Maratonomake
Opinion e Premte, 13 Prill, 2012 | 09:44 amPrej shtatë vjetësh vidhemi e rripemi, grabitemi e vritemi, përbuzemi poshtërohemi e turpërohemi kombëtarisht e ndërkombëtarisht nga një grusht makutësh që e quajnë veten qeveri dhe mbahen në këmbë përmes dallavereve numerike parlamentare. Dhe Shqipëria, megjithatë, vazhdon të ekzistojë. Shqiptarët, megjithatë, marrin frymë, shohin e dëgjojnë, flenë gjumë natën, rrinë zgjuar ditën, bëjnë muhabet, pinë kafe, pinë ujë, ndonjëherë edhe birrë. E pamundur që përballë një katastrofe të tillë qeverisëse të mos ndodhë diku afër ose diku larg ndonjë gjë tjetër që është e kundërt, ndonjë gjë e mirë, pozitive, ndonjë gjë që ruan drejtpeshimin, që shqiptarët përballë një mjerimi dhe turpërimi të tillë nuk çmenden dhe Shqipëria nuk zhduket nga faqja e dheut, nuk fundoset nga ndonjë tërmet i befasishëm.
Nëpër gjithë Shqipërinë po ndodhin vrasje. Sidomos kohët e fundit. Jo vetëm nga ato që rëndom quhen “vrasje brenda familjes”, por edhe të tjera vrasje, vrasje jashtë dhe anash familjes, madje edhe vrasje sipër dhe poshtë familjes, me thika dhe lopata dhe hanxharë dhe gjithfarë mjetesh dhe armësh të tjera, të ftohta dhe të ngrohta, të mprehta dhe të ndryshkura. Vrasje dhe therje nga më të çuditshmet që s’i kemi parë as nëpër filma. Megjithatë, edhe pas kësaj epidemie të pandalshme vdekjeje, në Shqipëri prapëseprapë jeta vazhdon. Shqiptarët, megjithatë, vazhdojnë të fejohen e martohen, të bëjnë fëmijë, të këmbejnë vizita me njëri-tjetrin, të bëjnë qoka. Edhe ky fakt është një tjetër arsye që të bën të mendosh se është e pamundur që dikush apo disa, në një mënyrë ose në një tjetër, të mos bëjnë ndonjë gjë që i vë fre vdekjes dhe vendos një ekuilibër për të bërë të mundur vazhdimin e jetës. Përndryshe, epidemia vrastare si kjo e kohëve të fundit do na sëmurte të gjithëve dhe brenda pak muajve s’do të kishte mbetur shqiptar në këmbë.
Plasi Gërdeci. Kaluan vite dhe shkaktarëve të vërtetë, drejtësia e shtrembër nuk u nguli asnjë gjemb në këmbë. Çfarë drejtësie është kjo drejtësia jonë? Ta prekësh, përfundon në burg. Ta mendosh, sëmuresh. Ta analizosh, vret veten. Por, megjithëse ndonjëherë edhe në burg përfundojmë, megjithatë as sëmuremi, as veten e vrasim. Që domethënë se diçka tjetër, një faktor i jashtëm, i padukshëm, drejtpeshues, na pengon të sëmuremi, të vrasim veten apo të bëjmë ndonjë gjë tjetër të ngjashme.
Vështirë të besohet që fjala të jetë për ndonjë fenomen hyjnor fatalist të tipit “Zoti i sheh të gjithë”, dhe aq më pak, “e drejta vonon por s’harron”. Jo se Zoti nuk merret me Shqipërinë. Zoti merret me Shqipërinë, por përvojat e kaluara kanë provuar se jo në mënyrë të drejtpërdrejtë.
Se ka edhe të tjera.
Për shembull, vdekjet e minatorëve të Bulqizës. S’do mend se po të mos vepronin mekanizma ekuilibrues nga ata të sipërpërmendurat me efektet përkatëse, sot nuk do të kishte mbetur minator Bulqize i gjallë. Por Bulqiza vazhdon të mbetet plot me minatorë. Pra, edhe në këtë rast është më se e qartë që diku diçka që garanton vazhdimin e ekzistencës bën punën e vet.
Ata që e mbajnë veten patriotë vodhën milionat e dollarëve të Rrugës së Kombit. Edhe hajdut, edhe patriot është jo thjesht diçka që nuk honepset, por absurd, paradoks. Dhe menjëherë të del para syve ajo gjëja e paqartë, ajo diçkaja e turbullt që me siguri ndodh, dhe me siguri një efekt pozitiv edhe në këtë rast e bën. Përndryshe, “patriotët” do ta kishin vjedhur të gjithë rrugën dhe sot e kësaj dite “patriotë” e “tradhtarë” do të iknin në Kosovë për të pirë një kafe nga rruga e vjetër e Fushë-Arrzit.
