Panorama Sport
Gazeta Panorama zgjedhje 2013
Home » Opinion » A duhet të krenohemi për shtimin e të burgosurve?

A duhet të krenohemi për shtimin e të burgosurve?

KOLI BELE Më datën 13 maj, disa media raportuan se Kryeministri Berisha në takimin e një dite me parë më krerët e Gjykatave të Larta të Europës Juglindore, si rrallë ndonjëherë, vlerësoi punën e Gjyqësorit e sidomos Gjykatën e Lartë të vendit. Sipas Kryeministrit, ishte sukses për Drejtësinë rritja e numrit të burgosurve, ku “gjatë vitit 2005 në burgjet shqiptare vuanin dënimin 1800 persona, ndërsa aktualisht ky numër ka arritur në mbi 5000”. Duke qenë se temat e ditës janë Presidenti e reforma zgjedhore, kjo deklaratë kaloi pa shumë vëmendje medietike, e ndoshta mund të harrohej si një lapsus. Por duket se Kryeministri e ka “për zëmër” këtë argument, pasi në uebsajt e KM, më 4.04.2012, njoftohet se në takimin me raportuesit e Asamblesë Parlamentare të KE-së, Kryeministri ilustroi progresin e vendit në lidhje me pushtetin gjyqësor, me rritjen e numrit të të dënuarve që pas vitit 2005! Duke e marrë të mirëqenë këtë shifër, është e vështirë të kuptosh se si trefishimi i të burgosurve mund të shihet si tregues zhvillimi në një shoqëri demokratike, vetëm nga fakti që sot 3200 familje shqiptare kanë nga një familjar të burgosur me shumë sesa në vitin 2005. Po kështu, përmirësimi i gjendjes së të burgosurve është një nga 12 kriteret e papërmbushura të integrimit të vendit në BE, burgjet kanë qenë të tejmbushura edhe në vitin 2005 e kapaciteti i tyre nuk është trefishuar. Për ata që nuk besojnë apriori çdo raportim propagandistik qeveritar, e kërkojnë të kenë opinion të vetin, ashtu si në çdo fushë tjetër të jetës publike në Shqipëri, edhe për  gjendjen e të burgosurve është e vështirë të gjesh statistika e raporte analitike. Në uebsajtin e Ministrisë së Drejtësisë gjenden me shumicë foto e fjalime të ministrit të radhës, ndërsa në uebin e Drejtorisë së Burgjeve, i vetmi informacion janë disa tabela Exel, nga ku rezulton se në vitin 2011 Shqipëria ka rreth 4700 të burgosur, nga të cilët rreth 1900 janë në paraburgim, e mbi 1000 prej tyre janë për akuza që lidhen me lëndët narkotike. Në raportin e  KE-së për gjendjen e institucioneve penitenciarë në Europë, raportohet se në janar 2009 Shqipëria ka pasur 4.482 të burgosur, përfshi edhe paraburgimin për një kapacitet maksimal të deklaruar prej 4.340 vendesh, ndërsa në shtator 2005 kanë qenë 3.425 të tillë. Duke besuar këto shifra, duhet thënë “shyqyr Zotit” që, me gjithë krizën ekonomike dhe rritjen galopante të kriminalitetit, situata nuk është aq dramatike sa e beson Kryeministri i vendit, kur deklaron për trefishim të numrit të të dënuarve, me të njëjtin entuziazëm e “besueshmëri”, siç deklaron për trefishimin e rrugëve, ullinjve, GDP-së, pagave etj. Gjithsesi, numri i të burgosurve është rritur me 30/40 % në 7 vitet e fundit, edhe kjo shifër është vërtet shqetësuese, e po ashtu është shqetësuese “bindja kryeministrore” se kjo rritje burgimesh është tregues suksesi e zhvillimi. Kjo duke pasur parasysh që, krahas institucioneve të drejtësisë, ndikimin më të madh në mbushjen apo zbrazjen e burgjeve e ka maxhoranca, e cila nëpërmjet ekzekutivit dhe shumicës parlamentare ndërton dhe zbaton politika zhvillimi ekonomik dhe social që mundësojnë që