Panorama Sport
Home » Kulture » Arkivi i Filmit, nis projekti i shpëtimit, ndihma nga jashtë

Arkivi i Filmit, nis projekti i shpëtimit, ndihma nga jashtë

Specialistja amerikane e arkivave, Regina Longo

Nuk ka kaluar shumë kohë që nga festimi i 65-vjetorit të Arkivit Shtetëror të Filmit, kur drejtoresha e këtij institucioni ngriti problemin e shfaqjes së fenomenit të “erës së uthullës”, që do të thotë nisje e degradimit të materialeve filmike në këtë arkiv kaq të çmuar.
Ishte një kërkesë për ndihmë për t’u dalë përpara dëmtimeve, që më vonë do të mund të ishin të pakthyeshme. E në këto raste, edhe kur kërkohen shuma të mëdha parash, ndonjëherë e vlefshme është edhe dëshira e mirë. Për të ndihmuar AQSHF-në në procesin e ruajtjes së pasurisë filmike që ruhet në të, kineastët Thomas Lorogeci dhe Iris Elezi mundësuan ardhjen në Tiranë të specialistes në fushën e arkivave Regina Longon, e cila ka punuar për gjashtë vjet në Shtetet e Bashkuara në Muzeun Memorial të Holokaustit në Uashington DC për restaurimin dhe rindërtimin e xhirimeve të Shoah-ut të Claude Lanzmann, si dhe për koleksionin e Bryan Julien. Prej ditës së hënë, Longo nisi punën mes kutive metalike të ndërtuara në kohën e komunizmit, aq të forta sa t’i rezistonin zjarrit dhe të evakuoheshin në çdo rast rreziku, për të hartuar një raport të detajuar të gjendjes në Arkivin Qendror Shtetëror të Filmit; gjendjen e fondit 35 mm, kushtet aktuale të ruajtjes, menaxhimin e fondit, kushtet e ndërtesës dhe të sistemit të ftohjes dhe ventilimit. Mbi këto vlerësime ajo do të hartojë një plan veprimi për masat konkrete që duhen marrë në mënyrë që fondi arkival të mos rrezikohet nga shkatërrimi.
Marketingu
Përveç mundësimit të sjelljes në Shqipëri të ekspertes Longo, kineasti Thomas Logoreci është duke kërkuar mbështetjen e institucioneve simotra të huaja dhe personaliteteve, të cilët janë të angazhuar në aksionin mbarëbotëror të ruajtjes së pasurisë arkivore filmike. Një ndër ta është regjisori Martin Scorcesse, aktorja Tilda Swinton, Mark Cousins nga MUBI, STIL casing solutions; Libraria e Kongresit në USA, ndërkohë që edhe Ambasada Amerikane në Shqipëri është bërë pjesë e kësaj kauze, përmes sekretarit të Zyrës për marrëdhëniet me publikun në Ambasadën Amerikane, Niles Cole etj. Ata janë përfshirë në projektin e ndihmës për Arkivin Shqiptar të Filmit përmes sigurimit të materialeve të nevojshme, që mundësojnë ruajtjen e saj. Për të siguruar një mbështetje më të gjerë dhe sigurimin e fondeve që do të duhen për pasjen e kushteve optimale dhe restaurimin e filmave, është menduar një plan marketingu. Mbi bazën e tij është menduar përzgjedhja e 5 filmave përfaqësues të kinemasë shqiptare, që ruajnë momente kyçe në zhvillimin e historisë së Shqipërisë, të cilët do të restaurohen dhe një kopje e tyre do të subtitrohet në anglisht. Kopjet e restauruara në 35 mm do të jenë pjesë e programeve kulturore, brenda dhe jashtë vendit, e festivaleve, e javëve të filmit, duke tërhequr vëmendjen e publikut shqiptar e të huaj ndaj kinemasë shqiptare dhe të sensibilizojë financimin e mbrojtjes së saj. “Nëse filmat pas viteve ’90 kanë pasur mundësi të qarkullojnë nëpër festivale, ata të para ’90-s janë të panjohur dhe mendoj se përbëjnë diçka interesante për botën. Ne duam ta shfrytëzojmë këtë moment që t’u ofrojmë institucioneve diçka interesante, që ata të grishen dhe të ofrojnë fonde, sepse shteti shqiptar nuk mund ta përballojë dot restaurimin i vetëm, pra kemi nevojë për mbështetje”, thotë Regina Longo.
Restaurimi
Restaurimi i këtyre filmave, titujt e të cilëve ende nuk bëhen publikë, do të shërbejnë si karrem për të siguruar fonde për restaurimin e mijëra të tjerëve. “Për 5 filmat e parë kemi arritur, që falë kontakteve në Holandë, Itali, Francë dhe Amerikë, t’i restaurojmë falas”, thotë Longo. Sa i takon kostos së restaurimit të një filmi, ajo thotë se kjo varet nga lloji i filmit. Ata me ngjyra kushtojnë më shumë se ata bardhë e zi, megjithatë, sipas saj kjo shifër mund të variojë nga 5 mijë deri në 52 mijë euro për një film. Për t’i restauruar, filmat do të dërgohen në Amerikë dhe Holandë. Sipas saj, punën e lehtëson fakti që të gjitha materialet filmike janë konservuar në një vend dhe nuk ka pasur dëmtime si në vendet e tjera. Sipas Longos, është bërë një punë mjaft e mirë për ruajtjen e materialeve filmike nga ana e AQSHF-së e sipas saj, me kushtet e Shqipërisë, do të ishte e pamundur të bëhej më shumë. Sipas specialistes Longo, godina e Arkivit paraqet probleme, pasi ajo nuk është projektuar për të mbajtur një sasi të tillë filmash.

Arkivi
Koleksioni i AQSHF përmban 6422 filma, ndër të cilat 4,329 filma të vjetër dhe të rinj të prodhuar në Shqipëri. Ndërsa 2,093 filma të huaj, të prodhuar në vende të ndryshme të botës. Pra, në total 44.000 kuti filmi.

ALMA MILE

Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Panorama Online. Moderatori


Lexoni Gazeta Panorama ne formatin PDF »»KLIKO KETU

Beni nje Koment


5 + 7 =

Social Network


Abissnet


VIDEO





Showbiz

Lifestyle

Teknologji

Kuriozitete

© 2013 Gazeta Panorama ONLINE. All Rights Reserved.   Powered by: ikoncept