryetari i tij, deputeti demokrat Leonard Demi, me vendimin Nr.8 të datës 18 maj 2012, i është dërguar në rrugë zyrtare ministrit të Mbrojtjes. Në këtë kërkesë thuhet se “Komisioni vendosi miratimin e planit të zhvillimit të seancave dëgjimore dhe të mbikëqyrjes parlamentare për Ministrinë e Mbrojtjes; miratimin e grupit të punës që do të ndjekë mbikëqyrjen parlamentare ndaj Ministrisë së Mbrojtjes, si dhe miratimin e grupit të punës që përbëhet nga deputetët Babasi, Bizhga, Çuko, Dogjani, Gjoni, Hasa, Hoxha, Maliqi, Metalla, Ngresi, Paluca, Prenga, Qefalia, Skuqi, Stërkaj, Turku dhe Uldedaj”. Vendimi hynte në fuqi menjëherë dhe ishte hartuar “në mbështetje të nenit 18, 34, 36 dhe 102 pika 3 e Rregullores së Kuvendit të Shqipërisë”. Më pas, ky vendim është cikluar nga sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit, Marlind Myftiu, i cili ia ka përcjellë ministrit të Mbrojtjes, Imami. Por që nga data 12 qershor 2012, kur dhe i është nisur ministrit Imami shkresa, Komisioni nuk ka marrë asnjë përgjigje. Kryetari i Komisionit të Sigurisë, Leonard Demi, më datë 22 qershor, pas kërkesave të vazhdueshme të deputetëve të opozitës, i është drejtuar për herë të dytë ministrit Imami, duke i rikujtuar vendimin e këtij Komisioni për mbikëqyrjen parlamentare të kësaj Ministrie. Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit ia ka përcjellë shkresën e Demit ministrit Imami. Edhe pas kërkesës së dytë, nuk ka pasur asnjë përgjigje zyrtare. Korrespondenca zyrtare mes Kuvendit dhe Ministrisë së Mbrojtjes ka qenë vetëm në një kah. Ministria e ka injoruar plotësisht Kuvendin, duke mos kthyer asnjë përgjigje zyrtare. Vetëm dy ditë më parë, deputetët socialistë morën një përgjigje verbale, jo shkresore nga sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Mbrojtjes, Edvin Kulluri, i cili u ka komunikuar atyre se nuk mund të mbikëqyrin këtë Ministri për momentin. Ndërsa dje, deputetët socialistë, pas zhurmës mediatike të bërë, morën përgjigje nga Ministria e Mbrojtjes se Komisioni i Sigurisë do të lejohet të kontrollojë, por më parë duhet të depozitojë planin e detajuar të këtij kontrolli.
Komisioni do të mbikëqyrë
. Zbatimin e ligjit “Për gradat në Forcat e Armatosura” gjatë 2010-2011. Modernizimin e armatimit dhe të pajisjeve të forcave të armatosura
. Zbatimin e buxhetit në përmbushjen e objektivave
. Veprimtarinë e ndërmarrjes MEIKO dhe të administrimit të fondeve që rrjedhin prej këtij aktiviteti
. Veprimin e Shërbimit Informativ të Ushtrisë, zbatimin e legjislacionit ekzistues
Imami: Deputetët të certifikohen
Zbardhet debati në Komisionin e Sigurisë. Imami kërkoi dokumente nga deputetët
Demi: I zgjedhuri e ka marrë certifikatën nga populli
Ministri i Mbrojtjes, Arben Imami, ka kërkuar prej depute-tëve të Komisionit të Sigurisë Kombëtare, që para se të procedonin me “hetimin” në dikasterin që ai drejton, ata duhet të certifikoheshin më parë nga institucionet e sigurisë.
Një fakt i tillë konfirmohet nga nënkryetari i Komisionit të Sigurisë, Ilir Gjoni, i cili në mbledhjen e datës 5 qershor u shpreh para Komisionit se gjatë bisedës së zhvilluar me ministrin Arben Imami, ky i fundit i kishte kërkuar certifikim për çdo deputet të opozitës, që do të përfshihej në mbikëqyrjen e punës së Ministrisë së Mbrojtjes. Në procesverbalin e mbledhjes së Komisionit të Sigurisë, deputeti i Partisë Socialiste Ilir Gjoni ka kërkuar sqarime nga kryetari i Komisionit, Leonard Demi, nëse kishte informacione se në cilin institucion do të mund të realizohej certifikimi i deputetëve të opozitës, para nisjes së hetimit parlamentar nga Imami. Gjoni në këtë mbledhje ka shprehur habi për këtë kërkesë të ministrit të Mbrojtjes, pasi sipas tij, deputetët e Komisionit të Sigurisë janë të certifikuar nga institucionet e sigurisë, si SHISH apo Prokuroria dhe, për rrjedhojë, kanë rezultuar të “pastër”.
