Panorama Sport
Home » Kulture » Zogaj çon poezinë shqipe në Festivalin e Gjenovës

Zogaj çon poezinë shqipe në Festivalin e Gjenovës

Preç Zogaj

Poeti, në një nga festivalet më të rëndësishëm.

U lexuan 12 poezi shkëputur nga vëllimi i përkthyer në gjuhën angleze “Ngjarje në tokë”

Me disa prej poezive të tij më të mira, të përkthyera tashmë edhe në gjuhë të huaj, Preç Zogaj ka përfaqësuar Shqipërinë në një prej festivaleve më të mëdhenj ndërkombëtarë të poezisë.
U mbyll mbrëmë në Pallatin Dukal në Gjenova të Italisë, edicioni i 18-të i Festivalit Ndërkombëtar të poezisë, i cili ngriti siparin në mbrëmjen e 7 qershorit. Mes emrave të njohur të letërsisë botërore, ishte i pranishëm edhe poeti e politikani Preç Zogaj.
Mbrëmjen e së premtes, pas konferencës së mbajtur nga Keneth -White mbi “Gjenova dhe gjeopolitika”, në orën 21:00 nisën leximet e autorëve të ftuar, Kenneth White, Naseem Shafaie nga Kashmiri, Carlos Salem nga Spanja si dhe përfaqësuesit shqiptar Preç Zogaj. Më tej u vijua me një koncert nga Mariela Condo dhe grupi i saj “Ecuador”. Një ballafaqim kulturash dhe zhvillimesh në lëmin e e poezisë. Zogaj ishte i ftuar nga

Gjatë mbrëmjeve poetike në Palazzo Ducale në Gjenova

organizatorët për të sjellë një zë nga Shqipëria në këtë festival të madh, ku parakalojnë me leximet e tyre poetë nga e gjithë bota. Drejtori i festivalit, Claudio Pozzani, poet, i njohur edhe për lexuesin shqiptar përmes vëllimit poetik “Nuk di, nëse deti..”, shqipëruar nga Silvana Leka dhe botuar nga “Ideart”, foli për vlerat e poezisë bashkëkohore shqipe dhe e paraqiti Zogajn si një nga poetët më të njohur të gjeneratës së viteve ‘80. Publiku i pranishëm ka mirëpritur poezitë e Zogajt, të cilat u lexuan edhe në gjuhën shqipe dhe në italisht. Sipas poetit, ishin vetë organizatorët që kishin përzgjedhur 12 poezi të tij, shkëputur nga vëllimi i botuar në gjuhën angleze “Occurrence on Earth” (“Ngjarje në tokë”). Disa prej poezive të prezantuara ishin “Trishtimi”, “Duke dalë nga Venecia”, “Të ikën në këmishë”, “Motra e Jezusit”, “Histori” etj. Përveç ndjesive personale dhe laboratorit të tij krijues, Zogaj iu përgjigj pyetjeve të ndryshme për zhvillimet kulturore në Shqipëri. “Ishte një aktivitet mjaft interesant, i cili respektohej shumë nga italianët. Pas leximit të poezive zhvilluam edhe një takim shumë miqësor me dashamirët e poezisë, të cilët ishin të interesuar mbi arsyet se përse shkruaja poezi, nëse do të vijoja të shkruaja për vendin që zë poezia në letrat shqipe etj.”, thotë Zogaj, teksa shton se në festival merrnin pjesë rreth 40 poetë dhe çdo mbrëmje prezantoheshin rreth 5 syresh.
Festivali
Festivali Ndërkombëtar i Poezisë në Gjenova është një nga më të mëdhenjtë në llojin e vet e tashmë është një përvojë e përvitshme, që mbledh së bashku poet e artistë nga e gjithë bota. Ky edicion u zhvillua nga data 7-17 qershor dhe i ofroi publikut një program të pasur me lexime, takime me autorët dhe shfaqje teatrale. Gjatë këtyre ditëve u zhvilluan rreth 90 aktivitete kulturore, të cilat u ndoqën falas nga një numër i madh spektatorësh. Prej vitit 1995, ku u zhvillua edicioni i parë, ky festival i është dedikuar tërësisht poezisë në të gjitha format e saj. Ky festival, i cili tashmë ka hyrë në moshë “madhore” (18 vjeç), u hap me një homazh që iu bë poeteshës polake Wislawa Szymborska, fituese e Çmimit Nobel për letërsinë, në vitin 1996. mes emrave të shumtë të ftuar në këtë edicion, spikaste ai i poeteshës Naseem Shafaie nga Kashmiri, e cila zhvillonte të parin takim leximi në Perëndim. Për të vazhduar me poetin dhe muzikantin venezuelian José Fernandez, i cili prezantoi në këtë festival kulturën indigjene Wayuu, poeti nga Ekuadori Ramiro Oviedo, shkrimtari Aminta Buenaño, këngëtarja indigjene Mariela Condo, artisti afrikano-jugor Mak Manaka, David Young, Andrew Zawacky e Margaret Young nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Susanne Stephan nga Gjermania etj.

Krijimtaria
Preç Zogaj është një nga poetët, që është vazhdimisht pranë lexuesit me krijimet e tij, pavarësisht angazhimit të tij aktiv në politikë. Disa nga vëllimet e tij poetike janë “Nuk ndodh asgjë veç dashurisë”, “Emrat tuaj”, “E pakryer”, “A thua do të vish duke qeshur”, “Qielli i gjithkujt”, “Këmbësor në qiell”, “Pas erës së re”, “Asgjë nuk ndodh veç dashuri”, “Kalimi”, ndërsa numëron edhe të tjerë libra në prozë, ese, apo memuare nga jeta e tij politike, si “Finalja”, “Të gjithë në vendet e tyre”, “Paradhoma e një presidenti”, etj. Vepra e tij është botuar në disa gjuhë të huaja.

ALMA MILE

Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Panorama Online. Moderatori


Lexoni Gazeta Panorama ne formatin PDF »»KLIKO KETU

Beni nje Koment


+ 4 = 9

Social Network


Abissnet


VIDEO





Showbiz

Lifestyle

Teknologji

Kuriozitete

© 2013 Gazeta Panorama ONLINE. All Rights Reserved.   Powered by: ikoncept