10 muaj pas ndarjes konflikt mes Krenarit & Ledrit
Kuriozitete, Panorama Plus e Dielë, 10 Qershor, 2012 | 14:06 pm
Ndizen gjakrat, sh-i dashuri rreh partnerin aktual të Dafinës.
Në shtator të vitit të kaluar lajmi i botuar në gazetën “Panorama” mbi ndarjen e këngëtares së njohur Dafina Zeqiri nga i dashuri i saj i atëhershëm Krenar Çoçaj, zgjoi një jehonë të madhe në media dhe publik, saqë dikush nuk e besonte se këngëtarja është ndarë nga i dashuri i saj sepse kishte një lidhje të gjatë dhe stabël. Nuk shkoi edhe shumë gjatë, Dafina u hodh përsëri në krahët e një djaloshi tjetër që këtë radhë ishte reperi i njohur i skenës shqiptare, Ledri Vula. Në qarqe të ndryshme të artistëve në Prishtinë flitet se e ëma e Ledrit e kontrollon shumë djalin e saj, saqë ajo ndikon edhe në vendimet e tij edhe kur krijon ndonjë lidhje dashurie, madje në të njëjtat qarqe është thënë se pikërisht e ëma, Xheraldina Vula, e ka ndarë Ledrin nga Tuna, e që mendohet se një ditë mund ta ndajë edhe nga Dafina. Çifti i njohur i skenës po përjeton ”dashurinë” në maksimum, e kjo duket edhe nga gjestet intime që shkëmbejnë në publik. Por një ngjarje jo e zakonshme i ka ndodhur reperit të njohur Vula pikërisht të enjten në orët e vona të natës (ora 2 pas mesnate). Dy persona të armatosur e kanë sulmuar dhe e kanë bërë për spital Ledrin. Gjithmonë duke u bazuar në atë që është dhënë në televizionet ”KohaVision & Klan Kosova”, Ledrit i janë thyer
disa dhëmbë, si dhe ka të çara në pjesët e syrit dhe ballit nga kondaku i pistoletës, ndërsa është duke u kuruar në spitalin e Prishtinës, ku të njëjtën gjë e ka konfirmuar për televizionet në fjalë e ëma e tij, Xheraldina. Ajo ka thënë se djali i saj është sulmuar nga dy persona të armatosur dhe me procedurë të mëtejshme po merren organet e rendit. Burime mirë të informuara kanë bërë të ditur se njëri nga sulmuesit e Ledrit është Krenar Çoçaj, ish-i dashuri i Dafina Zeqirit, ndërsa gjatë sulmit, i pranishëm ka qenë edhe reperi tjetër, Getoar Selimi. Rikujtojmë se Ledri, së bashku me anëtarët e tjerë të labelit Baba Stars, para disa javësh kanë sulmuar në Zvicër reperin tjetër Noizy, dhe thuhej se i kanë shkaktuar lëndime në trup, por siç duket historitë e sherreve me dhunë nuk po mbyllen me kaq.




