Debati
Në fjalën e tij në mbledhjen e Komisionit të Sigurisë, Gjoni theksoi se deputetët e opozitës ishin të gatshëm për t’iu nënshtruar çdo kontrolli në çdo moment, në mënyrë që të mos zvarritej kërkesa e tyre për të mbikëqyrur Ministrinë e Mbrojtjes, procedurat e ndjekura nga Arben Imami, për shkarkimin dhe emërimin e gjeneralëve, kontrollin e buxhetit të vitit 2011 dhe punën e kryer nga Shërbimi Informativ i Ushtrisë (SHIU). “Nga biseda që zhvillova me ministrin Imami, kisha përshtypjen se ai kërkonte një certifikim për anëtarët e Komisionit të Sigurisë. Nëse do të duhet një gjë e tillë, duhet të na thuhet se cili është institucioni që e jep këtë dokument, në mënyrë që ne të mos hasim pengesa në ushtrimin e detyrës, por t’i paraprijmë asaj, duke iu drejtuar institucionit që është i autorizuar për të dhënë certifikimin, për secilin nga anëtarët e Komisionit të Sigurisë”, është shprehur deputeti i PS-së, Ilir Gjoni.
Qëndrimi
Kryetari i Komisionit Parlamentar të Sigurisë, Leonard Demi, gjatë mbledhjes së zhvilluar në datën 5 qershor, i ka dhënë të drejtë kërkesës së deputetëve të opozitës. Demi është shprehur se deputetët nuk kanë nevojë për certifikime ekstra për t’u bërë pjesë e mbikëqyrjes së punës së një dikasteri, siç ishte në këtë rast Ministria e Mbrojtjes. Për kreun e Komisionit të Sigurisë, deputetët si të zgjedhur nga populli e kanë të marrë certifikimin nga qytetarët dhe nuk kanë nevojë për të tjera “vërtetime”. “Zoti Gjoni, ky është për mua një problem i debatueshëm, pasi i zgjedhuri i popullit e ka marrë certifikatën nga populli”, deklaroi Leonard Demi. Ndërkaq, nënkryetari i Komisionit, deputeti i PS-së Ilir Gjoni, ka theksuar në këtë mbledhje që kreu i Komisionit të bëhej pjesë e zgjidhjes së këtij problemi, në mënyrë që hetimi i Kuvendit me anë të grupeve të punës të vijonte në kornizat e ligjit dhe pa u penguar nga “pretekstet” e certifikimit të deputetëve. “Zoti kryetar, do të kërkoja mirëkuptimin dhe mbështetjen tuaj, që të mos na nxirret asnjë pengesë mbi këtë arsyetim. Ne duhet të veprojmë në përputhje me ligjin”, ka deklaruar deputeti Gjoni.
Debati në Komisionin e Sigurisë
Ilir Gjoni: Dy mbledhje më parë, ju keni miratuar grupet e mbikëqyrjes për dy institucionet e sigurisë: Ministrinë e Mbrojtjes dhe Ministrinë e Brendshme. Do t’ju lutesha që të fillojmë nga puna.Leonard Demi: Po mund të filloni.
Ilir Gjoni: Dikasteret janë të informuara zyrtarisht?
Leonard Demi: Zyrtarisht nuk i kam dërguar shkresën, por po e dërgoj që sot.
Ilir Gjoni: Kam dhe diçka tjetër. Nga biseda që zhvillova me ministrin Imami, kisha përshtypjen se ai kërkonte një certifikim për anëtarët e Komisionit të Sigurisë. Nëse do të duhet një gjë e tillë, duhet të na thuhet se cili është institucioni që e jep këtë dokument, në mënyrë që ne të mos hasim pengesa në ushtrimin e detyrës, por t’i paraprijmë asaj, duke iu drejtuar institucionit që është i autorizuar për të dhënë certifikimin për secilin nga anëtarët e Komisionit të Sigurisë.
Leonard Demi: Zoti Gjoni, ky për mua është një problem i debatueshëm, pasi i zgjedhuri i popullit e ka marrë certifikatën nga populli.
Ilir Gjoni: Zoti kryetar, do të kërkoja mirëkuptimin dhe mbështetjen tuaj, që të mos na nxirret asnjë pengesë mbi këtë arsyetim. Ne duhet të veprojmë në përputhje me ligjin.
Leonard Demi: Sot kemi këtë rend dite. Miratimi i procesverbalit i datës 29.05.2012, ka vërejtje për procesverbalin? Po zoti Lutaj?
Piro Lutaj: Në lidhje me procesverbalin, në ndërhyrjen tuaj, në përfundim të fjalës sime, ju keni thënë: Faleminderit zoti Lutaj për ndërhyrjen akademike! Unë mendoj që ju nuk mund të vlerësoni prononcimin tim, nëse ishte akademik, teknik apo politik.
Leonard Demi: Mua ashtu m’u duk.