Ka edhe plot shembuj të tjerë të asaj gjësë misterioze që me siguri ndodh dhe siguron vazhdimësinë e jetës.
Cila është ajo mrekulli e fshehtë, vallë? Kujt i ka vajtur mendja ta bëjë? Ku ndodh? Pse e bëjnë? Për hesap të kujt e bëjnë? Çfarë përfitimi kanë? Sa paguhen ata që e bëjnë?
Ka kohë që i bluaj këto pyetje në mendje. Krejt rastësisht e zbulova të vërtetën e çuditshme që, me sa duket, Zoti nuk preferoi ta mbante përgjithmonë të fshehur. Nuk e përjashtoj aspak mundësinë që skeptikët e kudondodhur shqiptarë të mos e besojnë çfarë do t’u them pas pak. Por mua aq më bën. Sepse unë sekretin e vijueshmërisë së jetës së Shqipërisë dhe shqiptarëve tashmë e di. Ai sekret nuk ka asnjë lidhje, për shembull, me 100-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë, karakterin e Ismail Qemalit, apo ambiguitetin e tekstit të Himnit të Flamurit. Nuk ka gjithashtu aspak të bëjë me gjenin, racën, historinë, klimën dhe të tjera të tilla. Në fakt, asaj të vërtete që me siguri ka formën e një lëmshi të madh unë i kam kapur vetëm fillin. Por përderisa për të zhdredhur lëmshin mjafton vetëm kapja e njërit skaj të fillit të tij, s’kam pse të mos them se të vërtetën e kam gjetur.
E vërteta e këtij misteri është kjo:
Ndonjëherë ndodh që…
Jo, nuk ndodh ndonjëherë, ndodh hera-herës.
Pra, hera-herës me shqiptarët ndodh që ata…
Ah jo, as hera-herës nuk shkon. Nuk shkon sepse hera-herës i bie që mes herëve të këtë edhe boshllëqe gjatë të cilave Shqipëria do ishte fundosur, çka, veçse pjesërisht, të paktën deri tani, ende nuk ka ndodhur.
Prandaj, e sakta fare, është:
Ndodh gjithmonë që, hera-herës, pa u ndjerë, në fshehtësi, disa shqiptarë, bëjnë një gjë jashtëzakonisht të rrallë; jo vetëm urrehen, por edhe duhen.
Ja, e thashë. Kjo ishte e gjitha.
E thashë, por mbetet pyetja: Cilët janë ata shqiptarë dhe ato shqiptare që në ditët e sotme, përmes dashurisë, vendosin ekuilibrin dhe na ruajnë nga rrokullima në fund të greminës?
Ata janë, në fakt, ato janë disa gjimnaziste të një gjimnazi të Tiranës. A e dini çfarë bëjnë ato gjimnaziste? Me siguri nuk e dini. Se po ta dinit, nuk do vuanit, nuk do ankoheshit, nuk do sëmureshit. Ajo që bëjnë ato gjimnaziste është pikërisht ajo gjëja e fshehtë dhe madhështore që siguron mbijetesën e Shqipërisë dhe të shqiptarëve. Ato gjimnaziste nuk bëjnë llafe, nuk bëjnë zhurmë, nuk shkruajnë nëpër gazeta, nuk dalin nëpër televizorë. Ajo që ato gjimnaziste bëjnë është diçka totalisht e heshtur. Një tërmet që nuk shkatërron, por vetëm përkund. Një vullkan, llava e të cilit nuk djeg, por vetëm ngroh. Ato gjimnaziste dërgojnë letra. Jo e-mail-e. Letra me zarf, me tutkall, me ngjitje me pështymë, ngjitje pulle, hedhje në kuti postare. Çfarë lloj letrash? Përgjigjja e kësaj pyetjeje është e thjeshtë. Po pra. E gjete. Letra dashurie. Se gjimnazistet vetëm nga ato letra dinë të shkruajnë. Kujt ia dërgojnë ato letra lajmëtaret maratonomake të së mirës që gjithmonë triumfon mbi të keqen, të jetës që gjithmonë triumfon mbi vdekjen? Kjo pyetje, përderisa ndryn brenda vetes një të fshehtë aq të rëndësishme siç është sekreti i mbijetesës së shqiptarëve, është pyetja më e vështirë, përgjigjen e së cilës nuk e gjen dot asnjeri në botë. Ato letra dashurie ato gjimnaziste ua dërgojnë disa bashkëmoshatarëve të tyre të panjohur prej të cilëve marrin edhe përgjigje. Ata janë disa të rinj të burgosur në Burgun e Kavajës.





























