Panorama Sport
Home » Sociale » Serat e Lushnjës, si piqen perimet brenda 24 orëve

Serat e Lushnjës, si piqen perimet brenda 24 orëve

Çfarë produktesh hamë nga fermat e Lushnjës.

Prodhimi në sera, hormonet që pjekin zarzavatet për 24 orë.

Hiletë e simulantëve, eksportohet cilësia e parë, Tirana vetëm produkte “të mbetura”

Paguajmë shtrenjtë, por nuk e dimë çfarë hamë. Ajo shija e dikurshme e frutave, perimeve, mishit dhe gjithçkaje tjetër që quhej e freskët (sot BIO),  vështirë se gjendet në çka konsumojmë përditë.
Tregjet janë të supermbushura me gjithçka, por të merr malli të shijosh vërtet atë që bën diferencën mes cilësisë dhe një servirjeje të këndshme në  pjatë. Tirana këtë pjesë e vuan më shumë. Qytetarët mund të përzgjedhin produktet e ambalazhuara, duke psonisur në një supermarket të shtrenjtë, ndërsa  perimet, frutat në tregje vijnë thuajse nga e njëjta dorë.
Hiletë e serave me hormonet
Serat e Lushnjës dhe të Beratit janë furnizueset më të mëdha të kryeqytetit. Po çfarë ndodh atje? Si i kultivojnë fermerët produktet? Cili është zinxhiri i rritjes së një bime deri në momentin që ne e blejmë? Një vizitë në disa prej këtyre serave dhe bisedat nga afër, fermerët tregojnë shumë. Dekadën e fundit në Shqipëri janë mësuar të gjitha hiletë për të prodhuar shumë e harxhuar pak. Me hormone 5 herë mbi normën e lejuar zarzavatet mund të jenë gati për në treg brenda pak ditësh. Në kushte normale rritjeje do të duhej një cikël që varion nga një muaj deri në 90 ditë. Hormonet në vendin tonë përdoren që prej 7-8 vjetësh. Nga sa na sqarojnë fermerët, në kushtet e konsumit masiv hormonet përdoren në të gjithë botën. Të dëmshme ato janë kur përdoren mbi normën e lejuar. “Standardi është që në 100 mililitra të hidhen 50 gramë hormone. Në Shqipëri ndodh që hidhet 5 herë deri në 10 herë më shumë. Më shumë hormonet  përdoren në dimër”.
Gati për treg për 24 orë
Fermerët e Lushnjës pranojnë se simulantët përdoren jashtë norme në serat shqiptare, pavarësisht se mohojnë që një gjë e tillë ndodh në të tyret. Ata madje na tregojnë edhe procesin se si brenda një jave hidhet në treg një domate që do të donte 90 ditë të piqej, apo se si trangulli brenda 24 orësh bëhet gati për konsum. E njëjta gjë ndodh edhe me shalqinjtë aq të konsumueshëm gjatë verës.
“Ne 100% të mallit e eksportojmë dhe të them të drejtën nuk na leverdis të përdorim hormone, pasi operojmë vetëm me Kosovën, por dimë që në disa sera që furnizojnë tregun vendas, e sidomos kryeqytetin, përdoren hormonet. Trangulli për shembull, i futur në nitrat e azot është gati për treg brenda 24 orëve. Hidhet sa gishti i njërës dorë në një fuçi me nitrat dhe të nesërmen është gati”, thotë Arbër Gjeka, një prej fermerëve të rinj në moshë, por që prej 6 vitesh ka ngritur bashkë më të vëllain 16 000 metra katrorë serë me kushte mjaft bashkëkohore në Divjakë.
Ai na sqaron se simulantë përdoren edhe me shalqinjtë. Nëse me një cikël normal nga mbjellja deri në shitje duhen 3 muaj, me anë të hormoneve që i japin ngjyrë dhe madhësi është gati për shitje brenda 15 ditësh.
Plehrat kimike
Harrojini produktet BIO. Plehrat që përdoren sot për të ushqyer zarzavatet në sera, dhe jo vetëm aty, janë të gjitha kimike. Edhe fshatarët, të cilët tregtojnë, përgjithësisht përdorin të njëjtat plehra. Kureshtarë për të ditur pse zarzavatet nuk kanë më shijen e dikurshme, përgjigjja që marrim nga fermerët është: “Sepse që nga rrënja bima ushqehet me kimikate. Diferenca madje nis që nga fara. Përdoren fara hibride për të marrë sa më shumë prodhim”. Ata nuk ngurrojnë të ngrenë problemin e pesticideve, të cilat shpesh u kanë rezultuar jo cilësore. “Duhet të këtë më shumë kontrolle për plehrat dhe pesticidet. Ne diferencën e bëjmë te çmimi në fakt, përpiqemi të blejmë më të shtrenjtin, pasi në treg ka edhe plehra, fara e pesticide, të cilat janë lirë, por nuk bëjnë një lek”, thonë disa nga fermerët e fshatit Goriçaj të Lushnjës, ku vijoi vizita jonë.
Si dallojnë simulantët
Janë zarzavate që kur i sheh në arka të grishin t’i blesh, por pa pikën e shijes. Domatja e skuqur artificialisht dallohet kollaj, pasi ndërsa jashtë është e kuqe flakë, brenda ka fara jeshile. Trangulli gjithashtu është i butë e pa shije, shalqinjtë gjithashtu. “Problemi më i madh i këtyre produkteve është se ndërsa ka superprodhim, nuk rezistojnë dot për një kohë të gjatë. Ndaj kryesisht simulantët përdoren në fillim të sezonit dhe kanë një shpërndarje të menjëhershme në treg”, thonë fermerët.
“Eksport me forcat tona”
Një pjesë i gjetëm teksa ambalazhonin arka të tëra me domate të destinuara për tregun e Kosovës. Tjetër shije, tjetër formë nga ato që shohim edhe në tregjet më të mira të kryeqytetit. “Këto janë domate të cilësisë së parë. Ne kemi biznes familjar dhe prej vitesh gjithashtu eksportojmë. Shteti nuk na ka subvencionuar asnjëherë, pavarësisht kërkesave që ne kemi për të eksportuar zarzavate edhe në Francë, Çeki, Bullgari. Ne nuk përdorim hormone, mund t’i provoni vetë produktet”, thotë Andrea Thomai, një prej fermerëve të fshatit Goriçaj. Kur e pyesim nëse kjo ka të bëjë me faktin se kur produktet nxirren jashtë vendit kontrollet janë të forta, ai thotë se edhe kjo është një prej arsyeve.
Në Tiranë, të mbeturat
Produktet bujqësore që furnizojnë tregjet e kryeqytetit asnjëherë nuk janë të cilësisë së parë. Këtë fakt na e pohuan të gjithë fermerët që takuam. “Zakonisht në Tiranë vijnë ato zarzavate që nuk kanë të njëjtën cilësi me këto që ne eksportojmë. Abuzimi i tregtarëve atje është me çmimin, pasi u shesin domate që dalin nga serat me një kosto 30 lekë/kg me një çmim mbi 100 lekë/kg. Ata fitojnë më shumë se ne dhe Tirana furnizohet me produkte që lënë për të dëshiruar nga cilësia. Nëse shteti do të na subvenciononte, do ta na mbështeste me ambalazhin, ne do të ruanim të njëjtin standard edhe për tregun vendas, dhe nuk do të kishim zgjedhur vetëm eksportin”, thotë fermeri Andrea Thomai.

