Panorama Sport
Home » Sociale » Gjuhët e Huaja, dekania: Po mbyllet Fakulteti

Gjuhët e Huaja, dekania: Po mbyllet Fakulteti

Dekania e Fakultetit të Gjuhëve të Huaja, Klodeta Dibra

Kërkesa për shtim të stafit akademik nga Fakulteti i Gjuhëve të Huaja ka dhënë efekt të kundërt në Rektoratin e Universitetit të Tiranës. Vetëm pak ditë më parë, Këshilli i Administrimit të UT-së ka vendosur të shkurtojë 28 pedagogë, duke rrezikuar vitin akademik që nis në tetor. Sipas dekanes Klodeta Dibra, për këtë vendim, që rrezikon vitin akademik, nuk ka ende asnjë sqarim. “Ende asnjë reagim, ende asnjë komunikim. Kjo është shumë shqetësuese sepse sezoni i verës po vjen, është mbyllur procesi mësimor dhe po mbyllet edhe procesi i provimeve”, tha Dibra. Ajo shpjegoi se për një vendim të tillë, që do të ketë pasoja për studentët, nuk është pyetur Fakulteti i Gjuhëve të Huaja. “Departamenti i Gjuhës Angleze ka 50 persona staf pedagog dhe bëhet fjalë për të hequr 28 pedagogë, për të mbajtur 22 pedagogë. Krijimi i këtyre bërthamave të çdo fakulteti, duke marrë stafin pedagogjik nga stafi i Gjuhëve të Huaja, natyrisht lë një boshllëk dhe një vakum shumë të madh, sepse unë në tetor gjendem para një pikëpyetjeje shumë të madhe: kush do më japë mësim?”, tha Dibra. Ajo shtoi se për rreth 2/3 e lëndëve të ciklit të parë dhe të dytë rrezikohet procesi mësimor. “Nëse mua më ikën një numër i konsideruar i pedagogëve sepse është më shumë se 50%, kush do ta zhvillojë mësimin? Ne kërkojmë sqarim për këtë pjesë, i cili deri tani ka munguar”, tha Dibra.
Pak ditë më parë, Fakulteti i Gjuhëve të huaja u dërgoi një letër krerëve të Arsimit. Në të vihet në dukje se pedagogët e Departamentit të Gjuhës Angleze në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja kanë një ngarkesë të lartë prej 17 317 orësh mësimore. Duke iu referuar kësaj ngarkese, stafi akademik argumenton se, sipas ngarkesës mesatare për çdo pedagog efektiv prej 260 orësh, kjo ngarkesë do të kërkonte 66 pedagogë, pra nga 50 pedagogë që janë aktualisht, nevojiten edhe 16 pedagogë të tjerë nga numri aktual. Në këto kushte, largimi i 28 pedagogëve nga ky departament, sipas vendimit të marrë nga Këshilli i Administrimit të Universitetit të Tiranës, do ta paralizonte plotësisht këtë departament, duke e vënë përballë mungesave të theksuara në staf, çka mund të shfaqë probleme në mbarëvajtjen e procesit mësimor gjatë vitit të ri akademik 2012-2013, ku prurjet e reja do të jenë më të shumta në numër. Letra e aprovuar në unanimitet nga stafi i Departamentit të Gjuhës Angleze, që u është drejtuar krerëve më të lartë të dikastereve të Arsimit, e vlerëson si të padrejtë dhe të pakonsultuar me autoritetet dhe organet drejtuese të Fakultetit të Gjuhëve të Huaja vendimin e marrë nga Këshilli i Administrimit të Universitetit, që drejtohet nga Rajmonda Duka. Ndërkohë, vendimi ka ardhur në kushtet kur nga Këshilli i Fakultetit të Gjuhëve të Huaja nuk ka dalë asnjë propozim për ndryshim të strukturës, si dhe përcaktimeve të bëra në ligjin e arsimit të lartë.

Nevojat për staf
Vendimi për heqjen e 28 pedagogëve vjen në një kohë kur Fakultetit të Gjuhëve të Huaja i nevojiten 16 pedagogë të rinj. Sipas ngarkesës mesatare për çdo pedagog efektiv prej 260 orësh, kjo ngarkesë do të kërkonte 66 pedagogë, pra nga 50 pedagogë që janë aktualisht. Sipas drejtuesve të Fakultetit, kjo masë bie ndesh edhe me deklaratat e njëpasnjëshme të rektorit të UT, i cili ka premtuar shtimin e stafit akademik si domosdoshmëri për të garantuar një proces mësimor cilësor.

Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Panorama Online. Moderatori


Lexoni Gazeta Panorama ne formatin PDF »»KLIKO KETU

1 Koment per “Gjuhët e Huaja, dekania: Po mbyllet Fakulteti”

  1. eshte per te ardhur keq kur shikon pedagog te cilet ankesat e tyre u a drejtojne ambasadave te huaja( asaj amerikane e britanike). a nuk do te ishte me mire qe t’u drejtoheshin institucioneve kopetente si ministris se arsimit , kryeministrise, gjykatave e ku di une? c’far mendojne keta te ashtuquajtur “intelektual” se ambasadori amerikan eshte president,kryeminister apo dicka me shume i shqiperise? ndofta keta kan te drejte qe protestojne per shkurtimin e stafit te fakultetit, por me veprimin e bere trgojne se jan te pa afte te drejtojne kete fakultet. ky shtet e ka nji zot, ka parlament, ka qeveri, ka institucione te drejtesise. ambasadat jane per vendosjen dhe zbatimin e mardhenieve dy paleshe e jo per te zgjidhur problemet e individeve ndermjet njeri tjetrit.

Beni nje Koment


9 + = 10

Social Network


Abissnet


VIDEO





Showbiz

Lifestyle

Teknologji

Kuriozitete

© 2013 Gazeta Panorama ONLINE. All Rights Reserved.   Powered by: ikoncept