Berisha: Gjithçka për të lehtësuar biznesin
Lajmi i Fundit e Mërkurë, 20 Qershor, 2012 | 11:44 amTIRANE- Kryeministri Sali Berisha, në mbledhjen e sotme të qeverisë u shpreh se qeveria duhet të bëjë gjithçka për të lehtësuar veprimtarinë e biznesit.
“Është biznesi, veprimtaria e tij, faktori më përcaktues në përballjen me sukses nga Shqipëria me njërën prej krizave më të rënda të 80 viteve të fundit. Kjo krizë shumëplanëshe do vazhdojë, ndaj dhe është në detyrimin tonë të shqyrtojmë çdo aspekt të saj me masa të përshtatshme që mbrojnë Shqipërinë nga recensioni, që garantojnë rritje ekonomike. Rritja ekonomike duhet të jetë qëllimi kryesore.”- tha kryeministri.
Berisha tha se ka patur rritje të numrit të shqiptarëve të punësuar. Sipas tij, rritja e investimeve të huaja dhe vendase ka sjellë edhe punësimin e qindra- mijëra qytetarëve.
“Me fluksin në rritje të investimeve të huaja është tërësisht e sigurtë se rritet në mënyrë proporcionale dhe të ndjeshme numri i të punësuarve. Sipas qendrës kombëtare të licencave dhe lejeve, 4- mujori i parë i këtij viti pati një shtim prej 420 biznesesh të reja të licencuara, vendi dhe të huaja, pra pati një shtim të ndjeshëm të sipërmarrjes së lirë.”- theksoi kryeministri.
Stabilitet ekonomik dhe ruajtja e rritjes ekonomike janë rezultat tërësor i reformave që ka ndërmarrë qeveria, shtoi më tej kryeministri.
Berisha tha se së shpejti shqiptarët do të kenë mundësinë të komunikojnë më lirë nëprmjet linjave telefonike, si dhe çdo i ri shqiptarë do të marrë internet falas. Po ashtu, tha ai, po hedhim bazat që shqiptarët të marrin energji me lirë se kushdo tjetër.
“Së shpejti, qeveria do të bëjë të mundur që çdo i ri shqiptarë të mund të lundrojë falas në internet, do të hapen 1200 qendra të tjera që do japin internet falas, çka do të thotë se ne do bëhemi vendi i vetëm që do japim internet falas, dhe këtë e bëjmë për të rinjtë shqiptarë.”- tha ai.
Berisha foli edhe për opozitën, kur tha se këto reforma nuk mund të bllokohen pasi nuk kërkojnë 3/5-tat e votave.
“Rama përdorë 1/5-ta për të bllokuar vendin pasi në konceptin e tij, konsensus do të thotë bllokim”- tha kreu i qeverisë, Berisha.



























