Panorama Sport
Home » Kronike » Miri i Xhikes, arrestohet ish-gruaja

Miri i Xhikes, arrestohet ish-gruaja

Manjola Prifti, ish-bashkëshortja e Mirit të Xhikes

Tiranë, 37-vjeçarja ra në pranga në një lokal në Vaqarr, kërkohet se bashkëpunoi me të shoqin.

Manjola Prifti, akuza për trafik droge e pastrim parash në Itali.

Arrestohet me akuzën e pastrimit të parave e trafikut të drogës Manjola Prifti, ish-bashkëshortja e Mirit të Xhikes, personazhit të vrarë në ambientet e kompleksit “Kartodromi” më 29 mars 2003. Ish-gruaja e të fortit të Rrugës së Elbasanit ra në pranga pasditen e djeshme në Tiranë, për llogari të Policisë dhe Interpolit italian. Manjola Prifti, 37 vjeçe, u arrestua në një lokal që pretendon se e ka në pronësi të saj, në Vaqarr të Tiranës. Arrestimi ka ndodhur gjatë një operacioni të Skuadrës së Operacioneve Speciale. Prej tri ditësh, autoritetet italiane kishin sjellë një urdhër arresti për arrestimin e Manjola Priftit, pasi muajin e kaluar ajo është dënuar në mungesë me 11 vjet burg, me akuzën e “trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike” në bashkëpunim dhe “pastrim parash”. Operacioni për arrestimin e saj është kryer në zonën e Vaqarrit, pas informacioneve që ka marrë Policia për vendndodhjen e saj, në një lokal që ajo ka në pronësi. Në momentin e arrestimit ajo nuk ka bërë rezistencë ndaj forcave të policisë. Manjola Prifti është siguruar në ambientet e izolimit të Drejtorisë së Policisë së Tiranës dhe pritet që t’i vihet në dispozicion dosja e Gjykatës së Romës në Itali, e cila sipas burimeve ende nuk ka mbërritur në Shqipëri. Pasi të njihet me procesin e zhvilluar ndaj saj në mungesë, për t’u përballur më pas me një proces gjyqësor në Tiranë, për njohjen ose jo të këtij vendimi, në mënyrë që të caktohet ekstradimi i saj në Itali, apo do të shlyejë dënimin në ambientet e vuajtjes së dënimit në Shqipëri.
URDHER ARRESTI
Pasi urdhër arresti i autoriteteve italiane iu vu në dispozicion për ekzekutim Policisë së Tiranës, oficerët e Kërkimit dhe ata të Forcës së Posaçme nisën verifikimet e hetimet në terren për arrestimin e 37-vjeçares Manjola Prifti. Burime nga Policia thanë se pasditen e djeshme ekzekutuan urdhër-arrestin, duke vënë në pranga, për llogari të Drejtësisë italiane, të venë e Mirit të Xhikes. Sipas të njëjtave burime, Manjola Prifti është dënuar nga Gjykata e Romës më 27 prill 2012, pas një procedimi penal që kishte nisur ndaj saj në vitin 2005. Në mungesë të saj, Gjykata italiane ka vendosur dënimin me 11 vjet heqje lirie, për akuzat “trafik ndërkombëtar droge” në bashkëpunim dhe “pastrim parash”. Ndërsa sipas të njëjtave burime nga Policia, vendimi i gjykatës ende nuk i është vënë në dispozicion palës shqiptare, por pritet që të mbërrijë brenda pak ditësh, në mënyrë që Prifti të përballet me togat e zeza në Gjykatën e Tiranës që do të vendosë masën e sigurisë.
AKUZAT
Nga të dhënat paraprake të Policisë së Tiranës mësohet se Manjola Prifti ka qenë e shpallur në kërkim nga Policia italiane që prej vitit 2003, kohë kur kërkohej edhe bashkëshorti i saj Fatmir Rama, i cili u ekzekutua rreth një muaj më vonë. Në shkurt të vitit 2003, në Ministrinë e Brendshme në Tiranë mbërriti një kërkesë nga Drejtësia italiane nëpërmjet zyrës së kontaktit Interforce dhe sipas të dhënave hetimore, Fatmir Rama kërkohej në shtetin italian, se ishte pjesëtar i një grupi trafiqesh të paligjshme. Sipas të njëjtës kërkesë, Fatmir Rama ishte shpallur në kërkim që në vitin 1997 në Milano të Italisë, në kuadër të operacionit të koduar “Falco”. Një operacion që synonte të godiste një rrjet të fuqishëm të trafikut dhe shpërndarjes së drogës. Në të njëjtën kërkesë flitej edhe për kryerjen e së njëjtës vepër penale nga Miri i Xhikes, në vitin 2001, që nga përgjimet telefonike, në kuadër të operacionit të koduar “Asterea”, rezultonte që ndodhej në Shqipëri. Sipas burimeve nga Policia, në veprimtarinë për të cilën është hetuar Fatmir Rama nga Italia dhe shpallur në kërkim, deri në anulimin e urdhër-arrestit pas vrasjes së tij, është hetuar për disa vite edhe e shoqja, Manjola Prifti.

