Panorama Sport
Home » Kulture » Fondi i të rinjve, më pak para për artistët përfitues

Fondi i të rinjve, më pak para për artistët përfitues

Ministri Bumçi dje në shpalljen e Fondit Publik për të rinjtë

Ministri i MTKRS-së shpall Fondin Publik për të rinjtë.

Më shumë aktivitete me të njëjtën shumë parash si një vit më parë, 14 milionë lekë.

E njëjta sasi lekësh për më shumë fusha mbulimi. I rrethuar nga një grup artistësh të rinj, përfitues nga edicionet e shkuara, ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Aldo Bumçi, prezantoi dje çeljen e Fondin Publik për Artistët e Rinj për vitin 2012. Tashmë që ka kaluar thuajse gjysma e vitit, Ministria e Kulturës hap fondin e përvitshëm të të rinjve. Bëhet fjalë për një shumë prej 14 milionë lekësh, që sipas Bumçit nuk ka ndryshuar nga një vit më parë. Por në ndryshim nga hera e shkuar, kjo shumë parash do të mbulojë edhe ca fusha të tjera, që nuk i ka mbuluar fare më parë, ose në mënyrë të pjesshme. Këtë vit, mes muzikës (më konkretisht operës), teatrit dhe arteve pamore, pjesën e luanit duket se e kanë këta të fundit, pasi në listën e përfituesve janë shtuar piktorët dhe fotografët. Kjo do të thotë se të rinjve që do të përfitojnë nga ky fond, do t’u bien më pak para për projektet e tyre. “Jemi munduar që një fond ta ndajmë në sa më shumë artistë dhe kjo ka bërë që fondi të zvogëlohet. Por, ne do ta rrisim këtë fond vitin që vjen”, tha Aldo Bumçi.
Megjithatë, duket se për ministrin Bumçi rëndësi ka shansi që u jepet këtyre të rinjve për të dalë në skenë, por ndërkohë ai e pranon se ka vend për përmirësime. “Këtë vit kemi bërë disa ndryshime, kemi shtuar fushat. Për herë të parë përfshihet fotografia dhe fondi që i është dedikuar Galerisë Kombëtare të Arteve. Përveç artistëve që do të mbështeten brenda Galerisë si restauratorë, kuratorë, pra që marrin përvojë në punën e përditshme të galerisë, do të hapim një konkurs me punimet e piktorëve të rinj. Ka vend për t’u përmirësuar në disa drejtime mendoj, duke përcaktuar më qartë rolin e disa artistëve të rinj në disa institucione, megjithatë kur një skenë e madhe siç është Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit i hapet një artisti të ri, mendoj që është një shans shumë i madh”, tha Bumçi. I pyetur në lidhje me premtimet e një viti më parë dhe për mospagesat e artistëve të rinj, përfitues nga fondi i një viti më parë, Bumçi tha se do të bëhen përpjekje për t’i tejkaluar këto vështirësi. Ministri u shpreh se të rinjtë nuk duhet të mërziten kur kontratat e tyre përfundojnë, pasi bëhet fjalë për kontrata të përkohshme dhe se pas tyre do të përfitojnë të tjerë të rinj.
Nuk funksionojnë kontratat e të rinjve
Nga sa mësojmë, Fondi i të Rinjve do t’u akordohet menjëherë institucioneve përkatëse që kujdesen për zhvillimin e këtyre aktiviteteve, si Teatrit Kombëtar, Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, Teatrit Kombëtar për Fëmijë dhe Galerisë Kombëtare të Arteve. Mënyra e aplikimit për të përfituar nga ky fond do të jetë pak a shumë e njëjtë si një vit më parë, me ndryshime të vogla. Sipas shefes së sektorit të artit pranë MTKRS-së, Herida Duro, të gjithë artistët që do të marrin pjesë në projektin e menaxhuar nga Teatri Kombëtar, njohur ndryshe si Festivali i Regjisorëve të Rinj, do të kenë akses për projektet e tyre, jo vetëm në skenën e TK-së, por edhe të Teatrit të Metropolit e të Universitetit të Arteve, por nuk do të premtohet më lidhja e kontratave të përkohshme në teatër, pasi nisur nga eksperienca e një viti më parë, ky lloj aktivizimi i aktorëve të rinj nuk funksionon, përderisa funksionon me projekte dhe regjisorët i përzgjedhin vetë aktorët, që dëshirojnë të përfshijnë në shfaqjet e tyre. Kështu që të rinjtë duhet të mjaftohen vetëm me mundësinë për t’u ngjitur në më shumë se një skenë. Për këngëtarët lirikë, Duro thotë se ata që tashmë i kanë dhënë provat në skenën e TKOB-it, do ta kenë më të lehtë në audicionet që ky institucion do të zhvillojë për role të ndryshme. Ndërkohë që Galeria Kombëtare e Arteve do të ketë më shumë lëvizje, pasi në të do të organizohet konkursi “Penelata e re”, ku piktorët e rinj do të vlerësohen më çmime. Këto punime do të promovohen nëpërmjet ekspozitave që do të hapen në disa qytete të Shqipërisë përgjatë sezonit turistik, si dhe botimit të katalogut me punimet më të mira pjesëmarrëse.

