Shqipëri-BE, përballë edhe në futboll
Kuriozitete e Premte, 1 Qershor, 2012 | 13:42 pmShqipëria dhe Bashkimi Europian janë vendosur dje sërish përballë njëri-tjetrit, këtë herë jo për të plotësuar 12 rekomandimet e vendosura nga Brukseli, por në një ndeshje futbolli. Diplomatë të Komisionit Europian, ministra, deputetë, gazetarë dhe përfaqësues të shoqërisë civile janë ndeshur dje në një takim ku Shqipëria kryesohej nga zv.kryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Edmond Haxhinasto, ndërsa BE-ja nga ambasadori i KE-së në Tiranë, Etore Sekui. Për 90 minuta, diplomatët, ministrat dhe deputetët knaë hequr kostumet e tyre dhe kanë veshur fanellat e sportit, në ditën e fundit të Muajit të Europës, ku u zhvilluan një sërë aktivitetesh të përbashkëta. Sa i përket ndeshjes, fillimisht në avantazh kaloi ekipi i Shqipërisë, ku autor i golit ishte ish-futbollisti i Tiranës dhe Kombëtares shqiptare, Agustin Kola. Goli i barazimit i BE-së erdhi nga një tjetër shqiptar, humoristi i “Portokallisë”, Besart Kallaku, ndërsa Shqipëria kaloi sërish në avantazh me zv.ministrin e Shëndetësisë, Bardh Spahia. Në fund BE-ja barazoi rezultatin, çka bëri që ndeshja të shkonte me penallti. Nga pika e bardhë skuadra e Shqipërisë u tregua më e saktë dhe e fitoi takimin. Trofeun e ngriti kapiteni i Shqipërisë, Edmond Haxhinasto, i cili tha pas takimit se njësoj si kupa e fituar dje, edhe statusi do të fitohet brenda këtij viti.



