Diferenca në cilësi
Cilësia e parë e produkteve bujqësore që eksportohen jashtë dallon nga ajo që furnizon tregun vendas. Diferenca nis që nga farërat që përdoren, plehrat kimike që i hidhen bimës, ambalazhi. Bëhet fjalë për zarzavatet e frutat stinës që nisin që nga domatet, trangujt, patëllxhanët e shalqiri.

Produktet me simulantë
Bujqësia konvencionale bazohet në trajtimin e tokës me përmirësues me plehra kimike, me përdorimin e ujërave të trajtuara, me përdorimin e substancave hormonale, simulantë, përmirësues të pamjes së jashtme të frytit, volumit të frytit. Të gjitha këto teknika sjellin në treg një produkt të bukur, të pashëm, por realisht me vlera të ulëta organo-shijuese, me shije të humbur, por, mbi të gjitha, me një përmbajtje shume të varfër të substancave natyrale që zotërojnë këtë proces të të ushqyerit. Një dietë ushqimore e pabalancuar bën që të shfaqen shenja të dobësimit të shëndetit të njeriut: disbalancim të metabolizmit të organizmit, shfaqje e obezitetit, sëmundjeve psikike, dëmtime të sistemit nervor deri te çrregullimet gjenetike dhe defektet në lindje.

