Prefekti: Dy mbledhjet e Qarkut të paligjshme, me këshilltarë fiktivë
Kronike e Premte, 4 Maj, 2012 | 15:29 pmFIER- Prefekti i ri i Fierit, Robert Bitri, ka komentuar për herë të parë në lidhje me situatën në Këshillin e Qarkut. Sipas tij, të dyja mbledhjet e zhvilluara paralelisht nga të majtët dhe të djathtët në ambiente të ndryshme, janë të paligjshme dhe me anëtarë fiktivë. Ai pohoi se asnjëra prej aleancave nuk ka pasur kuorumin e nevojshëm për të zhvilluar mbledhje, duke dhënë edhe argumente në lidhje me numrin aktual të anëtarëve në këshill. Sipas tij, 9 këshilltarë, nga 96 që duhet të ketë qarku, janë të pezulluar dhe në procese gjyqësore. Prezenca e tyre në këshill është e paligjshme, dhe e tillë mbetet edhe përllogaritja e kartonëve të tyre. “Duke parë çështjen e koklavitur të Këshillit të Qarkut, ngërçin që është krijuar në mirëfunksionimin e këtij këshilli, më janë paraqitur në institucion emrat e këshilltarëve që kanë marrë pjesë në mbledhjen e Këshillit të Qarkut, si në atë që është organizuar nga të djathtët, ashtu edhe nga të majtët. Sipas këshilltarëve të majtë, kanë marrë pjesë në këtë mbledhje 56 këshilltarë, ndërsa në mbledhjen tjetër më ka ardhur lista me 49 këshilltarë. Në të njëjtën kohë, më është paraqitur dorazi edhe një vendim i Gjykatës së Apelit Vlorë. Ajo që vë re është se sipas këtij vendimi gjyqësor, i bie që 4 këshilltarë të Këshillit të Bashkisë Patos duhet të ndërrohen. Por, në këndvështrimin ligjor, edhe tre këshilltarë të Këshillit të Bashkisë Fier dhe 2 këshilltarë të tjerë të Këshillit Bashkiak Divjakë janë të pezulluar. Sipas kësaj logjike, për mua ata këshilltarë janë të pavlefshëm”, u shpreh prefekti Bitri. Sipas sqarimit zyrtar të prefektit, kjo llogari matematikore sjell një numër të ulët këshilltarësh, çka do të thotë se të dyja mbledhjet, njëra e zhvilluar në ambientet e Bashkisë dhe tjetra në hotel “Fier”, konsiderohen të paligjshme. “Në këto kushte, numri i këshilltarëve të qarkut bie dhe shkon në shifrat e 91 këshilltarëve, nga 96 që duhet të jenë gjithsej. Kjo sjell një tjetër situatë për sa i përket numrit të kuorumit të nevojshëm për thirrjen e mbledhjes së Këshillit të Qarkut. Nëse bëjmë një llogaritje matematike, i bie që njëra palë (e djathta) të ketë 45 këshilltarë dhe pala tjetër 46 këshilltarë. Pra, nuk kemi kuorumin e përcaktuar me ligj për mbledhjen e Këshillit të Qarkut”, u shpreh më tej prefekti Bitri. m.r





























Z. Prefekt, kur kualicionit tuaj i ka humbur Logjika, pse kerkoni ndihme nga Matematika?
Edhe Matematiken, e cila eshte shkence ekzakte doni ta beni Retorike?
