Tapite me 7501: PS abstenon, PD kalon me 68 vota “Pronat”
Aktualitet e Premte, 18 Maj, 2012 | 11:58 am
Maxhoranca miraton ndryshimet në tri ligje për tokat pa certifikatë pronësie. Mediu e Oketa votojnë kundër.
Opozita abstenon në Kuvend duke i dhënë mundësi maxhorancës ta kalojë provën e prezencës.
PD kalon ligjin me 68 vota, Mediu e Oketa kundër.
Parlamenti ka miratuar vetëm me 68 vota pro të maxhorancës tri projektligjet për tokat bujqësore të propozuara nga ministrat Genc Pollo dhe Genc Ruli.
Projektligjet në fjalë kaluan me në numër minimal votash, për shkak të votave kundër brenda radhëve të shumicës parlamentare. Këto ligje kaluan dhe për shkak të votës abstenim të opozitës, pasi shumica në Kuvend nuk arriti e vetme 71 votat e nevojshme. Nëse opozita nuk do të votonte, atëherë tri nismat e qeverisë nuk mund të kalonin vetëm me 68 votat e mbetura të të djathtëve. Projektligji “Për kalimin në pronësi pa shpërblim të tokës bujqësore”, ai “Për përfundimin e procesit të kalimit në pronësi përfituesve të tokës bujqësore të ish-ndërmarrjeve bujqësore” dhe projektligji “Për shqyrtimin e vlefshmërisë ligjore të krijimit të titujve të pronësisë mbi tokën bujqësore” kanë marrë 68 vota pro, 55 vota abstenim të opozitës dhe 3 vota kundër. Ministri i Mjedisit, njëherësh kryetari i Partisë Republikane dhe deputeti i larguar nga Grupi parlamentar i PD-së, Gazmend Oketa dhe deputeti i PS-së Tom Doshi votuan kundër shumicës, për ligjet e tokave bujqësore. Në projektligjin e fundit, votave kundër, ndryshe nga grupi, i është bashkuar edhe deputeti socialist Arben Isaraj. Maxhoranca në këtë votim ra në minimumin e votave, për shkak të mungesave në radhët e saj. Nga e djathta mungonte Kryeministri Sali Berisha, ministri i Arsimit, Myqerem Tafaj, kreu i LSI-së, Ilir Meta dhe nënkryetari i Kuvendit, Vangjel Tavo. Ky i fundit ka marrë pjesë vetëm në votimin e fundit për rezolutën e Entit Rregullator të Energjisë, që kaloi me 71 vota pro, 57 kundër dhe 2 vota abstenim të deputetëve të PS-së Paulin Sterkaj dhe Sadri Abazi. I pyetur nga “Panorama”, deputeti i pavarur Gazmend Oketa theksoi se vota e tij kundër vjen për shkak se çështja e pronës nuk mund të zgjidhet me arnime ligjesh. Ai theksoi se kjo çështje mund të zgjidhet vetëm më një konsensus midis palëve politike, dhe jo me debate politike. “Votova kundër, pasi zgjidhja e çështjes së pronësisë nuk mund të vazhdojë të trajtohet me arnime ligjesh. Zgjidhja e kësaj çështjeje kërkon një konsensus të gjerë politik dhe transparencë maksimale, pasi është një çështje që ka të bëjë me të drejtën themelore të shtetasve shqiptarë”, theksoi Oketa.
Ndryshimet
Ndryshimet në tri ligjet e propozuara nga ministrat Ruli dhe Pollo synojnë të pajisin me tituj pronësie të gjithë fermerët që kanë marrë toka bujqësore me ligjin 7051. Me ligjin e krijimit të titujve të pronësisë, do të mundësohet plotësimi i dokumentacionit për të gjitha ato familje bujqësore që komisionet vendore nuk i kanë plotësuar me dokumentacion të rregullt. Ndërkaq, ligji “Për kalimin në pronësi pa shpërblim të tokës bujqësore” synon të pajisë me dokumentacion ato familje që e kanë tokën në përdorim, por që nuk e kanë marrë atë me tapi. Për këto familje do të zbatohet norma për frymë, dhe nëse rezulton se ato kanë përfituar më shumë prona seç duhet, atëherë u jepet e drejta që të blejnë një pjesë të këtij trualli. Ndërsa nisma e tretë ligjore synon që i gjithë procesi i pajisjes me tituj pronësie për ish-ndërmarrjet bujqësore të përfundojë më 21 tetor të vitit 2013.
71 votat dje maxhoranca i ka siguruar vetëm gjatë votimit në Kuvend për rezolutën e vitit 2012 të Entit Rregullator të Energjisë. Ndryshe nga ligjet e pronave, deputetët Mediu dhe Oketa kanë votuar së bashku me shumicën në Parlament. Nga radhët e PS-së, deputetët Paulin Sterkaj dhe Sadri Abazi kanë abstenuar, ndryshe nga Grupi.
