Panorama Sport
Home » Speciale » Sigurimi, spiunët paguheshin me drithëra

Sigurimi, spiunët paguheshin me drithëra

Kadri Hazbiu, ish-Ministri i Brendshëm me drejtues të lartë të Sigurimit të Shtetit

Buletini sekret: Situatë e nderë me bashkëpunëtorët e fshehtë.

Si u bë i pabesueshëm rrjeti sekret informativ i Sigurimit të Shtetit.

“Agjentë që penalizojnë për veprimtari armiqësore kundërshtarët e tyre dhe njerëzit që janë në konflikt”

“Për persona të veçantë stimujt materialë përdoreshin pa kriter”

Në pjesën që publikuam në numrin e kaluar nga buletini “Tepër sekret” i Ministrisë së Brendshme, i datës 4 shtator 1985, zbardhëm fakte e dëshmi të jashtëzakonshme nga praktika 30-vjeçare e agjentëve të fshehtë të Sigurimit të Shtetit. Njëherazi me parashtrimin e tyre në formën e një guide groteske, autorët e dokumentit, që me sa duket kanë “hedhur në tokë” të gjithë arkivat e shërbimit në qendër e në bazë, kanë artikuluar aty gjykimin e tyre për arsyet e degjenerimit të rrjetit të fshehtë agjenturor. Mënyra si e parashtrojnë morinë pa fund të prapësive të armatës së të ashtuquajturve spiunë, ndriçon faktin se praktika e tyre ka qenë më misterioze nga sa mendohej. Në rreshtimin e faktorëve që kanë sjellë këtë realitet të padëshiruar, në dokument përmendet njohja e cekët e kontingjentit të rekrutuar, shkelja e normave të punës me rrjetin sekret, mossigurimi i fshehtësisë në takimet informative, përzgjedhja e njerëzve me vese, e sidomos atyre që dallojnë për lidhje me femra të degjeneruara etj. Thirrja “Po na gënjejnë agjentët e fshehtë” e ekspertëve që kanë operuar me këtë material studimor, konfirmon situatën tronditëse që përjetonte rrjeti sekret informativ, i mbështetur mbi të dhënat vulgare të kësaj ushtrie amorfe me lloj lloj alabakësh. Pjesa në vijim hedh dritë në një aspekt tjetër të praktikës së tyre të shëmtuar. Ata, siç dëshmohet në buletin, jo vetëm prodhojnë armiq në çdo kohë, por janë në gjendje të zgjedhin ndër ta kundërshtarët e tyre, ish dhëndurët, njerëzit që u kanë marrë borxhe dhe nuk ua kthejnë. Mjafton të atribuojmë për ta tendencën e arratisë jashtë shtetit apo thënie të tipit “Enver Hoxha është çmendur”, “Në Perëndim është shumë herë më mirë se në Shqipëri” etj. etj.

(vijon nga numri i kaluar) – Dokumenti sekret i Sigurimit në ’85: Agjentët dashurohen me femrat që përgjojnë

“Zbuluesi” rrjedh nga një familje e varfër, fshatare është tërhequr në shërbim më 14.7.1972 dhe u seleksionua në vitin 1979. Gjatë kohës që ka qenë i tërhequr në shërbim, ka dhënë të dhëna shumë të rëndësishme për K.Z., i cili përpunohej si agjent i zbulimit grek. Gjatë viteve ’78-’79 “Zbuluesi” jepte të dhëna të rëndësishme për aktivitetin e P. M., i cili përpunohej aktivisht në 2A. Më 12.10.1979, nëpërmjet objektit P.M. dhe “Zbuluesit” u bë një kombinacion prej nga ku rezultoi se bashkëpunëtori as që konsumoi gjë nga detyrat e dhëna, objekti nuk foli asgjë armiqësore, ndërkohë që “Zbuluesi” në takim raportonte se P.M. zhvilloi aktivitet armiqësor kundër udhëheqjes së partisë. Në këto kushte, “Zbuluesi” u përjashtua nga rrjeti dhe mbi bazën e materialeve të grumbulluara në drejtim të tij, u mor në përpunim aktiv 2A. Si agjent i zbulimit grek. Para se të tërhiqej në bashkëpunim “Zbuluesi”, disponoheshin të dhëna të mjaftueshme për figurën e ulët morale të tij. Në ndërmarrjen ku punonte ishte kritikuar disa herë për manifestim të veseve negative, si njeri imoral, cilësi këto që u manifestuan prej tij edhe gjatë kohës që u mbajt në rrjetin sekret informativ.

