“Në EURO s’pati lider, por skuadra të mëdha”
Sport e Martë, 3 Korrik, 2012 | 15:10 pm
Presidenti i UEFA-s, i kënaqur me punën e vendeve organizatore.
Platini: Arbitri i 5-të na mundësoi të shohim më shumë gola.
Presidenti i UEFA-s, Mishel Platini, e quan Kampionatin Europian në Poloni dhe Ukrainë një sukses të madh. Ai vlerëson paraqitjen e skuadrave pjesëmarrëse.
Ndërkohë, thotë se shtimi i numrit të arbitrave në 5 ka favorizuar në shënimin e më shumë golave. Platini është krenar me faktin që dy vende të Europës Lindore, për herë të parë, kanë organizuar në mënyrë perfekte një kompeticion të përmasave ndërkombëtare.
Cili ka qenë momenti juaj i preferuar në turne?
Gjatë “Euro 2012″-s ka pasur shumë momente të bukura, por ai që unë do të veçoja është fishkëllima e nisjes së takimit hapës. Kjo do të thoshte që për futbollin, ose më saktë, gjëja më e rëndësishme po fillonte më në fund pas 5 vitesh punë dhe përgatitjesh intensive. E dija që kur do të goditej topi, do të niste një aktivitet i veçantë.
Cili futbollist ju pëlqeu më shumë?
Sa i përket mendimit tim personal, them se asnjë lojtar nuk dalloi nga të tjerët. Megjithëse, do të thosha që më shumë ishte një grup lojtarësh të mëdhenj dhe që të gjithë e marrin me mend se cilët janë ata…
Pas suksesit të “Euro 2012″-s, a po merreni që tani me ndryshimet që do të bëni në turneun pasardhës? Çfarë do të rregulloni krahasuar me këtë që sapo mbaroi?
Mbi të gjitha ne do të tregojmë se Europa do të ketë 24 skuadra me nivel teknik të përshtatshëm për të marrë pjesë e për të konkurruar në një turne të tillë. Unë jam i sigurt për këtë.
Sipas jush, cila është receta që një ekip duhet të ndjekë për të fituar një kampionat europian?
Po e përmbledh me dy fjalë, duhet teknikë dhe freski.
Cili ishte progresi më i rëndësishëm në fushën e lojës krahasuar me edicionet e mëparshme?
Pa hezituar, unë do të thosha pesë arbitrat. Ishte novacion fillestar krahasuar me turnetë e mëparshme, përveçse një ndihmesë e madhe në futbollin e luajtur. Kjo ka bërë të mundur që të zvogëlohen simulimet brenda zonës, ashtu siç lojtarët mbajnë njëri-tjetrin nga fanella kur ka goditje të lira. Dhe në fund ka pasur më shumë gola dhe mbi të gjitha më shumë gola me kokë sesa kompeticionet e tjera ndërkombëtare. Dhe kjo nuk është një koincidencë. Ky sistem i aplikuar ka bërë që të përfitohet sa i përket cilësisë së futbollit.
Çfarë ju pëlqen më shumë, të luani apo të jeni në krye të UEFA-s për të vendosur rregullat?
Ka një moshë për të gjitha. Kur isha 20 deri 30 vjeç më pëlqente që të luaja, por sot detyra ime është që të kem nën kujdes futbollin.
Keni sjellë Kampionatin Europian për herë të parë në Europën Lindore. A mund të quhet e realizuar kjo nismë?
Ky Europian, i pari në Europën Lindore, ishte një sukses i madh, një triumf i vërtetë. Polonia dhe Ukraina i treguan botës se mund të organizojnë të tilla aktivitete dhe se nuk ka arsye për t’u shqetësuar. Mund të jenë krenarë për punën e kryer, të entuziazmit dhe të rezultateve finale. Edhe unë jam krenar për këto dy vende.



