Çfarë është një produkt BIO
Produktet BIO duhet të plotësojnë disa kushte për t’i cilësuar të tilla. Quhen BIO frutat dhe perimet  ku nuk është përdorur asnjë lloj pesticidi sintetik, herbicid, fertilizues. Diferencë bën edhe fara, e cila nuk duhet të jetë e modifikuar  gjenetikisht, të mos jenë trajtuar produktet me rrezatim. “Që një produkt të jetë BIO duhet të jetë mbajtur raportim për gjithçka është përdorur dhe u është treguar rregullisht inspektorëve për kontrollet përkatëse. Gjithashtu toka duhet të mos jetë përdorur as më parë për mbjellje konvencionale dhe madje edhe tokat përreth. Toka e mbjelljes të jetë larg zonave industriale, aeroporteve dhe rrugëve nacionale”, thonë specialistët.

“Produkte të pasigurta, po instalojmë sistem kontrolli”

Intervista/ Flet kreu i Autoritetit të Kontrollit të Ushqimit, Genc Juka

Drejtori i Autoritetit Kombëtar të Ushqimit (AKU), Genc Juka

Kodi i cilësisë kërkohet vetëm për mallrat e eksportit
Sot produktet bujqësore që qarkullojnë në tregun vendas janë të pakontrolluara. Ka dy standarde për cilësinë. Gjithçka që eksportohet, shoqërohet me certifikatë fitosanitare dhe një kod të posaçëm që garanton të gjithë parametrat e rritjes së bimës.
Grumbulluesit e mëdhenj të frutave dhe perimeve ua kërkojnë fermerëve, pasi në të kundërt ata nuk mund t’i dërgojnë jashtë. E pranon edhe kreu i Autoritetit të Kontrollit të Ushqimit, Genc Juka. Në intervistën e tij për gazetën ai shton gjithashtu se zgjidhja e vetme për t’i dhënë fund këtij fenomeni është sistemi i gjurmueshmërisë, i cili po instalohet për herë të parë në Shqipëri nga AKU. E thënë më thjesht, çdo fermer do të jetë i detyruar që mallin që hedh në treg ta pajisë me një kod të posaçëm me anë të të cilit inspektorët e AKU-t do ta kenë shumë herë më të thjeshtë të vlerësojnë cilësinë.
Zoti Juka, nga bisedat me fermerët na u pohua se cilësia e produkteve bujqësore që eksportohen jashtë vendit dhe atyre që hidhen në tregun vendas ka ndryshim. Mund të na thoni pse këto dy standarde dhe a janë të sigurta frutat dhe perimet që konsumatori shqiptar blen sot në treg?
Kjo është një problematikë që ne e kemi ngritur prej kohësh. Për ato produkte që eksportohen, grumbulluesit e mëdhenj, që janë legalë, kërkojnë nga fermerët pajisjen me certifikatën fitosanitare që përmban të gjitha kushtet e rritjes së bimës deri në momentin që hidhet në treg. Në tregun vendas kjo certifikatë dhe ky kod nuk kërkohen, ndaj kemi dy standarde të ndryshme cilësie. Sa i përket sigurisë, mund të themi se produktet bujqësore që qarkullojnë sot janë të pakontrolluara. Ne si institucion që monitoron dhe kontrollon cilësinë kemi gati mendimet në ligj, me anë të të cilave do të mund të instalojmë të njëjtin standard kontrolli. Sistemi i gjurmueshmërisë do të jetë garancia.
Çfarë është ky sistem dhe cilat janë ndryshimet që do të sjellë?
Mbi bazën e këtij sistemi, të gjitha fermat do të jenë të pajisura detyrimisht me librin e fermës. Baza e të dhënave në këtë libër do të jetë e organizuar dhe ne do të dimë me saktësi të gjithë zinxhirin nëpër të cilin kalon çdo produkt. Çdo fermë do të ketë kodin e saj të identifikimit. Në këtë mënyrë do të mund të realizohet klasifikimi i fermave. Aktualisht ka pak të tilla që e kanë këtë kod. E thënë më thjesht, çdo arkë me perime që do të vijë në treg do të ketë gjithashtu kodin e fermës dhe ne do të dimë me saktësi se nga vjen. Vetëm kështu mund të rritet jo vetëm cilësia, por edhe niveli i kontrolleve.
Një problematikë që e shqetëson konsumatorin janë hormonet dhe plehrat kimike, ndërkohë që kemi një tendencë për të blerë të ashtuquajturat produkte BIO. Në fakt, ka të tilla dhe a janë të dëmshëm simulantët?
Produkte të bujqësisë organike, ose BIO, ka shumë pak në Shqipëri dhe shumë pak në botë. Ata konsumatorë që kujtojnë se po blejnë produkte të tilla, qoftë edhe në tregjet e fshatarëve, gënjehen rëndë. Vetë evoluimi i shoqërive ka bërë që sot në tregje të kemi produkte të integruara bujqësore, çka do të thotë produkte që rriten sipas një protokolli të standardizuar dhe një teknologjie bujqësore të kontrolluar. Në Shqipëri kemi gjithashtu edhe bujqësi konvencionale. Përfituesi i kësaj lloj bujqësie nuk merr parasysh asnjë lloj standardi për rritjen e frutave e perimeve, mendon vetëm për përfitimin personal, abuzon me plehrat e simulantët. Ne duam të ndërhyjmë me masa konkrete për të mos lejuar që kjo të ndodhë më. Sa u përket simulantëve apo hormoneve, ato përdoren edhe në botë, por gjithçka e përdorur tej normave është e dëmshme për konsumatorin. Hormoni stimulon rritjen e qelizave dhe madhësinë e tyre, do masën dhe kohën e vet. Kur abuzohet me këtë, marrim një produkt jo cilësor.
Sa kohë do të duhet që në Shqipëri të instalohen këto standarde?
Për ne mbetet një sfidë, por mund t’ju garantoj se po ecet me hapat e duhur.

