Të jesh grua në fshat…
Une Gruaja e Hënë, 11 Qershor, 2012 | 15:10 pmE lindur në një fshat të Pukës, Mrika e mban mirë mend ditën kur u nis për në shkollë. Fisin e kishte kundër, pasi shqetësoheshin kush do t’i çonte bagëtitë në mal: gjyshja 75-vjeçare? “Babai im iu përgjigj: Po e çoj në shkollë të bëhet njeri, po e lashë me bagëtitë, bagëti do bëhet”, kujton Mrika fjalët e burrit të mençur.
Sot Mrike Cara, 55 vjeç, jeton në Tiranë me familjen e saj të përbërë nga bashkëshorti dhe dy djemtë. Megjithatë, puna si drejtore ekzekutive e Shoqatës për Integrimin e Zonave Informale që prej 2007-s e lidh me ato pjesë të shoqërisë që, si ajo, kanë braktisur fshatrat dhe qytetet e vogla për të kërkuar një mundësi më shumë në rrethinat e Tiranës.
Mrika është e bindur, kur thotë se në fshat ka ngelur shtresa realisht më e pambrojtur dhe më e dobët. Argumenti i saj është i thjeshtë: kush kishte mundësi të ikte, ka ikur. Ikin sepse është vështirësuar jetesa. Aq shumë, “sa ka edhe kryetarë komunash që punën e bëjnë në fshat, po jetesën në qytet”, vëren Mrika. Ka probleme infrastrukture, shërbimesh që mungojnë. Është vështirësuar shkollimi, pasi për shkak të rrallimit të popullsisë shkollat janë bashkuar dhe fëmijët i kanë larg nga banesat. Është rritur çmimi i naftës dhe i plehut kimik. Ka familje të tëra që mbahen nga gratë, pasi burrat kanë shkuar në emigracion ose në qytete të tjera brenda vendit.
“Gratë kanë guxim ta përballojnë jetesën, po ato duhen mbështetur në përpjekjet e tyre për të ndërtuar një jetë dinjitoze në fshat”, thotë Mrika. Sipas saj, shteti duhet të sigurojë infrastrukturë dhe shërbime-kopshte, shkolla, qendra shëndetësore. Kështu edhe fëmija shkollohet, por edhe gruaja lehtësohet. Edhe donatorët, edhe shoqëria civile duhet të përqendrohen më shumë në fshat, pasi pavarësisht se sipas regjistrimit të fundit popullsia urbane e kalon atë rurale, sërish 46.3% e shqiptarëve e kanë të lidhur jetesën me fshatin.
Përveç këtyre, Mrika ngulmon në nevojën e politikave mbështetëse për fshatarin që punon. Të gjithë i kemi parasysh pamjet dëshpëruese të tonelatave me prodhime bujqësore që flaken në lumenj pasi nuk shiten. “Shteti duhet ta mbrojë fermerin që punon, pasi ndryshe krahu i punës mbetet i lirë dhe kështu shkojnë drejt zonave urbane”, thotë ajo. Gjithashtu duhen politika të veçanta për zonat që kanë pak tokë bujqësore dhe ato që kanë më shumë burime.
Në fakt, Mrika nuk po kërkon asgjë më shumë se ato dhjetëra gra e burra që u mblodhën në New York nga e gjithë bota para një muaji në takimin vjetor të Komisionit të OKB-së për statusin e gruas. Një takim që kishte pikërisht në fokus fuqizimin e gruas rurale, e cila përballet me të njëjtat vështirësi e pengesa si në Pukë, Tiranë, Manila apo Shangai.
Nga Tirana në New York…
Sipas të dhënave të fundit globale, gratë dhe vajzat rurale përbëjnë një të katërtën e popullsisë dhe një pjesë të madhe të forcës së punës në bujqësi. Megjithatë, krahasuar me burrat, fermerët dhe sipërmarrëset gra përballen me një numër pengesash, si p.sh më pak lëvizshmëri, më pak të drejta pronësie, më pak akses në trajnime, informacione tregu, si dhe burime prodhuese. “Dëgjimi dhe mbështetja e grave rurale është thelbësore për eliminimin e varfërisë dhe urisë, si dhe arritjen e paqes e zhvillimit të qëndrueshëm”, theksoi drejtorja ekzekutive e Entit të Kombeve të Bashkuara për Fuqizimin e Gruas, UN Women, Michelle Bachelet. Gjatë debateve, pjesëmarrësit përsëritën nevojën e grave rurale për më shumë akses në edukim, ujë, energji, tregje, rrugë e teknologji. Një theks i veçantë iu vu kësaj të fundit si një mjet i fuqishëm për forcimin e grave rurale.
