Panorama Sport
Home » Sociale » Sus në klasë, në 1 orë mësim, 32 minuta flasin mësuesit

Sus në klasë, në 1 orë mësim, 32 minuta flasin mësuesit

Mësues që flasin vetë gjatë gjithë kohës dhe nxënës krejtësisht pasivë që shpesh bëjnë sikur dëgjojnë. Mbetemi të prapambetur e tradicionalë në mënyrën e mësimdhënies, ku mungojnë metodat interaktive të të komunikuarit në klasë. E tejkaluar prej vitesh, në vendet e zhvilluara, te ne vijon të zbatohet filozofia: Dominacë dhe sus në klasë. Në një orë mësimi 45 minutëshe, mësuesit flasin për 32 minuta, ose 70% të kohës. Vetëm 13 minuta mbeten për gjithë komponentët e tjerë të orës së mësimit. Nga këto nxënësit flasin rreth 10.2 minuta dhe 2.5 minuta janë heshtje. Inciativës apo ideve të vetë nxënësve u lihet një kohë fluturake vetëm 30 sekonda. Hapësira e limituar kohore nuk lejon zhvillimin e pavarur të të menduarit, ndërkohë që pas pyetjes së mësuesve, e drejta e përgjigjes është vetëm një herë.
Studimi i fundit i Bankës Botërorë, “Si mësuesit japin mësim në arsimin 9-vjeçar dhe të mesëm”, sjell të dhëna shqetësuese mbi kushtet në të cilat shkollohet sot brezi i ri. Sipas tij, në klasa mungon ventilimi, drita e ngrohja. “Mënyra si ulen nxënësit është ajo tradicionale, në banka të ndara në rreshta dhe vetëm pak prej shkollave kanë një lloj tjetër strukture të klasave”, thuhet në studim. Punët në grup janë të pakta, ndërsa njësoj si Letërsia e shkencat shoqërore, jepet mësimi edhe për lëndët e teknologjisë të informacionit e komunikimit.
Këto të fundit, prej disa vitesh janë cilësuar prioritare nga qeveria në kuadrin e iniciativës “Shqipëria dixhitale”. Por pavarësisht reklamimit për laboratorë pa fund të instaluar në shkollat 9-vjeçare e të mesme, studimi i BB-së dëshmon të kundërtën. “Rreth 80% e kohës e zë mësuesi duke shpjeguar. Për një orë 45-minutëshe, 36 minuta flasin vetëm ata. Kjo ndodh përgjithësisht për shkak të mungesës së laboratorëve në shkolla”, thuhet në studim. Sipas tij, në lëndë të tilla si Informatika, Kimia apo Fizika që për vetë natyrën që kanë duhet të jenë të fokusuar në të mësuarin praktik, ndodh e kundërta.
Metodat e mësimdhënies, sipas BB-së, janë pak a shumë të njëjta në të gjithë territorin e vendit. “Herë pas herë është vënë re që studentë në shkollat urbane kanë pak më shumë akses për të mësuar në mënyrë më dinamike, por diferenca nuk është e madhe”, thuhet në studim. Sipas ekspertëve, është e domosdoshme të rikonceptohet mënyra si jepet mësimi në shkolla, duke ndërgjegjësuar së pari mësuesit për limitet që ofron mënyra tradicionale e zbatuar deri tani. “Rol aktiv i nxënësit, do të thotë që ata të bëjnë më shumë pyetje, të gjenerojnë më shumë ide dhe të punojnë në grup. Por, me këtë ndarje të kohës për një orë mësimi (30 sekonda për 45 minuta ose 1% të kohës që kanë në dispozicion, kultivimi i këtij roli është i vështirë për t’u realizuar”, thuhet në studim.

Te dhenat e studimit
Në një orë mësimi prej 45 minutash

• Mësuesit shpenzojnë 70% të kohës duke folur.
• Shpjegimi zë 53.5% të kohës
• Pyetjet që bëjnë mësuesit, 10.2% të kohës
• Vënia e autoritetit në klasë, 1.8% të kohës
• Iniciativa dhe idetë e nxënësve, 1.1% të kohës

Në minuta:
• Mësuesit flasin 32 minuta

Nga këto:
• 23 minuta janë shpjegim
• 5 minuta mësimdhënie
• 4 minuta të tjera bashkëbisedim
• 13 minutat e mbetura:
• Nxënësit përgjigjen 10.5 minuta
• Vetëm 30 seconda janë ide të nxënësve
• Heshtje, 2.5 minuta

Klasat:
• Mesatarja e nxënësve, 37.8 nxënës
• Në 38% të klasave mungon ndriçimi
• Një në gjashtë klasa ka banka jocilësore

Klasat, 38% pa ndriçim të përshtatshëm
Klasa të vogla, pa ndriçim e sistem ventilimi. Sipas studimit, kushtet nuk janë aspak të përshtatshme në shkollat e vendit. Rreth 39% e klasave nuk ndriçim të përshtatshëm. “Një në 6 klasa ka banka jocilësore dhe probleme me dërrasën e zezë”, thuhet në studim. Në qytete klasat janë më të mëdha sesa në fshatra. Mesatarja e nxënësve është 37.8 nxënës në një klasë me një devijim nga standardi. Në të gjitha shkollat u gjetën vetëm 20 klasa me 24 nxënës. “Mësuesit japin njësoj mësim si në klasat e vogla, ashtu edhe në klasat e mëdha ku mungojnë hapësirat”, thuhet në studim. “Këto mangësi kanë efekt në mënyrën e të mësuarit dhe në formimin social të nxënësve. Shoqërisë i duhen qytetarë që të mendojnë në mënyrë kritike, të punojnë në grup dhe të ofrojnë forcë produktive në mësimin e vazhdueshëm për të gjeneruar dije të reja”, kanë konkluduar ekspertët e Bankës Botërore. Sipas tyre, institucionet poltikbërëse duhet të zbatojnë strategji të reja dhe vetë mësuesit duhet të ndryshojnë besimin e tyre për mënyrën si japin mësim.

ZIRINA LLAMBRO

Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Panorama Online. Moderatori


Lexoni Gazeta Panorama ne formatin PDF »»KLIKO KETU

Beni nje Koment


+ 7 = 14

Social Network


Abissnet


VIDEO





Showbiz

Lifestyle

Teknologji

Kuriozitete

© 2013 Gazeta Panorama ONLINE. All Rights Reserved.   Powered by: ikoncept