Gjoni: Hetim shitjeve të dyshimta të armëve
Deputetët e PS në Ministrinë e Mbrojtjes
Deputetët e opozitës në Komisionin e Sigurisë Kombëtare do të nisin procesin “hetimor” në Ministrinë e Mbrojtjes, në datën 10 korrik. Në pamundësi për të nisur që dje nga puna, 8 deputetët e PS-së kanë zhvilluar një takim me sekretarin e Përgjithshëm të Ministrisë së Mbrojtjes, Edvin Kulluri, me të cilin vendosën që kontrolli të nisë pas një jave. Nënkryetari i Komisionit të Sigurisë, Ilir Gjoni, deklaroi dje, pas takimit të zhvilluar në Ministrinë e Mbrojtjes, se puna e mbikëqyrjes së deputetëve do të zgjasë deri në muajin tetor të këtij viti dhe gjetjet do të pasqyrohen në një raport që do t’i paraqitet Kuvendit. Deputeti i PS-së, Gjoni, theksoi se kanë dyshime të forta për trafik të jashtëligjshëm armësh nga Ministria e Mbrojtjes drejt Malit të Zi, por kjo mbetet për t’u verifikuar. “Kërkuam që të vijmë dhe të marrim kontakt me autoritetet e Ministrisë së Mbrojtjes për të realizuar të drejtën e legjislativit për kontroll mbi ekzekutivin, aq më tepër kur bëhet fjalë për një institucion të rëndësishëm, si kjo Ministri, ku transparenca është e domosdoshme. Ne do të përpiqemi dhe do të flasim me dokumente mbasi të verifikojmë në vend të gjithë dokumentacionin e nevojshëm për hyrjet, daljet, shitjet armatimeve apo qoftë dhe blerjet e dyshimta që ne kemi informacion, por që ka nevojë për t’u verifikuar”, theksoi Gjoni.
Përgjimet
Përpos Ministrisë së Mbrojtjes, deputetët e Partisë Socialiste do të mbikëqyrin dhe veprimtarinë e Ministrisë së Brendshme gjatë viteve 2010-2011. Pjesë e punës së deputetëve do të jetë dhe “zbardhja” e rolit të Policisë së Shtetit në ngjarjet e 21 janarit, puna e realizuar për zbulimin e vrasjes së deputetit Fatmir Xhindi, vrasja e gjyqtarit të Vlorës, Skerdilajd Konomi, vrasja e ish-kryekomunarit të Kukësit, Remzi Veseli dhe zbardhja e vrasjes së ish-oficerit të Shërbimit të Shtetit në Durrës, Esat Çoba. Pjesë e kërkesës së opozitës për hetim është dhe mbikëqyrja e procesit të përgjimeve telefonike realizuar nga Ministria e Brendshme.

Faksimile e shkresës përcjellëse e Sekretarit të Përgjithshëm të Kuvendit Marlind Myftiu, drejtuar ministrit Imami

Faksimile e shkresës së dytë përcjellëse e Sekretarit të Përgjithshëm të Kuvendit, drejtuar ministrit Imami
FATION BINJAKU & ARISTIR LUMEZI
































Meqense z.Demi per institucionin qe duhet te leshoje dokumentin per certifikimin e antareve te komisionit eshte i diskutueshem,une Nunuja nga C epani,si e mencme qe njihem, u them me ndrgjegje te plote dhe si na ka mesuar nena Parti,certifikimi te kaloje ne kopetence te kryeministrit,si te gjitha kopetencat e tjera. Me nderime Nunuja nga Cepani.
Po c’prisni nga ai Imami aman … nje ish-aktor qe ka bere ca kurse per t’u kualifikuar e me pas pasi hypi neper tankset e 1997-es per te sulmuar Saliun, ju bashkua ketij te fundit si ai qeni qe i lepihet te Zotit…. mjere ne per Minuistra qe kemi
por PS nuk eshte ne pushtet dhe kontrollon ministrat e saj ajo eshte ne opozite dhe per cdo kontrollqe ajo do qe te beje duhet te shtrohet ne kuvend te aprovohet atje ,te krijohet nje komision hetimor dhe pastaj te filloje pune ,por deputetet e PS e dine se jane ne sistemin e kaluar te nenes parti qe kishin qe vete i benin ,vete i kontrollonin dhe vete i mbulonin,jemi ne demokraci dhe cdo gje do te behet ne baze te ligjeve te demokracise ,cdo gje ne kuvend,pushteti i sotem po i meson socialisteve se si duhet te veproje pa shkelur asnje ligj,demokracia eshte diktature ligjore,nuk duhet te shkelet apsolutisht asnje ligj ,socialistet ishin mesuar keq dhe vazhdojne te jene akomame idealet e tyre qe sot jane te vdekura,kete e treguan me perpjekjet qe bene qe ta zgjidhnin ata presidentin kur kushtetuta e percaktonte qarte se si duhet te ish zgjedhja e presidentit,kryetari i PS nuk eshte politikan perc veseve te tij ai po e shpije ps gjithmone ne humje.