Problemi i vërtetë i opozitës shqiptare
Opinion e Mërkurë, 20 Qershor, 2012 | 12:13 pmTë martën, zoti Gramoz Ruçi, kryetar i Asamblesë së Partisë Socialiste dhe kryetar i Grupit Parlamentar të saj, doli në një konferencë shtypi, pas mbledhjes me dyer të mbyllura të Grupit, dhe denoncoi gjyqet që organizohen ndaj deputetëve socialistë me akuzën e shpifjes, pas denoncimeve të bëra ndaj tyre prej njerëzve me pushtet. Ishte e gjatë lista e deputetëve socialistë të akuzuar, të gjykuar, të dënuar dhe që presin të dënohen. Prandaj Ruçi kish të drejtë të shqetësohej për këtë dukuri dhe të denonconte gjykatat që janë vënë nën kontrollin e plotë të qeverisë. Deri këtu gjithçka është në rregull.
Por kjo deklaratë e zotit Ruçi nxori në pah edhe një fenomen negativ që karakterizon opozitën e sotme (më saktë Partinë Socialiste, sepse ajo është e vetmja opozitë parlamentare) dhe që është, sipas meje, problem kryesor i saj. Ky problem po e bren dita–ditës partinë kryesore të opozitës dhe po bën që ajo, edhe në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, të mbetet (larg qoftë!) përsëri në opozitë.
Thelbi i deklaratës se Ruçit përmban në vetvete idenë shkatërruese se deputetët socialistë, rreth 64 gjithsej, me gjithë mbrojtjet ligjore dhe kushtetuese që kanë, nuk arrijnë të mbrojnë dot as veten e tyre nga ky pushtet që qëndron më këmbë padrejtësisht prej shtatë vitesh. Në këto rrethana, si munden ata, deputetët socialistë, të mbrojnë me mijëra anëtarë dhe simpatizantë të Partisë Socialiste anë e mbanë Shqipërisë, të nëpërkëmbur rëndë nga pushteti? Kjo është pyetja therëse që shtron natyrshëm në këtë rast socialisti i thjeshtë dhe prandaj kjo është një pyetje shkatërruese për anëtarësinë dhe elektoratin e Partisë Socialiste.
Socialistët e thjeshtë janë të lodhur nga qëndrimi i tyre prej shtatë vitesh në opozitë. Ata ndihen të deziluzionuar nga udhëheqja e tyre, përderisa ajo po i lë pa mundësi reale për të jetuar në kushte normale dhe për të mbrojtur veten e tyre. Ca më keq, nuk po i mbron dot as në të drejtat themelore të tyre, në të drejtën e punës dhe të jetës, në të drejtën e të pasurit një gjykim të drejtë në gjykatat shqiptare për problemet që kanë etj. Ky është fakt dhe ai nuk e shpëton dot Partinë Socialiste me deklaratat ankuese (qaramane – mund të thuhej) të kryetarit të Grupit të saj Parlamentar.
Gjykatat shqiptare janë mbushur e po mbushen me gjykatës militantë të partisë në pushtet. Ka shtatë vjet që kjo parti po uzurpon të gjitha institucionet e Drejtësisë me gjykatës – shërbëtorë të saj të bindur. Së shpejti pritet që ky proces i shpëlarjes së trurit të organeve të Drejtësisë, të ndodhë edhe në ato sfera të saj që kanë mbetur pa u prekur deri tani, siç janë pjesë të gjykatave të larta dhe Prokuroria e vendit. Kjo do të ndodhë me fillimin e detyrës së Presidentit të ri të Republikës.
Kur rri shtatë vjet në opozitë, kështu do të ndodhë, të gjitha pushtetet do të bien në duar të “sovjetëve”, siç shprehej Lenini, d.m.th. në duart e partisë në pushtet. Edhe atëherë Partia Socialiste do të bëjë një deklaratë tjetër si kjo që bëri tani zoti Ruçi. Por kjo nuk e zgjidh problemin. Opozita nuk ka për mision vetëm të qajë.
Nënkryetari i Grupit Parlamentar socialist, zoti Saimir Tahiri, i shkroi këto ditë një letër publike ambasadorit amerikan në Tiranë, zotit Arvizu, ku i kërkonte që ambasadori të marrë pjesë në procesin gjyqësor kundër zotit Tahiri. Zëvendësi i zotit Ruçi, anëtar i Kryesisë së PS-së dhe një deputet i vlerësuar i saj, ndihet në një pozicion të vështirë që bën kërkesa të tilla për përfaqësues të Trupit Diplomatik në Tiranë. Kur një deputet, nënkryetar i Grupit Parlamentar, nuk është në gjendje të mbrojë veten e tij para gjykatësve, si mund ta bëjë një gjë të tillë një qytetar i thjeshtë? Çfarë ndihme mund të kërkojë e të presë ai nga një deputet i tillë dhe nga një parti e tillë?
