Panorama Sport
Home » Opinion » Duke pritur një President

Duke pritur një President

ARMAND SHKULLAKU

Partia Socialiste duhet t’i thotë po kandidaturës së Xhezair Zaganjorit, ose duhet të paraqesë një kandidat të saj që të plotësojë pritshmëritë e të gjithëve si një President i mundshëm konsensual. Çdo qëndrim tjetër do të zhvlerësojë një proces që duket se mori kthesë për mbarë, do ta shndërrojë zgjedhjen e kreut të shtetit në një lojë banale politike dhe në fund të fundit nuk do t’i garantojë opozitës ndonjë avantazh në raport me maxhorancën. Pas tërheqjes së Berishës, përcaktimit të PD-LSI për një emër me profil të pranueshëm nga të gjithë, kundërshtimi i Ramës e ka humbur peshën që do të kishte nëse partia në pushtet do t’i shkonte deri në fund provës së forcës me një kandidat nga kupola e saj. Natyrisht që është e drejtë e opozitës në çdo kohë të thotë jo, të kundërshtojë propozimet që i vijnë nga pushteti dhe të provojë ta lëkundë atë sa herë i jepet mundësia, qoftë edhe kur bëhet fjalë për të zgjedhur Presidentin. Por në këtë rast, kur kandidati i propozuar nga maxhoranca i ka votat e sigurta në raundin e katërt dhe kur përkrahja e LSI për të i ka dhënë një lloj legjitimiteti “përtej së majtës dhe së djathtës”, kundërshtimi i Zaganjorit mund të argumentohej vetëm me një kandidaturë tjetër që shumica e opinionit do ta gjykonte më të përshtatshme se anëtari aktual i Gjykatës Kushtetuese. Refuzimi i të dyja këtyre opsioneve e ka bërë të vështirë pozicionin e opozitës, duke e çuar atë çdo ditë e më shumë në një qëndrim pa qëndrim në lidhje me zgjedhjen konsensuale të kreut të shtetit.
Kryetari i PS ka si arsye thelbësore në kundërshtimin e Zaganjorit faktin se ai ka ardhur deri këtu si propozim vetëm i njërës palë, dhe jo si produkt i një procesi negociues pozitë-opozitë. Fakti që Rama nuk e ka ditur përpara se të bëhej publik emrin e Zaganjorit, mund të tingëllojë në pamje të parë si një anashkalim, defaktorizim apo mospërfillje ndaj kreut të opozitës. Duket si një vendim që i shkon opozitës thjesht për miratim, dhe jo me të drejtë ndryshimi. Në këtë këndvështrim të thjeshtë, Rama kishte të drejtë të mos pranonte jo vetëm Zaganjorin, por edhe Fan Nolin po të ishte gjallë. Mirëpo, në një këndvështrim tjetër, më të ftohtë dhe më politik, opozita po i mohon vetes rolin e rëndësishëm që ka luajtur për të ardhur deri këtu dhe, pse jo, për të marrë meritat e shndërrimit të procesit presidencial nga një hipotekë e Kryesisë së PD në një aset shumë më të gjerë.
Argumenti kryesor i opozitës, se ajo pra e kundërshton kandidatin e maxhorancës meqenëse nuk ka qenë pjesë e tryezës që e ka nxjerrë këtë emër, nuk është i mjaftueshëm. Procesi presidencial nuk duhet parë vetëm në takime liderësh, bisedime të hapura, të mbyllura apo i thjeshtuar në përfillje e mospërfillje personale. Fakti që Sali Berisha u tërhoq nga pozicioni i tij fillestar, pa diskutim është rezultat i procesit presidencial ku Partia Socialiste ka luajtur rol vendimtar. Pra edhe pa u takuar mes tyre Berisha dhe Rama, ky i fundit ia doli ta detyrojë Kryeministrin të pranojë zgjidhje të tjera nga logjika e 71 votave. Ndryshimi në qëndrime i Berishës është pjesë e procesit presidencial, ku opozita ka luajtur fort për të imponuar zgjidhjen e saj. Politika sot është në një stad të ri nga ai i disa muajve më parë dhe emri i Zaganjorit vërtet është propozuar nga njëra palë, por është në sinkron edhe me kërkesat e vetë opozitës. Nxitimi për t’i thënë jo kësaj kandidature që në raundin e parë, tingëllon më shumë si një qejfmbetje e Edi Ramës nga Ilir Meta që nuk e konsultoi këtë emër edhe me të, sesa një kundërshtim thelbësor i rezultatit të një procesi, që ndonëse i zhvilluar në distancë mes palëve, prodhoi diçka pozitive. Këmbëngulja në këtë refuzim po e vendos opozitën në një pozicion apolitik: refuzon një emër, nuk paraqet një kandidat të saj dhe kërkon nga maxhoranca emra të tjerë që të deklarohet nëse i pëlqen ndonjëri ose jo. Kjo mund të shkojë në një lojë fëmijësh, por jo në një moment politik tepër delikat, kur secila palë duhet të marrë përgjegjësitë e veta.
Tërheqja e Berishës dhe ndryshimi i diskursit të tij politik, veçanërisht në Vlorë dhe në mbledhjen e fundit të Grupit Parlamentar, i ka zbutur ndjeshëm efektet që do të kishte refuzimi i opozitës krahasuar me disa javë më parë. Madje dhe reagimi ndërkombëtar nuk do të ishte i njëjtë nëse Kuvendi do të votonte për një drejtues të PD apo për një kandidat si Zaganjori, pavarësisht se do të zgjidhej njëanshëm. Në këtë situatë të re, Rama duhet të ndërmarrë diçka për t’i dhënë vetes rol në përfundim të procesit, dhe jo të ngecet në një pritje që ngjan me atë të Godosë. Ai ka arritur jo pak deri tani në këtë proces: e ka detyruar Berishën të tërhiqet, ka provokuar një krisje të fortë brenda maxhorancës duke u afruar me Ilir Metën, ka turbulluar ujërat brenda vetë PD dhe në fund ka shmangur rrezikun e një Presidenti nën hijen e Kryeministrit. Mbetja jashtë tryezës që nxori emrin e Zaganjorit ndërsa numëronte me gishta votat e dëshiruara për mocion kundër Berishës, nuk është e mjaftueshme për të thënë jo e për të pritur lëvizjen tjetër të maxhorancës. Kjo e fundit e bëri lëvizjen e vet dhe politikisht e logjikisht nuk ka asnjë arsye të bëjë një tjetër. Rama gjendet përballë vështirësisë së tij më të madhe, të marrë një vendim. Të pranojë Zaganjorin, të propozojë një kandidat të vetin, apo ta lërë maxhorancën ta zgjedhë e vetme kreun e shtetit? Në të dyja opsionet, e para do të konfirmonte rolin jo të vogël që luajti në këtë proces. Me të tretin vështirë se do të fitonte diçka.

Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Panorama Online. Moderatori


Lexoni Gazeta Panorama ne formatin PDF »»KLIKO KETU

8 Komente per “Duke pritur një President”

  1. Nuk e kam lexue artikullin tand, por me siguri do tkesh dite me ja tregue qejfin Rams. Tlumt Shullak!

  2. E mo keta lane nam. Njera pale te beje 3, 4 propozime si Zaganjori psh, edhe pala tjeter te zgjedhi nji. Kaq e veshtire qenka.

    Kokrren e namit.

  3. Ky vend po rripet nga te kater anet nga nji hordhi politikanesh kriminele te mbeshtetur nga militante te babezitur, familiare te pangopur, me miq me soj e sorrolop qe u ka zene syte pasurimi mbi vuajtjen e popullit. Kjo murtaje e zeze me e zeza e ketyre 100 vjeteve shtet po e kthen Shqiperine ne nje xhungel ne kuptimin e plote te fjales ku pushteti,forca,paraja,imoraliteti po mbysin cdo qelize te kesaj te ashtequajture demokraci qe po jep shpirt. Kalbezimi moral e shpirteror, zvetnimi i shpreses dhe mungasa e prespektives per te dale mbi kete batak qe po na mbyt, po e ben kete vend nje koloni mafioze, ku fitohet me c’do menyre,por vetem me pune te ndereshme jo. Anarkia totale,padrejtesia,mashtrimi,dhuna dhe frikesimi me metoda te sofistikuara, deri ne zhdukje fizike, po kthehen ne norme. S’mjafton as rrevolta e as demostratat per te rrezuar kete bande vampiresh qe po na e pijne gjakun. Duhet nje kryengritje ose nje revolucion ku me gjak dhe hekur te vihet ne vend dinjiteti i popullit mbare. Kjo bande e felliqur e reksionare duhet delegjitimuar,shpronesuar dhe duhet vene para drejtesise per te mare denimin kapital se ate moral do ja jape historia. Rrofte Shqiperia!

