De Biazi: Ja përse e mbroj Prandelin
Sport e Mërkurë, 4 Korrik, 2012 | 15:58 pmËshtë absurde të kritikosh Çezare Prandelin, që ishte protagonisti i vërtetë i kësaj aventure fantastike që Italia bëri në Europianin 2012″.
Ai që i del në mbrojtje trajnerit të “axurrëve”, është Xhani de Biazi, trajneri i përfaqësueses së Shqipërisë, i cili e njeh mirë edhe futbollin spanjoll, duke marrë parasysh të kaluarën e tij në stolin e ekipit së Levantes. “Përpara se të nënvizosh dështimin e Italisë në finalen e Kievit, duhet fillimisht të vlerësosh cilësitë tekniko-taktike të kundërshtarit që të mund. Spanja është kombëtarja më e fortë në qarkullim, e cila për më shumë u rrit fizikisht ndeshje pas ndeshjeje dhe në finale përjetoi formën e saj më të mirë të të gjithë turneut. Për më shumë, ajo ka avantazhin që mund të mbështetet te dy blloqe të rëndësishme lojtarësh, tek ata të Realit të Madridit dhe Barcelonës, e cila prej vitesh ka një lojë të konsoliduar. Nuk është lehtë të luash kundër mesfushës spanjolle, që praktikisht është mesfusha e Barcelonës, me përjashtimin e vetëm të Alonsos”, nënvizon De Biazi, i cili më pas vazhdon mbrojtjen e tij ndaj Prandelit. “Dëgjoj që flitet për zëvendësime të gabuara, por është shumë thjesht të thuash të tilla gjëra pas një rezultati 4-0. Prandeli meriton vetëm komplimente, sepse nëse kjo Itali është inspiruar te loja e Spanjës dhe ka mundur duke dominuar një kombëtare të nivelit të lartë si Gjermania, meritë për këtë ideologji të re ka vetëm Çezare. Lodhja e mundi Italinë? Po, i besoj shumë kësaj teze, sepse në finale pamë një Itali krejt tjetër nga ajo që admiruam gjithë turneun. Në fushë zbritën lojtarë të sfilitur, shumë prej të cilëve nisën të kishim kontraktime muskulore që në minutat e para të pjesës së dytë. Ajo që i penalizoi më shumë ishin 120 minutat me Anglinë, sepse nga ajo sfidë patën fare pak kohë për të rikuperuar për Gjermaninë dhe akoma më pak për finalen”, përfundoi analizën e tij trajneri i Kombëtares së Shqipërisë.




