Mendoj se nuk është kjo rruga e mbrojtjes së tij nga padrejtësitë e Drejtësisë shqiptare. Mbi të gjitha, nuk është ky një mesazh i drejtë që u jepet socialistëve të thjeshtë. Këta të fundit kanë arsye dhe të drejtë që ketë veprim të zotit Tahiri ta konsiderojnë si një shenjë frike dhe kapitullimi të tij, dhe ky nuk është një shembull i mirë për socialistët e thjeshtë. Populli thotë “burgu për burrat është” dhe socialistët këtë e dinë mirë. Ata e kanë pasur një të burgosur politik vite më parë, dhe ky ishte Nano.
Në këto rrethana, socialistët e thjeshtë e kanë humbur dhe po e humbin përditë e me tepër besimin tek udhëheqja aktuale e Partisë Socialistë se ata do të fitojnë zgjedhjet e reja dhe se do ta qeverisin vendin ashtu siç duhet pas një viti, kur të jenë zgjedhjet. Ky është një problem i madh, problemi më i madh i socialistëve sot. Dhe humbja e besimit i bën njerëzit pastaj që ta kërkojnë shpresën në parti të tjera, në alternativa të tjera.
Dhe me tej akoma. Shqiptarët e thjeshtë, pa punë dhe pa pushtet, ata që e shikojnë veten prej shtatë vitesh nën thundrën e këtij realiteti të zymtë, fillojnë të mendojnë pak a shumë kështu: “Berisha është i pathyeshëm. Ai ka thënë që do të largohet pas 30 vjetësh nga pushteti dhe kështu do të ndodhë. Prandaj, në mos u bëfshim miq me Berishën, të paktën të mos bëhemi armiq me të”.
Kjo psikologji e shqiptarit pragmatist, në kushtet e humbjes së shpresës për fitore në zgjedhjet e reja, e lë Partinë Socialiste edhe pesë vjet në opozitë. Fakti që elektorati i LSI-së në zgjedhjet e fundit lokale u rrit në raport me zgjedhjet e fundit parlamentare (nga tetëdhjetë mijë, në njëqind mijë), nuk duhet nënvlerësuar. Njerëzit nuk jetojnë dot me slogane politike. Ata duan të hanë, të pinë e të vishen. Natyrisht, të bëjnë edhe pasuri. Dhe këto bëhen kur je në pushtet.
Në vend është krijuar një parti e re opozitare, Aleanca Kuqezi. Asaj po i afrohen shumë njerëz, të majtë e të djathtë. Nuk dihet akoma mirë se nga ka rrjedhur kjo pjesë e popullsisë që mblidhet në mitingjet e saj, ndër to edhe kongresi i fundit i zhvilluar në Tiranë. Idetë e kësaj force politike janë akoma konfuze dhe të paqarta, të paktën për mua. Megjithatë, fakti që pas saj po shkojnë shumë njerëz, tregon se këta nuk gjejnë shpresë tjetër te politika shqiptare. Te qeveria jo e jo, por (fatkeqësisht) as te opozita.
Aleanca Kuqezi e ka mprehur shpatën e saj si djathtas, ashtu edhe majtas, duke i bërë fajtore njëlloj të dyja forcat kryesore politike në vend. Ndërsa Partia Socialiste po vazhdon ta injorojë me mendjelehtësi këtë fakt, edhe pse ajo ka shtatë vjet në opozitë dhe nuk ka përgjegjësi për punët që bën qeveria. Kjo është një tjetër fatkeqësi për socialistët e thjeshtë.
E ashtuquajtura “Lëvizja Nano” mori pushimet verore ende pa e filluar punën e saj për të gjetur mbështetje te socialistët. Por jam i sigurt se një pjesë jo e vogël e socialistëve do të turbulloheshin nëse Nano do të kishte vullnetin të vishte opingat e të dilte nëpër rrethe të ndryshme të vendit, në kërkim të të pakënaqurve nga udhëheqja aktuale e Partisë Socialiste. Kështu do të humbej edhe një përqindje tjetër e elektoratit, e cila, sado e vogël që të ishte, do të dëmtonte rëndë Partinë Socialiste në objektivin e saj (futurist) për të fituar 71 deputetë në zgjedhjet e reja.
Ditët e fundit, kryetari i Partisë Demokristiane, zoti Nard Doka, deklaroi se partia e tij shpejt do të shkëputet nga grupi opozitar dhe do të bashkohet me maxhorancën qeveritare. Kjo vjen, sipas tij, sepse ai ishte i pakënaqur nga qëndrimet e Partisë Socialiste.
