Panorama Sport
Home » Sociale » Skandali i shkarkimit te Anglishtja, Kule propozoi dhe vendosi brenda ditës

Skandali i shkarkimit te Anglishtja, Kule propozoi dhe vendosi brenda ditës

Rektori i Universitetit të Tiranës, Dhori Kule

Hija e skandalit, zbardhet letërkëmbimi Rektorat-Këshill Administrimi.

Shkarkimet janë miratuar pa u konsultuar në mbledhje.

Propozimi për largimin e 28 pedagogëve të brendshëm nga departamenti i Gjuhëve të Huaja ka ardhur nga Rektorati i Universitetit të Tiranës.
Është bërë në datën 28.5.2012. Në po të njëjtën ditë, Këshilli i Administrimit ka miratuar këtë vendim. Sipas dokumenteve që disponon gazeta, ky propozim është bërë pas kërkesave nga dekanët e fakulteteve për ngritjen e strukturave për mësimdhënien e gjuhës angleze në 7 fakultete. “Fakultetet e UT propozojnë që në strukturat organizative të çdo fakulteti të miratohen nga 5 punonjës mësimorë efektivë për gjuhën angleze në fakultet. Ky numër i punonjësve do të merret nga numri i punonjësve të departamentit të Gjuhëve të huaja. Të shqyrtohet kjo kërkesë nga Këshilli i Administrimit i UT-së me mbështetje pozitive nga ana jonë”, thuhet në shkresën që mban firmën e rektorit Dhori Kule.
Kryetarja e Këshillit të Administrimit ka firmosur këtë vendim në po të njëjtën ditë. “Në Fakultetin e Shkencave Natyrore, Shkencave e Sociale, Drejtësisë, Infermierisë, Mjekësisë, Histori-Filologjisë dhe Ekonomisë të miratohen nga 5 punonjës mësimorë të gjuhës angleze si punonjës efektivë të këtyre fakulteteve. Nga buxheti i planifikuar i vitit buxhetor 2012 i Fakultetit të Gjuhëve të Huaja, për këtë numër punonjësish do të alokohen fondet për çdo fakultet tjetër”, thuhet në shkresën e po të njëjtës datë, që mban firmën e kryetares së KDAM-it, Raimonda Duka.
Ky vendim i është përcjellë Rektoratit dy ditë më pas. Ndërkohë, sipas përfaqësuesit të Fakultetit të Gjuhëve të Huaja, Zoi Topi, në mbledhjen e Këshillit të Administrimit propozimi nuk është diskutuar nen për nen. Edhe përfaqësuesit e Ministrisë së Arsimit në Këshill pranuan të njëjtën gjë. Fakultetit të Gjuhëve të Huaja vendimi i është përcjellë në datën 4 qershor.
Sipas dekanes Klodeta Dibra, i vetmi kontakt që ajo ka ndërmarrë me përfaqësuesit e Rektoratit, ka qenë në mbledhjen rutinë të bërë me dekanët e fakulteteve dhe rektorin Dhori Kule. “Edhe në këtë mbledhje nuk mora ndonjë sqarim për arsyen pse vendimi është marrë pa u konsultuar. Pas mbledhjes urgjente të Këshillit të Fakultetit të Gjuhëve të Huaja dhe stafit akademik të departamentit të gjuhës angleze, kemi nisur kërkesat në Ministri, Rektorat dhe Këshill për anulimin e këtij vendimi”, tha Dibra.
Gazeta disponon gjithashtu edhe dokumentet përcjellëse të letërkëmbimeve për kërkesat e dekanëve dërguar në Rektorat, pjesa më e madhe e të cilave janë të paargumentuara mbi analizën e ngarkesës mësimore. Po kështu, në dokumentacionin dërguar nga Fakulteti i Gjuhëve të Huaja, theksohet ngarkesa mësimore për stafin akademik. Në pjesën më të madhe të lëndëve një pedagog i brendshëm bën mesatarisht 300 orë mësimi, ndërkohë që norma e lejuar është 260 të tilla.

Ngarkesa mësimore
Norma: 260 orë për semestër

Ngarkesa e Departamentit për disa pedagogë:

Elida Tabaku: 310 orë

Maks Daiu: 275 orë

Vjollca Tabaku: 315 orë

Jonida Petro: 405 orë

Ermal Çomo: 462 orë

Adriana Dervishaj: 420 orë

Pedagogët u kërkojnë ndihmë ambasadave
Trupa akademike: I bëjmë thirrje ministrit të marrë masa
“Jemi të shokuar nga vendimi, është i padrejtë”

Zv.dekania Shpresa Delia

Pedagogëve të Fakultetit të Gjuhëve të Huaja u ka ardhur i papritur vendimi i Këshillit të Administrimit të Universitetit të Tiranës. Ata i janë drejtuar Ambasadës Amerikane dhe asaj Britanike për ndihmë, për anulimin e tij, në mungesë të përgjigjes nga institucionet vendëse. Sensibiliteti i përfaqësuesve të ambasadave sipas tyre ka qenë i madh. “Në fakt,