  4. Sidoqoftë , nuk duhet të harrojmë se Rama nuk i beson askujt dhe kjo perbën problem të madh. Ai nuk u beson as të vetëve brënda partisë së uzurpuar, nuk i beson Metës as Nanos e aq më pak Berishës. Por , fatkeqësisht, ai nuk e di anën tjetër të medaljes se kur ti nuk i beson askujt, pse duhet që të tjerët të besojnë ty.Mos harroni se që në krye të herës shpalli se deputetët e tij kishin dalë në shitje dhe se blerësit nga ana e Partisë demokratike po jepnin shuma të mëdha per të votuar presidentin. Duket se kjo nuk u vertetua , por la një shije të keqe.Tani, nga politika nuk e deshi, nga diplomacia apo jurisprudenca nuk e do, ndersa vetë nuk paraqet asnjë kandidat. Ai po sillet si një fëmijë i llastuar, bile tha se vertetë , presidenti duhet votuar, por edhe kjo qeveri duhet rrëzuar njëkohësisht. Priocesin e ka vetë kushtetuta brënda.Mjafton të zbatohet dhe nëse ai nuk jep konsensus, faji le t’i mbetet atij dhe vetëm atij. Kur dikush nuk zbaton apo njeh ligjet, normat , rregullat, parimet, është kohë e humbur ,të diskutosh me të.

  5. Sigurisht Vetem Rama e ka fajin per te gjitha., ai eshte “shejtani”. Te tjeret megjithese vrasin qytetare te pafajshem, apo vjedhin e marrin ryshfete ne mes te zyrave te shtetit jane “engjuj”. Ky lloj arsyetimi te ben te ndihesh vertete keq kur mendon se shkruhet nga “boset” e mediave. Kjo idea e “gelltitjes se nje luge corbe te prishur” per ta vjelle tere jeten i ka mberthyer analistet tane te “varur”. Kush e njihte kete Zaganjorin perpara se te propozohej per president? Anjeri, jam i sigurte qe nuk mund te gjesh nje artikull qe ai te kete mbajtur qendrime per situaten apo tranzicionin ne Shqiperi. Nejse, ju thoni qe eshte babaxhan, ne po e pranojme megjithese nuk e njohim fare si popull. Nje president si gjithe te tjeter do te jete dhe ky, ndoshta me servil se te tjeret ku i dihet. Nejse vetem te zgjidhet ky president e te na zgjedhe edhe nje prokuror te pergjithshem qe mos te hape nga fillimi dosjet e Bashes, Berishes, e Metes, ky eshte qellimi i zgjedhjes se Zaganjorit president. Mendoj qe artikulli duhet te titullohej, ” Zgjedhim nje president qe mbron poziten tone”

  6. o shkullak brisku po mire po hajduti qe vodhi lopen s’paska faj vetem roja ka faj.
    Po dil 1 here te vetme ne gjykimin tend mbi interesat monetare tuajat.Le te zgjidhet me konsensus ose le ta zgjedhe populli me vote e historia merr fund.Cer problemi ka nese Sala propozon nga shoqeria civile 4-5 intelektuale dhe te vendosin bashkarisht se Rama le te propozoj 100 e jesh i sigurt se nuk i ka votat per ti zgjedh

  7. aman mor burre kaq shume ju paska kape dashnia per nanon, po si ju mbaj mend une kur skeni lene lajm pa dhene kunder tij, deri ne intimitet i keni hyre. Fiksimi juaj eshte vetem te fusni Ramen ne loje dhe ai nuk po bjen ne kurthin tuaj, meqe e keni sigurine qe Presidenti fiton 71 vota perse tundeni e shkundeni… jo Rama nuk do etj etj. Nese Rama nuk do lereni ne qejfin e tij dhe mazhoranca te fitoje garen, por mesa duket e shihni qe po nuk u fut Rama ne proces as Brukseli dhe as Washingtoni nuk e legjitimojne procesin dhe dalim ne nje shans tjeter te humbur. Nese Rama nuk ndryshon qendrim ju jeni ne hall te madh dhe per mua Rama mire ia ben qe ju nxjerr lakuriq…

  8. Lakuriq ai mund të dalë persëri siç ka dalë, (e kisha fjalën per Ramën), por të tjerët nuk i bën si veten. Ai është specie e veçantë dhe këtu qëndron” lavdia” e tij. Ndiqeni dhe krijoni Shoqatën e lakuriqave. Bota do t’ua kenë zili. Provojeni.

Beni nje Koment


6 + 6 =

Social Network


Abissnet


VIDEO





Showbiz

Lifestyle

Teknologji

Kuriozitete

© 2013 Gazeta Panorama ONLINE. All Rights Reserved.   Powered by: ikoncept