Xherdan Shaqiri: Me mua, Bajerni spektakolar!
Sport e Mërkurë, 4 Korrik, 2012 | 16:01 pm
Nga talenti i ish-yllit të Bazelit Bajerni pret shumë. Është cilësuar si pasardhësi i Robenit por, në ditën e parë të stërvitjes në “Zebner Shtrase”, 20-vjeçari, i cili do të mbajë numrin 11 në “Alianc-Arena”, ka pohuar se nuk ka ardhur në Mynih për t’i zënë vendin askujt, por për t’ia bërë detyrën e përzgjedhjes më të vështirë trajnerit Jup Hejnkes.
Çfarë shpresoni të arrini me transferimin tuaj në Mynih?
Pritshmëritë në një klub si Bajerni janë të mëdha, ashtu siç janë edhe ato të klubit për mua. Dua të fitoj shumë tituj.
A jeni konsultuar për transferimin tuaj në Mynih nga Hitcfeld, Qirjako Sforca, apo edhe Torshten Fink?
Në ditët e sotme të gjithë lojtarët e njohin Bajernin, sepse është një prej klubeve më të mira të Europës. Por, është e vërtetë që unë kam folur me trajnerin e Zvicrës dhe ai ma ka këshilluar një lëvizje të tillë si një ish-trajner i Bajernit.
Çfarë klauzolash keni kërkuar në kontratën tuaj? Sepse të aktivizohesh në mesfushën e Bajernit, kur konkurrent ke Roben, Riberi, Myler apo edhe Kros me Alabën janë të mëdha…
Për mua vlen fakti që trajneri Hejnkes më ka kërkuar në skuadër. E kam marrë parasysh rivalitetin, por jam në Mynih për ta bërë më të fortë Bajernin dhe kam bindjen se do ambientohem shpejt.
Në cilin pozicion ka ndër mend t’ju aktivizojë Hejnkes, si mesfushor i djathtë, i majtë, apo në qendër?
Unë jam një mesfushor me tipare sulmuese. Por mund të luaj si në të djathtë, ashtu edhe në të majtë dhe pas sulmueseve. Se ku do të aktivizohem, këtë do ta tregojë koha. Megjithatë, unë jam i ndërgjegjshëm se më duhet të tregoj shumë në stërvitje që të më lejohen hapësira në ekip. Nuk ndiej aspak presion dhe do të shikoni se me mua në fushë Bajerni do të jetë shumë tërheqës. Por, nuk më pëlqen të flas përpara se të zbres në fushë.
Cilat janë objektivat tuaj sezonalë?. Sa ndeshje dhe gola dëshironi të shënoni?
Unë kam ardhur te Bajerni për të forcuar skuadrën. Do të jap kontributin tim sa të më jepet mundësia.


