Albert Sheqi

të gjithë jemi shokuar, kur na erdhi një vendim i tillë nga Këshilli i Administrimit të Universitetit. Drejtoresha e Zyrës për Marrëdhëniet me Publikun në Ambasadën Amerikane, zonja Elizabet Luis, gjithashtu edhe drejtoresha e Përgjithshme e Këshillit Britanik e atashuar në Ambasadën Britanike në Tiranë, të shqetësuara se çfarë ka ndodhur, kanë ardhur në fakultet dhe kanë marrë informacion se çfarë ka ndodhur”, tha dje zv.dekania Shpresa Delia. Të tjerë pedagogë e kanë cilësuar ulje këtë vendim e, mbi të gjitha, mënyrën si është marrë. “Për ne është një ulje për sa i përket anës profesionale, ndërkohë që pjesa më e madhe e jonë ka doktorata në fusha specifike, siç është gjuhësia apo letërsia. Ne do të kthehemi në një fushë akoma edhe më specifike, siç është dhënia e gjuhës angleze për qëllime specifike. Për këtë arsye ndihemi edhe më shumë të indinjuar, pasi kemi vite të tëra përkushtimi dhe pune dhe nuk po na merren parasysh”, tha pedagogia Daniela Hasa. Albert Sheqi, një tjetër pedagog, e cilësoi padrejtësi dhe paradoks, për aq kohë sa stafi akademik është i kualifikuar në lëndët specifike që jepen në departamentin e gjuhës angleze. “Përjetohet si një lloj padrejtësie, pra nëse do të ketë një vendim për dikë, atëherë rregullat minimale kërkojnë që edhe ai dikush të jetë i pranishëm aty ku do merret ky vendim. Pavarësisht informimit të ambasadave, unë e quaj më shumë një çështje shqiptare që duhet të marrë zgjidhje sa më shpejt”, tha Sheqi. Ai i bëri thirrje rektorit dhe ministrit për të anuluar këtë vendim. “Kemi vite të tëra pune që nuk mund të na hidhen poshtë në këtë lloj mënyrë”, tha Sheqi.

“Nuk dua ta besoj që Kule po hakmerret për zgjedhjet”