Debatet në Kuvend për pronat
Erjon Braçe: Drafti i qeverisë që lë në fuqi, 750 metra katrorë, por që synon të kufizojë kategoritë përfituese të këtyre 750 metrave katrorë. Dhe ndarja në dy ligje që ka bërë Komisioni i Ligjeve, lë në fuqi këtë fakt. Behët fjalë për 11 mijë hektarë, 110 milionë metra katrorë në të gjithë vijën bregdetare, sepse referohet me një vendim qeverie të zotit Meksi, që kanë të bëjnë me vijën bregdetare. Ish-pronarët e ligjshëm apo pronarët nuk do të përfitojnë asnjë gjë me këto nisma ligjore.
Genc Ruli: Qëllimi final i këtyre projektligjeve është plotësimi me dokumentacion i pronarëve të tokave bujqësore dhe jo keqinformimi që u behët, që do të ndodhë një ndarje e re e tokës. Toka në Shqipëri është ndarë. Janë 560 mijë hektarë, që kanë përdoruesit e tyre, në tërësi pronarët janë plotësisht të ligjshëm, por që nuk janë të pajisur me dokumentet që ligjërojnë të drejtën e pronësisë.
Fatmir Mediu: S’ka më asnjë pëllëmbë tokë të lirë. Ky ligj krijon dhe një situatë që legjitimon marrjen e tokës nga shoferë drejtorësh, drejtorë, specialistë që kanë punuar dikur në fermat bujqësore, por që s’kanë asnjë lidhje me to, jetojnë në Tiranë apo në vende të tjera. Një situatë absurde. Do të thotë që unë si inxhinieri nafte, duhet të shkoj të marr pusin e naftës, meqë kam punuar dikur në naftë. Pra, të paktën kjo kategori duhet përjashtuar, se nuk kanë asnjë lidhje për punimet me interes bujqësor dhe skanë asnjë lidhje edhe pse zotërojë disa tituj që i kanë marrë për shkak të ligjeve të atëhershme. Pra, duhet të korrigjojmë ato padrejtësi, për të korrigjuar ato probleme që janë krijuar me pronarët e ligjshëm.
Eduard Shalsi: Ministri i fundit nuk arrij ta kuptoj se çfarë bën 20 vjet me Sali Berishën, ndërkohë parimi i fundit me të cilin është ngritur partia e tij është prona dhe pronarët. Dhe nuk ka sesi ky njeri vazhdon të jetë me Sali Berishën. Dhe sot ky njeri duhet t’i kërkonte një ndjesë të madhe atyre që e kanë votuar. Për shkak se është në një aleancë pa kurrfarë ideali dhe parimi. Ministri bëri pa pasion dhe pa temp atë që donte të mbronte.
Fatmir Mediu: Zoti Shalsi më kërkon që të kërkoj falje, zoti Shalsi ta dish që në 1991 kam qenë për pronën private, kam qenë në grevë urie me pronarë. Kam bërë Kushtetutën në favor të pronarëve, kam përcjellë 5 akte ligjore, kur ju keni qenë në pushtet dhe ju i keni injoruar pronarët. Falje duhet të kërkoni ju që i keni burgosur, falje duhet të kërkoni ju që u keni marrë pronën. Falje duhet të kërkoni ju që i quani bejlerë dhe agallarë. Me keqardhje, dhe jo rrallëherë pronarët janë zhgënjyer nga këto keqinformimet politike, dhe nga ana tjetër ju flisni për pronarët, dhe pastaj flisni për ata që 7051-shit, pra përpiquni të sqaroni pozicionin tuaj dhe mos u përpiqni të lozni me dy këmbë. Sqaroni pozicionin tuaj politik, a jeni për pronarët apo për 7051-shin, jeni për pronarë, apo për 8035-n, atëherë duhet të vini dhe të ngrini zërin për çështjen e pronës.
Jemin Gjana: Ligjet marrin përsipër për të mbyllur procesin e nisur vite më parë. Ligjet nuk marrin përsipër t’i heqin titujt e pronësisë askujt, që ia ka dhënë ligji i 1991 dhe ligji i 1995. ligji kërkon të korrektojë atje ku dikush ka marrë tokë më shumë, atje ku dikush ka marrë padrejtësisht. Këtu u ngrit një pretendim për bregdetin, po në qoftë se qëndron e vërteta që pretendojnë banorët e Himarës dhe Bashkia se në Himarë kanë marrë tokë bujqësore nga ish NB-ja, që nuk e kanë pasur emrin në regjistrin vitit 1991 në Himarë, ligji i bërë në 2008, u heq titujt e pronësisë.
