Himarë, sezoni i plazhit çelet me shkatërrime. Guida, 11 monumente dhe 11 plazhe që duhen vizituar
Argument e Hënë, 28 Maj, 2012 | 12:12 pmVendet piktoreske që ndodhen në malet dhe bregdetet e Himarës.
Guida, 11 monumente dhe 11 plazhe që duhen vizituar.
Mal, det, pak më tutje ca fusha të vogla. Himara është një ndërthurje peizazhesh natyrore, por ku duket fuqishëm edhe ndërhyrja e dorës së njeriut.
Prezantimi i parë është me Himarën e vjetër, ku dominon ashpërsia e relievit dhe që vijon derisa zbret në qytezë. Aty shfaqen paralelisht mali në njërën anë dhe deti në anën tjetër. Që të dyja me 21 vende piktoreske që duhen vizituar patjetër; janë 11 monumente (kryesisht kala dhe manastire) dhe 11 plazhe për të mos u humbur…
Monumentet
Kalaja e Himarës – Është qyteti i vjetër i Himarës. Ajo ka shenja qëndrueshmërie të vazhdueshme për më shumë se 3.500 vjet. Nëna e Krishtit – Një kishë bizantine me një ikonën e nënës së Krishtit, që besohet se është e mrekullueshme. Në periudhat e thatësirës, populli i Himarës i këndonte kësaj ikone, në mënyrë që të niste shiu. Të gjithë Shenjtorët – Kisha është ndërtuar rreth vitit 1775, në hyrje të Kalasë. Aktualisht kjo kishë është rinovuar dhe quhet katedralja e Himarës. Manastiri i Virgjëreshës – Në shpatet e malit, mbi Himarë, ndodhet Manastiri i vjetër i Virgjëreshës. Duhet të keni parasysh se aty duhet ecur vetëm në këmbë. Manastiri i Shën Theodhorit – Ky monument ndodhet midis fshatrave Liate dhe Drimadhas. Siç lë të kuptohet vetë emri, ky manastir i është kushtuar Shën Theodhorit. Manastiri Dymadon (Drimadhes) – Vendndodhja në kulmin e fshatit Drimadhes bën që ky manastir të dallohet që larg. Për më tepër është i lyer komplet me ngjyrë të bardhë. Kalaja Palermo – Ndodhet në jug të Himarës, në një gadishull të vogël, në një gji të mbyllur dhe të siguruar. Është e ndërtuar nga Ali Pasha i Janinës, në fillimet e shekullit të nëntëmbëdhjetë dhe ende është në gjendje të shkëlqyer. Qepari i Vjetër – Është fshat piktoresk, që me arkitekturën tradicionale, rrugët me kalldrëm guri dhe kishat e vjetra përbën imazh magjik. Me interes të veçantë janë mbishkrimet në shtëpi të ndryshme. Manastiri i Shën Dhimitrit – Është me ngjyrë të bardhë dhe i kushtohet Shën Dhimitrit, ndodhet në Qeparoin e Poshtëm. Kalaja e Sopotit – Në afërsi të fshatit Borsh, përgjatë vijës malore, shtrihen rrënojat e kështjellës bizantine të Sopotit. Kalaja është e vështirë për t’u ngjitur me makinë dhe hyrja lejohet vetëm në këmbë. Shpella e Piratëve – Në veri të Himarës, në plazh, ka një shpellë të madhe që mund të arrihet nga deti. Vendi është i mahnitshëm dhe plazhi i qetë, ideal për të notuar.