Klodeta Dibra: Heqjen e stafit e morëm vesh të fundit

Dekania e Fakultetit të Gjuhëve të Huaja, Klodeta Dibra

Dekania: Po vihet në rrezik procesi mësimor për 4000 studentë të Gjuhëve të Huaja
Për 4000 studentët e Fakultetit të Gjuhëve të Huaja, procesi mësimor vitin e ri akademik është në rrezik. Vendimi i cilësuar arbitrar për largimin e 28 pedagogëve vijon të jetë i formës së prerë.
Të gjitha kërkesat e dekanes Klodeta Dibra për ta anulua, apo argumentuar, kanë mbetur pa përgjigje. Asnjë reagim nga Rektorati dhe Këshilli i Administrimit i Universitetit të Tiranës. Në mungesë të tyre, ajo i është drejtuar me një shkresë zyrtare Komisionit Parlamentar të Medias dhe Edukimit, duke i kërkuar të ndërhyjë. Dekania Dibra ngre shqetësimin se në këtë rast po tentohet të shkrihet një departament, që aktualisht ka një staf që punon tej normës së ngarkesës mësimore. Sipas saj, arsyet mbeten ende të pashpjegueshme. E pyetur nëse ky vendim ka të bëjë me ndonjë “hakmarrje” për shkak të mbështetjes së ulët që rektori aktual Dhori Kule pati gjatë zgjedhjeve për mandatin e dytë, dekania Dibra thekson se nëse do të ishte kështu, atëherë nuk mund të flitet më për parime demokratike.
Zonja Dibra, mund të na thoni kur jeni vënë ne dijeni të vendimit për largimin e 28 pedagogëve të brendshëm nga departamenti i gjuhës angleze dhe a është konsultuar ky vendim më përfaqësues të këtij Fakulteti?
Ne kemi qenë të fundit që jemi njoftuar për vendimin e marrë nga Këshilli Administrativ. Ndërkohë që në të gjitha fakultetet është diskutuar ngritja e strukturave të reja organizative për mësimin e gjuhës angleze, fakulteti ynë i prekur drejtpërdrejt nuk ka pasur asnjë dijeni. Vendimi është marrë në datën 28 maj, ndërsa ne jemi njoftuar në datën 4 qershor. Nga kontaktet që kemi marrë me anëtarë të Këshillit të Administrimit, na është bërë me dije se vendimi është firmosur pa u diskutuar nen për nen, çka përbën një shkelje të pastër administrative. Ka qenë Rektorati që ka bërë propozimin për këtë vendim, pas kërkesave të dekanëve për të ngritur struktura bërthamë brenda fakulteteve të tyre për gjuhën angleze. Nëse do të analizojmë kërkesat e tyre, ato janë bërë pa asnjë lloj analize të bazuar mbi ngarkesën mësimore dhe nevojat. Me marrjen e këtyre propozimeve, Rektorati ka vendosur të propozojë që 5 pedagogë të brendshëm të hiqen nga departamenti ynë dhe të kalojnë pranë këtyre fakulteteve.
Ju jeni kundër ngritjes së këtyre strukturave pranë fakulteteve?
Absolutisht jo. Nëse gjykohet që ngritja e strukturave të tilla i shërben cilësisë së mësimit të gjuhës angleze, le të ngrihen; Nuk na takon neve ta gjykojmë, por nuk mund të merren vendime të tilla sipas parimit “Po ndërtoj kasollen time, duke prishur kasollen e tjetrit”. Vendimi cenon një departament, cenon procesin mësimor për 4000 studentë. Aktualisht pedagogët tanë të brendshëm punojnë mbi normën. Siç e dini, me llogaritë e ngarkesës mësimore duhet të ishin 66 pedagogë të brendshëm, janë 50 të tillë. Ngarkesën e 16 të munguarve e përballojmë me ata që kemi dhe pedagogë të jashtëm. Është e pakuptimtë të bësh largimin e tyre, në një kohë që ne kemi kërkuar shtesa të stafit. Pyetja që unë ngre, është fare e thjeshtë: si do të zhvillohet mësimi në tetor? Për të mos folur për eksperiencën e punës së këtyre pedagogëve që kanë vite që i janë përkushtuar departamentit e janë specializuar në lëndët specifike, kanë mbyllur doktoratat dhe papritur e gjejnë veten në një terren mësimdhënieje krejt të ri.
Kush e ka përgjegjësinë sipas jush për këtë vendim dhe cilat janë hapat institucionalë që ju keni ndërmarrë?
Përgjegjësia është e Këshillit Administrativ të Universitetit të Tiranës, që ka marrë një vendim të pakonsultuar dhe që kërcënon gjithë procesin mësimor. Ne jemi përpjekur të komunikojmë institucionalisht me të gjitha strukturat, Këshillin, Rektoratin dhe Ministrinë e Arsimit. Që prej datës 19 qershor jemi pa asnjë përgjigje, çka tregon një mungesë totale sensibiliteti për këtë problem. Së fundmi i jemi drejtuar Komisionit Parlamentar të Medias dhe po presim një reagim. Personalisht, për aq kohë sa më kanë zgjedhur pedagogët, dua t’i garantoj se jam në krahun e tyre dhe do t’i shkojmë kësaj çështjeje deri në fund.
Nga informacionet që ne kemi, flitet se propozimi për largimin e pedagogëve është një formë hakmarrjeje ndaj Fakultetit tuaj, për mbështetjen e ulët që iu dha rektorit Dhori Kule në zgjedhjet për mandatin e dytë të bëra para pak muajsh. Sa e vërtetë është kjo?
Nëse do të biem në këto analiza, nuk mund të flasim më për parime demokratike. Nuk do të doja ta besoja se një gjë e tillë mund të ndodhë vërtet. Në këtë universitet gjithkush është i zgjedhur për të ushtruar kompetencat që i jep ligji dhe për të përballuar sfidat që shkojnë në harmoni me politikën e arsimit në Shqipëri. Ne të gjithë jemi pjesë e të tërës dhe jemi mbi të gjitha në shërbim të studentëve e pedagogëve që na kanë zgjedhur. Si drejtuese e Fakultetit jam dhe kam qenë për bashkëpunim.
Si e shihni ju personalisht zgjidhjen e këtij problemi?
Zgjidhja e vetme është anulimi i këtij vendimi. Reduktimi i punonjësve të gjuhës angleze lë një boshllëk dhe një vakum shumë të madh, pasi siç e kam theksuar për rreth 2/3-at e lëndëve të ciklit të parë dhe të dytë, rrezikohet procesi mësimor. Nëse mua më ikën një numër i konsideruar i pedagogëve, sepse është më shumë se 50%, nuk ka kush ta zhvillojë mësimin, prandaj kemi të drejtë të kërkojmë një shpjegim për këtë shqetësim të madh që ne kemi. Kanë mbetur pak muaj nga nisja e vitit të ri akademik, ku anglishtja ka numrin më të lartë të kuotave nga të gjitha departamentet e gjuhëve të huaja dhe unë, si drejtuese e Fakultetit, nuk mund t’i jap zgjidhje tjetër kësaj situate.

ZIRINA LLAMBRO

Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Panorama Online. Moderatori


Lexoni Gazeta Panorama ne formatin PDF »»KLIKO KETU

2 Komente per “Skandali i shkarkimit te Anglishtja, Kule propozoi dhe vendosi brenda ditës”

  1. Te gjithe kemi nga pak fuqi.

  2. Mos u terhiqni ju pedagoget e nderuar te anglishtes se keni plotesisht te drejte.

Beni nje Koment


4 + 6 =

Social Network


Abissnet


VIDEO





Showbiz

Lifestyle

Teknologji

Kuriozitete

© 2013 Gazeta Panorama ONLINE. All Rights Reserved.   Powered by: ikoncept