Bachelet vuri në dukje se “duke zgjeruar të drejtat e gruas rurale, pjesëmarrjen, mundësitë dhe zgjedhjet e saj, ne mund të kemi ekonomi dhe shoqëri më të shëndetshme. Por kjo ëndërr nuk mund të realizohet nëse nuk merren masa të posaçme”. Ajo kërkoi angazhim të qartë dhe të fortë të qeverive, që fillon me një ndryshim në mënyrën se si ndahet buxheti dhe zbatohen politikat dhe ligjet, përfshirë politikat e tregtisë dhe agrobujqësore, se si bizneset investojnë dhe operojnë në fshat. Sipas saj, ky transformim ka filluar, por është i ngadaltë. “Nëse jemi seriozë për këtë mision, këtë përgjegjësi, nëse jemi seriozë për fuqizimin e gruas rurale, ne duhet të heqim gjithë pengesat që gjenden në rrugën e tyre, qofshin ato strukturore, kulturore, sociale apo ekonomike”, përfundoi Bachelet.
…e kthim
Një delegacion nga Shqipëria, i përbërë nga përfaqësues të lartë të Ministrisë së Punës, Ministrisë së Bujqësisë si dhe Departamenti i Koordinimit të Ndihmës së Huaj pranë Këshillit të Ministrave, mori pjesë në këtë takim të nivelit të lartë falë mbështetjes nga UN Women. “Delegacioni shqiptar shprehu qartësisht angazhimin qeveritar për progresin e grave në përgjithësi dhe grave rurale në veçanti, duke zbatuar masa të veçanta për të nxitur gratë që të marrin pjesë në biznese rurale”, tha Filloreta Kodra, zv.ministre e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, pas kthimit nga New York. “Ne gjithashtu ripohuam qëndrimin tonë për t’iu bashkuar nismës më të re të UN Women për t’i dhënë fund dhunës ndaj grave”.
Një tjetër anëtar i delegacionit, zëvendësministri i Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, Thoma Tokli, thotë se ndihma për gruan në fshat duhet të jetë shumëfishe. Për sa u takon bizneseve bujqësore, në aplikimet për fonde të BE-së që jepen në mbështetje të zhvillimit bujqësor të Shqipërisë, gratë kanë përparësi në vlerësim duke pasur bonus të veçantë. Mirëpo, për fat të keq struktura pronësore në fshat është pothuaj tërësisht e zotëruar nga meshkujt që janë kryefamiljarë, çka e lë gruan pa asnjë aset ekonomik.
“Objektivi ynë do të jetë nxitja e sipërmarrjes rurale në ato fusha që kanë të bëjnë me produktet tipike, tradicionale, ku gruaja rurale parashikohet të ketë një përfaqësim e kontribut më të madh, si p.sh. në agroturizëm”, pohon Tokli. Ministria e Bujqësisë është duke punuar me donatorët në disa projekte të mëdha për fuqizimin e kapaciteteve teknologjike në fshat. Sipas zv.ministrit, ka një angazhim të madh për të realizuar trajnime për përmirësimin e aftësive sipërmarrëse profesionale të grave rurale. Nga ana tjetër, Ministria e Ekonomisë po zbaton një projekt të madh financuar nga Cooperazione Italiana për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme rurale.
Megjithatë, Tokli i sheh të paplota këto masa nëse nuk lidhen me rritjen e pjesëmarrjes së gruas në vendimmarrje. “Duhet të ketë më shumë gra në këshillat komunalë, aty ku merren vendimet”, thotë i bindur ai, “po kjo kërkon politika të posaçme”.
Një nevojë të cilën e thekson edhe Mrika, e cila gjatë punës me gratë në zonat periurbane të Tiranës ndeshet me mendësinë e vjetër që e sheh gruan të lidhur vetëm me shtëpinë. “Vërtet këto janë zona afër qytetit, por janë të populluara me të ardhur 15-20 vitet e fundit nga zonat rurale, ku emancipimi i gruas është ende një problem”. Vetë Mrika ka qenë këshilltare për 6 vjet në Njësinë Bashkiake numër 4 në kryeqytet dhe, e vetme mes 9 burrave, ka shkuar në takim me prefektin e atëhershëm të Tiranës për problemin e ujësjellësit në Allias. Një shoqatë tjetër që vepron në Shkodër, “Dimensione Humane”, raporton se në Këshillin e komunës Muriqan s’ka asnjë grua, kurse në administratë punojnë vetëm 2 gra. Nuk ka asnjë grua që drejton një institucion ose ka një biznes në pronësi. Siç shihet, sfidat për gratë rurale janë të shumta, por jo të pazgjidhshme. Ato kërkojnë angazhim, vullnet dhe masa konkrete, por mbi të gjitha kërkojnë aktivizëm, pasi siç thotë Bachelet “kur një grua ka zë dhe përfaqësim, ndryshimi vjen vetë”.
VALBONA SULÇE



























