Panorama Sport
Home » Politike » Rama: S’lëshojmë për KQZ e kutitë

Rama: S’lëshojmë për KQZ e kutitë

Kreu i PS, Edi Rama

Kryetari socialist, Edi Rama, tha dje gjatë fjalës së tij në mbledhjen e Grupit Parlamentar, se nuk do të bëjë kompromis për riformatimin e KQZ-së dhe transparencën e materialeve zgjedhore.
“Partia Socialiste e ka të pamundur të tërhiqet në emër të çfarëdo kompromisi, kur është fjala për të riformatuar KQZ-në dhe për të krijuar kushtet që ky institucion të jetë në shërbim të publikut dhe të garantojë zgjedhje të lira e të ndershme duke i garantuar të gjitha palët dhe jo një thertore e zgjedhjeve, që Kryeministri kërkon ta mbajë hapur me çdo çmim”, u shpreh Rama. Transparenca e materialeve zgjedhore, sipas Ramës, nuk është kërkesë për interesa partiakë të PS, por një garanci për zgjedhje të lira. “Transparenca e materialeve zgjedhore është një tjetër element për të cilin ne besojmë se nuk përfaqësojmë interes pale apo një vullnet partiak kur e kërkojmë. Por, përfaqësojmë opinionin publik dhe mishërojmë vullnetin për të goditur korrupsionin e kudondodhur elektoral”, u shpreh Rama. Kreu i PS tha dje se është i gatshëm për një kompromis të shëndetshëm me maxhorancën për reformën zgjedhore. Kreu socialist i kërkoi maxhorancës të dalë nga qëndrimet e deritanishme për të arritur kompromisin. “Koha nuk pret, ditët ikin, njëra pas tjetrës dhe praktikisht edhe afati i ri për Reformën Zgjedhore rrezikon të digjet në mungesë të kompromisit. Partia Socialiste në të gjithë ecurinë e punës së Komisionit të Reformës Zgjedhore i ka bërë të gjithë hapat për të gjetur kompromis. Tani është koha dhe radha e palës tjetër që të japë kompromisin e nevojshëm dhe të mos qëndrojë në pozicionet e vjetra të pas zgjedhjeve të vitit 2009, si për KQZ-në, si për transparencën e materialeve zgjedhore”, u shpreh Rama.

Sekui: Nëntori është afër, s’keni kohë për të humbur

Sekui, dje në Shkodër

Ambasadori i Komisionit Europian në Tiranë, Etore Sekui, i bëri dje një tjetër apel nga qyteti i Shkodrës klasës politike shqiptare për të përmbushur 12 rekomandimet për marrjen e statusit brenda fillimit të muajit nëntor. Në një deklaratë për mediat, ai tha se dita kur do të vendoset dhënia e statusit po afron dhe vendi nuk duhet të humbasë kohë për të përmbyllur reformën zgjedhore. Sekui rithekson se ajo është një kusht për integrimin dhe përsa i përket marrjes së statusit të kandidatit. “Siç e tha dhe Stefan Fyle, koha po kalon”, vuri në dukje Sekui. Sipas tij, “është në dorën e opozitës dhe të maxhorancës që përmes dialogut dhe mirëkuptimit të arrijnë të përmbushin 12 kriteret për marrjen e statusit kandidat në vjeshtë. Reformat po ecin në ritme të kënaqshme. E rëndësishme është që të përmbyllet dhe reforma zgjedhore, si një hap themelor në sigurimin e standardeve më të larta të procesit zgjedhor. Nëntori është afër dhe Shqipëria nuk ka më kohë për të humbur. Politika duhet të punojë me përgjegjshmëri që të arrijë të përmbushë kushtet e vendosura nga Bashkimi Europian, çka do të lehtësojë dhe pozitën e vendit tonë në marrjen e statusit kandidat në vjeshtën e afërt”, tha Sekui. Në vizitën në Shkodër, ambasadori shoqërohej nga ministri i Kulturës, Aldo Bumçi, drejtuesit e pushtetit vendor në Shkodër si dhe nga deputeti Astrit Bushati. Ai vizitoi rrugët muzeale të qytetit të Shkodrës, ambientin ku do të zhvillohet Festivali i 50-të Mbarëkombërtar i Këngës për Fëmijë si dhe Muzeun e Krimeve të Komunizmit, i cili po ndërtohet në ambientet e ish-Degës së Punëve të Brendshme.

ARISTIR LUMEZI

Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Panorama Online. Moderatori


Lexoni Gazeta Panorama ne formatin PDF »»KLIKO KETU

Beni nje Koment


+ 5 = 8

Social Network

AMC universal
Abissnet


VIDEO





Showbiz

Lifestyle

Teknologji

Kuriozitete

© 2013 Gazeta Panorama ONLINE. All Rights Reserved.   Powered by: ikoncept