“Alkaza”, me origjinë shtresë e mesme dhe qëndrim të keq politik, ka marrë pjesë me armë në dorë në radhët e organizatës tradhtare të Ballit Kombëtar dhe në muajt e parë të çlirimit të atdheut qëndroi dy muaj i arratisur brenda vendit. Është tërhequr në bashkëpunim sekret më 11.10.1949 dhe u seleksionua më 20.9.1979 si gënjeshtar. Gjatë periudhës 30-vjeçare ka dhënë mjaft të dhëna. Me interes kanë qenë ato për zbulimin e Mehmet Kuçit që vrau kryetarin e këshillit, si dhe ato që flisnin për dy grupe ,që sipas tij përbëheshin nga elementë të deklasuar e të cilësuar kulakë. Në periudhën ’59-’61 dha mjaft të dhëna në drejtim të kulakëve M.M., H.M., A.B., T.B., të cilët sipas tij zhvillonin bashkërisht agjitacion e propagandë armiqësore dhe përgatiteshin për realizimin e arratisjes jashtë shtetit, pasi të rrëzohej pushteti popullor, i cili sipas informatave të tij, i kishte ditët e numëruara. Për të njëjtin aktivitet “Alkaza” raportoi edhe për S.H., A.H. e M.D. në ’77-’79, por nga kombinacioni i realizuar më 30.5.1979 ndërmjet tij dhe S.H. u vërtetua se ai gënjente. Nga analiza doli se “Alkaza” nuk ka qenë korrekt në raportet e tij, bile ka gënjyer, ndërkohë që është vërtetuar se ka qenë edhe vjedhës. Me këtë bashkëpunëtor gjatë viteve 1950-1954 është përdorur pa kriter stimuli material në të holla dhe drithëra buke.

“Trebeshina” i shtresës së mesme fshatare, me qëndrim të keq politik, si para dhe pas çlirimit. Në vitin 1960, nën influencën e të riatdhesuarit nga Amerika A.B. tenton të arratiset në Greqi, por kapet e dënohet me 15 vite. Është tërhequr në bashkëpunim në vitin 1969 gjatë vuajtjes së dënimit në kampin e riedukimit dhe është mbajtur në lidhje për katër vjet. Në vitin 1975 u seleksionua nga rrjeti sekret informativ.