Punë e tij, mund të thotë dikush. Por më parë janë larguar nga aleanca me socialistët Partia Aleanca Demokratike e Neritan Cekës dhe LSI-ja e Ilir Metës. As “ngjalat” e Lalzit nuk e ringjitën dot këtë bukë të thyer midis dy partive të majta. Procesi i dështuar i zgjedhjes së Presidentit të Republikës e dëshmoi këtë. Dhe socialistët e thjeshtë nuk kanë se kë të bëjnë përgjegjës për këtë situatë në kampin e opozitës, përveçse udhëheqjen e tyre.
Nga ana tjetër, edhe partia historikisht aleate tradicionale me PS-në, siç është Partia Socialdemokrate, nëpërmjet kryetarit të saj Gjinushi, po shpreh rezerva të mëdha ndaj qëndrimeve politike të Partisë Socialiste. Të gjitha këto nuk janë lajme të mira për këtë parti dhe të ardhmen e saj.
Që prej një viti po vazhdon odiseja e maskarallëqeve në Këshillin e Qarkut të Fierit për njohjen e kryetarit legjitim socialist të saj. Partia Socialiste nuk po e zgjidh dot këtë odise. Dihet se prapësitë atje janë organizuar nga partia në pushtet. Por përsëri është e pajustifikueshme që Partia Socialiste, me elektoratin e njohur tradicionalisht të saj në këtë qark, të mos i imponohet dot qeverisë për ta zgjidhur sa më shpejt këtë problem.
Unë uroj të mos jetë e vërtetë asnjëra nga këto që thashë më lart. Uroj që Partia ime Socialiste të jetë e fortë dhe të fitoje zgjedhjet e reja parlamentare, për të mirën e vendit dhe të vetë socialistëve. Por druaj fort për ketë dhe prandaj përpiqem ta ngre alarmin që tani. Zoti e shpëtoftë Partinë Socialiste nga një humbje e re në zgjedhjet e vitit të ardhshëm.
Humbja e besimit të elektoratit te aftësia e Partisë Socialiste për të ardhur në pushtet në zgjedhjet që do të zhvillohen pas një viti, ky mendoj se është problemi kryesor që e shqetëson sot këtë parti. Dhe ky është një problem jetik i saj. Të tjerat janë deklarata pa vlerë.




























Zoti e shpetofte Shqiperine nga socializmi.
AMIN !
Ka vetëm dy zgjedhje: ” Në socializëm, njeriu shfrytëzohej nga njeriu, ndersa në kapitalizëm , ndodh e kunderta”.Po ta perkthenim nga shqipja në shqip i bie pak a shumë kështu:”Në kapitalizëm, nga njeriu shfrytzohet njeriu”. Po deshët gjejeni edhe më hollë, po mundët, por deri tani , të gjithë kanë dështuar.
Curcilli ka thene se kapitalizmi eshte rendi me i keq, pervec atyre qe kemi provuar me pare (perfshi dhe socializmin ).
Kur shprehem “zot shpetoje Shqiperine nga socializmi”, nuk kam parasysh teorite, po faktet historike.
Nga nacional-socializmi lindi diktatura naziste. Nga mendesite e sistemet socialiste, linden diktaturat komuniste.
Analizo opoziten qe ka celsat e kashtes. Merru me poziten qe po e tjeterson demokracine me nje diktature te re neokomuniste. Opozita nuk ka ne dore asgje as prokurorine e zgjedhur nga Saliu, as gjykatat e zgjedhura nga Saliu, as presidentin e zgjedhur nga Saliu dhe sigurisht edhe shefi i sherbimit informativ do te zgjidhet nga Saliu. Cfare te beje opozita ne keto rrethana? Te dale ne bulevard te demonstroi e vrasin, te flase ne parlament e perzejne, ti drejtohet KQZ ajo nuk e perfill, ti drejtohet drejtesise ajo nuk i jep te drejte edhe kur e drejta eshte si drita e diellit. E gjithe shoqeria jane eshte ne nje dileme te madhe, do te vazdoi ky vend rrugetimin demokratik apo do te bjere ne diktature. Kjo do te ishte analiza e vertete dhe jo te merresh me opoziten duke thene qe qenka faji i saj qe nuk e ruajtka poziten e saj dhe jo hajdutet qe kane te gjithe pushtetin dhe ia vjedhin te gjitha duke filluar nga zgjedhjet e me rradhe.
O Jupe mos u lodhni kot me ps ,se thenia e sales JU JENI LEGENA eshte me se e saket,te tille jan,duke filluar nga kryetari e me radhe.PS nuk fiton me keta politikan,kete e di mire.Te ne te AK ka vend per te gjithe shqiptaret qe duan te miren e shqiperis te majt e te djatht , pra ka vend dhe per ju,jeni i mirepritur.
