Panorama Sport
Home » Politike » Xhepa: Ka lodhje nga reformat, duhen ndryshime në Qeveri

Xhepa: Ka lodhje nga reformat, duhen ndryshime në Qeveri

Deputeti i PD-së, Selami Xhepa

Deputeti i PD-së, Selami Xhepa, flet për ndryshime të thella në qeveri në prag të zgjedhjeve të ardhshme parlamentare.
Në një intervistë në emisionin “5 pyetje nga Babaramo” të gazetarit Ilir Babaramo në News 24, ai mbështet kritikat e Mark Markut dhe kërkon reflektim nga PD-ja.
Z. Xhepa, besoni se ndryshimet e fundit në qeveri u bënë për ta menaxhuar më mirë krizën ekonomike?
Është një pyetje përgjithësisht e vështirë, sepse natyrisht që gjykimi kryesor i takonte Kryeministrit për ta bërë. Unë kam shprehur pikëpamjet e mia personale që duke pasur parasysh edhe kontekstin e zhvillimeve të krizës globale, duke pasur parasysh faktin e një sërë mangësish në reforma, zvarritjeve, mbetjeve në vend, ngecjet e reformave etj. Mendoj se një ndryshim apo një rikompozim i qeverisë do të ishte i dobishëm. Do të ishte i dobishëm për vendin në radhë të parë. Shumë sektorë të rëndësishëm të jetës së vendit kanë nevojë për të sjellë një qasje, një dinamikë të re të sektorëve të tjerë.
Çfarë nuk shkon?
Siç e thashë, ka një topitje të reformave, ka një lodhje ndoshta nga reformat ose nga ecja përpara e këtyre reformave. Sigurisht, ka një tkurrje në aktivitetin e administratës publike ose njëlloj topitje. Kështu që mendoj se një riformatim, një rikompozim, pasi gjithmonë rikompozimet e qeverisë janë momente të rëndësishme të një mobilizimi pozitiv për një lloj dinamizmi më të madh.
Kur flisni për aktorët politikë, çfarë keni parasysh?
Kam përshtypjen se publiku në përgjithësi do t’i mirëpriste shumë ndryshime të tilla pozitive që mund të bëheshin në emër të një pozitiviteti. Por unë gjykoj se edhe në planin politik do të ishin shumë të dobishme. Kam parasysh se tashmë po hyjmë në një vit elektoral. Është viti i fundit, kompletimi i reformës elektorale nuk bën gjë tjetër veçse fillon dhe hap siparin e një ballafaqimi elektoral mes forcave politike. Kështu që edhe për qëllime elektorale mendoj se do të ishte një element jo vetëm i një dekori, siç e thotë nganjëherë z. Mustafa Nano, por ndoshta do të ishte më shumë një element më shumë substancial, sesa thjesht një dekor në figurimin e përbërjes së qeverisë.
Përveç opinionit publik, në Grupit Parlamentar të PD-së i keni shprehur mendimet tuaja?
Nuk kam pasur mundësi që ta debatoj, por kam përshtypjen që edhe disa zëra të tjerë të PD-së janë shprehur publikisht në fakt për këto që po shpreh dhe unë.
Për shembull Mark Marku?
Po, edhe Mark Marku, edhe të tjerë.
Ndani pikëpamje të njëjtë me z. Marku?
Mendoj se një sërë kritikash të bëra nga z. Marku janë të rëndësishme dhe kanë nevojë për një reflektim nga lidershipi i PD-së. Mendoj se janë të dobishme dhe do ta shëndoshin gjendjen, kështu që unë ndaj pikëpamjen se nevoja për një dinamizim është jo vetëm në qeverisje, por njëkohësisht edhe në krijimin e një fryme më të gjerë demokratike dhe në forcat politike. Demokracitë fillojnë dhe përfundojnë në partitë politike, sepse nuk mund të kemi një shoqëri demokratike të mirëfilltë në qoftë se partitë politike kanë mangësi ose deformime në mënyrën e funksionimit të sistemit demokratik brenda tyre.