Ky nuk eshte shkrim,por hartim,qe ne seline e PS shefat do ta vleresonin maksimalisht,por per nje sy gjakftohte eshte nje tmer te mendosh se ka drejtues te tille te rinje qe fluturojne,jashte realitetit ,ose per tu bere qejfin shefave e nxijne realitetin dhe e bejme me te zymte akoma perspektiven
Ky shkrim te shtyn te reflektosh thelle…
Shkrim frymezues
Zonjë e ish-mjaftit, qahesh për “krimet që bëhen ditën për diell” por nuk të pamë gjëkundi kur ato u kryen nga i biri i Luizës së PS, as kur u kryen nga i biri i Dades e as nga i biri i shokut Ruçi po i PS. Shkruan se janë vjedhur miljona nga autostrada e kombit, mos e ke fjalën për taksën Majko? Autostrada e kombit është aty zonjë, frekuentohet çdo ditë!! me ç’para u ndërtua? me ato të Majkos? Para se të akuzosh për miljonat e vjedhura të autostradës, bëj një hartim si ky sipër dhe për TAKSËN MAJKO.
Ka shum te dhena Spiropali te behet nje Luiz Hoxhe e re per PS-ne. Per 21 janarin ajo dha shum kontribut. E ne 21 janar u vrane e u rrahen qindra bij nenash polic qe ishin ne krye te detyres porqe Spiropali me te tjere sollen bandat per ti masakruar. Spiropake ti je nje njeri i rrezikshem per Shqiperine.
Asgje nuk eshte para teje Lenka Cuko apo Mine Guri apo Vito Kapo. Ti je shum e djallezuar. Dhe shum gjakatare.
O militanti Zenun, ku gjakatare Elisa o driteshkurter, Elisa eshte nje e re qe i ben nder politikes, e ndjeshme, e logjikshme, e artikuluar, perendimore.
Sa bukur qe shkruan ! Sikur te mos ishe marre me politike ti do te ishe presidentja e ardheshme. Por nuk e kuptove gracken, ngece edhe ti. Kujton se Rama eshte me i mire se Berisha… hahahahaha. Ata jane qe te dy nje fare e keqe, te dy injorante pa sherim. Po ti c’deshe?
ooooo zenoooooo,oooooo zenuuun.
“Prej shtatë vjetësh vidhemi e rripemi, grabitemi e vritemi, përbuzemi poshtërohemi e turpërohemi kombëtarisht e ndërkombëtarisht nga një grusht makutësh që e quajnë veten qeveri dhe mbahen në këmbë përmes dallavereve numerike parlamentare” – C’ja ke futur kot o goce! Pse ato 8 vjtet (97-2005) para ketyre 7 vjeteve, mos ishin vitet kur na nderuan kombetarisht e nderkombetarisht nje grusht jo vetem makutesh, por vrasesish e intrigantesh qe i vune zjarrin Shqiperise ne 1997 vetem e vetem per te marre perseri pushtetin qe jau kane lene me tapi baballaret e tyre gjakatare? Si nuk ke turp qe je kaq e re dhe rreshtohesh ne anen e atyre qe lane nam ne bote duke e turperuar cdo dite e me shume Shqiperine? Si do ece perpara ky vend kur nje pjese e rinise se sote mendon e vepron si ti?
Hartim kalamjsh shkolle, e stilit te realizmit socialist,qe beheshin dikur per te demaskuar “regjimin”e Zogut dhe borgjezine kapitaliste,ne kohen kur jetonim ne demokracine e e vertete te diktatures demokratike shqiptare(!!!). Duhet te jete vajza e ndonjerit nga ajo nje e katerta pjese e shqiptareve(!),se,ndryshe nuk spjegohet kaq mllefe: “edhe rjepje,edhe vjedhje edhe grabitje,edhe perbuzje,edhe turperim,edhe poshterim”.Zgjidh nja dy prej ketyre epiteteve,moj vajze,se te tjerat te njejtin kuptim kane…Apo mendon se keshtu hartimi del me i forte….
i bukur ky shkrim
Ese psiko-politike qe po te shkruhej nga nje gjimnaziste , une do t’i vija noten 8. E shkruar nga nje perfaqesuese e ” new generation ” apo e akademise ” Q.Stafa ” te S.Tahirit , une do ta riktheja per permiresim note , sepse ne formen ekzistuese do te merrte noten 6.
Spiropali JE NJESHE! Ky dhe ai artikulli Pune Papunesie te dy fantastike