Çmimet letrare në vjeshtë
“Kemi parë vjeshtën më të përshtatshme për çmimet letrare”. Kështu u shpreh dje ministri i Turizmit, Kulturës Rinisë dhe Sporteve, Aldo Bumçi, i pyetur në lidhje me vonesën e ndarjes së çmimeve kombëtare në letërsi. Ndryshe nga herët e tjera, fillimviti nuk u “pagëzua” me çmimet letrare, që në vazhdimësi kanë hapur debate për mënyrën e organizimit, përbërjen e jurisë, fituesit e kështu me radhë. Muaj më parë, gjatë analizës vjetore, ministri Bumçi u shpreh se duke u përshtatur me atmosferën festive të 100-vjetorit të Pavarësisë, ky konkurs do të marrë përmasa mbarëkombëtare, duke përfshirë në të veprat e shkrimtarëve në mbarë trojet shqiptare. Në fillim të vitit, Bumçi përmendi qershorin si një kohë të mundshme për ndarjen e çmimeve, megjithatë, po mbyllet edhe qershori dhe ende nuk thuhet asgjë mbi të. Dje, ministri Bumçi u shpreh se është parë vjeshta si një muaj më i përshtatshëm për këtë aktivitet, por pa dhënë asnjë detaj se si procedohet, pasi siç dihet, së pari për të vlerësuar gjithë prurjen letrare të një viti ngrihet një juri, e cila zgjedh edhe kandidatët e më tej fituesit.

Ministria, një konkurs për fotografinë
Një konkurs fotografik mbi tema sociale, por edhe mbi Shqipërinë turistike, zhvillohet për herë të parë nga Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. Bëhet fjalë për konkursin kombëtar “Emocion përmes fotografisë”, i përfshirë në Fondin publik për Artistët e Rinj për vitin 2012. Në të janë të ftuar të marrin pjesë të gjithë ata persona, deri në 35 vjeç, që praktikojnë artin e fotografisë si profesionistë ose jo. Fotot pjesëmarrëse do të dorëzohen në MTKRS, deri në datën 9 korrik, ndërsa në datat 12-13 juria, e aprovuar nga MTKRS, do të bëjë përzgjedhjen e fotove fituese që do të shpallen në datën 16 korrik. Pjesëmarrësit mund të garojnë individualisht ose në grup me fotografi bardhë e zi ose me ngjyra. Pas shpalljes, ky konkurs do të ketë zhvillimin e tij nëpërmjet fazave të prezantimit dhe promovimit të fituesve nëpërmjet ekspozitave në disa qytete të vendit, si dhe botimit të katalogut me fotot më të mira pjesëmarrëse. Ekspozitat në qytetet e tjera jashtë Tiranës do të zhvillohen përgjatë muajve korrik–shtator 2012. MTKRS do të vlerësojë 2 çmime për fituesit sipas tematikës përkatëse, foto sociale dhe Shqipëria turistike, në vlerën 150 mijë lekë për secilin çmim. Fituesit do të përzgjidhen nga një juri, e cila do të përbëhet nga emra të afirmuar në fushën e fotografisë dhe kritikës së artit.

ALMA MILE

Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Panorama Online. Moderatori


Lexoni Gazeta Panorama ne formatin PDF »»KLIKO KETU

Beni nje Koment


+ 1 = 5

Social Network


Abissnet


VIDEO





Showbiz

Lifestyle

Teknologji

Kuriozitete

© 2013 Gazeta Panorama ONLINE. All Rights Reserved.   Powered by: ikoncept