Plazhet
Himara është e njohur për plazhet e saj të mrekullueshme, shumica e të cilave janë me gurë të vegjël, edhe pse disa kanë rërë. Ndër ta veçojmë: Spillea, plazhi qendror i Himarës tërheq shumë vizitorë në verë. Në pika të ndryshme uji i detit është i ftohtë, për shkak të burimeve nëntokësore. Kala – Në dalje të lagjes Kala, një rrugë të çon në plazhin më të madh të qytetit, në Livadh (Zamar). Porto-Palermo – Duke u nisur nga Spillea, në drejtim të jugut, pas plazhit të Llamanit, në qafën e Lerës, shfaqet një ndër pamjet më të bukura të Jugut, gjiri i Porto-Palermos. Tabloja është vërtet e veçantë. Në një liman me ujëra të kaltra e të qeta, shtrihet një gadishull i vogël mbi të cilin dallohet kalaja. Pilur – Nga Kudhësi, rruga malore të çon në ballkonin e bregdetit, në Pilur, ose siç njihet ndryshe, fshati i këngës. Vuno – Rrugë me kalldrëm dhe terren tepër i thyer është ajo çfarë bie në sy gjatë kalimit për në Vuno. Ndërsa zbritja në det kalon nga Gjipea, një ndër plazhet piktoreskë, me rërë, ujë të pastër dhe një bregdet tërësisht shkëmbor. Dhërmi – Ky plazh është ndër më të frekuentuarit. Është bregdet që preferohet thuajse në çdo stinë. Në verë për plazh, gjatë stinëve të tjera për ushqim buzë detit. Të pasionuarit dhe eksploratorët e botës nënujore mund të shijojnë zhytjet, ku thellësia joniane nis që në breg. Shkëmbinjtë që mbyllin plazhin janë labirinte të vërteta natyrore. Vijimi i shëtitjes përgjatë bregdetit shkëmbor, masive që bien thikë mbi det fshehin edhe shpella mjaft interesante për t’u vizituar. Palasa – Plazhi ka shtrirje mbi 1.5 km. Ai shërben si vend pritjeje për të apasionuarit pas sporteve të ajrit, të cilët hidhen me parashutë nga Qafa e Llogorasë dhe bien pikërisht në Plazhin e Palasës. Shpella e Piratëve – E përmendëm më lart si monument dhe tashmë po i rikthehemi si plazh. Pra, duhet vizituar patjetër! Gjendet në kodrinën ku është vendosur Manastiri i Shën Todrit, në fshatin e Dhërmiut. Është shpellë karstike dhe emrin i ka ngelur kështu, pasi legjendat thonë se aty strehoheshin piratët e detit me anijet e tyre. Borsh – Ndodhet rreth 2 km larg fshatit Qeparo; një sipërfaqe e gjelbër, plazh e det pa fund. Ky fshat është i vendosur në një gropë të ngushtë sipër buzës së detit, ku derdhet përroi i Borshit (Buronja e Malit). Në majë të shkëmbit ngrihet Kalaja e Borshit, që i përket shekullit IV para Krishtit. Lukova – Këtu shkohet duke kaluar nga Buneci. Banesat lidhen nëpërmjet rrugicave me plazhet intime, si dhe shpellat.
Kamping
• “Bongos Summer”
• Kamping “Jal”
• “Totoreto”
• Kamping Rinor “Jal”
• Kamping “Qeparo”
Himarë: Hiqen parullat në greqisht
Kryetari i Bashkisë së Himarës, Gjergji Goro, ka pastruar qytetin nga tabelat helene. Ndërsa disa muaj më parë ishte vështirë që të gjeje një parullë apo reklamë në shqip, edhe pse ishim në një territor të Shqipërisë. Gjithçka ishte shkruar në greqisht, ndërsa edhe komunikimi po njësoj. Por hapja e sezonit veror e ka gjetur Himarën me gjuhë dhe biseda shqipe. Ata që më parë thoshin se “nuk dinin shqip”, në muajin maj janë “gdhirë” shqiptarë. Për shembull, himarjotin Dhamo Kokaveshi e gjejmë duke lexuar gazetën “Panorama”, për të cilën thotë se e ka të preferuar…
Himarë, sezoni i plazhit çelet me shkatërrime
Çfarë ndodhi gjatë dy javëve të fundit në Himarë
Kreu i shoqatës “Bregdeti”: Himara pa drita, ndërsa Qeparoi prej muajsh s’furnizohet me ujë
Këto dy javë, të gjitha lajmet erdhën nga Himara. Që nga hapja e sezonit veror, e deri te transferimi i aktiviteteve politike buzë detit.
