Kasano-”Balo”, kalon Italia
Sport e Martë, 19 Qershor, 2012 | 15:03 pm
“Axurrët” dominojnë ndaj irlandezëve të Trapatonit dhe kualifikohen për në çerekfinale.
Dy sulmuesit shënojnë golat e fitores përballë Irlandës.
Italia kalon në çerekfinale të Europianit, pasi ka mundur Irlandën falë golave të Kasanos dhe Balotelit. Kishte të drejtë Prandeli. Nuk duhej dyshuar mbi sportivitetin e Spanjës. Dhe kështu, Italisë së tij, në Poznan i mjaftoi fitorja ndaj Irlandës për t’u kualifikuar në çerekfinale, një fitore 2-0. Nuk ka pazar në Gdansk. Me iberikët që mundin Kroacinë 1-0 (barazimi 1-1 eliminonte italianët) dhe kalojnë raundin si të parët e Grupit C, para axurrëve. Këta të fundit, me një gol në çdo pjesë, në fillim Kasano dhe pastaj i sapofuturi në fushë Baloteli, kanë prenotuar hotelin në Kiev të Ukrainës, ku të dielën më 24 qershor do luajnë kundër skuadrës që do renditet e para në Grupin D. Paraprakisht, Anglia ose Franca. Për momentin dimë me siguri vetëm që Italia pak shkëlqyese, më e dobët se ajo që u pa ndaj Spanjës e Kroacisë, vazhdon aventurën në Poloni e Ukrainë. Dhe për një skuadër që është akuzuar se është më e bukur sesa konkrete, është një arritje e madhe. Italia e nis shumë keq. Një gabim i Tiago Motës pak sekonda pasi kishte nisur loja, por që mendon Bufoni për të bërë një dalje të shpejtë dhe për të evituar një gol vrastar. Djemtë e Trapatonit janë agresorët dhe të “dhunuarit”, siç pritej të ishte në minutat e para. Italia ka paqartësi, fiton goditje këndi, por pa rrezik. Rasti i parë i mirë për të kaltrit vjen pas një zbritjeje të shpejtë të Balzaretit, krosimi i të cilit shkon në këmbët e Di Natales, por gjuajta e këtij të fundit preku shpatullën e St.Lexher. Për të bërë diferencën mendojnë sulmuesit. Pirlo kroson në zonë pas një goditjeje këndi, Kasano ktheu topin bukur me kokë drejt portës (nuk është specialiteti i tij), i cili kalon vijën fatale, para se të largohet nga Daf. 1-0 dhe të kaltrit fitojnë qetësi. Pjesa e parë mbyllet në avantazh 1-0, ndërkohë që në Gdansk kishte ende barazim pa gola mes Spanjës e Kroacisë. Në pjesën e dytë italianët dolën nga dhomat e zhveshjes më të qartë. Balzareti bën diferencën në krahun e tij, Kasano krijon, por shpërdoron. Pas 10 minutash, Kielini dëmtohet, problem muskulor. Një “hall” i madh në perspektivë për Prandelin, ndërsa në vend të tij u fut Bonuçi. Gjithsesi Irlanda nuk dorëzohet. E motivuar nga një publik i jashtëzakonshëm, kërkon pikët e parë në Europian. Por në limitet e kohës së rregullt, vjen edhe goli i dytë. Krosim në zonë dhe Baloteli, me një veprim akrobatik gjuan mrekullueshëm dhe siguron fitoren për Italinë. Mbaron aty, por në Gdansk luhej ende. Spanja po fitonte 1-0, por një barazim i kroatëve i eliminonte. “Axurrët” pritën në mesfushë, derisa erdhi lajmi.
Skeda e ndeshjes
Itali-Irlandë 2-0
Shënues: Kasano 35’, Baloteli 90’
Kartonë të verdhë: Balcareti, De Rosi, Bufon/ Endrjus, O´Shi, St.Ledxher
Karton i kuq: Endrjus 89’
Gjyqtarë: Çynejt Çakir/ B.Duran dhe T.Ongun (TUR)
Spektatorë: 38.794
Italia (4-1-3-2): Bufon, Abate, Barzali, Kielini (Bonuçi 57’), Balcareti, Pirlo, Markisio, Tiago Mota, De Rosi, Di Natale (Baloteli 75’), Kasano (Diamanti 62’). Trajner: Çesare Prandeli
Irlanda (4-4-2): Given, O´Shi, Djun, St.Ledxher, Uard, MekGedi (Long 65’), Uielan, Endrjus, Daf, Dojl (Uolters 76’), Kin. Trajner: Xhiovani TrapatoniANALIZA E NDESHJES
Njeriu i ndeshjes – Antonio Kasano është përzgjedhur si më i miri i ndeshjes, dhe me të drejtë.
