Fullani: Duhet konsensus, ekonomia mbi politikën
Ekonomi e Premte, 15 Qershor, 2012 | 14:16 pmQeveria dhe Banka Qendrore bien dakord në pikën e nevojës për stimuj dhe reforma të reja për të mbajtur rritjen eko-nomike, por mënyra se si duhet të sigurohet kjo shihet nga këndvështrime pak të ndryshme. Në një seminar rajonal të nivelit të lartë, të organizuar nga Banka e Shqipërisë, sipas një marrëveshjeje me universitetin e Oksfrdit me temën “Europa Juglindore: Parakushtet për reforma”, diskutimet nxorën në pah disa prej çështjeve më të rëndësishme sot.
Fullani
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, në fjalën e tij theksoi dy çështje të rëndësishme. Së pari atë që lidhej me stimujt që mund të japë Banka Qendrore, siç ishte ulja e normës bazë të interesit për lekun, e cila nuk u përçua siç duhej, dhe së dyti, atë që duhet të bëjë politika. “Masat e partnerëve për të rritur konfidencën në sistemet e tyre financiare dhe për të rregulluar zhbalancimet makro-financiare e bëjnë të vështirë transmetimin e politikës monetare në ekonomi. Ato e shqetësojnë publikun dhe ulin besimin e tij në të ardhmen. Janë pikërisht këto arsye që e pengojnë sistemin bankar të financojë ekonominë dhe qeverinë me norma më të ulëta interesi, e rrjedhimisht përçimin e politikës monetare të Bankës Qendrore në lehtësimin e kushteve monetare dhe financiare”, tha Fullani. Nëse stimuli i parë, sipas tij, dha efektin që pritej, për shkak të zhvillimeve më të gjera duhet që të gjenden mënyra të tjera mbështetjeje, siç janë reformat. Këto të fundit, sipas Fullanit, mund të arrihen vetëm me konsensus, dhe në këtë pikë ai bëri thirrje që ekonomia të vendoset mbi politikën. “Akoma ka vend për ekzekutimin e kolateralit, për uljen e rrezikut të perceptuar që vjen nga situata e rënduar politike dhe mungesa e frymës së konsensusit, ngadalësimi i reformave dhe njëkohësisht mbështetja e shpejtë e reformave të akorduara me Komisionin Europian dhe më e rëndësishmja nga të gjitha është se ne duhet të gjejmë një konsensus të madh politik për ta vënë, në këto kohë, ekonominë mbi politikën”, tha guvernatori.
Ministri Bode
Në të njëjtën konferencë, ministri Bode pranoi se kriza ka dhënë efekt edhe në ekonominë shqiptare dhe se në kohëra të tilla është e rëndësishme që të merren reforma. “Ndërtimi i një axhende rritjeje mendoj, para së gjithash, kalon përmes një blloku reformash strukturore dhe fiskale”, tha Bode. Por, nëse kjo është një sipërmarrje dhe detyrë e qeverisë, kreu i Financave kërkoi që edhe sektori bankar të bëjë pjesën e tij duke mbështetur sektorin privat dhe duke mos mbetur në hezitim.
Ekspertët
Një ditë më parë në gazetë u botua analiza e ekspertit të ekonomisë, Anastas Angjeli, i cili shtronte pikëpyetjen se çfarë duhet të bëjë Shqipëria në vazhdën e masave zinxhir që po marrin të gjitha vendet dhe pas paralajmërimit të Bankës Botërore për kohë të vështira. Në analizën e tij Angjeli prezanton shtatë pika kyçe për masat dhe nismat që duhet të merren për t’u përballur me krizën, e cila fillimisht lidhet me transparencën. Pra, qeveria duhet ta deklarojë gjendjen ekono-mike aktuale ashtu siç është. E dyta lidhet me ndryshimet në buxhet, por që këto të fundit të mos prekin shpenzimet për pensionet dhe pagat. Një tjetër propozim lidhet edhe me rritjen e eficiencës në mbledhjen e të ardhurave, kurse Bankës së Shqipërisë i kërkohet të rrisë fleksibilitetin e politikës monetare dhe të kreditimit.
Kriza në Europë, Obama telefonon kreun e KE
Situata në Europë, ku Spanja ka vënë alarmin për sektorin e saj bankar, kur Greqia është mes etheve të krizës përveçse ekonomike, edhe politike, ka bërë që kreu i Shteteve të Bashkuara, Barak Obama, të vendosë paraprakisht disa nga pikat ku do të përqendrohet takimi i radhës i G20-s. Shtëpia e Bardhë njoftoi se Presidenti Obama telefonoi Presidentin e Këshillit Europian, Van Rompui dhe më pas edhe Presidentin e Meksikës, Felipe Kalderon, për të diskutuar rreth Samitit të G20-s që do të mbahet në Meksikë më 18-19 qershor. Van Rompui ka rënë dakord lidhur me forcimin dhe fleksibilitetin që duhet të ketë eurozona dhe rritjen ekonomike të Europës e më gjerë. Në të dyja telefonatat e bëra nga shefi i Shtëpisë së Bardhë, liderët ranë dakord për të punuar së bashku për një samit të suksesshëm në Los Cabos.





























politika udheheq ekonomine