Gjithçka nisi në mesin e majit, kur me iniciativë të Bashkisë së Himarës, qyteti organizoi festa të mëdha me rastin e çeljes së sezonit turistik. Një iniciativë që duhet përgëzuar dhe inkurajuar edhe për vitet e tjera në fakt, për shkak se akomodimi, ushqimi dhe argëtimi ishte falas. Ndërsa rezultati ishte tejet fitimprurës. Tri ditë me guida në vendet piktoreske në det, në mal, në pyll, si dhe dy net bashkëjetese me muzikë shqip-greqisht, kur për herë të parë dominuan ritmet nga Shqipëria dhe Kosova. T’ia japim me të drejtë këtë meritë Gjergji Goros, që në mandatin e tij të parë si kryebashkiak, jo vetëm që arriti të realizojë një promovim fantastik, por edhe uli më në fund tensionet nacionaliste të krijuara vitet e fundit në Himarë. Ashtu siç do t’i japim edhe kritikat. Ne, me atë çfarë pamë dhe që po i sjellim nëpërmjet fotove, ndërsa banorët e Himarës me vështirësitë që përballen në çdo verë.
Rrënimi i bregdetit
Ndërtim të turizmit përmes shkatërrimit. Kështu e ka çelur Himara zyrtarisht sezonin e ngrohtë. Përgjatë gjithë vijës bregdetare që nga Dhërmiu e deri në Himarë, anash plazhit gjenden me dhjetëra ndërtesa të hedhura në tokë. Ndër to, edhe “Havana”, disko-club i famshëm i viteve të fundit, epiqendra e argëtimit të natës në Jug për të rinjtë. Pavarësisht rrënimit, pronarët po e ngrenë sërish që nga themelet. “Madje do ta bëjmë edhe më të bukur, më madhështore”, thonë ata, duke pretenduar se shembja e “Havanës” ishte në kundërshtim me ligjin. Njësoj deklarojnë shumë pronarë të tjerë, të cilët me dokumente ndër duar tregojnë se objektet që ua rrënoi Bashkia e Himarës kishin leje të rregullt. Sakaq, ata që i kanë ndërtesat ende në këmbë i paraprijnë më të keqes. Për të mbajtur larg rruspat e Inspektoratit “të shkatërrimit”, ka nga ata pronarë që kanë shkruar me germa të mëdha parulle lejen e ndërtimit dhe e kanë afishuar në rrugë. “U mërzita që më kërkonin për çdo ditë dokumentacionin e ndërtimit. Mirë nga Himara, por vinin edhe nga inspektorate të qyteteve të tjera; që nga Vlora e deri në Tiranë. Kështu që vendosa që ta shkruaja me të madhe nr. e lejes së ndërtimit që kam marrë pranë Bashkisë Himarë, si dhe nr. e protokollit. Për çdo gjë le të drejtohen për verifikim pranë zyrave të shtetit”, thotë Robert Rondo. I kthyer pas 20 vitesh nga Greqia, ai po ndërton një hotel në Himarë, vetëm pak metra larg bregdetit. I pëlqen se si ka ndryshuar vendlindja e tij gjatë dy dekadave të fundit, por ka edhe shumë rezerva. “Tensioni i energjisë është shumë i dobët. Unë mezi mbaj pajisjet shtëpiake në punë, nuk e di se si do t’ia bëj kur të vë në funksionim hotelin. Për shkak të mbingarkesës në rrjet, dritat ikin shpesh, ndërsa edhe uji i pijshëm është problem. Përveçse është me kufizim në orare, është edhe shumë i kripur. Sikur vjen direkt nga deti”, vë në dukje Rondo. Një konstatim që vjen jo vetëm nga pronarët dhe biznesmenët e tjerë të Himarës, por nga të gjithë qytetarët. Për ta verifikuar, hapëm një rubinet uji pranë një lokali. E rrotulluam deri në fund, por nuk doli. U rikthyem në të njëjtin vend pas 3 orësh. Uji tashmë kishte ardhur, por i afrohej shijes së shëllirës…