Po te jap nje vendim te Gjykates se Apelit Vlore, ku e gjejme edhe te botuar ne Gazeten “Shqip” te dates 30.04.2012, ku sqaron qarte:
Qarku i Fierit, zbardhen argumentet e Apelit që rrëzojnë të djathtët
Gjykata e Apelit ka interpretuar ligjin për pushtetin vendor, nga ku sqarohet qartë arbitrariteti i rikonstituimeve të kryera nga demokratët
Gjykata e Apelit Vlorë ka kryer interpretimin e saj të vendimeve të marra për rrëzimin e rikonstituimeve të kryera nga të djathtët në Këshillin e Bashkisë së Patosit dhe të këshillit të Komunës së Krutjes, ku u ndryshuan anëtarët përfaqësues të këtyre njësive vendore në Këshillin e Qarkut Fier. Gazeta “Shqip” ka siguruar dy vendimet e zbardhura të Gjykatës së Apelit Vlorë, ku është sqaruar edhe baza ligjore nga ku është mbështetur shqyrtimi gjyqësor. Treshja gjykuese e Apelit Vlorë, Hysen Saliko, Andi Civici dhe Sokol Ngresi, kanë theksuar në vendimin e tyre se Gjykata e Shkallës së Parë Fier, që ka rrëzuar padinë e të majtëve që kërkonin pavlefshmëri absolute të vendimeve të marra në rikonstituimin e kryer nga të djathtët, është kryer në kundërshtim me ligjin. Në vendimin e formës së prerë thuhet: “Gjykata e Apelit Vlorë, e cila shqyrton çështjen mbi ankimin e paditësve, e gjen vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë Fier në interpretim të gabuar të ligjit material e atij procedural dhe konkretisht ligjit Nr. 8652, datë 31.07.2000 ‘Për organizimin dhe funksionimin e qeverisjes vendore’ dhe neneve 115-118 të Kodit të Procedurave Administrative dhe si i tillë ai do të ndryshohet duke vendosur pranimin e padisë së paditësve Nebi Maska dhe Bari Abedini, duke konstatuar pavlefshmërinë absolute të vendimeve nr. 49 dhe 50 të datës 12.10.2011 të Këshillit të Bashkisë Patos”. Bëhet fjalë pikërisht për vendimet e marra në rikonstituimin e këshillit të kësaj bashkie të kryer nga grupimi ‘Aleanca për qytetarin’, të cilët ndryshuan këshilltarët që e përfaqësojnë këtë njësi vendore në qark. Sipas gjyqtarëve të Apelit, arsyetimi i Gjykatës së Shkallës së Parë Fier se këshilli i komunës apo i bashkisë zgjedh dhe heq vetë mandatin e përfaqësimit të përfaqësuesve në Këshillin e Qarkut është një interpretim që vjen në kundërshtim me nenet 26, 27, 32, 52 dhe 54 të ligjit nr. 8652 datë 31.07.2000. Më tej thuhet se pretendimet e ngritura në ankimin e paditësve janë të drejta dhe në përputhje të plotë me ligjin. Gjykata e Apelit Vlorë ka bërë edhe një interpretim tjetër lidhur me kompetencat e këshillave të njësive vendore dhe atij të qarkut. “Gjykata e Apelit konkludon se këshilli komunal/bashkiak është përgjegjës për të dhënë apo për të hequr mandatin e këshilltarit të vet (neni 26/6/b; 27; 52/3/b e ligjit nr. 8652 datë 31.07.2000) dhe këshilli i qarkut është përgjegjës për të ushtruar kompetencën e vërtetimit ose heqjes së mandatit të këshilltarit të qarkut që është zgjedhur nga këshilli i komunës/bashkisë (neni 54 germa k e ligjit të sipërcituar)”, thuhet në vendimin e zbardhur të treshes gjykuese të Apelit Vlorë. Aty shtohet fakti se pala e paditur, Këshilli i Bashkisë Patos u ka hequr mandatin paditësve Nebi Maska dhe Bari Abedini me cilësinë e anëtarit të Këshillit të Qarkut Fier, duke mos e pasur këtë kompetencë. Në përfundim të gjykimit është vendosur konstatimi i pavlefshmërisë së ndryshimit të këshilltarëve të qarkut nga Këshilli i Bashkisë Patos. Gjithashtu, bazuar në të njëjtat argumente ligjore, Gjykata e Apelit Vlorë e ka cilësuar si të drejtë vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë Lushnjë, që kishte konstatuar të pavlefshëm ndryshimin e kryer prej të djathtëve të këshilltarit të Komunës Krutje që e përfaqëson këtë njësi në qark. Sipas Apelit, ndryshimi i këshilltarit të qarkut mund të kryhet vetëm nga këshilli i qarkut dhe jo nga këshillat e njësive vendore.
Pra, nga sa lexuam, keshilltaret e Bashkise se Patosit (qe jane 2 e jo 4 sa shprehet Prefekti) i perkasin te majteve.
Te bejme nje mbledhje te thjeshte matematikore: ne mbledhjen e Keshillit te Qarkut te Fierit me date 24.04.2012 moren pjese 55 keshilltare, nese heqim 3 keshilltaret e Bashkise se Fierit dhe 2 te Bashkise se Divjakes ngelin 50 keshilltare te majte, pra behet kuorumi per mbledhjen e Keshillit te Qarkut.
Persa i takon anetareve te djathte, ata nuk e kane patur dhe nuk do ta kene ndonjehere shumicen ne keshill.
Shtrohet pyetja, po ta kishte fituar e djathta Keshillin e Qarkut te Fierit, do kishte guxim njeri te pretendonte drejtimin e Qarkut?
Ne nje shtet ku nuk pyetet per ligj, Matematika nuk funksionon.
ZOTI I RUAJTE TE MARRET!!!