Ndoshta moszgjedhja e kryesisë së vogël është një nga shkaqet?
Edhe dialogu politik brenda forumeve, mënyra e mekanizmit të vendimmarrjes, mekanizmat e konsultimeve, e kështu me radhë, mendoj se janë faktorë që mund të amortizojnë shpeshherë probleme të brendshme të dialogimit politik, të cilat kanë një element të rëndësishëm, që është nevoja për të dinamizuar reformat. Shqetësimi është i përbashkët. Shqetësimi është për të pasur një forcë politike dinamike, një forcë politike që të vazhdojë që të ngjallë te qytetarët një besim për ta konsideruar një forcë politike e rëndësishme qeverisëse. Për rrjedhojë, shqetësimi i brendshëm është një shqetësim i shumëkujt në parti për të pasur një forcë politike që të vërtetë të vazhdojë të përfaqësojë jo vetëm interesa të vogla, por të përfaqësojë interesat e një grupi edhe më të gjerë të shoqërisë shqiptare.
Janë bërë konsultimet para vendimmarrjes së ndryshimeve në qeveri?
Sigurisht që grupet, ato që marrin vendimmarrje, është forumi i Kryesisë i PD-së. Për hir të së vërtetës, unë nuk kam asnjë dijeni, por kjo nuk do të thotë se meqë unë që s’kam dijeni, mund të mos ketë ndodhur procesi i konsultimeve.
Ju vetë si i gjykoni ndryshimet e fundit në qeveri? Konkretisht, dy ministrat e LSI-së dhe zëvendësimi i z. Nishani.
Për mendimin tim do të kishte qenë më pozitive që të kishte pasur një ndryshim më të qenësishëm, më rrënjësor. PD-ja dhe gjithë forcat e tjera politike kanë kapacitete të mjaftueshme për të ndërtuar kabinete jo vetëm me një numër të kufizuar personash, për të pasur një përfaqësim rotativ në mënyrë ndoshta jo të shpeshtë, siç e kishte në praktikën e saj PS-ja në dy mandatet e para, por për të pasur rikonfigurime që vërtet do të sillnin një frymë të re. Një individ, sado inovativ të jetë, duke kaluar një periudhë të gjatë në të njëjtin vend pune, kam përshtypjen se fillon dhe bëhet përsëritës i vetvetes. Shpeshherë njeriu ka nevojë edhe si motivacion i brendshëm individual për të ndryshuar, sepse ndryshimi është gjithmonë pozitiv.
… Dhe ju mendoni se kjo do të ketë një kosto elektorale, ky mos ndryshim në vitin 2013?
Ndoshta është shpejt për ta gjykuar, por për mendimin tim, nevoja për të bërë një analizë më të hollësishme të qeverisë, të mënyrës se si janë menaxhuar një sërë reformash për të ndërtuar një program që do të ishte vërtet në lartësinë që presin qytetarët shqiptarë, pra nëse një gjë e tillë nuk do të bëhej, kam përshtypjen se baza e përfaqësimit të partisë ose entuziazmi që do të ngjallnin përtej atij që është elektorati tradicional i partisë do të ishte shumë i vakët.
Si u menaxhua nga PD-ja dhe z. Berisha zgjedhja e Presidentit? A është Bujar Nishani Presidenti që ju prisnit, e realizon pritshmërinë tuaj?
Mendoj se zgjidhja ishte në përgjithësi rezultat i diktuar, do të thosha në një masë të caktuar. Kam përshtypjen që PD-ja dhe Kryeministri Berisha bënë përpjekjet e duhura për të ndërtuar një proces konsultimi që shkon dhe përtej konsultimit brenda forcave politike të maxhorancës. Sigurisht që edhe LSI luajti një rol të rëndësishëm në përafrimin ose në krijimin e një klime bashkëpunimi dhe pozitive edhe përtej mazhorancës, për të kaluar edhe tek opozita. Patëm dy takime të rëndësishme