Debatet politike
Disa parti zgjodhën Himarën për të zhvilluar aktivitetet politike gjatë majit. Nga aktivitetet rinore të PD-së, të LSI-së, të Aleanca Kuq e Zi etj. dhe deri te debati kombëtar i PS-së për zhvillimin e bregdetit. Në një nga lokalet e qytetit, pranë bregdetit, kryesocialisti Edi Rama dëgjoi me radhë banorët e zonës që u ankuan për grabitjen e tokave, duke u dhënë përgjigje me seriozitet. Përveç një momenti. Një grua rreth të 60-tave, e indinjuar për ndarjes e pronave në bregdetin e Himarës, që sipas saj, ishte bërë në mënyrë të padrejtë, tha: “Zoti Rama, nga sot do të jem me ty. Sepse unë për 20 vite kam votuar PD-në. Kam qenë fanse e Sali Berishës…”. “Ngushëllime sinqerisht”, ia preu Rama shkurt, ndërsa të pranishmit qeshën gjatë. Por për Miço Zhupën, që kishte marrë rrugën që nga Qeparoi, ky aktivitet nuk kishte nevojë për shaka. “Ne kemi nevojë për ndihmë, jo për humor. Himara është e vetmja Bashki në Shqipëri që nuk ka një stacion energjetik të sajën. Derisa energjia shpërndahet në Qeparo, humbet shumë në rrjet dhe tensioni është jashtëzakonisht i ulët. Vetëm llambat e ndriçimit, frigoriferin dhe një televizor mund të mbajmë ndezur në shtëpi. Sa i përket ujit, nuk na vjen fare”, thotë Zhupa, kryetar i degës së shoqatës “Bregdeti”, që përfshin 7 fshatra të Himarës. Si i tillë, ai gjen rastin të theksojë se nuk e njeh ligjin 7501. Një ligj për të cilin kishte ardhur Rama deri në Himarë. Dhe para tij, kundërshtarët apo aleatët. Në dy javët e fundit, Himara u shndërrua në epiqendrën e kuvendeve politike.
Çmimet
Çmimet janë debati i përvitshëm i pushuesve. Jo edhe aq shumë për shkak të shtrenjtësisë, se sa të shërbimit të dobët. Për të mos folur pastaj kur ndonjëherë bëhen të dyja bashkë… Po japim një panoramë çmimesh, pa komente. Në Dhërmi: Çadra dhe shezlongë në dispozicion të pushuesve për 500-600 lekë. Për të parkuar makinën pranë plazhit, deri 300 lekë. Dhomat në fshat kushtojnë rreth 30 euro, ndërsa ato në hotele nga 50-70 euro. Jala: Ujërat e kristalta këtu vende-vende marrin ngjyrën e smeraldit. Plazhi është i vogël, por çmimet për t’u relaksuar pranë detit në shezlong bëhen më të përballueshme: 300 lekë. Dikush luan Beach Volley, dikush tjetër me letra. Nata në dhomat pranë shtëpive janë diku nga 3500-4000 lekë. Himarë – Çmimet këtu rriten sërish. Për të qëndruar nën hijen e çadrës, duhen nga 500-700 lekë. Dhomat në hotele dhe garsoniere variojnë nga 35-60 euro, qëndrimi në resort deri 110 euro për natë. Për të shijuar Himarën, por jo çmimet e kripura të saj ekzistojnë edhe alternativat: qëndrimi në kamping. I zgjedhur nga familjarë, të huaj, sigurisht edhe nga të rinjtë. Për vetëm 500 lekë nata, aty je i siguruar. Potam – Dy km larg Himarës, gjendet Gjiri i Llamanit. Përpos shezlongëve, që kushtojnë 500 lekë, për ata që dëshirojnë të jenë më në privatësi, ofrohen edhe ambiente private. Për një ditë ndryshe, pak km larg Himarës gjendet kalaja e Porto Palermos. Pagesa 100 lekë për të vizituar ambientet e kalasë së shekullit të XIX, të cilën Ali Pasha Tepelena e ndërtoi në ndër të gruas së tij, Vasiliqisë.