“Besniku” rrjedh nga një familje e shtresës së mesme fshatare, vëllai i tij ka qenë i dënuar dy herë për aktivitet armiqësor. Është tërhequr në shërbim në vitin 1964 dhe është seleksionuar në vitin 1980 për arsye se u implikua në një proces hetimor për vjedhje dhe u vërtetua se gënjente. Gjatë 16 viteve në shërbim të rrjetit sekret ka dhënë të dhëna të shumta e me mjaft interes. Me të dhënat e tij u godit grupi i tregtisë në Berat me 11 të pandehur e mbi 20 të implikuar të tjerë; janë goditur tre objekte përpunimi që zhvillonin agjitacion e propagandë armiqësore, si dhe janë çelur disa përpunime të tjera. Gjatë bashkëpunimit “Besnikut” iu rrit mendja dhe filloi të japë ca të dhëna të pavërteta, sidomos ndaj E.K. me të cilin kishte edhe një konflikt personal. Meqenëse të dhënat e “Besnikut” për këtë person nuk vërtetoheshin, më 21.12.1979 u bë një veprim ndërmjet tyre dhe bisedat u përgjuan nga TO. Nga raportimi i “Besnikut” pas këtij takimi, bëhej me dije se E.K. kishte folur shumë ashpër kundër udhëheqësit të Partisë, kurse nga përgjimi me TO nuk ishte kështu. Në informacionin e TO thuhej se E.K. dikur i kishte dhënë “Besnikut” 1000 lekë dhe këto me këmbëngulje ia kërkonte, ndërsa bashkëpunëtori përpiqej t’i shmangej kësaj bisede dhe servirte rrugëzgjidhje. Pra, ndërsa “Besniku” jepte të dhëna për vjedhje për të tjerët, në anën tjetër vidhte vetë, me besimin në vetvete se nuk zbulohej, ose fakti tjetër që ndaj E.K. jepte të dhëna se shante udhëheqësin e partisë, me synimin që ky të futej në burg e vet të shpëtonte nga borxhi që i kishte marrë.

“Liqeni”, i shtresës së mesme, babai i tij ka qenë pjesëtar aktiv në rreshtat e Ballit Kombëtar. Është tërhequr në bashkëpunim sekret më vitin 1963 dhe me lirimin nga ushtria u seleksionua nga rrjeti, kurse më 9.7.1973 u rimor në lidhje, por në vitin 1980 u provua se gënjente dhe si i tillë u përjashtua nga Shërbimi Sekret Informativ. “Liqeni” ka dhënë një të dhënë për E.Ç., sipas së cilës ky i fundit zhvillonte veprimtari armiqësore. Nisur nga dyshimi se “Liqeni” gënjente, më datën 26.10.1980 u bë një kombinacion midis tij dhe E.Ç. nga ku rezultoi se E.Ç. jo vetëm nuk zhvillonte veprimtari armiqësore, por mbante qëndrim të mirë.

“Korabi” është nga një familje e pasur fshatare dhe me qëndrim të keq politik, sepse familjarisht kanë qenë të lidhur me organizatën tradhtare të Ballit Kombëtar dhe janë prekur nga reforma agrare. Është tërhequr në shërbim në vitin 1977 dhe u seleksionua në vitin 1980, mbasi u vërtetua se gënjente. Nga një e dhënë e “Korabit” bëhej fjalë se një person bënte veprimtari armiqësore. Nga verifikimet rezultoi se ky person mbante qëndrim të mirë, ndërsa bashkëpunëtori gënjente, duke raportuar se F.S. tha: Këta janë borgjezuar, janë burokratizuar, por akoma nuk u ka ardhur fundi… tek ne nuk gjendet e drejta, prandaj ka mbetur t’i drejtohemi ndonjë qeverie jashtë shtetit”.

“Semani” vjen nga një shtresë e varfër fshatare, i dënuar me 7 vjet heqje lirie për agjitacion e propagandë armiqësore. Tërhequr në shërbimin sekret në vitin 1972 dhe është seleksionuar në vitin 1980 si bashkëpunëtor gënjeshtar. Në një raport të datës 2.12.1976, bashkëpunëtori raporton se V.GJ. duke komentuar, rëndësinë e fjalimeve të 28 dhe 29 nëntorit është shprehur: “Vulgarizëm, idiotizëm… ja këpusin kot këta, është politikë e madhe ajo e kinezëve, ato me këto veprime na thanë të rrimë urtë”. Nga informacioni i TO del e kundërta, objekti V.GJ. në fakt vlerëson dhe është dakord me politikën e partisë sonë dhe me qëndrimin ndaj kinezëve.

