Matura, çelësi i përgjigjeve për Matematikën
Sociale e Dielë, 17 Qershor, 2012 | 11:16 am
Më 30 qershor, prova e fundit për 49 mijë nxënës. Pas rezultateve, llogari pikëve.
MASH: Nxënësit marrin pikë edhe kur ka alternativa jashtë modelit.
Në të gjithë vendin, rreth 49 mijë maturantë dhanë dje provimin e dytë të detyrueshëm, atë të Matematikës. Pas ankesave të maturantëve për testin e parë, MASH i kishte marrë më mirë masat për të evituar pakënaqësi për pyetjet në test.
“Testi ishte i nivelit mesatar, nuk na u duk i vështirë”. Kështu u shprehën përgjithësisht maturantët në gjimnazet e Tiranës.
Pasdite për ta u vu në dispozicion çelësi i përgjigjeve. Gazeta boton të plotë skemat për profilet kryesore të gjimnazeve. Në një deklaratë për mediat MASH sqaroi edhe mënyrën se si do të kryhet vlerësimi në rast se përgjigjet nuk u korrespondojnë modeleve të specialistëve. “Për secilin lloj testi është paraqitur një model zgjidhjeje. Nxënësi do të vlerësohet me pikë të plota për çdo zgjidhje tjetër të saktë, pavarësisht nga modeli i paraqitur”, bëri me dije zyra e shtypit të MASH-it. Sipas deklaratës, nxënësi do të vlerësohet me pikë për përgjigjet e pjesshme edhe kur nuk ka arritur në zgjidhjen e plotë. Nga sa pohon Ministria e Arsimit, rezultatet do të afishohen në shkolla pas të paktën 10 ditësh. Brenda këtyre dy ditëve pritet të shpallen rezultatet e provimit të Letërsisë. Korrigjimi ka përfunduar.
Më 30 qershor maturantët do të japin lëndët me zgjedhje. Kjo do të jetë prova e fundit e maturës. Më pas, me nxjerrjen e rezultateve, do të bëhet llogaritja e pikëve.
Rreth 4000 nxënës kanë zgjedhur tri lëndë me zgjedhje, mundësi që u jepet për herë të parë këtë vit maturantëve. Ndryshimi i kurrikulave ka bërë që ky brez të mos ketë në dispozicion formulën standarde të përdorur gjashtë vitet e shkuara për llogaritjen e pikëve. Do të jenë dy të tilla. Matura e këtij viti përfundon shkollën e mesme me një grup lëndësh që përfshin kurrikulën bërthamë dhe atë me zgjedhje. Pasi të japin të gjithë provimet, ata do të plotësojnë formularin A2, me anë të të cilit do të zgjedhin 10 degët e preferuara të universitetit. Sipas MASH-it, përpara se ta plotësojnë, duhet të llogarisin pikët që kanë grumbulluar.
Janë 26 072 studentë, të cilët do të pranohen vitin e ardhshëm akademik në 11 universitetet publike të vendit. Krahasuar me një vit më parë, rreth 1400 studentë më shumë do të ulen në auditorë. Vetëm në Universitetin e Tiranës janë shtuar 560 kuota. Numri i vendeve të reja në të gjitha degët varion nga 10-50 kuota. Kjo tendencë vërehet në pjesën më të madhe të tyre. Megjithatë, këtë vit ka një rënie në totalin e kuotave, krahasuar me vitin 2011, kur numri u rrit me 11%. Provimet e Maturës do të kalojnë në tri duar korrigjuesësh. Veç tyre, një administrator i caktuar nga MASH monitoron gjithë procesin. Sipas këtij dikasteri, kjo skemë vlerësimi nuk lë vend për ankimim.
Kushtet e vlerësimit
Sipas rregullores, vlerësuesit nuk mund të bëjnë shënime në test, me përjashtim të eseve ku evidentohen gabimet drejtshkrimore. Ata vlerësimet me pikë për çdo kërkesë të testit i pasqyrojnë në formularët përkatës. Akordimi i vlerësimeve të dy vlerësuesve të pavarur bëhet në fund të çdo dite vlerësimi. Të gjitha provimet e Maturës Shtetërore korrigjohen në mënyrë manuale. Alternimi i testit mes pyetjeve me alternativa dhe atyre me zhvillim, plus esenë, e ka bërë të pamundur zbatimin e një metode elektronike korrigjimi.
Per te pare pergjigjet per matematiken klikoni mbi: PDF
ZIRINA LLAMBRO


























