MPJ dënon sulmin me granata ndaj KFOR-it
Lajmi i Fundit e Martë, 19 Qershor, 2012 | 18:29 pm
TIRANE- Ministria e Punëve të Jashtme shqiptare dënon ashpër sulmet e përsëritura ndaj forcave paqeruajtëse të KFOR-it, në pikën e kalimit kufitar në Bërnjak, në veri të Kosovës.
Në deklaron e saj për media, MPJ shpreh mbështetjen e plotë ndaj trupave të KFOR-it, të cilët, në zbatim të misionit dhe mandatit të tyre për të siguruar lirinë e lëvizjes edhe në veri të vendit, kanë ndërmarrë operacione për heqjen e barrikadave dhe mbylljen e kalimeve kufitare të paligjshme.
MPJ përshëndet gjithashtu thirrjet e Qeverisë së Kosovës drejtuar qytetarëve të saj për të ruajtur qetësinë dhe për t’u bërë pjesë e institucioneve demokratike e kushtetuese të Republikës së Kosovës, në të mirë të zhvillimit të vendit të tyre.
Sot, rreth orës 4:00 të mëngjesit, dy granata dore janë hedhur në kampin e KFOR-it në vendkalimin kufitar 31 në Bërnjak, ku një ushtar i KFOR-it ka pësuar humbje të lehtë të dëgjimit. Disa orë më vonë, KFOR-i ka njoftuar se ka rihapur këtë pikë kufitare me Serbinë. Hedhja e granatave ndaj ushtareve te KFOR eshte denuar nga personalitetet me te larta ne Kosove si dhe ato nderkombetare.


