më pak individë t’i drejtohen rrugës së krimit e, për pasojë, burgut. Po ashtu, hartimi i ligjeve penale dhe zbatimi i tyre nga shërbimet e policisë ndikon drejtpërdrejt në shtimin apo pakësimin e popullatës së burgjeve. Sot, kur kanë kaluar 7 vite qeverisje, është e qartë se premtimet e para vitit 2005 për “burgosjen e qindra banorëve të drogës që ishin lidhur me qeverinë dhe ish-kryeministrin mafioz, që kishin kthyer Shqipërinë në Kolumbinë e Europës, etj., ngelën retorika politike, që sigurisht i shërbyen opozitës së atëhershme për të ardhur në pushtet, por jo imazhit të vendit e afrimit me BE-në. Duke u kthyer tek shifrat e D.P.Burgjeve, por edhe nga një vëzhgim i faqes së internetit të Gjykatës së Tiranës, ku gjykohen gati 50% e çështjeve në shkallë vendi, rezulton se burgjet në vitet e fundit janë “përmbytur”, tejmbushur me dy kategori të dënuarish: për vjedhje dhe lëndë narkotike. E para sigurisht lidhet me shtimin e varfërisë, problemet sociale në familje e komunitet, dhe mungesën e shkollimit e punës. Ky fenomen është më i prekshëm në periferitë e kryeqytetit, ku shumica e vjedhjeve kanë për autorë ata adoleshentë e të rinj, që përgjatë 20 viteve të fundit kanë shitur paketa e çamçakëzë në rrugë, duke mos pasur asnjë mundësi shkollimi e integrimi. Kategoria e tjetër e madhe e të burgosurve lidhet me mbajtjen e tregtimin e lendeve narkotike, ku vetëm në Gjykatën e Tiranës, për vitin 2011 janë 125 çështje në gjykim në paragrafin e parë të nenit 283 të Kodit Penal. Sikur të mos mjaftonte keqshkruarja dhe keqinterpretimi shumëvjeçar i këtij neni të K.Penal nga gjyqtarë të ‘zellshëm’, në vitin 2005 Kolegjet e Bashkuara të Gjykatës së Lartë kanë nxjerrë një vendim unifikues, i cili ka krijuar bazën që burgjet të mbingarkohen me përdorues të lëndës narkotike. Ndryshimet e Kodit Penal të miratuara së fundmi ishin një shans i humbur për të rregulluar së paku këtë dispozitë, në një kohë që me këmbënguljen qeveritare u miratuan dispozita qesharake si ajo “Për korrupsionin e anëtarëve e të një gjykatë apo jurie të huaj”. Por, përtej dramave personale dhe familjare që krijohen për qindrat dhe mijërat e përdoruesve të lëndëve narkotike që po burgosen për posedimin e një apo disa dozave kanabis, apo edhe lëndëve të tjera, cila është ardhmja e kësaj kategorie të rinjsh e adoleshentësh të cilët e fillojnë jetën nga shkolla e burgut? Çfarë mundësish për punësim e integrim shoqëror do të kenë ata? A nuk ka gjasa që shumica e tyre, pasi të hyjnë e të dalin disa herë nga burgu që në moshë të re, të “diplomohen e masterizohen si kriminelë në profesion të lirë”? Të njëjtat pyetje vlejnë edhe për të ardhmen e fëmijëve në  ato familje ku babai apo nëna ndodhet në burg për kultivimin e disa bimëve kanabis, në një kohë që në oaze të caktuara të lejuara nga policia mbillen hektarë të tëra. Këto pyetje e shumë të tjera duhet t’ia bëjë vetes Kryeministri para se të përgëzojë Gjyqësorin për mbushjen e burgjeve, por edhe ata gjyqtarë që zgjedhin të bëjnë rolin e “inkuizitorëve të mëdhenj, sigurisht jo për arsye humaniste!” Për ta ilustruar rolin e Gjyqësorit, në vitin 2011 në Gjykatën e Tiranës, midis shumë vendimeve për disa gramë kanabis, të bëjnë përshtypje dy të tilla: Vendimi nr.543, datë 07.04.2011, për një të mitur i cili në kohën e kryerjes së veprës penale ishte