Fitoi “Kartodromin”, humbi lokalin në Vaqarr
Gjyqet e Manjola Priftit për atësinë e djalit dhe pasuritë
TIRANE – Manjola Prifti ka pasur një konflikt gjyqësor me kunetërit e saj, për pronësinë e kompleksit “Kartodrom”. Ky konflikt kaloi më pas në ecejake gjyqësore, pasi pretendohej se Miri i Xhikes nuk e kishte njohur atësinë e djalit të tij, Endi Ramës. Në fund, gjykata i dha të drejtë të miturit. Po kështu, Manjola Prifti ka pasur konflikt gjyqësor me pronarin e truallit ku ajo ka ndërtuar një lokal në Vaqarr, Tiranë. Në zbatim të një vendimi të Gjykatës së Tiranës, i cili ka marrë formë të prerë në Apel më 7 mars 2012, ajo duhet t’i kthejë pronarit të tokës, Fari Xh., truallin me sipërfaqe 500 metra katrorë, si edhe objektin e ndërtuar mbi këtë truall. Po sipas vendimit, Prifti duhet të shpërblejë Fari Xh. për përdorimin e truallit dhe objektit të ndërtuar mbi këtë truall në shumë 150 mijë lekë në muaj, duke filluar nga data 25 nëntor 2009 deri në ditën e lirimit dhe dorëzimit të tij. Pronari i tokës i është drejtuar Gjykatës në prill të vitit 2010. Me herët, ai kishte lidhur kontratë me Priftin për sipërfaqen që do të shfrytëzohej prej saj, si edhe qiranë mujore. “Paditësi i ka dhënë të paditurës me qira një magazinë prej 500 m2, për ta përdorur për aktivitet privat lokal, ndërkohë që e paditura duhet t’i paguante paditësit një qira mujore prej 150 mijë lekësh”, thuhej në vendim. Por pas nëntorit 2009 ajo nuk kishte paguar më dhe as e lironte objektin. “E paditura në prapësimet e saj deklaroi se ajo në objektin e paditësit, të cilin e ka marrë me qira, ka bërë investime, duke e kthyer në një aktivitet privat të sajin dhe se vlera financiare e investimeve ishte në një shumë të konsiderueshme. Po kështu, e paditura deklaroi se mospagesa në kohë e qirasë mujore ishte bërë për shkak të vështirësive financiare të saj”, thuhej në vendim. Manjola Prifti ka qenë palë edhe në një tjetër proces gjyqësor, ku është paditur nga familjarët e ish-bashkëshortit të saj, Fatmir Rama, i njohur si Miri i Xhikes. Në korrik 2008, Gjykata e Tiranës pranoi kërkesën e familjarëve të Ramës, për shpalljen të pavlefshme të regjistrimit të fëmijës së Priftit në trungun familjar të familjes Rama.