“Luftëtari” padrejtësisht është mbajtur në rrjetin sekret deri në vitin 1977. Në një rast ky bashkëpunëtor raporton se “K.E. dhe G.M. janë shprehur “…Në çdo vend të botës spiunët i gjen me para, në Shqipëri i gjen falas, prandaj vuajmë kaq shumë…Përsëri filluan të zihen udhëheqësit tanë duke folur kundër Ten Siao Pinit, lufta e klasave në vendin tonë është e ashpër dhe e padrejtë. Këtu nuk ka drejtësi e të gjithë gënjejnë”. Nga verifikimet e bëra për saktësinë e të dhënave u konstatua e kundërta dhe nuk rezulton asnjë bisedë armiqësore. Me gjithë këtë, punëtori operativ vazhdoi ta mbajë në lidhje pa e hequr nga shërbimi sekret. “Luftëtari” jepte të dhëna për fakte e persona që nuk kishin asgjë armiqësore.

“Aktori”, rrjedh nga një familje e varfër fshatare, tërhequr në bashkëpunim sekret më 16.6.1971 me material shtrëngues, sepse zhvillonte veprimtari armiqësore agjitacion e propagandë, gjë për të cilën ishte vënë në përpunim aktiv 2A më 20.10.1969.
Nga koha kur është vënë në shërbim e deri kur u seleksionua më 11.3.1980, ka dhënë të dhëna për 88 persona, ndër të cilët 5 në përpunim aktiv 2A ,ndërsa gjysma e tyre janë me qëndrim të mirë politik.
Duke studiuar dosjen e këtij bashkëpunëtori dhe të dhënat e tij bie në sy fakti që ato nuk ndjekin njëra tjetrën, si në drejtim të problemeve ashtu edhe për persona konkret. Pra të dhënat nuk janë rezultat i detyrave të caktuara, por çfarë i është kujtuar dhe çfarë i ka dalë përpara. Pothuajse i njëjtë më këtë qëndrim është edhe ai i punëtorit operativ në vlerësimin e punës së tij. Në karakteristikën një vjeçare të bërë në vitin 1972, theksohet se qysh në çastin e tërheqjes shpjegoi se njihte shumë kontingjente(!!) dhe ai u tërhoq për përpunimin e objekteve. Më poshtë vazhdon: ka sqaruar shumë gjëra me aq sa ka pasur mundësi… ndonjë ves i keq nuk i është konstatuar, me përjashtim se është pak i hedhur me çështjen e femrave”. Në karakteristikën e mëvonëshme thëniet e punëtorit operativ janë kontradiktore: “gjatë vitit 1972-1973, puna e tij është karakterizuar e keqe” Kurse në karakteristikën e vitit 1974 thuhet “ka punuar mirë”.   Në karakteristikën e “Aktorit” të vitit 1975 konkludohet “Në vitin 1975 ulet në informator, sepse nuk jep materiale me vlerë për objektet në përpunim” (Kartoteka e degës së Beratit, dosja personale Nr. 4124)
Në vitin 1976, “Aktori” ka dhënë informatën se objekti B.B. merret me veprimtari armiqësore agjitacion e propagandë. Nga verifikimet e bëra u vërtetua se ky informacion nuk ishte i vërtetë. E njëjta gjë ka ndodhur edhe në rastin e objektit D.K. Me veprimin e kryer ndërmjet tij dhe objektit D.K. ky i fundit jo vetëm që reagoi pozitivisht për disa probleme që u debatuan me bashkëpunëtorin, por në të njëjtën kohë i kërkoi “Aktorit” që t’i kthente disa sende që ky ia kishte vjedhur, ndërsa b.p  në takim raportonte se në këtë rast objekti D.K., duke folur për tradhtinë kineze u shpreh: “delen që mbetet vetëm e ha ujku…sot fiton ai që di të manovrojë… për forcën tonë nuk pyet njeri… ne nuk jemi gjë… sot shikohet arma dhe jo njeriu… në Shqipëri nuk ka armë dhe bota e shuan kur të duash… në Jugosllavi ka liri, atje njerëzit shkojnë ku të duan e bëjnë çfarë të duan”. Të njëjtën gjë ka bërë ky bashkëpunëtor edhe me informatat e rreme ndaj objekteve G.B. e R.S.
Siç del nga sa u përshkrua më lart “Aktori” dhe pse rrjedh nga një familje e varfër dhe me qëndrim të mirë politik, asnjëherë nuk punoi me ndershmëri me organet e sigurimit, por mbeti konservator në rrugën e tij armiqësore që u fut, vetëm me një ndryshim që tani propagandën armiqësore ua dedikon të tjerëve.

