Bramerc: Deklaratat e Nikolicit, të papranueshme
Tipike e Enjte, 7 Qershor, 2012 | 21:49 pm
Kryeprokurori i Tribunalit të Hagës për krime lufte në ish-Jugosllavi, Serzh Bramerc, i ka quajtur “të papranueshme” deklaratat e presidentit të Serbisë, Tomislav Nikolic, i cili ka mohuar të ketë ndodhur gjenocid në Srebrenicë, në korrik të vitit 1995.
Ai ka thënë se deklaratat e Nikolicit janë në kundërshtim me gjetjet ligjore dhe faktike të Tribunalit.
“Kjo retorikë është hap prapa dhe kërcënon procesin e brishtë të pajtimit në ish-Jugosllavi”, ka thënë Bramerc.
Ai i ka bërë këto komente gjatë dorëzimit të raportit të rregullt gjysmëvjetor para Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.
Nikolic ka thënë se masakra e vitit 1995 në Srebrenicë nuk ka qenë “gjenocid”, por “krim i rëndë i luftës”.
Forcat serbe të Bosnjës, të udhëhequra nga ish-komandanti Ratko Mlladic, kanë vrarë rreth 8,000 burra dhe djem myslimanë në Serbrenicë.
Masakra konsiderohet si gjenocidi më i madh në Evropë pas Luftës së Dytë Botërore.



























