“Mirë me Nishanin, u shmangën zgjedhjet e parakohshme”
Politike e Martë, 19 Qershor, 2012 | 13:10 pm
Flet ambasadorja gjermane, Karola Muller-Holtkemper.
Holtkemper: Do ndjekim me kujdes procesin e reformave, do japim vlerësimet tona.
Ambasadorja e Gjermanisë në Tiranë, Karola Muller-Holtkemper, deklaroi dje gjatë një interviste për “Deutsche Welle” se Presidenti i zgjedhur, Bujar Nishani, do të përfaqësojë unitetin e popullit.
Diplomatja gjermane vlerësoi vendimin e maxhorancës për të përzgjedhur nga radhët e saj Bujar Nishanin për postin e kreut të lartë të shtetit, njëkohësisht votimi i tij në Parlament është cilësuar si proces korrekt dhe kushtetues. Holtkemper shtoi me tej se më zgjedhjen e Nishanit u shmangën zgjedhjet e parakohshme. Apeli i diplomates gjermane ka vijuar dhe për vazhdimin e reformave të cilësuara si kyçe për klasën politike, në mënyrë që të arrihet marrja e statusit të vendit kandidat në muajin tetor.
Zonja ambasadore, në politikën e brendshme të Shqipërisë kishim së fundi një zhvillim të rëndësishëm, finalizimin e zgjedhjes së Presidentit të ri të Republikës. Si e vlerësoni në tërësi procesin dhe zgjedhjen në raundin e katërt të z.Bujar Nishani në krye të shtetit?
Parlamenti shqiptar zgjodhi Presidentin e ri në një proces kushtetues, dhe kjo është më e rëndësishmja. Sigurisht që ne dhe të tjerë kishim shpresuar të arrihej konsensusi. Bujar Nishani më duket një zgjedhje e mirë, unë i kam shprehur atij urimet e mia. Përvojat e bashkëpunimit me të kanë qenë pozitive, qoftë si ministër Drejtësie, ashtu edhe si ministër i Brendshëm. Ishte një bashkëpunim besimplotë, transparent dhe rezultativ. Unë jam optimiste që, si President, ai do të përpiqet të përfaqësojë vërtet “unitetin e popullit”.
Ka diskutime në opinion që e lidhin zgjedhjen e kreut të shtetit me procesin e marrjes së statusit të vendit kandidat për në BE nga ana e Shqipërisë. Në pikëpamjen tuaj, a mund të konsiderohet procesi presidencial një element pozitiv, apo një element negativ në ambicien e Shqipërisë për marrjen e statusit në vjeshtën e këtij viti?
Procesi ishte korrekt, në përputhje me Kushtetutën. Zgjedhjet e parakohshme mundën të parandaloheshin. Tani duhet të jenë në dispozicion sërish të gjitha kapacitetet e nevojshme për të përmbyllur punën me prioritetet e mbetura të përafrimit me BE-në. Ambiciet për vjeshtën e ardhshme janë tashmë të njohura, po kështu edhe kushtet. Komisioneri Stefan Fyle i ka sjellë edhe njëherë në vëmendje pikat e mbetura gjatë fjalës së mbajtur përpara Parlamentit shqiptar. Për më tepër, këtu nuk është fjala për kërkesa “të huaja”, por për një katalog detyrash, të cilat shqiptarët ia kanë vënë vetes në kuadër të të ashtuquajturit “action plan”.
Duke u nisur nga zhvillimet aktuale politike, cila është pritmëria juaj znj. ambasadore për realizimin dhe përmbushjen e të tjerave “detyra shtëpie” që Brukseli ka vendosur për Shqipërinë? Kam parasysh këtu reformën elektorale, trajtimin e çështjes së imunitetet për zyrtarët e lartë dhe politikanët, përmirësimin e rregullores në jetën parlamentare, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar etj.
Reforma e Kodit Zgjedhor, reforma parlamentare, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, në tërësi, pra krijimi i shtetit ligjor, këto janë detyrat që duhet të përmbushen në rrugën e përafrimit me BE-në. Ne do të ndjekim me shumë kujdes progresin dhe – ky është premtim – nëse do të ketë një të tillë, do ta vlerësojmë atë.
Gjatë kësaj jave në Tiranë mbahet një konferencë ekonomike gjermano-shqiptare. Duke marrë shkas nga ky event, si janë aktualisht marrëdhëniet dypalëshe në këtë fushë?
Konferenca e ekonomisë është shprehje e marrëdhënieve tona të ngushta ekonomike. Ky nuk është një aktivitet unik, por aktiviteti i radhës nga një sërë syresh, i cili këtë herë zhvillohet pikërisht në Tiranë. Në kuadër të DIHA-s janë organizuar rreth 60 konferenca; tendenca është në rritje. Rezultati i anketimit të fundit ka dëshmuar se pjesa më e madhe e investitorëve janë të kënaqur me përzgjedhjen e vendndodhjes së biznesit të tyre. Sikundër gjithandej, edhe këtu ka potencial përmirësimi, çështje që ne gjithsesi do t’i adresojmë dhe për të cilat do të gjejmë zgjidhje.
Apeli i ambasadorit të OSBE-së, palët të vijojnë reformat
Volfarth: Reforma duhet përmbyllur
Ambasadori i OSBE-së në Tiranë, Eugen Volfarth, kërkoi dje nga klasa politike, që pas provës së zgjedhjes së Presidentit të ri, të vazhdojnë punën për të miratuar sa më parë reformën zgjedhore, parlamentare, gjyqësoren dhe heqjen e imunitetit. “Është shumë e rëndësishme që tashmë politikanët ta kenë mendjen e lirë dhe të përqendrohen në axhendën e reformave. Nuk bëhet fjalë vetëm për reformën e Kodit Zgjedhor, por edhe për reformën në Gjyqësor, atë të Rregullores së Parlamentit, si dhe reformën e imunitetit të zyrtarëve publikë. Kam besim se të gjithë politikanët kryesorë e kanë kuptuar se sa vendimtare janë ditët dhe javët në vazhdim për të plotësuar të gjitha këto reforma, dhe unë do t’i ftoja sërish të përfundonin reformën e Kodit Zgjedhor. Është e rëndësishme që të arrihet sa më shpejt në një Kod Zgjedhor të ri cilësor. Afati duhet të jetë afër, por varet se kur do të realizohet puna cilësore, të cilën pres ta shoh”, deklaroi Volfarth.





























Kur e thot motorri i botes se mazhoranca me nishanin beri zgjedhje te mir puna u kry.rames dhe ruqit su mbetet gje tjeter pos te vazhdojne te hajne ngjala.