Autori: Rrjetin sekret e shkatërruan agjentët me vese
Rrjetin sekret informativ e shkatërruan agjentët pa personalitet dhe ata me vese. Për të mbërritur te ky perceptim që ruan ende sot, njëri nga autorët e dokumentit sekret për praktikën 30- vjeçare të bashkëpunëtorëve të Sigurimit, botuar në 40 ekzemplarë në vitin 1985, parashtron një mori faktesh e argumentesh që afektuan deri në denatyrim profilin e misionit të agjentëve të fshehtë. Prirjen për të rekrutuar bashkëpunëtorë nga radhët e kontingjenteve dhe atyre me precedent penalë e armiqësorë, studiuesi i njohur i historisë së organeve të Sigurimit e veçon si faktorin kryesor që degjeneroi sistemin. Çdo përzgjedhje ndër ta parashikonte risk, pasi statusi i informatorit nuk mund t’i zhvishte nga veset e trashëguara, shton ai, duke kujtuar praktikat mediokre me të cilat operohej. Qëndrimi besnik ndaj kësaj metode, huazuar nga zbulimet lindore, shprehet autori i dokumentit sekret, solli dëme të pallogaritshme në praktikën e Policisë sekrete. Ndodhi që zgjodhëm për roje të fshehtë të pasurisë së përbashkët një matrapaz, që natën grabiste vetë e në mëngjes raportonte për hajdut të rremë. Përzgjodhëm një imoral në një fshat të largët për të vigjiluar situatën moralo-politike, por na u bë donzhuan i femrave të përdala. I besuam një infermieri me tendenca arratie një zonë kufitare për sinjalizimin e elementëve që synonin shkeljen e kufirit shtetëror, por ky mori krejt familjarët e përfundoi në Greqi.

Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Panorama Online. Moderatori


Lexoni Gazeta Panorama ne formatin PDF »»KLIKO KETU

7 Komente per “Sigurimi, spiunët paguheshin me drithëra”

  1. Pse nuk botoni sekretet e sigurimin te sotem si psh si merrte pjese Fazlliçi ne mblrdhjet e sigurimit te shtetit shqiptar apo ndonje tjeter? E ç’me duhet me tani mua se çfare ka bere Kadri Azbiu etj etj.. e sotmja me rendon shume. Apo do ti shkruajne gazetat 50 vjet me vone qe nuk do te kete pergjegjesi dhe do te shahen e perbalten po si sot. Merruni me shume me investigimet e soteme se na duhen per jeten sot, ndryshe njera balte po mbulon tjetren dhe vazhdojme me barin jeshil qe na la trashegim i pari dhe po kete na le dhe i dyti.

  2. po te sotmet pse te duhet apo qe te besh prapaganden e partise,sot nuk ka spiune cdo gje ka ndryshuar shiku meret ne jashte shtetit ,dhe mire eshte te mos botohen keto se na kujtojne kohen e diktatures.

  3. pionieri i Enverit

    Ke te drejte o Fatmir. Hap tv klan “histori me zhurmuesa” ,Blendi Fejziu na ben nje liber per Enver Hoxhen , ne vizion plus na marin ne interviste nusen e Enverit Liljanen. Ne c’na hyjne ne pune me keto!?! Enveri eshte nje figure qe i perket historise, Pse mediat nuk merren me te sotmen!?! Apo perseri shtypi censurohet si me pare!?! E genjejne kete popull me historite e se shkuares qe nuk kane me ndoje vlere.Historianet duhet te meren me to jo me njerzit e thjeshte.

