UET Alumni, “besëlidhja” e 1386 të diplomuarve
Speciale e Hënë, 4 Qershor, 2012 | 12:33 pmTreqind veta, ndër 1386 ish-të diplomuar të Universitetit Europian të Tiranës, i janë kthyer universitetit për një ditë fundjavën e shkuar.
Takimi, më shumë se akademik, ka pasur si qëllim celebrimin e përbashkësisë së një diplome, traditën e njohur anglo-saksone të networking, por edhe zgjedhjen e strukturave të një organizmi që është themeluar dy vjet më parë e që tashmë do të jetë traditë, “UET Alumni”. “UET Alumni” ka që prej fundjavës edhe kryetarin e radhës me një mandat trevjeçar. Ai quhet Ervin Salianji, ish-student i UET, aktualisht Avokat i Qytetit në Bashkinë e Tiranës. Aktiviteti i pagëzuar “Alumni Day&Night” nisi në mjediset e UET, me takimin e ish-studentëve pjesëmarrës nga e gjithë Shqipëria. 1386 anëtarët zgjodhën strukturat e tyre drejtuese, një asamble me 50 anëtarë dhe bordin drejtues prej 13 vetash, ku bën pjesë edhe ish-kryetari i kësaj shoqate Rudin Lalo, i cili theksoi gjatë fjalës përshëndetëse rritjen numerike që ka pasur shoqata e alumnistave të UET krahasuar me dy vjet më parë, kur ai u zgjodh president. Asambleja zgjodhi mes Adrian Tahirit dhe Ervin Salianjit kandidaturën e dytë si figurën drejtuese për tri vitet e ardhshme. “Kam veçse një mirënjohje që ky angazhim civil, në përfitim të të gjithëve ne, është dëshmi tipike se si Shqipëria po kalon nga shoqëritë e mikut te shoqëritë e rekomandimit e të lirisë. Jeni mbështetës për njëri-tjetrin, për universitetin, për praktikat, për idetë e reja, sugjerimet, projektet. Jeni të gjithë ose po bëheni njerëz me influencë, pasuri, ide, talent, me emër, reputacion, dhe nuk është e mundur që natyra njerëzore disa prej këtyre arritjeve personale të mos ia kalojë shoqërisë, të tjerëve, promovimit të atyre që e meritojnë, dhe kështu po bëni dhe ju. Po lidhim një lloj besëlidhjeje që të jetë aktivitet i përvitshëm. E rëndësishme është ndjeshmëria e përkatësisë së komunitetit”, iu drejtua Henri Çili, administrator i UET, të pranishmëve. Rëndësinë e komuniteteve të tilla të ish-studentëve e theksoi edhe rektori i UET-së, Tonin Gjuraj. “Po nisim një traditë të qëndrueshme të rrjetit të të diplomuarve në UET, që do të jetë i përhershëm dhe do të na ndihmojë që përmes tyre të shohim reagimin e tregut të punës. Ne po ndërmarrim disa reforma për tipologjinë e diplomave që lëshojmë në UET. Ka shumë rëndësi që nga ana tjetër, nëpërmjet jush, ta shohim reagimin, të na thoni hapur çfarë nuk kemi arritur të bëjmë si duhet me ju, që t’ua transmetojmë këtë studentëve aktualë, që nesër do të jenë pjesë e kësaj shoqate. Uroj se do të jeni burim kryesor informacioni për ne. Individë të suksesshëm që janë diplomuar në UET, siç është traditë anglosaksone, nuk do të mungojnë në financimet dhe donacionet si praktikë e njohur”, iu drejtua Gjuraj ish-studentëve para se ata t’u drejtoheshin kutive të votimit.
Rezultatet e votimit u shpallën në mjediset e Palma Novas, në të cilat ishte rezervuar festa e të gjithë alumnistave. Kryetari i ri i UET Alumni-t, Ervin Salianji, përshëndeti të pranishmit duke u treguar mirënjohës dhe duke premtuar eficiencën e tij në këtë pozicion për të shpërblyer besimin e tyre. “Një institucion i gjallë si UET ndikon mbi gjithçka që ai prek, ndikon në mendjet, në ëndrrat, në karakteret e studentëve, në botën e ideve dhe aplikimin e tyre në praktikë, në mbartjen e njohurive dhe inovacioneve në komunitetet në të cilat do të angazhohen në nivel lokal, rajonal, ose ndërkombëtar”, tha ai gjatë fjalës përshëndetëse.
SHIFRAT PAS DIPLOMIMIT
1386 të diplomuar anëtarë të shoqatës “UET Alumni”770 bachelor
586 master në vitet 2009-2012
38% indeksi i diplomimit në kohëzgjatjen normale të ciklit të studimeve
Punësimi i studentëve të UET
75% e të diplomuarve në UET janë punësuar menjëherë
80% e tyre në sektorin privat
20% në sektorin publik
Çfarë është “UET Alumni”
E kanë quajtur “Alumni Day&Night” takimin e përvitshëm ish-studentët e Universitetit Europian të Tiranës dhe kanë zgjedhur datën 1 qershor për t’u mbledhur. Një datë ku simbolika përkon edhe me termin Alumnus, që nga latinishtja do të thotë fëmijë i birësuar, nxënës. Ata që i kanë besuar Universitetit Europian të Tiranës edukimin e tyre janë 1386 dhe janë diplomuar në degët e ndryshme që UET ofron përmes Fakultetit Juridik, Ekonomik dhe atë të Shkencave Sociale, në Bachelor dhe Master. E krijuar në vitin 2010, kjo shoqatë ka si misioni organizimin e ish-studentëve dhe përfshirjen e tyre në aktivitetet e UET, qofshin këto sociale, akademike, ngritje fondesh, publikimin e një gazete ose reviste të karrierës, ofrimin e ndihmesës për rritjen dhe përforcimin e kërkimit shkencor në UET, për të ndihmuar të diplomuarit në UET të ruajnë lidhjet me institucionin e tyre arsimor dhe me të diplomuarit e tjerë. Përveç kësaj, “UET Alumni” mbështet alumni të reja dhe siguron një forum universitar për të formuar miqësi të reja dhe marrëdhënie biznesi.



