Nga e dërguara jonë
në Himarë, ELISABETA ILNICA








































Po ti krahasosh me cmimet e greqise jane ku e ku me te larta, nuk po futem ne cilesine e sherbimit qe nuk ka asnje lidhje. megjithese e dua shume vendin tim perseri do te shkoj ne Greqi dhe Turqi kete vit, eshte te pakten 30-40 % me lire. Vjet nje apartament 1+1 ne Kalkidiki kushtonte 30 Euro nata, me kondicioner, me te gjitha kushtet, cmimet e ushqimeve ne supermarkate shume me te lira se ne shqiperi, dhe parkim per makinen sa te doje dhe falas ne te gjithe bregun. E duam shqiperine por jo qe te me vjedhin bashk-atdhetaret.
Sa pamje te bukura ! loooooooooooooooooool
PO MIRE E BEN SALI BERISHA QE SI LE TE NGREN KOKE. ketyre nga himara e saranda ….. SE ME 70 EURO NE DITE KE HOTELE NE MAL TE ZI e ne KROACI dhe me keto cmime eshte dhe SLLOVENIA dhe gjithshka me standarte te larta e me cilesi ushqimi te mire ..mos te themi ne TURQI qe esht akoma me lire ne cmime por dhe gjithshka ne sherbim ne klientit … si thoni ju … kerkojne te konkurojne me keto cmime qe i ka evropa duke ngritur ca cadra e ca kasolle … e i quajne vila…
@turisti & ADRIAN
Ju zoterinj akoma nuk keni kuptuar se cdo te thote ekonomi tregu. Eshte thjesht kerkese-oferte. Nese ne Greqi cmimet jane me te lira, sigurisht qe jo ju po kushdo mud te shkoje atje. Vetem keshtu Himariotet apo dhe te tjere do kuptojne se jane ne ajer dhe po qe se bizneset i kane per te jetuar e jo per te pastruar para, do t’i ulin cmimet.
Kurse shteti me Sali Berishen ne krye s’ka pune fare. Me sa lexova duket sheshit qe qeveria as e vret mendjen fare per turizmin ashtu sikurse edhe per sektore te tjere akoma dhe me jetike si arsimi e shendetesia.
Me vje shume keq per bashkekombasit e mij dhe jane ne fakt per tu adhuruar per sakrificat qe bejne per te mbijetuar
Or ,zoteri ,cka eshte kjo more ndreq e prish.Kjo kushton dhe asht humbje kohe dhe asht stagnim.
Si asht t mundur kjo ,nuk mundem me e kuptue.
Ku asht Departamenti i Urbanistikes.Planifikimi urban.
Ku asht e rendesishmete ndertohet rruga do te ndertohet rruga ,Ku asht me rendesi te ndertohet nje pompe benzini duhet te ndertohet,Hotelet motelet te ndertohen sipas standardeve evropjane,pse nuk kane kaso lloj probleme kroatet me detin dhe planifikimin e tyre.Kroatet nuk jetojne me avazin “ndreq e prish”,por ata e planifikojne se sa hotele per turiste duhet te ndertohen dhe ku do te ndertohen ato.
Eshte mjeri me i pa keto ndertesa te shkateruara me materiale te prishura me vlere deri ne mijera euro.
Kjo nuk ndodh as ne Afrike.