Nga e derguara jone ne Lushnje/ ZIRINA LLAMBRO

Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Panorama Online. Moderatori


Lexoni Gazeta Panorama ne formatin PDF »»KLIKO KETU

4 Komente per “Serat e Lushnjës, si piqen perimet brenda 24 orëve”

  1. Shqiperia ka qene nje vend me prodhime bio por po e shohim qe fermeret tane kane devijuar ju lutemi instancave perkatese te kontollojne prodhimet se perndryshe prandaj po perhapen shume semundjen e keqe te kancit,ju lutem na shpetoni nga kjo e keqe e perditshme .

  2. Te mjeret ne cfar konsumojme,dhe… pastaj cuditemi me ato qe na shohin syte e na degjojner veshet.

  3. Artikulli eshte shume interesant. Medja duhet te jape informacione te tilla sa me teper, si per informimin e ndergjegjesimin e qytetareve/konsumatoreve ashtu dhe instancave perkatese per marrjen e masave te menjehershme per formalizimin e menyres se prodhimit te produkteve ushqimore. Prej vitesh konsumojme produkte te cilat nuk e dime nese po na ushqejne apo po na helmojne.
    Fatkeqesisht deri tani kemi traguar se ngrejme zerin atu ku nuk duhet dhe heshtim per çeshtjet jetike-te rendesishme.

  4. dashnor balliu

    jam nje emigrant kam 2 vjet i kthyer nga greqia .duke ardhur shpesh ne shqiperi .shkoja ne fshat .ku kam lindur.dhe me ngeli ne mendje shija e mishit.me erdhi ne mendje .te ngrinja nje ferme .me vica majmerie.e fillova .duke blere vica neper fshataret.te vegjel.i ushqeva ne menyre tradicionale.me miser te grire hime jonzhe etj.te prodhuara ne fshat.i nzora ne treg.trgtaret filluan me u talle .i bajta pak shtrejt.nuk mu afroshin.do te fitosh .futi o lale ilace .sdi gjo ky milet.i shita ne tirane .me cmimin e vicit maqedonas.mundohesh te besh mall te mire dhe te mbulon shumica.dhe njerzit jane bere si te hutuar .sdine kujt ti besojne .une jam duke vazhduar me traditen e vjeter.sic i ushqete gjushja.qe kur gatuente mish e ndjente aromen komshiu.

Beni nje Koment


+ 3 = 6

Social Network

AMC universal
Abissnet


VIDEO





Showbiz

Lifestyle

Teknologji

Kuriozitete

© 2013 Gazeta Panorama ONLINE. All Rights Reserved.   Powered by: ikoncept