Më i dobëti – Keit Endrjus ishte një nga lojtarët më problematikë të Irlandës, sidomos me ndërhyrjet e gabuara.
Çelësi i përballjes – Pas një pjese të parë pa ide, por që gjithsesi arritën të shënojnë, italianët ia dolën ta ruajnë të paprekur portën dhe të jenë konstantë me rrezikshmërinë në sulm. Të kaltrit u treguan shumë të saktë në lëvizjet pa top, element që mund të cilësohet edhe si një nga armët më të forta të ekipit.
Moviola – I saktë kartoni i verdhë për Balzaretin. Italia pretendoi për një 11-metërsh në minutën e 30-të për prekje të topit me dorë nga St.Lexher pas gjuajtjes së Di Natales, por në fakt ishte në shpatull dhe arbitri vendosi drejt. I saktë edhe kartoni i dytë i verdhë për Endrjus.
Prandeli: Fitore me zemër, Italia më bindi
Menjëherë pas ndeshjes, gazetarët e kanë bombarduar me pyetje nga më të ndryshmet teknikun e Italisë. “Ne nuk vuajtëm në fund të ndeshjes, kur Kroacia mund të barazonte me Spanjën. Ne vuajtëm gjithë ndeshjen, sepse e dinim se një gol i irlandezëve na nxirrte jashtë. Unë jam i lumtur, sepse kishim nevojë për një fitore që të na jepte moral. Kishim nevojë për një ndeshje të fituar me zemër dhe ne e bëmë këtë. Megjithatë, ne mësuam edhe një herë tjetër një leksion thelbësor të futbollit: nuk mjafton të kesh vetëm teknikë të mirë, por duhen muskuj”.
Xhixhi Bufon: Faleminderit Spanjë!
Portieri i përfaqësueses italiane ka thënë se dyshja Baloteli-Kasano mund të bëjnë mrekulli së bashku, por atyre u duhej vetëm pak kohë. “Unë kisha besim te Baloteli dhe Kasano, sepse i kam parë se çfarë mund të bëjnë të dy së bashku. Kjo ndeshje për ne ishte edhe një pikë kthese, jo vetëm sepse u kualifikuam me disa vuajtje, por edhe se të dy sulmuesit u zhbllokuan. Jam i lumtur për kualifikimin, por e di mirë se skuadra ime mund të bëjë shumë më tepër se kaq. Spanja? Duhet t’u themi faleminderit që u treguan korrektë”.
Kasano: Tani prisni një ekip tjetër
Heroi i Italisë në fitoren 2-0 ndaj Irlandës, Kasano, është shprehur i kënaqur për kualifikimin për në çerekfinale, por ka pohuar se ajo duhet të ndryshojë diçka në lojën e saj. “Jam i lumtur për kualifikimin, sepse kishim mbërritur në një pikë kur jo çdo gjë varej nga ne. Jam i lumtur gjithashtu që shënova dhe goli im pati vlerë. Jam i bindur se tani e tutje skuadra jonë do të bëjë më mirë se kaq. Keni për të parë një Itali tjetër gjatë ndeshjeve në vazhdim. Jemi të detyruar të ndryshojmë disa gjëra, qoftë edhe në mënyrën se si luftojmë në fushë”.
Trapatoni: Krenar për skuadrën time
Trajneri italian i Irlandës u thuri elozhe lojtarëve të tij, duke deklaruar se ata janë heronj për kombin e tyre. “Dikush mund të thotë se është e turpshme të dalësh pa asnjë pikë nga grupi, por nuk është ashtu… Ne ishim në një grup të tmerrshëm dhe teorikisht nuk kishim asnjë shans. E megjithatë, unë pashë se skuadra ime dha më shumë se 120 për qind të mundësive të veta dhe për këtë ndihem krenar. Jam krenar edhe për tifozët që ka Irlanda, sepse nuk gjen askund tjetër si ata. Italia? Më vjen mirë për ekipin tim të zemrës”.
LEONARD KARAJ



























