Drejt zhvillimit të qëndrueshëm Rio+20
Opinion e Mërkurë, 20 Qershor, 2012 | 12:06 pmNEVILA XHINDI
Njëzet vjet pas Samitit të Tokës në Rio në vitin 1992, ku vendet adoptuan Axhendën 21 – një udhërrëfyes për të rishikuar rritjen ekonomike, avancimin e barazisë sociale dhe për të siguruar mbrojtjen e mjedisit në kuadrin e zhvillimit të qëndrueshëm – Organizata e Kombeve të Bashkuara sjell përsëri së bashku në Rio+20, më 20-22 qershor në Rio de Zhanerjo, Brazil, qeveritë, institucionet ndërkombëtare, sektorin privat. Përfaqësues të organizatave joqeveritare dhe grupe të mëdha interesi, për të rënë dakord mbi një gamë të gjerë, më të menduar, më të avancuar masash që mund të ulin varfërinë, ndërsa do të promovohet punësimi, energjia e pastër dhe një përdorim më i qëndrueshëm dhe i drejtë i burimeve. E quajtur si një “moment historik”, kjo do të fokusohet në dy tema kryesore: të ndërtojmë një ekonomi të gjelbër për të ulur varfërinë dhe arritur zhvillimin e qëndrueshëm dhe përcaktimi i kuadrit institucional për zhvillimin e qëndrueshëm; dhe në shtatë fusha prioritare: punësimi, energjia, qytetet e qëndrueshme, sigurimi i ushqimit dhe bujqësia e qëndrueshme, uji, oqeanet dhe gatishmëria në raste fatkeqësish natyrore.
Çfarë është zhvillimi i qëndrueshëm?
Në vitin 1987, Komisioni Botëror i Mjedisit dhe Zhvillimit (KBMZH), në raportin e Brundtland-it “E ardhmja jonë e përbashkët”, paraqiti për herë të parë termin “zhvillim i qëndrueshëm” dhe relatonte se problemet mjedisore nuk mund të izoloheshin nga problemet e tjera, të tilla si varfëria dhe shpërbërja sociale. Komisioni e pa zhvillimin e qëndrueshëm si një mundësi, e cila minimizon rrezikun e krijimit të problemeve të reja apo përkeqësimin e atyre ekzistuese. Me fjalë të tjera, e pa si “një zhvillim, i cili përputhet me nevojat e së tashmes, pa kompromentuar aftësinë e brezave të ardhshëm për të përmbushur nevojat e tyre”.
Qysh atëherë zhvillimi i qëndrueshëm ka evoluar në një koncept çadër, duke përfshirë të gjitha çështjet që lidhen me marrëdhënien reciproke midis mjedisit, ekonomisë dhe zhvillimit njerëzor. Ndonëse më pak i saktë, përkufizimi i Brundtland-it bie dakord me intuitën se, meqë termi zhvillim i qëndrueshëm do të thotë “që mund të vazhdohet” ose “i përhershëm”, zhvillimi i qëndrueshëm është zhvillim që mund të vazhdohet në të ardhmen e papërcaktuar. Meqë “qëndrueshmëri” në vetvete nuk ka vlerë të brendshme (disa faza të zhvillimit mund të jenë të qëndrueshme, por që mund të mos ia vlejnë të mbështeten), sfida e konceptit është ndoshta jo dhe aq në fjalën “qëndrueshmëri”, por në fjalën “zhvillim”.
Shqipëria po u përmbahet parimeve të rritjes së qëndrueshme ekonomike me një axhendë ambicioze reformash të institucioneve të saj dhe të aspekteve të qeverisjes drejt demokratizimit të mëtejshëm, efektivitetit dhe pajtimit me kriteret e pranimit në Bashkimit Europian. Një nga sfidat kryesore të zhvillimit qëndrueshëm që Shqipëria ka identifikuar lidhet me mungesën e traditës dhe të politikave të përshtatshme për zhvillimin rajonal dhe gjendjen aktuale të pabarazive ekstreme rajonale. Sipas Bachtler, “veprimet politike dhe potenciali për të ndryshuar rrugët e zhvillimit të një vendi drejt qëndrueshmërisë është kryesisht një privilegj rajonal, madje dhe lokal”, dhe nëse kjo është e vërtetë, mbetet e domosdoshme të matet nëse entitetet vendore, në veçanti qarqet, po zhvillohen në mënyrë të qëndrueshme.
Ndonëse ka pikëpamje të ndryshme mbi progresin dhe pritshmëritë e zhvillimit të qëndrueshëm deri më sot në Shqipëri, ka ende disa çështje të “nxehta”: të zhvillohen dhe të zbatohen politikat dhe programet rajonale, apo të ndiqet progresi i një strategjie kombëtare dhe harmonizimi i saj me politikat e shtetit në nivel rajonal?
Zbatimi efektiv i politikës së qëndrueshme të zhvillimit rajonal do të kërkonte një bashkëpunim mjaft të ngushtë dhe sinkron të veprimeve të marra në kuadrin e potencialeve dhe të treguesve social-ekonomikë dhe mjedisorë, të cilët luajnë një rol në zhvillimin lokal.
Megjithatë, për të mos e reduktuar çështjen në një vendimmarrje të tipit “gjykim-dhe-gabim”, koncepti i zhvillimit të qëndrueshëm në Shqipëri do të kërkojë nga qeveria t’u japë formë politikave të reja që kanë si synim objektivat ekonomikë, socialë, kulturorë dhe mjedisorë, duke u dhënë zgjidhje në të njëjtën kohë politikave ekzistuese. Nevoja për ta kuptuar këtë spektër objektivash është urgjente përballë njerëzve, perspektivat socio-ekonomike të të cilëve janë të varfra, dhe të cilët janë të rrezikuar nga rreziqet mjedisore, ndërkohë që burimet njerëzore, financiare dhe biofizike nuk janë as të pakufizueshme dhe as të shpërndara në mënyrë të barabartë.
*Pedagoge e Politikave të Zhvillimit të Qëndrueshëm, zv.rektore UET



























Eshte nje shkrim mjaft interesant i shkruar profesionalisht me kulture.Kemi nevoje per te tilla shkrime qe ngjallin interes.