mes dy krerëve të partive kryesore, por kam përshtypjen se edhe mënyra se si PS-ja e ndërtoi lojën e saj politike në zgjedhjen e Presidentit, nuk tregoi që ishte në lartësinë e asaj që presin shqiptarët dhe faktori ndërkombëtar. Kështu që në njëfarë kuptimi kjo rezultoi të ishte një proces kushtetues, ashtu siç ishte thënë, dhe në fakt Kushtetuta e njeh një mekanizëm të tillë, dhe kam përshtypjen se vetë PS-ja ka këmbëngulur për ta ndërtuar një mekanizëm të tillë, pra për të shmangur kalimin e Shqipërisë në kriza. Kështu që ishte një lloj zgjidhjeje kushtetuese, transparente. Personi i zotit Nishani është një person mjaft i pranueshëm. Besoj se gjatë gjithë kësaj kohe nuk kemi pasur rastin të dëgjojmë kritika apo cilësime negative qoftë dhe nga ana e opozitës. Sigurisht që zgjidhja më e mirë, siç është thënë dhe e priste vetë populli shqiptar dhe faktori ndërkombëtar, do të kishte qenë të kishim pasur një President konsensual, një President të pranuar nga të gjitha palët politike. Kjo gjë do t’i kishte krijuar Shqipërisë një shans më të madh.
Është një shans i humbur…?
Pa dyshim që është një shans i humbur, sepse edhe faktori ndërkombëtar, dhe në mënyrë të veçantë PE, eksponentë të rëndësishëm të BE-së kishin bërë të ditur se pritshmëritë e tyre do të ishin për të pasur një President konsensual. Por kemi pasur një qëndrim refuzues nga PS-ja, pasi ka pasur dhe kandidatë të tjerë, dhe ajo i ka refuzuar. Ndaj them se me dashje është çuar drejt një procesi të dështuar si proces konsensual, për të kaluar më pas në atë zgjedhjen normale që e parashikon Kushtetuta.
Si e gjykoni koalicionin me LSI-në, një barrë apo një gjë të natyrshme dhe të domosdoshme?
Nuk mund të them që është një koalicion i natyrshëm, pasi LSI është një forcë e majtë politike dhe, për rrjedhojë, nga pikëpamja e profilit të saj politik, nuk është një forcë politike që mund t’i shkonte së njëjtës filozofie qeverie, të paktën në planin filozofik të qeverisjes ishte një lloj aleance e diktuar. Kjo për shkak të votës politike që elektorati vendosi në zgjedhje dhe, për rrjedhojë, do ta quaja një koalicion të domosdoshëm për të kapërcyer një ngërç, ose për ta çuar vendin në zgjedhje të tjera të reja, të cilat edhe në rrethanat ekonomike, sigurisht që do ta kishin lodhur dhe më shumë ekonominë e këtij vendi. Kështu që në njëfarë mënyre do ta quaja një zgjidhje të diktuar nga rrethanat ose nga struktura e rezultatit të zgjedhjeve politike të vitit 2009, por në këtë kuptim mendoj që është deri diku edhe e sforcuar.

Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Panorama Online. Moderatori


Lexoni Gazeta Panorama ne formatin PDF »»KLIKO KETU

1 Koment per “Xhepa: Ka lodhje nga reformat, duhen ndryshime në Qeveri”

  1. Eshte problem i madh,me njerezit qe marrin ate qe se meritojne,mund te thoni cne,po ja vjen burri i botes,behet deputet,se ci thote mendja,ben te zgjuarin,i bashkengjitet deshires per te thene nje gje kunder,mosmirenjohes nuk duhet te ishe deputet,e kerkoni ju te gjeni voten kunder per President ?

Beni nje Koment


8 + 7 =

Social Network

AMC universal
Abissnet


VIDEO





Showbiz

Lifestyle

Teknologji

Kuriozitete

© 2013 Gazeta Panorama ONLINE. All Rights Reserved.   Powered by: ikoncept