  4. Ne te vertete une qesha kur lexova nga ZAMIRI se :”Sot nuk ka spiune cdo gje ka ndryshuar SHIKU meret me jashte shtetit…”Ka naiv je vertet ore Zamir,apo thjesht me kete menyre perpiqesh te godasesh nje periudhe te caktuar historike(gje qe eshte e drejt)dhe te mbrosh kete periudhe tani.Por jo mor Zamir ne kete fushe eshte ndryshe gjithshka.Panvaresisht se sa keq tingellon fjala spiun,ai eshte i domosdoshem per te gjitha koherat.SHISH -i i sotem nuk do te kishte kuptim pa spiuna,ata teorikisht ndyshe nga spiunet e sigurimit spiunojne ne mbrotje te rendit kushtetues,perpiqen te mos mbrojne interesat e asnje partie,por…perseri spiunojne.Ti Zamir perdor shprehjen:”SHIKU meret me jashte shtetit”.Kam frike qe me kete qe thua ti e ka pak te veshtire,te veshtire duhet ta kete edhe me punet brenda shtetit.E ka te veshtire,po them,se fushatat e herepashershme qe hapen per hapje apo mos hapje dosjesh,i frenojne njerezit qe te bashkpunojne me SHISH,dhe degjoje nga une se pa keta njerez SHISH ngelet si peshku pa uje.Une e di qe eshte shume e veshtire te ndreqim mentalitetin e krijuar keto vite se bashkpunimi me organet e drejtesise,eshte gjithmone ine veritshem,por qe te bejme nje dite shtetin si duhet bere,duhet te kuptojme se shtetit jemi ne,nese nuk kontribuojme ne shtetasit e thjeshte,qofte dhe duke spiunuar,shteti nuk behet kurre.

  5. “pioneri i enverit” ka te drejte ta haroje diktaturen se nuk e pesoi si mijra te pafajshem , qe u futen femije dhe dolen te thinjur nga burgjet politike te terrorit komunist dhe mijra te tjere ,qe u pushkatuan padrejtsisht .

    • pionieri i Enverit

      Ti ket drejte z. Fuat per kete qe thua se une nje femije isha atehere.Dhe nuk arrita te shikoja anen negative te sistemit.Por ama nese tani vazhdojme te merremi me te kaluaren dhe me figuren e Enverit do harrojme te sotmen dhe anarshine qe egziston.Gjithe ato perndjekje qe u bene atehere, une mendoj se nuk u vu ne vend drejtesia thjesht kaloi pushteti ne duar te tjera dhe ata qe i perndoqen keta te shkrete nuk pesuan gje.Pse nuk i nxjerin hapur tani te gjithe ata qe kane spiunuar dhe kane futur te tjeret ne burg kot se koti.Apo mbulohen qellimisht nga sistemi i tanishem qe eshte i korruptuar.E pra z.Fatmir une besoj se behet nje propagnde e qellimshme per te fshehur keta spiune,dhe ne merremi me nje figure qe nuk egziston me.Me Enverin!

  6. Ai sistem ishte I kalbur qe nga fillimi, spiunlleku e mbante ate sistem. sistemi I donte spiunat te ishin te degjeneruar, te genjenin, te shpifnin. njeriu ne ate sistem ishte ne gjendje alarmi te perhershem sepse keta lloj spiunesh te shkaterronin jeten cdo gje qe ke sakrifikuar avullon brenda dites. Aparatura e sigurimit ishte e shqetesuar se njerzit e tyre I benin gropen njerit tjetrit per gjerat me ordinere jo per armiqt e klases qe kishin tre breza qe vuanin.

Beni nje Koment


4 + 9 =

Social Network

AMC universal
Abissnet


VIDEO





Showbiz

Lifestyle

Teknologji

Kuriozitete

© 2013 Gazeta Panorama ONLINE. All Rights Reserved.   Powered by: ikoncept