Panorama Sport
Home » Kronike » Protesta për shpërthimet, pranga banorëve të fshatit

Protesta për shpërthimet, pranga banorëve të fshatit

Depozitat e naftës që u hapën nga të arrestuarit

Policia arreston dy banorë të Zharrëzës për hapjen e depozitave të naftës paraditen e së dielës dhe nis procedimin penal për 12 të tjerë për protestë të paligjshme. Këto masa në fakt kanë çuar në një tjetër irritim të banorëve, të cilët janë ngritur dje në një protestë masive, jo vetëm për të kundërshtuar punimet në zonën naftëmbajtëse nga kompania “Bankers Petroleum”, por kërkuan lirimin e bashkëfshatarëve të tyre. Ata kanë bllokuar për rreth 1 orë aksin rrugor Fier-Berat, duke deklaruar se kjo kompani po u dëmton pasurinë, siç është banesa. “Nuk i lëmë protestat. Do të vazhdojmë të kërkojmë të drejtat tona. Duhet që të kishim këmbëngulur më parë që gjërat të mos shkonin kështu, por drejtuesit e kompanisë nuk duan të merremi vesh me të mirë. Duhet që policia të lëshojë djemtë e arrestuar, sepse të gjithë ne po kërkojmë të jetojmë të qetë, s’po i biem askujt më qafë. Shteti të ndërhyjë, jo të na arrestojë djemtë”, kanë deklaruar banorët gjatë protestës. Sipas banorëve, shpërthimet nëntokësore për naftë nga kjo kompani po dëmtojnë banesat e fshatit. Ata nuk i justifikojnë tronditjet e fundit me rënien e tërmetit, duke thënë se këto shpërthime janë të shpeshta në këtë zonë. Gjatë ditës së djeshme ka qenë e pranishme Policia e Rendit dhe Forcat Speciale, duke tentuar të shpërndajnë turmën. Në negociata me banorët e irrituar është futur edhe kryetari i komunës, Tauland Grëmi. “E kuptoj shqetësimin tuaj si për dëmtimet e shtëpive, ashtu edhe për lirimin e të arrestuarve. Por, kjo çështje e fundit u takon organeve të Drejtësisë dhe vetëm ato mund të vendosin mbi lirimin ose jo të tyre. Ndërkohë, për dëmtimet e shtëpive ju deklaroj se po punohet në bashkëpunim me “Bankers Petroleum”, specialistë të fushës së naftës dhe Ministrinë e Energjetikës për të nxjerrë shkaqet dhe problemet që ka zona jonë”, deklaroi Grëmi. Aktualisht janë në burg shtetasit Kastriot Beluli, 45 vjeç dhe Gentjan Asllani, 38 vjeç, të dy banues në Zharrëz, Fier për veprat penale të “shkatërrimit të pronës me mjete të tjera”. Sipas Policisë, ata janë futur në mënyrë të paligjshme rreth orës 04:00 të së dielës, në vendin e quajtur depot e firmës “Bankers” në fshatin Zharrëz, në vatrën e pusit nr.5007 dhe në bashkëpunim me njëri-tjetrin i kanë hapur duke derdhur një sasi të konsiderueshme nafte bruto, si dhe kanë bllokuar rrugën nacionale Fier-Roskovec, së bashku me persona të tjerë. Nga ana e tyre, banorët thonë se do të protestojnë deri në zgjidhjen e shqetësimit të tyre.

Kreu i AKB, Pesha: Specialistë për fenomenin
Në zonën ku ndodhi hapja e depozitave të naftës ka mbërritur dje Besjan Pesha, drejtori i Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore. Ai është takuar me një përfaqësi banorësh, si dhe me përfaqësues të firmës “Bankers Petroleum”. Ai ka premtuar ngritjen e një komisioni të përbashkët me specialistë të fushës së hidrokarbureve, të gjeologjisë, të kompanisë “Bankers”, për të studiuar shtresat dhe problemet në zonë e për të përcaktuar sipas ligjit shkaqet dhe fenomenet. Ai u ka kërkuar banorëve që të presin rezultatet e këtij komisioni, ndërsa premtoi zgjidhje të këtij problemi.

FIER/ MAJLINDA RAMA

Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Panorama Online. Moderatori


Lexoni Gazeta Panorama ne formatin PDF »»KLIKO KETU

Beni nje Koment


+ 2 = 7

Social Network

AMC universal
Abissnet


VIDEO





Showbiz

Lifestyle

Teknologji

Kuriozitete

© 2013 Gazeta Panorama ONLINE. All Rights Reserved.   Powered by: ikoncept