Fatmir Mediu: “Penalizohen pronarët e ligjshëm”
Kryetari i PR-së, Famir Mediu, deklaroi votën kundër për tri nismat e qeverisë për tokat bujqësore. Mediu kundërshtoi në Parlament projektligjet, duke i quajtur ato si nisma që do të krijojnë konfuzion në zgjidhjen e çështjes së pronës. Për Mediun, pronarët e ligjshëm janë të vetmit që penalizohen nga këto projektligje, që sipas tij kanë lënë shkas për abuzime. Mediu tha se në Shqipëri nuk ka më asnjë pëllëmbë tokë të lirë, dhe kjo për shkak të abuzimeve që janë bërë me legjislacionin në fuqi. “Sa e sa sipërfaqe është grabitur ndaj pronarëve të ligjshëm, pavarësisht se flitet për konsensus për dhënien e lejeve të përdorimit dhe këshillat vendorë kanë qenë pjesë e abuzimit. Dhe mosdhënia e titujve apo akteve të përdorimit, ka ardhur si pasojë e interesave të niveleve komunale dhe bashkiake, prandaj mendoj se ligji nuk ka të bëjë me konsensusin, por duhet të ketë të bëjë me të drejtën e vërtetësisë së pronës”, theksoi Mediu.
Gazmend Oketa: “Prona nuk zgjidhet me arnime ligjesh”
Deputeti i larguar nga PD, Gazmend Oketa, i pyetur nga “Panorama” për votën kundër, theksoi se çështja e pronës nuk mund të zgjidhet me arnime ligjesh, por vetëm me një konsensus të gjerë politik midis palëve. Oketa theksoi se nuk mund të bëhet politikë më me të drejtën themelore të pronës dhe si e tillë, miratimi i ligjeve që nuk e zgjidh këtë çështje e bën të pakuptimtë votën pro. “Votova kundër, pasi zgjidhja e çështjes së pronësisë nuk mund të vazhdojë të trajtohet me arnime ligjesh. Zgjidhja e kësaj çështjeje kërkon një konsensus të gjerë politik dhe transparencë maksimale, pasi është një çështje që ka të bëjë me të drejtën themelore të shtetasve shqiptarë. Kjo çështje nuk mund të trajtohet më si një çështje që njëri krah e kundërshton ndryshimin e propozuar dhe tjetri e mbron, pasi politikë me parimet e së drejtës nuk mund të bëhet më. Konsensusi dhe vullneti politik duhet të jenë për t’i dhënë një zgjidhje përfundimtare kësaj çështjeje”, theksoi Oketa.
Braçe: Do mbeten 8 mijë familje pa tokë
Deputeti i Partisë Socialiste, Erjon Braçe, akuzoi dje qeverinë se me ligjet e pronave penalizion 8 mijë familje, pronarë të ligjshëm të tokave bujqësore. Gjatë fjalës në Parlament, nënkryetari i Grupit të PS-së theksoi se nga këto nisma synohet të lirohen rreth 11 mijë hektarë tokë, të cilat sipas tij do t’u shiten klientëve të qeverisë. “Bëhet fjalë për 11 mijë hektarë dhe këtë duhet ta dëgjojë çdo shqiptar, 11 mijë hektarë dhe për 8 mijë familje. Po i theksoj këto dy shifra, sepse thelbi i ligjit është në dëm pikërisht të këtyre 8 mijë familjeve dhe natyrisht të çlirimit të 11 mijë hektarëve nga këto familje, për t’i lënë të lira pastaj për të gjithë klientët e qeverisë”, tha Braçe.
FATION BINJAKU






























panorama nuk e di sa profesional jeni, por pyetja juaj “Presidenti i ri duhet të jetë një person që merret me politikë, apo jashtë saj?” eshte pyetje e cila jep pergjigje po ose jo te ndershkembyeshme, dhe nuk habitem qe pergjigjet jane ndare ne menyre te barabarte. si te thuash jo si te thuash po me nje pyetje te formuluar ne ate menyre po dhe jo jane e njejta gje si te jete presidenti brenda politikes si te jete jashte saj. pyetja duhet te ishte formuluar ne kete menyre: “Presidenti i ri duhet të jetë një person që merret me politikë?”
doja te dija nese dikush mund te me pergjigjet un jetoj jasht shtetit , por ne kohen e ligjit te famshem familjes time nuk i eshte ndar tok ne zonen ku banonim per niglizhenc te dikujt ne ate koh , familja ime ne baz te dokummentacionit qe zotroj perfitonte 3500 dylym per frym ,. edhe pyetja ishte kjo a mund te aplikoj per te mar sot ate qe na takon,. faleminderit