vetëm 16 vjeç e 7 ditë, përdorues i lëndës narkotike, i kapur me 1.8 gramë kanabis, i padënuar më parë, ku megjithëse prokurori kërkoi dënimin më kusht, gjykata vendosi dënimin me 2.5 vite burg. Në një rast të ngjashëm, i njëjti trup gjykues për një të mitur 15-vjeçar përsëri vendosi dënimin me 2 vjet burg, me gjithë kërkesën e prokurorit për dënimin më kusht. Dhe raste të ngjashme gjen kudo në Shqipëri, ku vetëm para pak ditësh, në Gjykatën e Lezhës, një përdorues i kanabisit për posedim të 2.4 gramëve, gjykata e dënoi me disa vite burg, megjithëse prokurori kërkoi kusht. Ka ardhur koha që KLD e Ministria e Drejtësisë, në vend që të harxhojnë kohën më seminare teorike për korrupsionin, të mbledhin e krahasojnë të dhënat e vendimeve gjyqësore duke shtruar pyetjen se përse në disa raste, në mënyrë selektive, qytetarë shpesh adoleshentë, pavaresisht rrethanave lehtësuese, dënohem më burgime disavjeçare për pak gramë kanabis, që në të njëjtat gjykata të tjerë dënohen me kusht, edhe pse kapen me kilogramë! Ose, përse disa gjyqtarë bëjnë dorën e hekurt ndaj të akuzuarve që vijnë nga shtresa të margjinalizuara, si jetimët, romët etj., të cilët pothuajse të gjithë mbrohen me avokatë kryesisht, që marrin pjesë vetëm formalisht në gjykim. Disa fjalë të “mençura” për ta mbyllur! Zakonisht, në një artikull “thëniet e mençura” nga njerëz të famshëm vendosen në hyrje, por kam zgjedhur t’i vendos dy të tilla në mbyllje, për ata lexues do kenë durimin t’i shkojnë në fund një shkrimi që flet për atë pjesë të shoqërisë, që gjithashtu “renditet në fund të klasifikimit shoqëror”. Mandela, pa dyshim i burgosuri më i famshëm i shekullit XX, është shprehur: Askush nuk mund ta njohë vërtet një komb (shtet) nëse nuk ka qenë brenda burgjeve të tij. Një shtet nuk duhet gjykuar nga mënyra si i trajton qytetarët e tij më të lartë, por ata më të ulëtit! Ndërsa një politikan i shquar amerikan i shekullit XIX, Horace Mann, i njohur për rolin e tij aktiv në modernizimin e sistemit shkollor në USA, është shprehur: Burgu është kompensues i shkollës, sa më pak vite të kesh nga e dyta, aq më shumë do të kesh nga i pari! Sigurisht që, Kryeministri ynë në shekullin XXI mund të mos jetë dakord më këto thënie, dhe ashtu si dikur ish-Presidenti Alia në fund vitet ‘80-të, mund të zgjedhë të besojë se Shqipëria ngelet një rast i veçantë, ku shtimi i të burgosurve është në të njëjtin krah dhe vërteton rritjen ekonomike, zhvillimin shoqëror, si dhe përmirësimin e arsimit. Tek e fundit, shifrat e Kryeministrit janë gjithashtu kokëforta, dhe vërtetojnë që në Shqipëria vitet e fundit është shumëfishuar si numri i diplomave, po ashtu edhe të burgosurve! Mirëpo, për ata që kuturisen të kenë mendim të ndryshëm, duke përfshirë ligjvënësit, Presidentin që do vijë, gjyqtarët dhe prokurorët, dhe të gjithë stakeholdër-sat (aktorët) që mund të ndikojnë në ndryshimin e kësaj situate, është koha të bashkëveprojnë duke marrë masa konkrete e hartuar strategji, në mënyrë që raporti i të diplomuarve të rritet në mënyrë të zhdrejtë më të burgosurit, e që çdonjëri prej tyre ta meritojë si dëshminë e shkollimit, ashtu edhe të penalitetit. Do ishte e trishtueshme nëse Kryeministrit në vitin 2020 do i duhet “të mburret” se Shqipëria ka arritur në 15 apo, qoftë edhe 8 mijë të burgosur, nga 5 mijë që kemi sot.

Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Panorama Online. Moderatori


Lexoni Gazeta Panorama ne formatin PDF »»KLIKO KETU

7 Komente per “A duhet të krenohemi për shtimin e të burgosurve?”

  1. O Koli, ia ke fut kot, o burre! Kushdo e merr vesh, qe sa me shume te burgosur ordinere, aq me teper qetesi publike dhe kriminalitet. Pa futu ne internet dhe do te gjesh, qe vendet me demokraci te kristalizuar, kane numrin me te madh te te burgosurve. Madje do te gjesh qe ne krye fare, qendron Amerika. Do ta gjesh me statistika, me shifra, dhe jo me fjale moralizuese e hartime shkolle fillore si ky shkrimi yt.

  2. Kriminaliteti, tek ne nuk eshte deri ne bele por deri ne fyt. Uroj qe edhe te tjeret qe do te vijne ne qeverisje, te shtojne kontigjentin mbas hekurave, ta forcojne deri ne nivelin e diktatures tolerancen, perjashto ketu cfare do lloj lufte klasash. Shteti i forte duket kur andikapatet i ka pas hekurave dhe jo ne mes njerzish, atehere kur kesaj lukunie i shpall lufte demokratike pa kompromis. Artikulli i yt nga pozita partiake ne dem te qetesis qytetare tregon disa hesape pa hanxhine shtet. Ndjesine tende tregoje me mire ne interes te popullit jo te krimit. Besoj se kete ndjesi kerkojne qytetaret prej teje personalisht dhe jo fillozofime moralistike, kush eshte cfare dhe si?!!.

  3. Shkrim plotesisht i drejte.Une do thosha qe ka shume njerez qe jane ne burgje per ”vepra te kota” vetem nga drejtesia ose gjyqesia jone e paafte,,denime ne mungese te hapura pas 4 vitesh te palajmeruara, vetem per te kapur ”standartin europian”.N,q se Saliu mendon se te denosh eshte arritje,athere une do thosha Saliu vet duhet te ishte ne burg shume here.Ishalla kujtohet ndonjeri per na nje amnisti apo rishikim ligjesh se ne qe kemi na nje te burgosur syte nga ju po i mbajme..

  4. Shteti që mbyll shkollat dhe hap burgje.Ndoshta është me vënd thënia e H.Mann,për qeveritë “demokratike” në vendin tonë.Hajduti profesionist si në burg dhe jashtë tij do të vjedh.Tjetër është gjendja ekonomike që i detyron dhe adolishentët të përlyhen në këtë ves historik.Mendojë se shkrime të tilla janë me interes,për ne lexuesin,që faktet e bëjnë të besueshme,dhe janë kokëforte dhe të pakundërshtueshme për ekstremistët partiak,që gëlojnë me bollëk në Shqipëri…

  5. Zoteria ka shkruajtur drejt. E si mund te jete suskes shtimi i te denuarve? Me logjiken e Saliut, Zav dhe beni.I, i bie qe diktatura qe i kishte burgjet plot, madje e kishte kthyer gjith Shqiprin ne burg te kete qene qverisja me e suksesshme qe ka pas ky vend. Hajde mendje hajde. Shtet i suksesshem eshte ai qe mbush shkollat plot, jo burgjet.

  6. BRAHUSH BUBULLIMA

    Mjaft fjalë për asgjë,ore Bele me kë e ke ore burrë ,me Saliun,Me Ramizin,Me Presidentin, Me mediat, Me gjykatat, Me krizën po sqaroje ore se na lodhe..Mos dil më në media me shpresën se të bën PS deputet dhe i bën qejfin babit pastaj……

  7. ore koli po mir mo si thua ti te livadhisin kriminelet bulevardit te fierit e lushnjes apo te jen ne burg?
    dashke te jen te lire ti aldo baret e zan caushet mo?

Beni nje Koment


5 + 2 =

Gazeta Panorama zgjedhje 2009
Social Network


Abissnet
Gazeta Panorama Alexa toolbar

VIDEO



Showbiz

Lifestyle

Teknologji

Kuriozitete

© 2013 Gazeta Panorama ONLINE. All Rights Reserved.   Powered by: ikoncept