Shoqe dhe shokë,
Mirë tha Njëri:”PS-ja ka çelsat e Kashtës në dorë”. Por ç’mund të bëjë ajo me kashtën? Ajo mund t’i vërë flakën atdheut të vet dhe pastaj të marrë pustetin në dorë. Kjo është fundit, pasi nuk vlejti bojkoti, protestat, bllokimi,mosmarrveshja per ligjet me tre të pestat, duke luftuar që të mos pranoheshim në BE, NATO, lëvizje të lirë dhe gjithçka tjetër të mirë që mund t’i vinte këtij vendi.Ndaj duhet durim.A nuk i pritëm edhe ne 8 vjet shokët socialistë? Tani është koha e krijimit të partive të reja..Sot , në mos gabohem , u krijua e 121-ta parti! Nesër mund të ketë nga një per shtëpi. Secili ka mundësi , në njërën me hi.Nuk e di perse mbani mërzi!? Kur ka edhe parti që fillimin e kanë në ngjyrën e kuqe dhe mbarimin zi e më zi. Sepse ai shoku që profesionin e kishte per drejtësi,tani drejton , pikrisht , atë parti, që dikush, gabimisht ,e quajti FAQEZI. Por , nuk e di të ketë ndrequr ndonjë gjë në profesionin e tij..Dhe dashka të rregullojë krejt një Shqipëri?!A nuk ju duket edhe ju si mua ,një HABI?
komunistat njihen edhe ne fytyre,
zoti jupe keshtu eshte qe te akuzosh te tjeret pa fakte, iku koha e juaj qe i denonit njerezit pa fakte ,gjykatave nxjerru faktet edhe jam i sigurte se do te gjykojne drejte. por ju jeni mesuar te akuzoni njerezit pa fakte,
Artikulli eshte goxha i goditur. Opozita e ka vene veten ne rolin e zjarrfikesit, duke i sherbyer padashje qeverise. Problemi i kesaj opozite eshte se ajo nuk po zbret ne fushe, por po pret te mbaroje ndeshja. Ky eshte nje gabim fatal.
O hamdi, me mire bej nje shkrim drejtuar deputeteve te rames qe nuk eshte deputet qe ne vend qe te kalpjne kohen duke u mare me genjeshtra e shpifje te hartojne plane e programe se si duhet qeverisur Shqiperija dhe po ashtu qe te mos kritikojne e te nxijne cdo pune te Qeverise.(Se cdo njeri me mend ne koke e kupton se qeverija edhe ben gabime por ben shume me shume dhe pune te mira) Se nga keto shpifje e genjeshtra dhe kundershtime te cdo gjeje qe ben qeverija, puna ka ardhur deri aty sa asnje njeri nuk i u beson me. Dhe kjo se ju nuk kini parasuysh ate perralen e cobanit qe bente shaka dhe theriste”ujku…ujku..ujku…” per te alarmuar fshataret kur ujk deri ne ato momente nuk kishte. Dhe kur ardhi ujku ne te vertete nuk perkrahu njeri bariun genjeshtar se fshtaret kujtonin se ai po genjente perseri.
Pasi ke lexuar Jupen, konstaton që ke të bësh me një militant sterril ku shpëlarja e trurit e pësuar që para ’91 nuk i ka kaluar akoma. 1-Qahet për gjyqin ndaj Tahirit, por nuk thotë asnjë fjalë për shpifjet e tij ndaj dy fëmijëve model të kryeministrit e që janë në kontrast me fëmijët e Ruçit, Dades, Xhuvanit…, nuk shqetsohet madje se pse Tahiri nuk paraqitet në seanca me PROVA por thyen ligjet pa pikë turpi duke injoruar institucjonet? Po filloj dhe unë që sot të shpif për grunë dhe gocën e kti Jupes e të shohim si do reagojë!!! 2-Ankohet i gjori Jupe se PD ka dënuar një Nano dikur pa dhënë pse-në dhe injoron se sa janë dënuar apo vrarë demokratë liridashës nga PPSH-PS gjatë 46+8 vitetve. E kto viktima të PPSH-PS nuk janë vrarë duke sulmuar institucjonet legjitime, por vetëm për liri mendimi apo duke mbrojtur qëndrat e votimit ose në atentate mafjoze. Kto Jupe mugoshisti nuk i shkruan por qahet se pse PS është katandis si ai kokoshi me një thelë. Sa merresh or Jupe me bishtin Tahiri, merru me kokën e Ramës që ju ka katandis për faqe të zezë aq sa siç e pohon dhe ti, edhe në 2013 në opozitë do jeni.