Kredia për djalin
Në dhjetor të vitit 2009, Manjola Prifti ka kërkuar në Gjykatën e Tiranës autorizim për shlyerjen e një kësti kredie në një bankë të nivelit të dytë në emër të djalit të saj të mitur. “Lëshimin e autorizimit për shlyerjen e këstit të kredisë të marrë nga Banka Kombëtare Greke-Dega Tiranë në emër të fëmijës së mitur E. Rama”, thuhej në objektin e kërkesës. Për shkak të mosparaqitjes në Gjykatë ditën e gjyqit, Gjykata e Tiranës e ka pushuar këtë çështje.

Kthimi nga SHBA për “Mirin e Xhikes”

Fatmir Rama me të birin, Endin

TIRANE – Manjola Prifti, 37 vjeçe, e ka lindur në SHBA fëmijën e saj Endin, i ardhur në jetë nga lidhja me Mirin e Xhikes. Juristja është njohur me Fatmir Ramën në vitin 1995 dhe prej asaj kohe ka pasur një lidhje të fortë me njeriun, që më pas u bë de fakto bashkëshort i saj. Nga lidhja me Mirin e Xhikes, juristja mbeti shtatzënë dhe në vitin 1999 u vendos në SHBA, ku lindi edhe djalin, Endi Ramën. Ai erdhi në jetë më 10 mars 2000 në Shtetet e Bashkuara, në një spital në Bruklin të Nju Jorkut. Po atë vit, në vjeshtë, pasi djali i saj që kaloi 3-muajsh mori pasaportën amerikane, Manjola Prifti u kthye në Shqipëri. Ajo u vendos në shtëpinë e Fatmir Ramës, ku jetoi deri në momentin e vrasjes së tij më 29 mars 2003. Gjatë kësaj kohe, ne jetën e Fatmir Ramës (Miri i Xhikes) kishin ndodhur shumë gjëra të vrullshme. I njohur si një personash i fortë dhe me ndikim në botën e nëntokës e të politikës, ai realizoi një investim të rrallë për kohën dhe modelin e tij. Plot 4 milionë dollarë u shpenzuan në ndërtimin e të parit kompleks të atij lloji në periferi të Tiranës, “Kartodrom 2000”. Një imazh që tërhoqi vëmendje iu shtua zonës së Lundrës, ndërsa ecuria e biznesit shkoi për mrekulli deri në fund të marsit 2009. Teksa Shqipëria mundte Kombëtaren e Rusisë në një ndeshje historike futbolli në stadiumin “Selman Stërmasi” në Shkodër, Miri i Xhikes me disa miq të rrethit të afërt ndodhej në kompleksin qe vetë kishte ndërtuar, “Kartodrom 2000”. Teksa ndeshja Shqipëri-Rusi ishte në sekondat e fundit, dikush qëlloi me breshëri armësh nga jashtë kompleksit drejt tavolinës ku ndodhej Miri i Xhikes. Nga pesë persona që ndodheshin aty, dy prej tyre u vranë dhe dy u plagosën. Ylli Kelmendi, shok i Fatmir Ramës, ishte në banjë dhe sapo kishte dalë për t’u drejtuar tek tavolina në çastin e të shtënave. Ai u kundërpërgjigj dhe kjo shërbeu për ndërprerjen e zjarrit nga jashtë godinës. Nga hetimet aty ishin përdorur dy armë kallashnikov, ndërsa atentatorët kishin qenë të maskuar. Për këtë ngjarje u dënua Lavdërim Tufa me 20 vjet burg, por motivi i vrasjes mbeti i pasqaruar.            tr.so

ETLEVA DELIA

Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Panorama Online. Moderatori


Lexoni Gazeta Panorama ne formatin PDF »»KLIKO KETU

Beni nje Koment


+ 7 = 11

Social Network


Abissnet


VIDEO





Showbiz

Lifestyle

Teknologji

Kuriozitete

© 2013 Gazeta Panorama ONLINE. All Rights Reserved.   Powered by: ikoncept